Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: Qorrfishekë kërçove dhe groshë tetove
E merkure, 27.06.2012, 06:41 PM
QORRFISHEKË KËRÇOVE
DHE GROSHË TETOVE
Nga: KALOSH ÇELIKU
Fatkeqësisht, koha është sot shqiptarët t’i bien kokës jo
me gisht, po me grushta. Përçarjen teknefese nëpër parti politike për interesa
personale, familjare e grupore duhet përzënë nga mesi i tyre në theqafje. Edhe
atë, në këtë Njëqindvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë. Motit Madh 2012. Ditë,
kur patjetër duhet ta ndajmë grurin nga byku. Trurin e intelektualëve shqiptar
sipas aftësive ta vëmë në kandar. Dushkun, siç thotë populli edhe në të ardhmen
të mos lejojmë individë dhe parti politike të na e shesin për gogëla. Vlerë të
„arrirë“ politike-kulturore e shkencore. Ballëlartë nëse duam të ecim me popujt
e tjerë të civilizuar krah për krahu në histori. Tjetër punë është ajo se ne, në
lëmë na ka mbuluar byku deri në fyt. Koka dhe duart na kanë mbetur jashtë për
të dalë nga bataku shekullor, së paku ta shpëtojmë veten si popull. Vite me
radhë ne kemi fshi me qe e kalë bereqetin në lëmë që nga koha e Baba Dovletit.
Erë të fortë nuk kemi pasur për ta hedhur grurin në lëmë. Ose, siç thoshte
shpesh Nëna ime plakë: nuk fryn Bukoçi. Byku që nuk e hanë as lopët me vite na
ka mbetur bashkë me grurin mullarë-mullarë te pragu i derës madhe të Shtëpisë.
Shkak ky, që gjatë këtyre viteve të ndryshimeve demokratike ne kemi hëngër bukë
të përzier me byk. Groshë tetove me shkrum e qorrfishekë kërçove. Jo
rastësisht, gati të gjitha partitë politike më të mëdha shqiptare selitë i kanë
themeluar dhe i kanë në Tetovë. Qytetin historik e dy universiteteve. Një parti
politike gjatë gjithë jetës Tetovën e proklamonte si kryeqendër politike e
kulturore shqiptare. Politikisht hoqi dorë nga Shkupi, kryeqyteti i Dardanisë
dhe ambasadave botërore, qyteti me më shumë shqiptar pas Tiranës. Pala tjetër
„strategjike“ e koalicionit në Qeveri për „politikën e tyre madhore“ shqiptare
u biente duarve shuplakë për fitore. Groshën e vënë të zihet në zjarr pa mish
për darkë në Tetovë. Përmëkeq, gjatë këtyre viteve të ndryshimeve demokratike
nuk i qitën ujë në vorbë. Gabim historik i shqiptarëve. Edhe pse, grosha e
Tetovës për nga kualiteti dhe shija është e dëgjuar anë e mbanë Atdheut. Mos
t’i përmendim këtu ëmbëltoret e tyre të dëgjuara nëpër botë. Larg specialitetit
të tyre nuk janë edhe qorrfishekët e Kërçovës. Rasti ma kujtoi edhe t’im Atë
kur shiste groshë në pazarin e Kërçovës. Pazarxhinjt, që donin të blenin groshë
e pysenin: a, është e mirë grosha dhe t’ua thotë të vërtetën, a zihet shpejt me
një ujë në zjarr? E dini si u përgjigjej im Atë? Jo, nuk e dini. Burra, unë e shes
groshën dhe jo gruan time që t’ua përgadis juve në sofër për darkë. Interesant,
ë?! Thënia e t’im Ati sa më përgjason sot me aftësitë e politikanëve shqiptar
gjatë këtyre vrapimeve për pushtet me koka të huaja në qafë.
Ndryshimet demokratike ishin shansë e vetme që ne
shqiptarët vetë me lopatë druri ta hedhim bereqetin në lëmë. Grurin ta ndajmë
nga byku. Egjrën që tinëz përpiqet të na futet si bukë në magje. Arsye e fortë
kjo, që thasët me drith duhet situr mirë maxhatoret tona shqiptare t’i mbushin
me grykë, lidhin mirë me kordhë kanapi dhe dërgojmë në mulli për miell. Groshën
ta vëmë në sofër për darkë si ushqim special tradicional. Nëna ime edhe sot më
kujtohet me lopatë druri gati në dorë, kur priste të fryjë Bukoçi. Bereqetin e
verës ta pastrojë me këmbëngulje mes lëmës nga byku e egjra. Falë saj, ne hanim
bukë pa egjër. Edhe groshë për darkë pa shkrumb, që piqej gjithë ditën e gjatë
në zjarr pranë oxhakut, po e qëndisur përsipri me tëlyen bagëtie sipas dëshirës
së Babait.
Përçudi, partitë politike shqiptare sot nuk e presin të
fryjë Bukoçi. Bereqetin nuk e hedhin si dikur nënat tona me lopatë druri në
lëmë. Fytas janë rrokur me njëra-tjetrën për pushtet. Armët i kanë nxjerrë nga
brezi në emër të popullit. Edhe atë, pa fije turpi e thirrin popullin për
ndryshime politike: na e jepni votën t‘ju nxjerrim në dritë! Jetën gjatë
qeverisjes sonë t’ua bëjmë parajsë me lule. Ne, do t’ju nxjerrim nga bataku në
të cilin edhe u futëm përshkak gabimeve tona gjatë këtyre viteve sa qemë në
pushtet. Merreni me mend, partitë politike që me votën e popullit e fituan
pushtetin dy-tri e më tepër mandate. Mjaftë kohë gjatë këtyre viteve patën ta
dëshmojnë veten, të mos bëjnë më gabime për ndryshime në jetën
politike-kulturore të shqiptarve. Mjerisht, pakgjë bënë në ngritjen e këtij
populli të përvuajtur nga armiqtë shekullor i rrethuar nga të katër anët me
istikame. Gjithmonë e ngritën zërin vetëm para zgjedhjeve lokale e parlamentare
me premtime demagogjike, kur u duheshte vota e popullit. Mjeranët, harronin se
edhe politika ndrron si stinët e vjetit. Kurrë siç duket në jetën e tyre nuk e
kishin lexuar poemën e Ndre Mjedjes: Bilbili. Vargjet e tij të famshëm:
Bylbyl,
ky shekull or e ças ndrrohet:
Bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet;
Edhe natyra po don m’u ndrrue:
Fillo me gëzue.
Gjithmonë, nuk është vetëm verë, ose dimër. Vjeshta vjen
me shi, breshër dhe rrufe. Dihet, gjithmonë shti në lisa e kurrë, në ferra.
Shqiptarët kanë pak lisa e shumë ferra edhe në rrugë. Argatët „besnik“ të
dikurshëm të partive politike, shkaku humbjeve të posteve politike dhe
interesave të tyre personale paralajmërojnë edhe themelimin e një partie të re
me zgjebe politike shqiptare. Ose, koalicion me opozitën maqedonase
neokomuniste për të dalur krah për krahu në zgjedhjet e ardhmshme parlamentare.
Pavetëdije, ua zgjasin jetën partive politike shqiptare të pazoja gjatë këtyre
viteve në pushtet. Publikisht e them: me një bërllok të tillë kontenieri të
harxhuar vetëm për një përdorim, që vetë këto parti politike i kanë djegur me
poste politike gjatë këtyre viteve në pushtet partizanët e tyre me pushkë
shelgu në krah, nuk themeleohet parti e re politike shqiptare dhe nuk do të
kemi ndryshime rrënjësore në politikën shqiptare. Përderisa, këtë bërllok
shqiptar që na ka mbi në oborr, vetë me duart tona nuk e shkulim nga rrënja,
themeli siç thotë Noli i Madh: „... KULTUROFAGËT, krimba të verdhë me kokë
të zezë, që rriten në plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që
mund t’i coptosh, po jo t’i ç’qitësh nga trupi që kafshojnë e thithijnë... që
t’i ç’qitësh këta nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën po edhe
këmbët e trupin...“
Shkaku kryesor ky, që partitë politike shqiptare pasi e
merrnin pushtetin ia futnin gjumë në Qeveri e kabinete me kulturofagët qafë për
qafe për shtatë palë qejfe. Edhe, vazhdojnë të na japin përditë të hamë bukë me
egjër. Groshë tetove me shkrumb e qorrfishekë kërçove. Vetëm, hidhnu një sy
kuadrove të tyre të „zgjedhura shkencore- politike“ nëpër institucione të
shtetit të „përbashkët“, që na i servojnë si bukë të përditshme misëri të
pjekur në çerep poreçe e përsipri saç me shpuzë të Destan Xhypit! Aspak nuk u
vjen era bukë, po era egjër. Shkak ky, që ne si shqiptarë të nëpërkëmbur nuk na
dhemb vetëm barku, po edhe koka. Koha është, shqiptarët njëherë e përgjithmonë
ta ndajnë grurin nga byku. Mjaftë më, shkaku trusakatëve gjithë jetën hëngrëm
bukë me egjër e qorrfishekë kërçove!
Vallë, nuk i shihni partizanët e tyre teknefesë sesi
shtyhen me bërryla në emër të popullit për interesa personale materiale. Poste
partiake duke u përpjekur të shtojnë pasurinë me djersën dhe gjakun e popullit
shqiptar gjoja për shënimin e Njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë,
flamurit kuqezi shqiptar?! Fajin duke ua hedhur të tjerëve pa arsye në mjetet e
informacionit, që nuk derdhin mjete materiale
për xhepat e tyre të grisur si thasë Baba Dovleti. Askushët e djeshëm,
që si turq „ehamdurila“ ishin nisur të shpërngulen me gjithë familje në Turqi.
Mirë do të ishte të ikte edhe ky bërllok shqiptar. Ndoshta, do të shpëtonim nga
„patriotizmi“ i tyre halldup, nuk do t’i kishim këto probleme politike që i
kemi sot në Shkup. Shkaku prishjes së marrëveshjes mes Serbisë dhe Turqisë për
shpërnguljen e shqitarëve në Turqi, na mbetën ferrë e keqe nëpër këmbë edhe sot
e kësaj dite me zemër turku e veshje të rrejshme gjoja shqiptare „kuqezi“.
Partizanë „besnik“ të partive politike, që kokën e kanë në parti e bythën në
Turqi. Zhurmë politike, arsim, kulturë e shkencë bëjnë vetëm për poste partiake
e përfitime materiale.
Amani, malli më ka marrë për pak bujqësi dhe blegtori.
Përshesh me kos në mëngjes te pragu i derës. Barkun e kam plot me arsim,
kulturë dhe shkencë. Ushqim të shëndosh kërkoj për trurin! Lëmsh na i keni bërë
profesionet: Shkencën e keni përzier me turizmin e një sezone verore. Bujqësinë
me fenë Islame. Politikën me prostitucionin nëpër shtëpi publike. Asgjë nuk na
ofroni pëveç zhurmës arsimore, kulturore e demagogjisë politike. Ditenatë na
shtroni në sofër përurime të librave e „konferenca shkencore“. Organizmi i një
shoqërie moderne mendoni se mund ta mbaj veten gjallë vetëm me këto ushqime, që
na i servoni edhe pa kripë. Gabim e keni sot e gjithë ditën, truri juaj nuk
pjellë, e keni mushkë. Trusakatët na i keni vënë në ballë, që nuk janë në
gjendje t’i ruajnë as buallicat e katundit, e ku më dhentë e bariut me gunën
krahëve maleve të Sharrit Plak. Fyellit t’i biejnë lëndinave te Sytë e Sharrit,
që dhentë të kullosin rehat te Lugu i Ymerit. Qentë t’i ndejllin rreth
bagëtisë. Ujku, kurrë të mos u bie paprtimas si dje ndër dele. Gojën ta
mbyllin, që para syve tanë të mos trumbetojnë para kamerave televizive arsim,
kulturë dhe „shkencë“ shqiptare. Zhurmë e përditshme plot politikë deri në
palcë që na i shurdhoi veshët. Edhe kush, pakurrizorët që partia pa kritere
shkencore i mori nga rruga, u dha poste e tituj shkencor dhe i ngriti nga
bërlloku i kontenierve në kuadro universitar.
Vorba mbi zjarr po vlon me gurgullimë, thotë populli.
Kapaku i saj kërcen valle kaçake, derdhet grosha. Dramagjakut me kokë gjarpëri
nga vapa i dridhen këmbët. Ndodhë, të dalë nga shpuza, ecë nëpër dhomë. Gojën
ta hapë si kuçedër, vjellë zjarr. Motin e Madh do të na leni pa darkë në sofër.
Ose, duhet qitur me kovë ujë të ftohtë groshës, ose duhet hequr vorbën nga
flaka e zjarrit pranë oxhakut. Përndryshe, edhe gjatë kohë do të hamë bukë me
egjër. Dhe, groshë tetove me shkrumb e qorrfishekë kërçove...