Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: Lamlamin e Bit - Pazarit, ma ndërsyen pas shpine
E hene, 13.08.2012, 06:22 PM
LAMLAMIN
E BIT - PAZARIT
MA NDËRSYEN PAS SHPINE
(Ngjarja ndodhë në Shtëpinë Publike)
Nga: KALOSH ÇELIKU
Tungjatjeta!
Lexues i nderuar, para se të fillojmë lojën skenike nëpër Çarshi, dua t'ju them
se për ta shkruar këtë rrëfim i kam munduar trutë pa mëshirë dhe i kam
shtrydhur me dorë natë e ditë. Dhe, për çudi, edhe sot e kësaj dite habitem
sesi më kanë mbetur grusht në kokë, nuk më kanë fluturuar si zogj të çmendur
në qiell, përtej mjegullave, mes yjeve. Ose, të m'i shtinin me dhunë në një
palë hebe të arnuara, t'i shkilnin mirë me këmbë dhe të m'i varnin në një degë
të Rrapit... Zorrët më janë lidhur nyjë në bark, sa që ia thonë shpeshherë një
kënge të vjetër nga shekulli i kaluar dhe më përdridhen njëra me tjetrën si
gjarpinj, brenda lëkurës. Disa herë më erren sytë, më ngushtohen trutë të them,
se: Mos vallë jam krimbur më, jam kalbur e qelbur si ndonjë coftinë në rrugë.
Nga një mendim i tillë i trembur, këmbët i kam ngarkuar në shpinë, jam
përbiruar nëpër sokaqe, nëpër shtëpi, nëpër kafene e nevojtore. Kam qenë i
sharë dhe i lëvduar... I nderuar dhe i poshtëruar... I përkëdhelur dhe i
rrahur... I ngritur dhe i shkelur... I dashur dhe i urryer... Por, kurrë i
gjunjëzuar... Kurrë, s'kam rënë para këmbëve të trusakatëve... Kurrë s'jam shtrirë
në baltë... Kurrë nuk ia kam fërkuar dhe nuk ia kam përkëdhelur asnjërit me
duar. E kam dashur më shumë veten, prandaj ju kam dashur edhe ju të tjerëve.
Kjo nuk më ka varfëruar, nuk më ka mjeruar, nuk më ka dobësuar... Por, aq më
tepër, më ka gatuar, më ka pasuruar, më ka bërë njeri. Mu për këtë askush deri
më sot nuk më hipi në qerren me katër rrota, nuk më këndoi këngë me çifteli dhe
as më duartrokiti, nuk ma shtroi rrugën me lule. Për të qenë ky që jam sot, i
dashur dhe i urryer, është dashur të eci rrugëve të jetës përtej ditëve me dy e
katër këmbë. I etshëm dhe i urtë, i leckosur dhe i lodhur... I sharë, i
pështyrë dhe i harruar... I dënuar dhe i mbyllur në libra... E di, dikush ka
qenë i lëvduar, i lakmuar, i zbukuruar, i përkëdhelur dhe i shpërblyer si kalemxhi.
I shëtitur karrige më karrige... I stolisur me dekorata... I zbukuruar me
lule... Po, kjo mua nuk më ka trembur, nuk më ka munduar fare. S'kam pasur kohë
të merrem shumë me vetveten, me këto marrëzi të përkohshme.
Ditët, që
i kam kaluar rrugëve dhe netët pa gjumë mbi libra, më kanë tërhequr drejt
dhiareve nga majat me dëborë në Baba Tomor. Tekefundit, kush më ka faj mua, që
veç shkarravitjeve nëpër libra dhe rrokullitjeve nëpër errësirë, nuk jam marrë
edhe me punë të tjera. Ta zëmë, të merrem me politikë madhore. Kurrë, të mos ia
shkel pragun Bibliotekës Universitare të Kryeqytetit... T'i kem disa dashnore
të bukura dhe të gjithave t'u gjej vende pune dhe banesa shoqërore. Të kem
shtëpi në kryeqytet, vilë në mal, vilë në liqen e vilë në bregdet. Djalit të
madh t'i gjej punë në Institutin e partive politike, ndërsa djalin tjetër, pasi
t'ia jap vetë diplomën e fakultetit, ta bëj drejtor që të vjedhë me të dyja
duart fabrikën. Vajzën, pasi t'i japë stipendi, ta dërgoj disa vjet rresht në
Universitetin e Sorbonës në Paris. Ose vetveten, për punë të pakapërcyera
shkencore, ta shpërblej, bashkë me sekretareshën, disa javë punë zyrtare në
Venedik...
E di,
mund të ma merrni për të madhe, pse ngjarjen nuk e kam vendosur në ndonjë kohë
e vend të caktuar. Ndonjëri nga ju ndodh të shkojë edhe më larg, të më shpallë
të marrë… Letënxirës... Kalemxhi... Po, mos t'i fryjë shumë kosit, unë kam
arsye. Unë nuk jam Hoxha i Allahut që hanë “përshesh vetëm me kos” me këmbët e
trutë në legen. Poeti nuk e di as vetë se cilës kohë i takon me Librin e
mëkateve. Djemnusha e Bukur mund t'i takojë së kaluarës, së tashmes, por edhe
të ardhmes. Saku, kohës së Omar Khajamit. Xhebraili, që merr shpirtra, të
gjitha kohëve, por, më së shumti, së ardhmes. Shtrigani i Allahut ? fatkeqësisht
? të gjitha kohëve. Rrumaduci, kontenierve të partive politike nëpër Bit -
Pazar. Dokorziun me qëllim nuk e hedh në asnjë kohë, mund ta caktoni fare lehtë
ju vetë, nuk e keni të vështirë. Plaku i Marrë, pasi u ka takuar të tjerave,
mund të vendoset edhe në kohën e tashme. Pijaneci i Rrejshëm le t'u takojë të gjitha
kohëve, vetëm të sotshmes, jo, se do të më nxjerrë punë në libër. Zonja me Gjel
i takon kohës së tashme, ruana Zot! Dhe, Shënt Ëlliu ? botës së luleve...
Zgjohu, o
Imzot! Zgjohu, se nëpër natë dëgjohet troku i kuajve... Fishëkllima e erës...
Kënga e Zogut të Keq... Melodia e rrotave të qerres... Krismat e pushkëve...
Gjëmimi i rrufeve... Lehja e qenve me zgjebe... Bubullima e maleve... Vjen
Dexhalli me shokë! Shpatën e ka në dorë. Sytë i janë skuqur, i janë përgjakur...
E ti duhet ta shkruash Librin e mëkateve para shpatës së tij të pamëshirshme.
Zgjohu, mos të të gjejë në gjumë!... Kokën hiqe nga shkopi, o Imzot! Sytë vëri
në ballë!... Këmbët hiqi nga qafa!... Rrugën vazhdoje me shokë... Gjoksin
nxirre para rrufeve!... Grushtin çoje në errësirë!... Udhëtimi është i gjatë
dhe plot rreziqe...
- Po, si
ta heq kokën, kur nuk kam duar?! A, se sheh se nata më ka në grusht?... Terri
më troket në dritare?... Gjumi mundohet të më mashtrojë me një ëndërr?... Kam
frikë unë, i pagjumi. Frikë, mos e lë përgjysmë Librin e mëkateve mbi tavolinë.
Jo, jo Librin e mëkateve do ta shkruaj, po qe nevoja, edhe para shpatës së
pamëshirshme të Xhebrailit. S'keni nga të ikni më, o njerëz të dobët!... O të
mjerë!... O të varfër!... O qenë!... Këlyshë me zgjebe. S'keni ku ta futni as
kokën! Të gjithëve një ditë do t'ju fut në libër! Të gjithëve, sipas meritave
dhe mëkateve... Të gjithëve!... Nuk ke asgjë?! Jo. As verë të kuqe? Nuk kam
asgjë.
- Atëherë,
ç'të mirën ke, Imzot? Mos t'u përzien trutë në kokë?... Personazhet e librave?...
Mos të rrahën prapë xhindet?... Tollosuni?... Satanai?... Ç'është gjithë kjo
britmë nëpër natë? E shkruaj Librin e mëkateve. E, çka ka lidhje kjo, Imzot? Ka
lidhje, Djemnusha ime e Bukur. Ka, se më kanë hipur në kalin e Don Kishotit...
- Ha?ha?haaa,
o Imzot! Po, ti s'di ta shalosh kalin. Në mes të udhës të flug mu në kokërr të
shpinës si kungull të kalbur në tokë. Nuk di ta ngrehësh frerin. Kamxhik nuk ke
në dorë. Aq më keq, ti s'ke guxim të luftosh as me mullinjtë e erës. Pastaj
duhet të të gjejnë edhe një Sanço Pançë, një Dulqine... Oh, sa e marrë je,
Djemnusha ime e Bukur! A kaq e vështirë qenka sot, në këtë kohë marrëzish të të
gjejnë mulli ere, kope të deleve, Sanço Pançë e Dulqine të Tobosës?...
- Është,
o Imzot! Është.
- Jo, oj
Djemnusha ime e bukur. Jo. Kemi ne aq shumë Don Kishotë, Dulqine, mullinj ere e
Sanço Pança, sa nga ata nuk mund të dalim edhe në rrugë. Po, nuk kemi
Servantes...
- Unë nuk
të lë, o Imzot, asnjë betejë të marrë ta bësh për Dulqinenë! Po e bëre ndonjë,
pa ditur unë dhe po e mora vesh, dije ? baj plaçkat! Ik nga sytë këmbët! Nuk më
duhet një burrë i tillë me kalë...
- Mos u
bëj e marrë, Djemnusha ime e Bukur! Unë asnjë varg nuk e kam shkruar për
Dulqinenë!
- Kot
mundohesh të më gënjesh, o trim! Në mes të ditës të m'i mbyllësh sytë... Të ma
zbutësh zemrën... Të ma hedhësh mbi kokë një shami... E di unë sesi janë
poetët. E di. S'mund të më bindë askush me fjalë. Këndej të shkruajnë vargje,
andej, sa çelembyll sytë, ta bëjnë gati shtratin...
- Djemnushë,
eja në vete, mos u bëj e marrë! Asnjërës nuk ia kam bërë gati shtratin... Nuk
ia kam hedhur teshat nëpër dhomë... Nuk e kam bërë të qajë mbi libra...
- Nuk ia
ke bërë gati, ë? E çka ishin gjithë ato telefonata dy net rresht pas mesnatës?
Frymëmarrjet e thella nëpër tel... Zëri i panjohur, që të lutej si fëmijë t'ia
dëbosh xhindet... Vetminë, që aq vonë e mundonte në shtrat, që e kishte lënë pa
gjumë... Takimin në kafenen "Fitorja"?...
- Asgjë e
jashtëzakonshme, Djemnusha ime e Bukur. Atje, nuk bëra asnjë mrekulli...
Trokitje nate... Epshe të zgjuara... Ngatërrime... Mosmarrëveshje... Gabimisht
ndonjëra e ka gjetur veten nëpër librat e mi...
- Gabimisht,
ë? E rrokullitjet nëpër kashtë në vjersha?... Koha e luleve?... Loja e syve?...
Edhe ato ishin gabime?...
- Jo.
Dorë nuk pata t'i vritja, Dejmnusha ime e Bukur. Më magjepsën me bukuri, m'i
morën mendtë... Ato i bëra bythekrye...
- I poshtëri i botës... Bira e
fundit e kavallit!... Rriqra e grave të huaja!... I ke bërë bythekrye, ë në mes
të ditës?
- Mos u
bëj e marrë, Djemnusha ime e Bukur! Freno veten. Ki mëshirë librat!... Emrat e
shkrimtarëve!... Mendimet... Marrëzitë... Ato deshën vetë... Më thanë se i
duan vjershat me simbole...
- Obobooo,
ç'më panë sytë e ç'më dëgjuan veshët! Shihe ti njëherë të poshtërin e botës! I
duan vjershat, ë?... E ti, ç'deshe, o i krisur?
- Unë?
Unë, asgjë, Djemnusha ime e Bukur. T'i rrokullis në kashtë!... Me shkop t'ua
nxjerr të ligat... Xhindet... Tollosunin... Ta shkruaj edhe një libër!...
- Po mua,
ore i krisur, kur do të më rrotullosh në mes të dhomës? Ja, unë nuk dua në
kashtë. Nuk dua. Unë dua në mes të dhomës. Ja, mu këtu mbi këtë lëkurë lope!
Hajt, bëju gati, çka pret? Kur do të shkruash për mua libër? Unë dua roman!
Roman!...
- Kur të
duash, Djemnushë... Natën, ditën... Në shtëpi ? në rrugë... Në mes të grunajave,
në mes të livadheve... Ja, ku më ke gati me gjithë kafshën. Për ty, dije, do të
shkruaj roman!... Madje, çfarë romani ? me dyqind faqe...
- Unë dua
tash, Imzot! Djersët të më shkojnë rrëke deri në zog të këmbës... Britmat të
marrin rrugë lëmë më lëmë, matanë këtyre mureve... Frymëmarrja e thellë nëpër
errësirë... Zjarrit t'ia hedhësh një kovë me ujë, ta shuash këtë zjarr që më
brambullon në zemër gjithë flakë. Ja, mu këtu, në mes të dhomës, mbi këtë
lëkurë lope!...
- Atëherë,
çka pret! Këput brezëmbrekun! Mjedisin lidhe me dy shami!..
- E
këputa. Ja, ku i ke të gjitha... E këto, shamitë le të varen edhe në një degë
mani... Le t'i shtijë në gji dhe le t'i ruajë me xhelozi Plaku i Marrë... Ose,
le t'i shqyejnë qentë rrugëve e le t'i bëjnë copë?copë...
- Tash
mbylle mirë derën me çelës dhe dritaret që të mos e dëgjojnë fqinjët
frymëmarrjen e thellë, britmat matanë mureve.
- Oh, oh,
oooh... Më ngadalë, se m'i theve eshtrat! Dorën ma ke zënë keq përfundi. Kokë e
këmbë m'i bëre bashkë... Ty të paskan çmendur krejt librat...
- Edhe më
kanë përflakur... Më kanë ndezur zjarr... Rebeluar... Përgjakur...
Egërsuar... Djemnusha ime e Bukur, qëndro! Nuk jam duke shkruar vjersha, po
roman!
- Oh, ooh,
oooh... Po luaj krejt mendsh. Kush thotë se toka nuk e ka formën e
rrumbullakët?... Cili? Heeej, edhe unë rrotullohem si toka rreth boshtit të vet
në hapësirë. Rrotullohem... Ohohooo...
-
Djemnushë, po unë nuk të kam faj. Vetë hipe në luhajë... E këtu çdo gjë sillet
në rreth... Hoxha i Allahut thërret në minare…
- Dikush
i bie ziles...
- Kush
dreqin është tash, kaq vonë, që na e preu lojën? Djemnushë, lidhi shamitë dhe
hapja derën!
- Po,
unë, Imzot, kam frikë t'ia hap derën. Është natë...
- Djemnushë,
çelja derën më shpejt, kur të them, se dua t'ia shoh surratin!... Sytë... Më
kanë thënë se natën i ka edhe më të shëmtuar, më të skuqur... Me siguri, pasi
troket kaq vonë, pas mesnatës, është vetë Satanai...
- Ore, ti
vërtet qenke i poshtër. Po si u çmende sonte kaq vonë, në mesnatë! Vallë, mos
të magjepsi hëna e plotë atje lart në qiell?! Jo. Jo, e di unë. E di. Po, për
ç'arsye do të më bindësh edhe me marrëzi? Ndal, mos pret ndonjë nga ato të
vjershave? Heroinën me të cilën përmes vargjeve rrotullohesh nëpër kashtë? Në
mesin e librave ta përgjakësh edhe atë...
-
Djemnushë, hapja derën, sa nuk të kam kthyer edhe njëherë në mes lulesh... Nuk
të kam hipur në minare të thërrasësh ezanin, ta shohësh Çabenë...
- Jo. Jo,
aman, Imzot. Nuk dua edhe një herë. Nuk dua dhe pikë! Mjaft e thirra pesë herë
me radhë ezanin... Më ke dërrmuar fare. Më merren mendtë... Nuk mund të mbushem
frymë... Sytë më janë përlotur si të fëmijës... Faqet më janë skuqur, më janë
ndezur flakë...
- Atëherë,
hapja derën Satanait.
- Imzot, ja erdhi miku i natës...
- Mirëmbrëma,
o i pagjumë!
- Mirëmbrëma,
o i dashuri i Allahut! Ç'e mirë të solli kaq vonë në dhomën time me libra?
- Më
dërgoi Doktorziu. Net e ditë të tëra më ka ndenjur mbi kokë. E kemi shëtitur
gjithë Qytetin. Emra e emra kërkuam shtëpi më shtëpi. E kemi një vend të lirë
për heqjen e valles në Shtëpinë Publike. Por, pasi u menduam gjatë kohë, sollëm
përfundimin se askush më shumë se ti nuk ka merita dhe aftësi si lojtar në
hedhjen e shamisë...
- Falemnderit,
o i dashuri i Allahut! Do t'jua di për nder, që, më në fund, paskeni menduar
edhe për mua, të pagjumin. Fundi i fundit m'i keni nderuar aftësitë.
- E po,
Dokroziu, o i pagjumë, thuaj si ti thuash, i do njerëzit e aftë dhe punëtorë. E
sidomos ata të ndershmit. Kush të dëshirojë le t'ia ketë inatin. Vetën e pastë
në qafë. Talentë është burri i botës dhe pikë. Ç'ke me të, detyrën e kryen me
përgjegjësi dhe me nder. Është punë tjetër që ne nuk ua dimë për nder njerëzve
të aftë dhe punëtorë. I marrim nëpër gojë. Po, a shahet, ore, njeriu që gjithë
natën e lume, duke menduar për të mirën e shqiptarve, nuk e merr gjumi. Orë të
tëra rrotullohet nëpër shtrat... Mundohet... Djersin... Fol jerm pasmesnate...
Vetëm se...
- Hë,
fol, o i dashuri i Allahut! Fol, mos i gëlltit fjalët! Është natë e errët, të
gjithë janë në gjumë. E deri në agim nuk çel drita...
- Vetëm
se, më tha t'i ndërrosh këmbët sipas të rameve të trumbetave... Muzikës... T'i
luajsh vallet e njohura të Doktorziut...
- Ashtu
qenka puna, ë? Unë të luaj me trumbeta! Pas kaq e kaq vjetësh të hyj në valle.
Këmbët t'i ndërroj njërën pas tjetrës, ta hedh lart shaminë... Po. Po, nuk e
luan as topi. Tash e shoh se për këtë lajm të mirë, si çmim, e more gostinë e
shtëpisë. E do një gotë verë të kuqe?
- Verë të
kuqe!? Jo, falemdnerit. Është haram. Pastaj, nuk e pi kur jam në detyrë. I bëj
nder punës, po edhe barkut...
- Atëherë,
e do një kafe?
- Kafe,
bën. Vetëm me pak sheqer!
-
Djemnushë, shpejt i bëj të dashurit të Allahut një kafe! E di ti vetë më çfarë,
të vdekurit t'i çojë në këmbë...
- Si
urdhëron, Imzot! Si e pini, zotëri?
- Me pak
sheqer, zonjë! Po, le të ketë pak më tepër kafe.
- Menjëherë,
zotëri.
Nuk e di
çka të them tjetër mes gjithë këtyre mendimeve, që më vlojnë në kokë. Kam frikë
mos shkretoj me ndonjë marrëzi. Vetëm, e them pa asnjë frikë, vërtet paskeni
lindur ditën e Shën Gjergjit. Gjithë këtë bukuri, gjithë këto mrekulli i shoh
hapur si në pasqyrë. Dhe, sipas mendimit tim, jeni me fat, duhet të jesh i
lumtur, o i pagjumë! Doktorziu nuk e qas secilin në Shtëpinë Publike. Valles
t'i prijë me trumbeta. Në kët kohë me lule ta hedhë lart shaminë... Vetëm për
këtë, merret vesh, duhet të jeni edhe pak i mençur, t'ia ktheni me punë... E
mira, ore, kthehet me të mirë, kështu thotë populli. Se, nuk është aq punë e
lehtë të fitosh sot besimin e Dexhallit.
- Po.
Ashtu është, o i dashuri i Allahut... Të gjitha i kam të qarta, si një e një që
bëjnë dy. Ama, unë nuk mund t'i bie mohit vetvetes... Ta shaj... Ta urrej... Të
them se nuk e dua veten, të tjerët...
- Ha?ha?haaa...
Po, askush nuk e kërkoi prej jush këtë gjë: Të mos e duash vetveten, të
tjerët... Kush t'i ndal këto, o i pagjumë?
- Po.
Vërtet është ashtu, o i dashuri i Allahut! Nuk m'i ndal askush. Po, unë më
vështirë mund t'u besoj këtyre fjalëve. Se, jehona e tyre merr fund në ajër. E
te ne, në fshat, thonë: Si të hysh në valle, e ke vështirë të dalësh...
- Marrëzi.
Marrëzi të mbështillen në kokë. Mendimet të janë turbulluar, t'i kanë përzier
me dorë... Ç'lidhje ka vallja këtu me këtë, o i pagjumë?
- Ka, si
s'ka, o i dashuri i Allahut! Se, të tjerët u bien trumbetave, e ti duhet të
heqësh vallen... Këmbën ta ngresh mbi gju, ta hedhësh lart shaminë...
- Po,
hiqe, o i pagjumë! Ç'të keqe sheh këtu? Mos edhe për këtë lypet ndonjë
mjeshtëri? Vetëm i ndërron këmbët. Një herë njërën, pastaj tjetrën. E ngre kokën.
E shtrembëron mbi njërin sy kësulën. E hedh shaminë lart, pastaj pas shpine.
Bën rrotullime. Të tjerët të vijnë pas...
- Po, i
ndërron këmbët, e hedh shaminë. Por, shamia nuk hidhet mbi kurriz të polemit...
Mbi varret e të parëve, o i dashuri i Allahut?...
- Edhe
një gjë të frikshme e pashë vetë me sy. Mezi ia dola t'i largoj dyshimet nga
koka. Vërtet qenke si më kanë thënë, i pabindur, i çmendur mbi libra... Botën e
sheh me syrin tënd sa të bukur, aq të shëmtuar... Kjo më shtyu edhe të dyshoj
se vërtet të paska rënë Tollosuni me tokmak mu në kokë. T'i ka marrë mendtë.
Ndodh edhe t'i ka ngatërruar e t'i ka bërë lëmsh. Ose i ka shtrydhur, ua ka
nxjerrë shpirtin... Po, ku të takoi se? Me siguri je kthyer natën vonë vetë në
shtëpi. Apo, ke kaluar pranë varreve. Më dhimbsesh...
2. - Satanai më la pa shtëpi... Ujqit
m'i lëshoi në vath... Lamlamin tim me zgjebe ma ndërseu pas shpine... Djalin ma
përzuri nga shtëpia... Cucën ma martoi pas shtatë maleve... Nusen ma dërgoi te
hoxha... Arat m'i mbolli me ferra... Lëmën me bar... Magjen ma la pa bukë...
Gruan pa fëmijë...
- Mirëdita,
o plak!
- Mirëdita,
zoti Poet!
-
Urdhëroni, zoti Poet?
- Atë që e
ka pirë Omar Khajami! Vetëm, kuptohet, pa çupa!
- Zoti
Poet, vetëm, para se të shkoj të ta sjell verën, recitomi disa nga ato vargjet
antologjike të poetit nga "Rubairat"!
- Me
gjithë dëshirë: ulu në këtë karrige!
"Të madhit Muhamet i çon
selam
Dhe e pyet Imami Omar Khajam:
O Pejgamber, më thuaj, mor aman,
Pse dhallën bën hallall, Verën
haram?”
Përgjigjet Muhameti me selam:
"S'më more vesh, Imam Omar
Khajam!
Dhallën hallall për lolot, mor
aman,
Verën për t'Urtët nuk e bëj
haram!"
-Vargje
të thella, he burrë! Vetëm se edhe unë, si i madh Khajam, nuk do ta pija pa
çupa...
PIJANECI
I RREJSHËM: Sak, sillmë raki rrushi! Çka
më shikon ashtu si mëzat katundi, dua raki rrushi! Ku e keni këngëtaren? Ma
sillni këtu Hatixhe Hanëmin, t'ia thotë njëherë ashtu si di vetë asaj këngës
sime patriotike të adhuruar, të më ulet në prehër! Çka i keni hapur të gjithë
sytë? Nuk më njihni, ë? U dukem i pafuqi t'i ngre grushtat, t'u rrëzoj me një
të rame këtu në dysheme. Ikni, ore të sëmurë, dilni në rrugë e gjeni këngëtaren!
Dua të më këndojë këngën "Mihane"!
- Sak,
sillja më shpejt një nga ato fotogarfitë që i keni varur në mur, sa nuk i ka
dalë shpirti! Nuk është shtrirë në dysheme. Nuk ka filluar të përjarget mbi
tryezë...
- Ha?ha?haaa...
Kush do të më shetë mend. Askushi. Ti, djalosh, rrudhe pak gojën! Më duket se
nuk e paske për në odë të burrave... Jerm leh lam-lam në Faecebook. E paske me
të meta... Belbëzon para burrave... Nuk ia di rendin mejdanit... Ruaj fjalët
për në konak tjetër! Me siguri do të të duhen një ditë! Ku ta dimë ne, pas
natës vjen dita, përsëri nata, vijnë kohë të vështira...
- Nuk e
pata me të keq, zotëri! E ndjeva si detyrë njerëzore, desha të të ndihmoja në
këtë gjendje të vështirë nervore. Asgjë nuk thashë të padëshiruar, vetëm e
ngrita zërin të ta sillnin me shpejt, sa nuk të kanë rënë si dardha të qullta
në tokë. E sa për kohët me të reshura atmosferike, ose siç thotë Hoxha i
Allahut “Pranvera arabe” (unë them: Pranvera serbe), nuk mërzitem shumë, rrugën
e kanë të lirë. Moti ua kam hapur derën. Vetëm nuk e di pse nuk vijnë, me
siguri janë harruar rrugës. Dhe, pasi Hatixhe Hanëmi nuk qenka këtu, qe po ta
këndoj unë një këngë popullore:
"M'ka mbet pushka pa fishekë.
Kush ta ketë i fishek me m'dhanë,
ia jap tokë e ia jap shpi,
(i) fal bjeshkë i fal vrri."
- Hi?hii?hiii...
Zoti Poet, ti thua se ky ka brekë, ë? Po, ku i ka, ore? Në do të dish, ky nuk
ka as herdhe. Këtë e ka përmjerrë Shtrigani i Allahut.
- Cccilin
e kka pppërmjerrë Shshtrigani i Allahut?
- Ty, ore
qen me zgjebe komuniste. Ty, madje në gojë. Ja, kështu: përrrr... Se, njeriut
si ti, që nuk ka brekë, duhet bërë edhe diçka tjetër, po mua të ta them këtu mes
burrave më skuqet fytyra. Ti edhe sot e kësaj dite nuk e di cila rrugë të çon
në shtëpi... Nuk e di ku e ke nusen... Cilin ta duash, cilin ta urresh... Trutë
t'i kanë përzier me dorë... T'i kanë bërë kaçamak...
- Sak, ky
i marrë filloi edhe të më ofendojë me fjalë. E kaloi kufirin. E çdo hyrje në
territor të huaj, pritet me zjarr. Më dhimbset i gjori, por s'kam çka t'i bëj,
veten e pastë në qafë. Kokën më duket e ka të tepërt në qafë. Hidhe jashtë si
qen, sa nuk ia kam prishur fytyrën!
- Fytyrën
duhet të ta prish ty, ore palaço! Nëse ke pirë çaj rusi, ke pirë për vete, ke
bërë qejf, ke kënduar këngë, ke hequr valle... Ç'faj të kemi ne këtu, ore qen,
të na e prishësh ahengun. Ose ulu pi siç ka hije, ose mbaju në shtëpi te
gruaja!
- Hi?hi?hiii...
Burra, pritni një herë t'ia shohim brekët! Nuk do të shkoj në shtëpi pa ia
parë, zoti Poet. Vëmë bast se nuk ka, është i përdorshëm...
- Vëmë.
Ja, dorën. Me siguri, pas asaj pune ia kanë varur në lis... Ose, ia kanë hedhur
në kontenierë hedhurinash...
- Mbaje
mirë, zoti Poet, t'ia zgjidhë pantallonat! Me siguri nuk ka as halete.
- Ore,
juve u paskan shqepur dru xhindet! Më lëshoni, se m'i grisët pantallonat!
- Një
ditë, për merita, do të të rrasin edhe një hu shelgu...
- I
gjori. Më ndiqte këmba këmbës. Mendonte mos më binin rrugës...
- Me
siguri priste t'ia nxjerrësh edhe mbi tryezë, të t'i përkëdhelte me dorë... Ka
bërë shkollë për kësi punësh...
- Po, a
nxirren, ore, gjithë këto vorba mbi tryezë? Vallë, mos edhe ai më vjen prapa si
ajo dhelpra dinake e anekdotës popullore, kur i shkonte pas dashit me të katra
e bindur se do t'i binin udhës...
- Nuk e
di, zoti Poet. Vetëm një gjë e di, se nxirren mbi tryezë. Po, kur t'i shihte
gjithë ato rraqe na, si vorba, ndodh nga frika do t'i binte portës me kokë dhe
do të ikte nga sytë këmbët nëpër Katund.
Qeni me
zgjebe komuniste. Na e preu malin... Tjegullat ia hoqi shtëpisë... Themeleve
ua vodhi gurët... Na i trodhi burrat... Në zemër na e mbolli urrejtjen... Na i
la udhëve fëmijët... Na e prishi gjakun... Na i shau të parët... Na i turpëroi
varret... Kokën një ditë do t'ia presë Xhebraili…
- Ja, tri
net rresh nuk vjen në shtëpi. Ku ta dish para cilës shtëpi rri si qen, nën
cilën dritare... E ka harruar dhomën e fjetjes... Gruan... Fëmijët... Ku
fshihet qeni me zgjebe? Më tregoni, t'ia këput vetë me këto duar! Pesë para nuk
i bëjnë më ato të shkreta. Kot së koti i mban në mes këmbëve. Çka i duhen? Më
tregoni ku iku qeni me zgjebe? Tregoni!
- Cili,
zonjë e nderuar?!
- Si,
ore, cili? Burri im, në i thënçin burrë...
- Burri
yt?! Ja, tash sa doli nga dera, zonjë e nderuar. Çudi, si nuk e paske takuar ballë
për ballë në rrugë!
- Doli
për dere, ë? Po, ku i pata unë e shkreta sytë? Mjera unë e mjera si më paskan
lënë para kohe. Me sytë që i kam nuk është mirë të dalë as në rrugë. Se, ndodh
të bie në ndonjë gropë, të lahem në bazenin e krimbave... Ëhë, tash m'u kujtua.
Prit pak! Po, e di unë se ç'qen i zgjebosur është ai. E di. Ma ka hedhur dhe
pikë. E pranoj se është treguar i gjindshëm, e ka luajtur rolin edhe më mirë se
një aktor. Me siguri e ka pasur me vete ndonjërën nga ato, bukuroshet e
maskuara si në karnevale. Ndonjërën nga ato, veshur krejt në lëkurë, me zixhirë
të trashë ari rreth qafës e rreth këmbës... Dëm i madh që nuk e zura sot me
pelë për dore...
- Jo,
zonjë e nderuar. Ne, si duket, nuk u kuptuam. E keni gabim. Mos u ngutni ta
zbrazni zemërimin. Kini durim! Një vjellje si kjo nuk çon ujë në asnjë mulli.
Qetësohuni! Burri juaj sot nuk e kishte asnjërën me vete.
- Jo, ore
djalosh. Jo. Mos e mbroj qenin me zgjebe! Se deri këtu më ka ardhur, te hunda
me ato meskëputurat. E di unë se çfarë burri kam. E di. Kokën e lë ai pas
dhelprave, që ecin në maja të gishtërinjve mes për mes qytetit. Kot e ke të më
bindësh vetëm me fjalë. Ju jua ka hedhur, e shoh edhe vetë, me dinakëri. Por,
jo edhe mua, se nuk jam aq naive, aq budallaqe. E di unë atë, e njoh mirë.
Shtratin e ndaj qe disa vjet bashkë me qenin. Në do të dish pak më shumë, edhe
si merrë frymë, e di. Me siguri e ka lënë jashtë pas derës... Tinëzaku që është
ai ? ta ketë më të sigurt...
- Zonjë,
burri juaj mezi rrinte më këmbë: dukej i lodhur në fytyrë...
- Si?
Edhe ka pirë qeni me zgjebe, ë? Po, ai kurrë nuk e ka vënë në gojë. Mos edhe
këtë të zezë ma ka sjellë mbi kokë? Hapu varr të hyj brenda, se nuk jetohet me
marre. Ah, edhe një herë në e shtënça në dorë! Atëherë do të më çmojë dhe do të
më dojë si grua...
- Po,
zonjë e nderuar, e kam me gjithë mend, nuk tallem. Vështirë e mbanin këmbët.
Herë?herë edhe e tradhtonin, duke e lënë në baltë...
- Ore,
është ai në mend dhe e di sesi duhet të sillet në shtëpi? Po, kush do t'ia
punojë arën, po s'e punoi vetë me shat, natë e ditë, sa më thellë...
- Do ta
mbulojë bari, zonjë e nderuar… Gjethet... Ferrat... Ose do ta punojë Plaku i
Marrë...
- Nderimet
e mia, zonjë e nderuar! Sa ma shitni gjelin?
- Jo,
gjelin nuk e shes, o lolo! E kam blerë për vete në pazar... Këndon bukur...
Fletëve u bie ende pa zbardhur mirë agimi... Mëngjesin e thirr në gardh...
- Zonjë,
edhe nëse jua paguaj aq sa nuk bën ky gjel?
- Jo. Jo
se jo. Të thashë një herë se këndon bukur.
- Po,
zonjë, unë e dua mu pse këndon bukur! Ju me kaq para mund të bleni, jo një, po
dhjetë gjela.
- Jo, o i
marrë! Mos u mundo më kot! Këtë gjel e kam për hasret... Lëmit ia rrit
bukurinë... Dyzet pulave u del zot livadhit... Gjelin e huaj e ndjek përtej
gardhit...
- Atëherë,
zonjë, ma jep vetëm pak ta mbaj në duar! Puplën e gjatë t'ia shoh si e ka në
bisht!... Lulen në ballë...
- Vetëm
pak, bën. Por, të merremi vesh, vetëm pak!
- Auuu,
zonjë e nderuar! Sa gjel i bukur! Po, si duket, ky nuk qenka fare i urtë! Qenka
nga soji më i njohur i gjelave. Heq origjinën nga familja e gjelave luftarakë.
Dhe, e lëshoi me qëllim gjoja se i iku nën tavolinë.
- Qyqja
unë, e mjera! Qyqja, si më iku gjeli! Çka do t'i them burrit në shtëpi? Ku do
ta kaloj natën unë e mjera? Vështirë do ta kem ta pajtoj me ndonjë rrenë. Ai
nuk do t'u besojë këtyre mjeshtërive. Kapeni gjelin! Kapeni!
- Mos u
tremb, zonjë e nderuar! Gjelin s'ka nga të ikë më larg se kjo tryezë! E po
provoi, dihet se çka e pret, tava në shporet...
- Plak,
ec shpejt, qe ku është strukur nën këtë tryezë! Mos fol marrëzi!... Gjeli im
nuk merr fund aq lehtë në tavë... Eja, kërrusu, kape për dy këmbësh!
- Jo,
kërrusu ti, zonjë! Ia di më mirë hujet gjelit... Ndodh të të jepet më së lehti
në dorë. Kushedi? Gjeli yt është me teke...
- Të
lumtë! Mirë thua, nuk mund ta shkruaj Librin e mëkateve! E kam vështirë të
merrem vesh me rreshtat. Nuk më dëgjojnë këta fëmijë. Qentë që lehin jashtë ua
nxorrën gjumin. Ngrenë krye. Nuk duan të flejnë në libër. Janë të prapë. E mua,
pa mëshirë, më mundon nata… M'i lidh sytë... Më rrahin xhindet... Duan të më
shtrydhin këto mure...
- Librin
e mëkateve duhet ta shkruash gjithsesi, Imzot! Nuk ke rrugë tjetër. Pa sikur
edhe të të rrahin me dru natë e ditë. Xhebraili nuk ka mëshirë, do të ta
kërkojë para Ditës së Kiametit...
- Nuk
mundem, Djemnusha ime e Bukur. Litari ma ka bërë varrë qafën. Gjaku më ka dalë
mbi këmishë... Trupin e kam me plagë... Shtrigani i Allahut më heq zvarrë nëpër
shkretëtirë... Nuk më mbajnë as këmbët... Më dridhet dora... Më janë përzier
trutë...
- Pi verë
të kuqe, Imzot! Pi verë të kuqe! Librat hidhi nëpër dhomë!... Dorëshkrimet...
Fotografitë... Me siguri do të të kthjellohet truri...
- Me tru
të kthjelluar e kam edhe më vështirë, Djemnusha ime e Bukur. Se, m'i ndërsejnë
qentë me zgjebe... Ma hedhin samarin... Më hipin në shpinë... Freri ma mbush
gojën gjak... Rrumaduci i sëmurë këtyre rrugëve të gjata sa mundet më bie me
thupër... Më mbyllin në dhomë pa bukë, pa ujë... M'i lëshojnë minjtë... Më
dënojnë mbi libra...
- Shkopin
merre në dorë, Imzot! Ku e ke shkopin?
- Shkopin
nuk e kanë frikë qentë me zgjebe, Djemnusha ime e Bukur... Janë tërbuar... I
ngulin këmbët... Qesin dhëmbët...
- Atëherë,
ec pas meje, të ikim nëpër natë, Imzot! Matanë kodrës e shoh një dritë...
Ndizet... Fiket... Ndizet...
- Ku të ikim, Djemnusha ime e Bukur, kur nuk më
shohin sytë nëpër errësirë?
- Ma jep
dorën, Imzot! Unë e di rrugën nëpër errësirë...
- Jo,
Djemnusha ime e bukur. Jo. E kam frikë Lugatin... Tollosunin... Satanain...
- Ec pas
meje, kur të them, Imzot! Lugatin do ta mashtroj me bukuri... Natën me vetulla
e sy... Qentë me bukë që të mos e këputin zinxhirin... Ty do të të fsheh në
dimi...
- Ha?ha?haaa...
Po, s'jam unë burrë që fshihem në dimi, Djemnusha ime e Bukur!
- Atëherë,
çka pret, shkruaje Librin e mëkateve, para se të vijë Xhebraili!
- Do ta
shkruaj, Dejmnusha ime e Bukur! E shoh se nuk kam rrugë tjetër, nuk kam çaré.
Do ta shkruaj edhe në mes rreshtave... Mureve që më shtrëngojnë natë e ditë pa
mëshirë...Gjumit që më hyri me dhunë në dhomë... Heshtjes që më troket në
dritare... Zogut të Keq, që më këndon mbi çati... Eja, shtriju këtu në dysheme,
më ndihmo t'i jap fund librit!
- Imzot,
po unë sonte nuk mund t'i shoh shkronjat. Sytë më mjegullohen mbi fletë. Jam e
lodhur, më merr gjumi...
- Djemnushë,
eja në vete, mos fol jerm! Ec, sa nuk e kam ngritur kufjen e telefonit! Agimi
është ende larg e unë duhet të kërkoj ndihmë, ta vazhdoj librin...
- Imzot,
mos u ngut! Ndal! Ja, u shtriva në mes të dhomës...
- Po, ti
pak më parë the se të merr gjumi?!
- Jo,
Imzot, tash e ndiej veten më mirë. Vërtet pata një krizë nervash, por ja që m'u
hapën sytë përsëri. M'u kthye fuqia... Në dhomë mund të bëj rrotullime të papara
si flutur... E di edhe në cilin livadh ka lule... Ec ta shkruajmë së bashku
librin!...
- Po, në
cilin rresht e lamë, në cilën faqe?...
- Në
cilën faqe?! Në faqet e pasmesnatës, Imzot...
- Nëse
edhe këtë herë nuk ia dal mbanë, do ta gris përsëri librin, Djemnusha ime e
Bukur!
- Këtë
herë, Imzot, do ta shkruash me siguri librin. Rreshtat e tij të prapë do të
dalin në rrugë, do të çirren nëpër errësirë, do ta çmendin edhe natën...
Hënën... Yjet...
- Nuk e
di, Djemnusha ime e Bukur. Nuk e di. Kam frikë. Përtej këtyre dritareve është
natë. Ujqit kanë zbritur nga malet... Këndon Zogu Keq... Lehin qentë me zgjebe...
- Libri i
mirë shkruhet me frikë, Imzot. Nisja më shpejt, se çeli agimi! Ja, edhe gjeli
po tregon se është afër dita...
- Hesht! Trumbetat
dëgjohen në rrugë, Djemnusha ime e Bukur!...
- Të
dalim dhe ne e t'i presim me duartrokitje, Imzot?... Lule?...
- Jo,
prit njëherë, Djemnusha ime e Bukur, ta nxjerr unë i pari kokën! Vetë dua të
shoh çka ndodh në rrugë. Oh, Dejmnusha ime e Bukur, edhe ç'më panë sytë! Marrëzi...
Hedhurina... Trumbetave me një shami në dorë u prin para Shtrigani i Allahut...
Dhe, për çudi, gjithë atyre që dalin t'i shohin në rrugë, u vë nga një vulë në
ballë...
- Lëri
trumbetat, Imzot! Rrugëve të Qytetit le t'u prijë sa të ketë qejf Shtrigani i
Allahut. Nuk dua vulë në ballë. Mjaft jam e bukur edhe pa atë shenjë. Mos humb
kohë, ec ta shkruajmë librin!
- Ku
mbetëm, Dejmnusha ime e Bukur?
- Te
frika, Imzot.
- Fike
dritën, Dejmnushë, se nuk e kam më frikë Lugatin... Tollosunin... Satanain...
As Doktorziun me shokë...
- Si
urdhëron, Imzot! Ja, po u bie edhe duarve. Perdet hiqen në skenë. Dritat shuhen
në sallë. Shfaqja fillon në errësirë në Shtëpinë Publike...
- Djemnushë,
ku je, më ndihmo ta shkruaj Librin e mëkateve!
- Po, a
sheh natën, Imzot, ta shkruash Librin e mëkateve?
- Po,
Djemnushë, edhe më mirë se ditën.
Në dhomë hyn
Djemnusha me Shënt Ëlliun, shikon rreth e rrotull dhe, porsa e heton, e merr në
prehër. E paskan munduar shumë të gjorin... E paskan tredhur... E paskan
shkelur me këmbë... Ia paskan thyer eshtrat... E paskan futur në ujë shkul...
Edhe e paskan rrahur me dru natën... E paskan shtrirë pa shpirt në mes të
dhomës... Qentë me zgjebe komuniste...
Poeti vjen
ngadalë në vete. I hap sytë. - O Zot!
Të kujt janë këto duar që ma pastrojnë gjakun, mëkatet? Ballin ma përkëdhelin
me dashuri... Mundohen të m'i shërojnë plagët... Të më çojnë në këmbë?...
- Janë
duart e mia, o i pagjumë!
- Po,
cili jeni ju, që m'i bëni gjithë këto nderime, në këtë kohë të vështirë?...
Botë të rreme...
- Unë jam
Xhebraili.
- Ëhë,
tash e mora vesh... Xhebraili... Po, kush të dërgoi tek unë, o Xhebrail?
- Allahu,
o i pagjumë!
- Mos të
çoi të ma marrësh shpirtin? E përmend pak si shpesh Hoxha i Allahut me
“vetëvrasje” në Facebook. Veprim të cilin nuk e lejon as Kur’ani.
- Jo, o i
pagjumë. Të kurseu edhe këtë herë nga ky nder. Tha: nuk e ka merituar. Më
dërgoi ta marr Librin e mëkateve.\
- Librin
e mëkateve, o Xhebrail e kam shkruar vetëm natën... Territ që mundohej të m'i
mbyllte sytë... Zogut të Keq, që për çdo natë, më këndonte në dritare...
Lehjeve të qenve me zgjebe... Në mes torturave, kamxhikut e mureve...
Shtriganit të Allahut, që më rrinte mbi krye... Exhinëve, që më rrihnin natë e
ditë... Ja, ku e ke gati mbi tryezë! Merre!
- Vepër e
mirë, o i pagjumë! Me siguri ke ndenjur mbi të me vite e vite. Trutë i ke
shtrydhur me dorë deri në mëngjes. Po. Mrekulli. Ky qenka me të vërtetë një
libër, që nuk do të vdesë para autorit. Por, a i ke shtënë të gjithë mëkatarët
në libër?
- Po, të
gjithë, me emër e me mbiemër. Ndonjëri e ka edhe datëlindjen, vitin...
Profesioin... Vendbanimin... Numrin e shtëpisë...
- Mos e
ka harruar ndonjërin, ose nuk e ke shtënë për hir të miqësisë,
familjarizmit?... Ryshfetit...
- Jo, o
Xhebrail! E kam kursyer librin nga arti i rrejshëm, karnevalet...
- Shënt
Ëlli, shko e m'i sjell të gjithë mëkatarët këtu në dhomë!
- Si
urdhëron, Imzot!
- O i
pagjumë, ma afro ballin!
O Zot,
edhe ç'më panë sytë, ç'më dëgjuan veshët! Po, ç'të hy kjo në punë, o Xhebrail?!
- Ma afro
ballin, kur të them! Dua të shoh mos e ke vulën në ballë!...
- Marrëzi!
Po, kush ma ka vënë mua vulën në ballë, o Xhebrail?
- Si,
kush? Edhe këtë nuk e di, ë? Shtrigani i Allahut, o i pagjumë!
- Po, ku
më gjeti mua Shtrigani i Allahut, o Xhebrail? Unë nuk largohem nga pragu i
shtëpisë...
- Unë
këtë nuk e di, o i pagjumë. Ti e di më mirë. Vetë ke mbajtur përgjegjësi për
veten. Me siguri atë ditë, kur erdhi me trumbeta...
- Po, unë
nuk dola në rrugë t'i bëj pritje madhështore, o Xhebrail! Ta them të vërtetën,
as nga dritarja nuk i duartrokita... Nuk i hodha lule...
- Afroma
ballin, o i pagjumë! Unë këtë nuk e di. Ai do ta flasë të vërtetën...
E afron
ngadalë ballin. - Hë, a e kam vulën në ballë, o Xhebrail?
- Jo, ti
nuk e paske. Këtë herë shpëtove. Po sille këtu edhe Dejmnushën e Bukur! Ndoshta
ajo e ka vulën mu në mes të ballit...
- As ajo
nuk e ka, o Xhebrail!
- Më mirë
sille këtu, o i pagjumë! Ku e di ti, derisa ke shkruar libra, nga ka bredhur
natën vonë Djemnusha e Bukur? Me cilin ka bërë shtrat në errësirë... Ose, me
cilin i ka trembur qentë me zgjebe nga kontenierët e hedhurinave... Unë, o i
pagjumë, nuk i zë besë as kësaj këmishe në trup. U besoj vetëm syve të mi, që i
kam në ballë...
- Djemnushë,
oj Djemnusha ime e Bukur!
- Urdhëro,
Imzot! Ja, erdha!
- Eja
këtu shpejt, Djemnushë! Ashtu, tash ngri flokët të ta shoh ballin Xhebraili!
- Po,
po... Pse të më shohë mua ballin Xhebraili, Imzot?! Unë nuk e lëviz bishtin...
Nuk dal natën vonë te porta... Nuk ma kanë hedhur fustanin mbi kokë...
- Ngri
flokët lart, kur të them unë, Djemnusha ime e Bukur! Ti e di fare mirë se ku
flitet dy herë... Shtëpia jonë nuk është mulli. Xhebraili do të shikoj mos e ke
vulën e Shtriganit të Allahut në ballë.
- Po, ti
e di fare mirë që nuk e kam, Imzot. Shtrigani i Allahut, kur erdhi me trumbeta,
unë isha bashkë me ty në dhomë...
- E di
unë këtë, Djemnusha ime e Bukur. E di, po nuk e di Xhebraili. Se, ky nuk i
beson askujt, kërkon të ta shohë vetë me sy ballin.
E afron
ballin dhe i ngre flokët lart me dorë. - Shihma ballin, o Xhebrail, të cilin
nuk e ka parë kush, veç Imzot!
- E
pashë, oj Dejmnushë e Bukur.
- E, a e
kam vulën në ballë?
- Jo,
Dejmnushë e Bukur. Nuk e ke, s'të paska mashtruar Shtrigani i Allahut.
- Imzot,
të gjithë i solla të lidhur me duart pas shpinës. Je, ku i ke. I gjyko dhe i
dëno, sipas mëkateve të bëra!
- Unë jam
Xhebraili i pamëshirshëm. Xhebraili që merr shpirtra. është e kot të flas, ju
mua nuk ma keni dëgjuar zërin. E keni adhuruar Shtriganin e Allahut me
trumbeta. U jeni shtruar këshillave dhe urdhrave të tij nëpër Qytet. Ai u ka prirë
para me trumbeta... U ka mashtruar me muzikë... E unë duhet t'ju gjykoj për
mëkate. Më dërgoi Allahu para Ditës së Kiametit ta pastroj botën nga të
pëgërët, njerëzit me mëkate. Ku ishit Ditën e Madhe, kur erdhi Shtrigani i
Allahut me trumbeta?
- Unë
isha në mes varrezave, o Xhebrail.
- Po ti,
o plak, nuk je i vdekur?!
- E di, o
Xhebrail! E di, po më të sigurt e ndiej veten në mesin e të vdekurve sesa të
gjallëve. Pastaj, e di si është, mjaft më fjetën nën ata gurë. M'u dhimbën, desha
t'i zgjoja nga gjumi...
- Përralla.
Përralla rrëfen, o plak! Nga gjumi do t'i zgjoj unë me këtë shpatë!...
- E di se
do t'i zgjosh, o Xhebrail! E di, por nesër mos bëhet vonë...
- Jo, o
plak! Jo. Të vdekurit do të zgjohen pas Ditës së Kiametit. Atëherë, kur do të
pushojë lehja e qenve me zgjebe... Pasi të kalojnë shirat... Breshëri..
Vetëtima... Bubullima... Rrufetë... Përmbytja e madhe... Atëherë mbi varre do
të dalin të vdekurit. Tash afrohu të ta shoh ballin!
- Ja, o Xhebrail! është plot rrudha.
Lëkura i është çarë dhe i është thelluar, si ta kishin vërshuar lumenjtë
malorë. Vitet nëpër ato ugare e kanë shkruar një roman...
- Jo,
edhe ti nuk e paske vulën. Plak, kalo në radhët e njerëzve pa mëkate!
- Unë, o
Xhebrail, isha rastësisht në kafene... E kërkoja atë të pahajrin tim, po më iku
gjeli dhe e shita fare lirë nën një tryezë...
- Ty, do
me thënë, oj zonjë, të paskan bërë bythekrye mu në mes të ditës...
- Po,
mëse e vërtetë. Po, nga e di ti, o Xhebrail?! Sa di unë, ti nuk ishe në kafene!
Tekefundit, unë s'e pata fajin. Gjeli vetë hyri nën tryezë...
- Siii,
si the, oj e poshtër?! Thuaje edhe një herë! Thuaje! Të paskan bërë bythekrye,
ë?... Madje në kafene, nën tryezë, mu në mes të ditës... E kuptova edhe unë
vetë sesi qëndron puna, qysh kur më the sesa e ke shitur gjelin... Po, deri kur
unë për ty do të punojë me kokën në trastë? Kafeneve do të bëhem herë i marrë,
herë pijanec... Rrugëve do t'u ngjitem njerëzve të urtë pas këmbëve si hije.
Bushtër e bushtrave!...
- Qetësi!
Mbani qetësi! Mjaft më, o i gjorë! Nuk kam ardhur këtu t'i gjykoj këto punë.
Detyra ime është që t'i dënoj sipas mëkateve ata që i ka mashtruar Shtrigani i
Allahut. Afrohu të ta shoh ballin! Ja, mu kjo flet për ty shumë, e paske vulën
mu në mes të ballit. Ik andej edhe ti në grupin e njerëzve me mëkate! Ti,
zonjë? I drejtohet Zonjës me Gjel dhe, pasi ia sheh ballin: - Jo. Ti nuk e
paske vulën. Ballin e ke të pastër. Zonjë, hyr në radhët e njerëzve pa mëkate!
Ti tjetri?
- Unë?!
- Ti. Po,
mu ti! Pse, mos të kemi ty për farë? Ose do të të ruajmë për Shën Gjergj... Ti
e di se nuk je ve e kuqe...
- Po, unë
jam Doktorziu i njohur në krejt Qytetin e qyqeve. Unë kam punuar natë e ditë
për të mirën e mbarë njerëzimit. Foltoreve ma kanë përmendur emrin si njeri i
ndershëm, këshilltar i partive politike...
- Nuk dua
të di më shumë për ty, afroma ballin! Fundi i fundit, çka më interson mua kush
je ti, he qen me zgjebe komuniste! E di unë se kush je ti, që atë ditë kur fole
me emocion në foltore. Të di mirë ky popull. Në një intervistë për gazetë ke
thënë se: Njerëzit e ditur janë më të rrezikshmit për shoqërinë... Shtetin...
Filozofi moderne, ë?!... Kur'ani këtë nuk e thotë as në një ajet. E as ndonjë
libër tjetër i pejgamberëve të urtë. Moto të këtillë deri më sot nuk mban mend
as historia. Ti këtë mençuri e polle vetë shumë lehtë nga truri. Tashmë s'mund
të bësh gjë tjetër, pos ta futësh nëpër librat e tu me qindra faqe të kalbet në
bodrume... E di unë pse, për ndonjë kolltuk, pozitë në shoqëri...
- Po, unë
jam munduar ta nxjerr njerëzimin nga shpellat në rrugë. Për civilizimin e tyre
vite me radhë e kam futur kokën në trastë. Nateditë kam punuar për Shqipëri
Etnike. E kam vrojtuar nga shpifjet, të pavërtetat, gënjeshtrat... Net të tëra
kam kaluar pa gjumë mbi libra...
- E
kuptoj, ndoshta do të të zija besë. Vetëm se, kjo vula që e ke, ja, këtu në
ballë, tregon diçka krejt tjetër, flet për marrëzi, mëkate... Duart i ke të
përlyera deri në bërryl...
- Unë jam
marrë me kritikë letrare… Shkencë... Novatorizëm...
- Ti je
marrë me punë të kota rrufjani, të ndyera, me shpifje... Me gënjeshtra...
S'merr erë nga kritika letrare… Shkenca, novatorizmi... Ti je qen me zgjebe...
- Unë jam
dijetar... Gjeni...
- Ti je
hiç, palaço... Shënt Ëlli, afroma t'ia pres kokën! Nuk mund ta shoh as me sy
qyqarin. Bota do pastruar nga këto hedhurina. Kokën ia pret edhe Pijanecit të
Rrejshëm, Gungaçit, Rrumaducit me shokë dhe disa të tjerëve që i kanë vulat në
ballë. Dikur, kokës së Doktorziut ia fut gishtat në flokë dhe e ngre lart para
turmës. O burra, a e shihni këtë kokë garroçe?
- Po… Poo...
Pooo...
- Kështu,
mu si kjo, do ta pësojë çdo kokë e marrë, që do të punojë kundër vetvetes,
mbarë njerëzimit... E flak me hidhërim tutje në dysheme mu para këmbëve të Poetit.
Poeti e
shikon dhe i flet me ironi: - Hë, ç'kërkon prej meje, oj garroçe?... Erdhe të
më kërkosh mëshirë?... Oj e mjerë!... Oj e shëmtuar!... Ku e ke tash
pasurinë?... Titujt shkencor?... Kolltukët?... Shpërblimet?... Erdhe pas
shpërblimit të fundit, ë? Kuptohet, nuk jam aq i pamëshirshëm. Unë përsëri jam
njeri. Edhe unë do të ta jepja shpërblimin e merituar. E di se tash të mungon
vetëm edhe ky shpërblim, të tjerët i ke marrë me gjallje, me merita... Moti kam
menduar të ta japë këtë shpërblim. Merret vesh, kanë ngulur këmbë edhe për të
tjerë... Po, unë më shumë të çmova ty, duke mos t'i mohuar meritat... Ja, po
t'i bëj edhe unë nderimet e fundit, po Zonja me Gjel qenka më në hall...
- Ç'po
bën mbi atë kokë, oj e marrë?!
- Përmjerr, o Xhebrail!..