E merkure, 04.12.2024, 08:50 AM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Tri herë matë e njëherë pre

E enjte, 24.01.2013, 07:58 PM


TRI HERË MATE

E NJËHERË PRE

NGA KALOSH ÇELIKU

Moti e kam ditur, por sot jam bindur se politikanët shqiptar nuk punojnë me tru, po me bythë. E tregon këtë historia me fakte, që nuk e luan as gjylja e topit të cilën e rroku për fyti Mic Sokoli. Sharra, siç thotë populli kur has në gozhdë. Tjetër punë është ajo se, ne nëpër këngët popullore me çifteli gjakun e kemi derdhur deri në gju sa që është mbytur edhe kali.  Nuk është ky edhe kutadish sa ndonjë problem i madh shqiptar. Qëllimin e kam në tjetër vend, kodër pas bregu: Feja, Besa dhe Trimëria. Tri dukuri në të cilat thirret dhe krenohet më të madhe edhe sot e kësaj dite populli shqiptar. E, në realitet, moti e kam thënë te monodrama: Një vit frikë (1994) se, ne nuk kemi as fe, as besë e as trimëri. Shkaku se, një popull që gjatë gjithë jetës së vetë i manifeston dhe krenohet me këto tri vlera historike, ai nuk i ka në vepër. Koha sot vetë e dëshmoi se, a i kemi ne këto tri dukuri si popull të dalim matanë lumit në breg?!

Realiteti e dëshmon të kundërtën me shekuj. Mirë, por deri kur ky popull historik do të provokohet me metoda kaq të ulta provokative?! Shqiptarët në ditën e sotshme nuk kanë nevojë për përmendore e as për varre politike. Trusakatët t’u japin shkak armiqëve tanë historik të na provokojnë e veprojnë në vepër. Nëqind herë me radhë po e përsëris nëpër shkrimet e mia publicistike. Edhe kësaj radhe nuk mund ta përmbaj veten: Pejgamberi ynë i fundit, Muhamedi a. s. ka thënë: Pa Vatan, nuk ka iman. Gra dhe shtëpi ka pasur sa t’ia dojë qejfi e shpirti i profet. Nuk e ka pasur fjalën te shtëpia, po te shteti (Atdheu). Shqiptarët, nuk e kanë këtë problem, kanë fat në jetë: E kanë edhe Atdheun, edhe Mëmëdheun.

Politikanët shqiptar, sot është koha dhe duhet t’i ndryshojnë metodat demagogjike të veprimit  për të arrirë deri te Liria, Shqipëria Etnike. Punë dhe djersë duhet të derdhin ende nateditë. O, vëllezër futjuni punës! Luftë bëni për Shtet shqiptar e jo për pushtet! E pastaj, kur do ta bëjmë Shtetin shqiptar - Shqipërinë Etnike, anembanë Atdheut do t’i hapim shkollat, fakulttetet, Universitet sipas dëshirës dhe arshinit tonë shqiptar. Dihet, kohë tek atëherë do të kemi edhe për përmendore edhe ndonj varr heroi në Katund.

Demagogët, që gjithë jetën ishin dhe janë në pushtet, sot plot gojën japin deklarata: “Hoqën një copë gur, por ngritën historinë”. Ose, Sali Berisha nga foltorja e Parlametit të Shqipërisë duke i fajësuar dhe shpallur “serbët si fashistë”. Thaçi nga Parlamenti i Kosovës duke e hedhur topin në Luginën e Preshevës. Ose, siç thotë një urtësi popullore: Për pleshtin e djeg jorganin. Realitet shqiptar ky, që Lapidari me gjithë këta “trima mejdani”, zihet rob dhe dërgohet në Minstrinë e Drejtësisë së Serbisë, në Beograd. Gjoja për të krijuar procedura penale kundër atyre që lejuan vendosjen e këtij monumenti përpara Komunës, në Preshevë.

Mediat serbe, jozyrtarisht raportojnë se, Lapidari është dërguar në Nish dhe se po mbrohet në kushte sigurie për mosdëmtimin e tij, deri në veprimin zyrtar të Qeverisë Serbe, dhe për fatin e këtij monumenti historik përkushtuar dëshmorëve të UÇPMB – së do të vendosë gjyqi.

Qëllimi arrirë i politikës shoveniste serbe ishte që t’ju tregojë forcë të shtetit ligjor rebelëve shqiptar, që edhe sot veprojnë “krye më vete” si në kohën e Tirqisë: “Askush nuk është më i fortë se ligji”, përgjigjet Daçiqi. Ose, përgjigja e liderve shqiptar të Luginës së Preshevës para heqjes së Lapidarit të UÇPBM -së me deklarata dhe mesazhe kërcnuese në adresë të Beogradit në mbrojtje të Lapidarit të UÇPMB - së. Deklarata teknefese kërcnuese nuk munguan edhe nga Shteti amë, Shqipëria, Republika e Kosovës dhe IRJ e Maqedonisë.

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa ka deklaruar: “ Nëse hiqet me forcë përmendorja nga qendra e Preshevës, atëherë do të shkaktohet krizë institucionale në Komunën e Preshevës dhe Bujanocit si dhe do të ndërpritet bashkëpunimi me Qeverinë e Beogradit. Jonuz Musliu, kryetar i Lëvizjes së Proqesit Demokratik ka deklaruar: “ Lapidari i dëshmorëve është ngritur për ta përkujtuar veprën heroike të ish luftëtarëve për lirinë e vendit. Nuk do të lejojmë, që dikush të na rrënojë vlerat tona kulturore, identitetin dhe dinjitetin tonë”. Ish komandanti i Brigadës së UÇPBM –së që ka vepruar në rajonin e Preshevës, Lulzim Ibishi, druan se do të ketë arrestime dhe viktima, në rast të intervenimit të dhunshëm të autoriteteve serbe të sigurisë për të hequr lapidarin e Dëshmorëve të UÇPBM –së, në Preshevë. E plot deklarata të tjera të këtij soji nga politikanë e trima pas lufte.

Fatkeqësia: Persona të papërgjegjshëm politik në Beograd dhe Preshevë luajnë lojëra të rrezikshme në kurriz të popullit shqiptar për ta mbajtur veten gjallë në pushtet. Përmëtepër, kur krekosen e fryhen si gjela deti para një situate të rrezikshme me deklarat teknefese: “Në rast të intervenimit të dhunshëm, sigurisht se do të ketë kundërpërgjigje të fortë nga shqiptarët”.

Partitë politike shqiptare: PD, PS, FRD, LSI dhe Aleanca Kuqezi turren me deklarata pompoze boshe dhe protesta në rrugë kundër Beogradit. Edhe atë, në kohën kur Shtëpia e tyre digjet flakë, përpiqen ta shuajnë Shtëpinë e kojshiut, Beogradit. Shaqiri bën hop, para se ta kërcej përronin: “Luginën e tradhtuan Presheva dhe Tirana”. Përmëtepër, merret edhe me deklarëtën e AKSH –së, e cila hë për hë është vetëm një “Organizatë” interneti. Pavetëdije se, pas deklarateve të këtilla mund të qendrojë edhe organizatë policore sekrete serbe. Haptas bën thirrje për një luftë të re: “E patëm mundësinë të bëjmë bam, por jo. Të presim se ndoshta Gafurr Adili, do ta sulmojë Beogradin, siç e deklaroi para disa ditësh. Kur unë para disa viteve u mbështeta në mur dhe nuk kisha përkrahje dhe nuk pata zgjidhje përveç me vetëmbrojtje dhe me ndihmën e Allahut dhe disa shokëve në Tanushë, Gafurri më quante njeri i Serbisë edhe pse luftoja me serbin”. Edhe, plot deklarata të tjera mbareprapë për të shitur mend, pasi qerrja na është thyer në mes të rrugës.

Organizata “Dinjiteti”,  që është pjesë e opozitës maqedonase dhe që tubon veteranë maqedonas të Luftës së vitit 2001 ka bërë thirrje që, kryeministri Nikolla Gruevski të mësojë nga qeverisja e kryeminstrit serb Ivica Daçiq, lidhur me heqjen e lapidarëve që janë vendosur nga shqiptarët anembanë Maqedonisë. Që. sipas Angellovskit, gjatë qeverisjes së Gruevskit, shumë shkolla, rrugë dhe bulevarde mbajnë emrat e ballistëve dhe veteranëve të UÇK –së.

Thirrje e re për luftë mes shqiptarëve dhe maqedonasve e këtij rrugaçi politik në emër të maqedonasve. Pavetëdije acaron “bashkëjetesën” e dy komuniteteve më të mëdha në IRJ të Maqedonisë: Shqiptarëve dhe maqedonasve. Vorba po vlon mbi zjarr. Kapaku në mes të Dimrit kërcen valle. Grosha derdhet në shpuzë. Shqiptarët ose duhet ta heqin vorbën nga zjarri, ose në vend të cungjeve të shelgut duhet t’i fusin dru lisi, të ndizet flakë e bëhet shkrum e hi në oxhak. Urtësinë popullore ta vënë në praktikë: Ai që luan me zjarr, vetë le të digjet si kërcu shelgu.

Vështirë e ka sot populli shqiptar t’u bëjë ballë Donkishotëve me nga një Sanço Panço pas hipur mbi gomar, që bëjnë luftë nëpër Evropë e Shqipëri për Dylqinenë e Tobozës. Përditë duke e provokuar me njëqind metoda policore të ziera nëpër kuzhina të Beogradit edhe një herë ta fusin në luftë popullin shqiptar. Lufta e shqiptarëve mori fund në vitin 2001, në IRJ të Maqedonisë. Edhe, e fituam Kosovën republikë. Populli shqiptar në IRJ të Maqedonisë si shtetformues i barabartë me popullin maqedonas. Luftën e djeshme me armë në dorë, sot e zëvendsuam me paqe në politikë. Tashti punët e pazgjidhura i kemi mbi tavolinë. Koha është t’i përveshim duart deri në bërryla, dhe pantollonat deri në gju, t’i futemi punës politike. Rrugës së vetme për të arritur deri te Liria. Shqipëria Etnike.

O popull shqiptar, po deri kur ne do të mrizim si dhentë nën hijen e Dardhave gorrice me kësi deklaratash teknefese deri te Dita e Nesërme?! Sot na e hoqën me dhunë përmendoren e dëshmorëve të UÇKB –së, në Preshevë. Nesër, do të na e heqin edhe Skënderbeun, në Bit – Pazar të Shkupit. Disa metra më larg edhe Hasan Prishtinën, para gjyqit. Adem Jasharin mbi tank, në Katund. Po, deri kur ky popull me këta politikanë do të bëjë “politikë madhore” për Ditën e Nesërme Shqiptare?!

Politikanët tanë kudoqofshin anë e mbanë Atdheut copë-copë, mjaftë më e futën këtë popull në qorrsokaqe politike. Koha është, ky popull këtë “tru” ta përzë me shqelma nga politika strategjike shqiptare. Përveshë mëngët dhe pantollonat deri në gju, këtij populli t’i pri tjetër tru për në Baba Tomor.

Fatkeqësisht,  e gjithë kjo shamatë kombëtare bëhet vetëm për jorganin e Nstradin Hoxhës. Nuk e besoj se, nuk e dini edhe këtë anekdotë. Shekuj me radhë gojë më gojë jeton në popull. Vetëmse, përçudi ne shqiptarët nuk marrim mësim. Prandaj, edhe kësaj radhe nuk do t’ju marr kohë në këtë shkrim parashikues për Nesër. E gjithë puna është për jorganin e Nastradin Hoxhës. Politikën demagogjike me të cilën liderët tanë duan ta mbajnë gjallë veten gjithë jetën në pushtet.

Populli është ai që ka dhënë dhe jep viktima historike. Ende i mbanë gjallë në politikë. Koha është me shqelma t’i përzëmë nga politika teknefese shqiptare. Nëse, duam ta gëzojmë Ditën e Nesërme Shqiptare. Përndryshe, edhe gjatë kohë këta politikanë trusakatë do të na përkundin në djep me ninulla të përrallave shqiptare.

“Vëllezërit” serb, u treguan të “kujdesshëm me përmendoren” që të mos i mungojë as edhe “një copë guri”. Përmëtepër, edhe e mbështollën me plastmasë dhe na propozuan që ta vëndosim përpara Pallatit të Kulturës, ose në xhami. Intersant, shekuj me radhë duan të na shohin bythekrye në xhami. Padashtas, na e bëjnë me dije, se: me këta politikanë të sotshëm e me tru të moçëm se ku e kemi vendin, në xhami. Ju lumtë! Vetëmse, kjo vetëdije e shqiptarëve nuk do të zgjasë edhe për shumë kohë. Shqiptarët, që sot nuk do ta ushqejnë më bythën, po trurin.

Serbia të gjithë e dimë se është si gomari para cofjes, përpiqet t’i japë edhe shqelmat e fundit vdekjeprurës ndaj shqiptarëve. Jo, nuk do të ndodhë kjo kurrë. Shqiptarët, besoj se kanë mësuar shumë nga historia deri më tani nëpër shekuj, nuk do të lejojnë që t’i provokojë armiku shekullor edhe për një luftë.

Luftë shqiptarët, patjetër do të bëjnë një ditë (me pushkë apo me penë), por jo kur të dojë Serbia, por kur do të duam ne, vetë shqiptarët. Edhe ajo ditë nuk është larg. E kemi te pragu i derës. Zoti i ndihmoftë Shqiptarët! E mbi të gjitha, ata vetë Vetëveten si popull historik në mes të Ballkanit.

Vallë, politikanët tanë ende nuk e dinë atë urtësinë antologjike popullore: Tri herë mate, e njëherë pre…



(Vota: 147 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora