E merkure, 11.12.2024, 09:06 AM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Kopilat që i polli xhadia

E hene, 03.09.2012, 07:05 PM


KOPILAT QË I POLLI XHADIA DHE NA I LA PAS PORTE

NGA KALOSH ÇELIKU

Moti merrem me studimin e veprimeve “patriotike” dhe karakterin e rrumaducëve shqiptar. Nesër, ndoshta edhe do ta mbroj temën e disertacionit me këtë punim-zbulim shkencor. Vetëmse, jo në univeristet tona, po në Oksford, Howard ose Serbonë. Përditë e pasuroj me risi dhe ide matanë malit te Përroni i Thanës. Çifligu i Xha Derallës. Gjurmët e tyre më shpiejnë pas Shtëpisë, në Hale. Vendi ku rritet me të madhe dhe lulëzon ky soj “luleje xheneti”. Shtat lëshon mes krimbave në shoqërinë shqiptare.

Nateditë i shtrydh trutë me dorë. Përpiqem të them diçka të re për rrumaducët. Lëmsh shkoj në shtrat. Ëndrra shoh të tmerrshme. Jerm flas pasmesnate. Xhindet më rrahin gjithë natën dhe më hedhin dorë më dorë majë lisave. Çative të shtëpive. Pak para agimit më kthejnë si dikur kur isha fëmijë në shtrat, mes Nënës dhe Babait.

Asgjë nuk kam të them diçka të re për rrumaducët. Kopilave, që ua dimë Nënën, po jo edhe Babën. I kam thënë të gjitha nëpër librat e mi artistik dhe me publicistikë letrare kokë më kokë në bibliotekë. Problemi është se, rrumaducët nuk lexojnë libra, po e kalojnë kohën nëpër çajtore dhe “bibliotekat” e partive politike. Rrezik i madh ky për popullin shqiptar në këtë shekull.

Edhe vazhdoj t’i shtrydh trutë nateditë. Kokës t’i bie me grushta. Rrumaducët, them me vete i di e gjithë bota si farë e keqe hithre që na mbiu edhe nëpër arat tona rrëzë maleve. Nuk ka nevojë dhe dobi të humbësh kohë me ta si fenomen i çuditshëm shqiptar. Kancerin e kanë në tru. Përmëtepër, janë pacientë me virus të pashërueshëm komunist. Mjek nuk gjendet në këtë botë që mund t’i shërojë këta eksponentë të “vëllazërim-bashkimit”. Sëmundjen e tërbimit me vite e kanë në gjak, shpirt e tru. Sojin e këtillë të përflakur nga xhindet e shëron vetëm Zonja Vdekje.

Shkak ky, që publikisht heq dorë nga shërimi i rrumaducëve. Nuk ka ilaç, as hajmali që i sjellë në “din e iman”, janë të pashërueshëm me diagnozë të pashpresë neokomuniste. Nuk i shëron dot mjek e as hoxhë me ndonjë hajmali përqafe. Plakat më kot mund t’ju fryjnë mbi ndonjë enë me ujë plot thëngjij të shuar e eshtra të vdekurish. Babashehu, moti ka hequr dorë nga soji i tyre dhe u arratis në Baba Tomor. Thotë: këtij soji të “gjetur” përpara Shtëpisë te pragu i derës me tokmak në kokë u ka rënë Dexhalli. Nuk e dinë ku e kanë kokën e ku bythën. Rrugës nuk ecin me kokë në qafë, po me bythë.

Përditë përjagen para dyerve të partive politike. I shkojnë pas Dashit me brirë mos i bien udhës. Ose, ndonjë partizani partiak me yll të kuq në ball mos rastësisht ua hedhë ndonjë ashtë pas porte. Turren me të katra pas torbës me taxhi. Jo, se e kanë barkun e urët, po për atë se nuk u fryhet syri. Bërrylat i përdorin në ndarjen e taxhisë. Me këmbë e duar i sulen grazhdit të partisë politike. Brirët i vënë në përdorim për rrëmbimin e ndonjë kocke ose koshi me kashtë në Lëmë. Ndodhë, t’i nxjerrin edhe armët kur është në pyetje taxhia. Kohën e fundit siç duket kanë edhe simptome tërbimi. Komente sakate më shkruajnë në mjetet e informacionit: me dhunë duan të më bëjnë edhe hoxhë. Dosje policore më shkruajnë në Facebook duke pi çaj rusi me këmbët dhe trutë në legen. Ndihmë më dalin duke më dërguar përmes faqeve të internetit, merreni me mend edhe viagër. Falë Zotit dhe Natyrës ende nuk e përdor deri në këtë ditë. Ndoshta, do të më hynte në punë për ndojnë plakë, por jo edhe për cucat e reja azgane. Përçudi, kur nuk më dërgojnë edhe pak drogë, ndonjë vijë ose cigare. Ec, e mos i duaj të mjerët. Nuk harrojnë të më përcjellin me thashetheme përmes internetit edhe ndonjë shishe raki rrushi se, “mu ka tharë fyti”. Urime, dhe faleminderit. Tashti, paskeni rënë në “din e iman”.

Mërziten për mua se kam “falimentuar”, e kam shitur gjithë tokën e Babait dhe nuk kam më çka të shes, më ka mbetur edhe një mal me lisa. I lumi unë, që ma bajnë gajlen trusakatët e Allahut. Edhe kush, bërlloku shqiptar që për arsimin dhe kulturën shqiptare nuk e ka dhënë as edhe një kafe. Dudumët që janë nisur të shpërngulen si “turçeli ehamdurila” në Turqi dhe, pasi Turqia e prishi marrëveshjen me Serbinë na mbetën nëpër këmbë si ferra halldupi në Shkup. Rrufjanë, që pas rënies së Rankoviqit ikën me gjithë dhenë nga Kosova. Erdhën ta ushtrojnë zanatin e vjetër të spiunimit, ta shesin veten një vend pune, një nënshtetësi. Vëllezërit e tyre kosovarë që nuk e pranuan këtë profesion edhe sot e kësaj dite janë pa nënshtetësi maqedonase. Dudumëve, që në vend të hajmalive, sot erdhi koha t’ju varim nga një këmbonë të grisur deleje për qafe. Përmëkeq, si buba leshatuk lehin pas Ujkut, nuk e dinë gjithë pasurinë time të patundshme si trashëgim që ma la Babai. Përderisa, ata zvarriten me vite më këmbë e bark mes avlive, unë rrugët e Shkupit dhe Atdheut i shëtis me xhip. Edhe deri më tani i kam pasur makinat e rralla, që rrugëve të Shkupit janë numruar në gishta. Jetën time të bujshme që e kam pasur unë gjatë këtyre viteve të jetës sime në Kërçovë, Prishtinë e Shkup, ata nuk e kanë parë e nuk do ta shohin kurrë as në ëndërr. Hoteleve dhe salloneve aristokrate, kur unë ju kam rënë si kaçak mali përmes Sarajeve të Pashës, ata gjatë asaj kohe nga gëzimi e kanë fërkuar barkun me dorë e lutje drejtuar Allahut (Zotit), para legenit me përshesh me kos. Dudumët e Allahut, që parashohin dhe kërkojnë publikisht që unë të bëj vetëvrasje. Ndonjëri shkon edhe më larg, pas teravisë para këmbëve të Hoxhës Allahut, dëshprohet me mua si shkrimtar duke kërkuar ndihmën e nobelistëve me prejardhje shqiptare. Askushi nuk tha se, nobelistët me parejardhje shqiptare nuk i kanë shërbyer mbarë njerëzimit. Gjest human ky, edhe shumë më i madh shqiptar, që rrallëkush e ka ndonjë popull tjetër në botë. Dhe, mirë që i kemi këta dy nobelistë si pasuri kombëtare. Dhashtë Zoti e kemi edhe një Ismail Kadare, ose ndonjë tjetër personalitet shqiptar. Populli shqiptar është i pasur, gjithmonë i ka dhënë botës dhe i jep ende personalitete më shumë se vetvetes nëpër shekuj. Fjalën e kam pasur dhe e kam në tjetër vend, se këta nobelistë me prejardhje shqiptare shumë pak kanë bërë për popullin shqiptar. Përjashtim këtu bën Ismail Kadare, nëse e merr një ditë çmimin Nobel. Edhe, do të di se ku do të investojë.

Lexuesin tim “besnik” e paskam” marrë më qafë me shkrimet e mia publicistike e letrare: “I nderuar po ju shkruaj ngase nuk shoh ne vargun tend ate qe mendoja se jeni.me vjen keq se paskam genjyer veten.I nderuar separi fillon te qortosh dikend pore pa emer.Nese din diçka emro thuaju lexuesve kush esht.mandej ngushtoni vargun nga shumica e disave dhe treteni ne figure te dikushit.per mua esht vetem çeshtje personale i nderuar dhe çeshtjen personale nuk mund ta hudhish ne shumice ne problem kombetar apo kush e di se òka tjeter.

...

me vjen keq per kete shkrim qe shkruaj pore metevertete kam qen i genjyer per ate qe kam pas mendimin tim shum pozitiv shum kombetar dhe shum poet e kush e di se çka..

Me shprese ne mirekuptim vellazeror Mireqofshi”.

Përfundimi, edhe si përgjigje lexuesve të mi “besnik”: Moti e kam lënë profesionin e mësuesit, që në kohën e sistemit komunist. Nuk mund t’i mësoj sot dudumët shkrim-lexim. Edhe, po të dua është shumë vonë, t’i kthej në klasë të parë me nga një fletore, laps e abetare mbi bangë. Gomë nuk u duhet këtyre “gjenive”. Shumica janë me diploma universitare e tituj shkencor të blerë në Bullgari e Qafë Thanë. Kohën e fundit edhe nëpër universitetet e “vëllazërim-bashkimit”. E kam thënë disa herë nëpër shkrimet e mia se, unë nuk merrem me individë, po me fenomene shqiptare. Përinat timin, dudumët ngulin këmbë, kërkojnë t’i pagëzoj me emra. Mirë them, po unë nuk jam prift e as hoxhë. Edhe pse, të gjithë ato personazhe të potretizuar artistikisht nëpër shkrimet e mia kanë emra e mbiemra. I dinë dudumët se kush janë këta melezë, u shkrua shqip në ballë. Qëllimi im nuk është nëpër shkrimet e mia ta gjej veten vetem një individ, po më shumë “burra” mejdani me “armët” në brez për Liri. Edhe, siç e shoh unë e gjejnë këmbekrye veten mes atyre rreshtave. Përgëzime! Atëherë, pse ngulni këmbë t’i emëroj heronjt e mi të dashur, mos vallë me përmendjen e personazheve të mi artistik mes faqeve në Librin për Nesër, ju mund ta shpëtoni veten nga Përmbytja e Madhe. Jo. Nuk ka njeri të gjallë që mund t’ju nxjerrë nga ky batak ku keni rënë këmbekokë. Gabim i madh, nëse nuk keni ditur të më lexoni mes rreshtave dhe dilni me përfundime ‘patriotike-profetike” si Hoxha i Allahut. Personazhet e mi të arratisur, unë nuk i urrej, po i dua marrëzisht si trima pas lufte. Përsëri, nuk më dëgjoni me veshë, nuk më lexoni me sy nëpër shkrime publicistike e libra në Ditën e sotshme të Motit Madh?! Ose, më dëgjoni e lexoni, po fatkeqësisht me shqisa të tjera mos ua përmend këtu emrin, sidomos asaj që e keni zgjedhur në vend të kokës.

E keni gabim. Tekefundit, më vjen mirë që më shani, reagoni e ofendoni si pa kokë nën shkrimet e mia publicistike. Nuk dua të më lëvdoni për së gjalli. Shkaku, se: Rreziku më i madh për një shkrimtar është, lëvdatat për së gjalli. Vërtet po ma kënaqni lapsin, nuk keni ju faj si lexuesë të dëshpruar, po unë që nuk kam më shumë kohë të merrem me dyluftimet dhe “flijimet e juaja artistike”. Heqi maskat patriotike nga fytyra dhe t’ua hedhë si cungje shelgu para këmbëve në baltë. E di, dikushi do të kërkoj në vend të maskave patriotike, kokën t’ua hedhë para këmbëve, po jo: unë nuk jam kriminel e as xhelat shqiptar. Shpatën moti e kam zëvendsuar me penë. Luftën e urrej, po jo atë me penë. Vend nuk do t’ju lë rrumaducëve për së gjalli ta fshehin kokën garroçe si “patriotë kuqezi” as nëpër parti politike. Nesër, pas vdekjes do t’ju ngrihem Lugat nga varri me gjithë libra. Soj i keq që na e prishët edhe gjakun.

Publikisht heq dorë edhe nga disertacioni i doktoraturës. Rrumaducët nuk janë objket i denj studimi për penën time rebele. Shkaku, se: Nëna Parti ende vazhdon të ma nxjerrë para të më pri gomari me gjithë samar në shpinë. E, ku mund t’i pri gomari fisit të kaçakëve?! Fisit që brez pas brezi me mauzerr për qafe e kalë me shalë janë ngjitur maleve për Liri. Fat i rrumaducve, që sot ky fis nuk e kap për kërpeshi në mes të udhës këtë coftinë me samar e taxhi në grazhd dhe ta hudhë bythekrye në përrua. Gomari, që edhe pse me profesion është hoxhë, tollumbaxhi ose rrugaç kuqezi, merret edhe me vlerësimin e kulturës dhe letërsisë shqipe. Burri i grave vendos për vlerat artistike të letësisë shqipe në Minstrinë e Kulturës. Planprogramet shkollore. Tekstet shkollore. Lektyrat shkollore. Letërsinë maqedonase (Makedonska knizhevnost”. Enciklopedinë maqedonase. Partizançe me direktiva partiake vendos për blerjen e titujve të librave me vetëfinansim të shtëpive botuese nga Ministria e Kulturës. Në mes të udhës, në pluhur shtrihet dhe pellet për liri kombëtare. Flamur kuqezi. Gjuhë shqipe. Shkolla shqipe. Letërsi shqipe. Histori shqiptare.

Edhe, rrumaducët shqiptar në konkursin e shpallur të Minsitrisë së Kulturës nuk e blejnë “Xhadinë” për nevoja të biliotekave, lexojnë dhe shohin veten se si mrizojnë kokë më kokë nëpër institucionet maqedonase (Dardhat gorrice). I blejnë titujt e librave të miqve, familjes dhe klaneve të tyre partiak, me vlera të skaduara arnë përmbi arnë ose të dyshimta artistike. Shpërblimi i fundit i pret pas dere. Zoti u ndihmoftë!...



(Vota: 125 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora