E diele, 03.11.2024, 01:20 AM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Rrapi më ndjek si hije anembanë Atdheut

E premte, 06.07.2012, 05:38 PM


RRAPI MË NDJEK SI HIJE

ANEMBANË ATDHEUT

NGA KALOSH ÇELIKU

Vite pas lufte, kur linda në Katund (1951), Babai e nxori mauzerin nga hatullat dhe shkrepi pushkë. E paralejmëroi Katundin për ardhjen time në jetë. Ende vendit i vinte era barot. Frikë e varfëri, që mezi e përballonim me punë rrëzë Çukës. Arat duke i mbjellur me drithëra e kullotur bagëtinë te Përroni i Thanës. Nën dardhat gorricë te Çifliku i xha Derallës i bienim fyellit me shokë. Qeni Murgo i çonte veshët përpjetë, herë para e mbrapa duke hedhur sytë matanë dëllinjave. Ujku na ndiqte ferrë pas ferre edhe ditën, edhe natën si „mik“ shtëpie.

Kohë e keqe ajo, kur zvarritesha pas bishtit të Sagjinit. Kaut Zi që gjatë pushtimit fashist, nën hijen e Lisit midis livdhit i rrëzoi në tokë me brirë tre ushtarë pushtues gjerman. Vërtet, ushtarët tjerë të trembur e kositën me automatik, po ai ra dëshmor nën hijen e Lisit, i doli zot livadhit rrëzë Çukës. Hije e cila do të më strehojë gjatë gjithë fëmijërisë në Katund. Nën atë Lis për herë të parë u takova edhe me Rilindësit tanë: Naimin, Fishtën, Asdrenin, Çajupin, Luigj Gurakuqin, Ndre Mjedjen, Filip Shirokën, Ali Asllanin, Nolin e Madh... Vjershat e tyre më mbanin për dore, rritën me rrezet e Diellit që zbriste nga Çelëvjollca. Në një Libër të këndimit me të cilin kishte mësuar Vëllai në shkollë, gjatë kohës kur ministër i arsimit ishte Ernest Koliqi për herë të parë e pash në fotografi Korçën. Qytet i madh mu duk në atë kohë me shtëpitë çati më çati. Nuk e di pse?! Ndoshta, pse unë përveç katundit tim dhe Kërçovës, nuk kisha parë qytet tjetër, apo?! Vetëm, një gje e dija dhe e kisha të qartë: Korçën, shkaku kufijve politik dhe kulturor mund ta shihja vetëm në fotografi, ose ëndërr. Ajo kohë ishte e atillë, na i kishte lidhur sytë e këmbët, shtupuar veshët me pambuk në Atdhe. Tinëz e dëgjonim Radio Tiranën dhe Radio Kuksin. Librat e këndimit bashkë me armët e trashëguara brez pas brezi i fshihnim hatullave. Herë pas here mbi bombat e italjanit që padashtas rrokulliseshin në kashtë, kërcenim mbi to sikur të ishin topa llastiku. Ne u rritëm me „lodra“ të rrezikshme nëpër duar. Zoti na ruante nga rreziku, por kishte raste kur ne duke luajtur me ato „lodra“ të rrezikshme nga pakujdesia të fluturonim si zogj të plagosur në hava. Fatkeqësi të tillë kobëzezë patën dy shoqet e klasës, të cilat duke luajtur me ato „lodra“, një ditë fluturuan në qiell. Njëra vdiq, ndërsa tjetra u plak pa një sy dhe pa një dorë si invalide. Gjatë kohë vendi i tyre mbeti i zbrazët në klasë. Më kot me sy i pritëm te dera, të hynin në klasë. Ajo ditë nuk erdhi kurrë. Edhe sot e kësaj dite, ajo fatkeqësi nuk më hiqet nga sytë dhe mendja.

Tjetër stuhi frynte në atë kohë, e tjetër erë fryn sot në Ditën e sotshme të Motit Madh (2012). Fati mes rreziqesh më ndoqi këmba-këmbës në jetë . Gjiri i Nënës më dha fuqi për luftë me penë. Gjatë kohë e kam pirë tambëlin e Nënës. Krahas librave të këndimit në shkollë, nën hijen e Lisit midis livadhit më priste edhe tambëli i Nënës. Ende më kujtohet rasti, kur një ditë Nëna u përpoq të më ndajë nga gjiri. Erdha me lopët nga kullosa e Livadhit të „Pukoshtës“ pas porte dhe si zakonisht bërtita ende pa hyrë në lëmë: Nënë, dua tambël! Përçudi, kësaj radhe Nëna më priti në mes të lëmës me një përgjigje hutaçe: Sisën, sot e ka marrë Buba. E hapi jakën e këmishës duke ma treguar një leckë të zezë çerepi. Aty për aty iu përgjigja: Unë Bubën do ta vras me shkop! E nxora leckën e zezë me shkopin që e kisha në dorë duke e hedhur matanë gardhit. Dhe, në mes të lëmës iu sula gjirit të Nënës si qengj. Javë të tëra do të vazhdoj të pi tambël Nëne, përderisa një ditë nuk do ta braktis vetë atë fuqi Zane. Përkundër asaj, që ndonjëherë si bari i deleve te mrizi i dardhës gorricë i futesha si qengj edhe Deles Rudë. E, më vonë kur u rrita pak, edhe cucave azgane. Shprehi të cilën nuk mund ta heq qafe edhe sot e kësaj dite.

Ditët, javët dhe vitet iknin shpjetë, e unë rritesha nën hijen e Lisit midis livadhit me vjershat e xha Naimit me shokë. Shkaktarë, që më nxitën t’i hedh në letër edhe vargjet e parë për dallëndyshen dhe lejlekun në çerdhe majë lisi mbi çati. Vjersha të cilat në atë kohë do të shohin dritën edhe te „Flaka për fëmijë“. Vjersha tjetër, „Bilbili shkruan“ veç më paralajmëronte se në Letërsinë Shqipe vjen një poet me Librin për Nesër. Hapat e parë ishin ato, që unë dita-ditës me penë në dorë e libra në krah, ngjitesha maleve te Lugu i Ymerit. Përderisa, një ditë do ta braktis Lisin e mjedis livadhit dhe Katundin. Mësimet e shkollës së mesme do t’i vazhdoj në Shkup. Ditët e para e pata vështirë të adaptohem me këtë mes të ri dhe qyetet, që pasi e kishte rrafshuar tërmeti katastrofal me tokë, përsëri lëshonte shtat rrëzë Kalasë Dardane. Shkaku, se: vija nga Katundi rrëzë Çukës, Lisi i midis livadhit, Përroni i Thanës dhe Lumi i Zajazit. Verës, ku kërcenim për t’u freskuar nga vapa njëri pas tjetrit bythekrye në hurdhë. Megjithatë, koha e bënte të veten, dalngadalë unë padiktuar po ia ktheja shpinën vendlindjes. Vetëm gjatë stinës së verës kthehesha në Katund. Vjeshta, përsëri më hudhte nga qyteti në qytet.

Vitet e studimeve, më vonë thuaj se do të më largojnë plotësisht nga Katundi. Nuk e dija pse më dukej se bëja jetën e lejlekut, kthehesha me pranverën dhe ikja me vjeshtën. Dimrin e prisja larg vendlindjes, edhe atë në Prishtinë. Qytet me verë të thatë pa lumë e me dimër të ashpër me borë. Vapa kur të rrokte për fyti e bora t’i lidhte këmbët nye. Megjithatë, unë më isha mësuar me vapën dhe borën. Lisi midis livadhit më mungonte në këtë qytet. Patjetër, duhej gjetur një lis tjetër edhe në këtë qytet. Edhe, e gjeta: Përpara „Bozhurit“. Studentët edhe e pagëzuan: „Druri i Kaloshit“. Gjithë takimet e asaj kohe, i lenin te „Druri i Kaloshit“.

Dhjetë vjet me gjithë studime do të strehohem te „Druri i Kaloshit“, përpara „Bozhurit“. Vite këto, edhe kur do të afirmohem si shkrimtar. Papritmas, një ditë do të kthehem me punë të jetoj në Shkup. Malësia e Shkupit do të më bëj shkrimtar. Librat më të mirë për fëmijë i shkruajta mes këtyre maleve. Vetëm, më mungonte Lisi midis livdhit, që kudo që shtegëtoja e bartja me vete qytet më qytet. E kisha një në Katund, një tjetër në Prishtinë. Patjetër, duhet gjetur edhe një në Shkup. Edhe, e gjeta: Rrapin mes Çarshisë në Bit-Pazar. Vend, ku do ta lidhja gjokun pullali. Armën do ta varë në një degë. Nën hijen e të cilit do ta pi verën, shkruaj poezinë dhe pres Miken. Vit për vit me miqtë poetë me poezi do t’u biem përmes sokaqeve të Bit-Pazarit.

Vendlindje të dytë, pas vdekjes klinike në Voskopojë dhe ringjalljes po të njëjtën ditë në Korçë (2000), e kam Korçën. Për çdo vjet i trokas te porta si mik gjatë festivalit Netët Korçare të Poezisë. Qytet mikpritës, që ma hap derën krah më krah me poezi. Përveç Lisit midis livadhit, mua më ndjek edhe fati si poet. Në këtë Njëqindvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, që nga ky vit unë do ta kem edhe Drurin tim të poezisë (Rrapin e Ri), në Korçë. Gjatë festivalit Netët Korçare të Poezisë më jepet edhe çmimi letrar: Kurora e Poezisë „Korça 2012“.

Falemnderit, Korçë! Vendlindja ime e dytë e poezisë... Miq poetë...



(Vota: 522 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora