E premte, 06.12.2024, 10:15 AM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Mikja me ferexhe

E diele, 30.12.2012, 06:04 PM


MIKJA ME FEREXHENË HEDHUR KRAHËVE

(Urim i Motit Madh)

NGA KALOSH ÇELIKU

Ditën e dytë e lëshova hotelin “Iliria” dhe vendosa ta kaloj natën në banesën e mikut tim, Shkrimtar i 33 dashnoreve. Ma hante mendja se do të jem më rehat, ngase ai e kishte blerë këto ditë dhe nuk banonte njeri. Përmëtepër, dashnoret që gjatë Luftës së Kosovës (1998) ia mori UÇK -ja, ende nuk ia kishte kthyer në Shtëpi. E dyta, dje kur isha për vizitë më pëlqeu ai realitet madhështor mes librave… Verës… Uiskit e pijeve të tjera alkoolike. E kuptova edhe nga gjithë ato pije e kishin prejardhjen. Mikut tim ia kishin sjellë për urime të banesës, e ai nuk pinte alkool. Fat i imi për herë të parë në jetë të jem në mes të këtij bereqeti si shkrimtar edhe unë pasanik.

E hapëm një uiski dhe e ngritëm nga një gotë dolli. Bisedë rreth letërsisë… Miqëve… Mikeve… Dikur, i thash?: se gjendem mes Tri Zjarreve… Flaka e të cilëve më djeg pamëshirë ditë e natë. Nuk më shuan dot as vera e as uiski…

Qeshi. Eh, miku im, e ke vështirë. Megjithatë, përpiqu disi mos t`i qesësh ujë. E di njërin zjarr, e kuptova se e kishe edhe me vete, shpuza e të cilit gjithnjë e më tepër ndizej flakë… Frikë kam se, mu ky zjarr  një ditë do  të të djeg me gjithë eshtra… Frikë…

Ora tre pasmesnate. E ne, ende rrinim zgjuar, nuk kishim gjumë. Dikur, pas gjithë këtyre bisedave maratonike, nuk e di se cilin të parin e kishte marrë gjumi.

Prishtinë. Gjokun me shal? e kisha lidhur nën Rrap. Armët si gjithmonë i kisha varë në një degë… Dy shtamba me verë përpara meje dhe një libër me poezi.

Papritmas, në rrugë përpara hotelit “Iliria”, në Prishtinë u duk Mikja me ferexhenë e zezë hedhur krahëve para një grupi të grave me parulla në duar. Edhe herë pas here brohoriste me megafon: Kalosh Çeliku në një poezi ka thënë:

… “më mirë le të më hanë gratë

se sa qentë e ngratë“…

Ja, edhe nga erdhëm te kjo protestë publike: ku të gjendet ai, në rrugë, nën Rrap… Kafshatë në trup të mos i lëmë, oj gra azgane!…

O, Imzot! U tremba. E ula kokën duke e fshehur fytyrën mes duarve… Sytë mes syzave të zeza. Unë, që nuk ika, nuk e braktisa vendlindjen gjatë përndjekjeve të papara deri më sot si “armik i shtetit”. Kërcnimeve telefonike... Linçeve fizike e intelektuale… Helmimeve… Masakrave… Bombardimeve të NATOS, sot duhej të ikja nga Atdheu, shkaku grave besnike… Edhe atë, nga protestat e tyre publike, të cilave u printe para Mikja ime  me ferexhenë e zezë hedhur krahëve…

Vështirë e ka shkrimtari të ik nga Atdheu… E, aq më keq nga Liria… Liria të cilën e kemi pritur me vite e vite… Nuse kjo, për të cilën  krushqit na janë ngrirë mes maleve. E shi sot, patjetër duheshte të ikja nga sytë - këmbët. Edhe atë, vetëm e vetëm pse e kisha veten në rrezik nga Gratë me dy shami lidhur për brezi…

Kohë nuk pata të marrë asgjë me vete rrugës, përveç çantës së zezë. Rrugës takoja makina, traktorë, grupe njerëzish në këmbë, që ia kishin mësyer drejtë Prishtinës. Dyndja e madhe e një populli që iku nga vendlindja…E shi tashti, ai po kthehej prapë në Kosovë, po vallë si do ta gjente vatrën?!... Oxhakun, që moti nuk tymonte nga arratisja e kotë për të ndezur një zjarr tjetër në vend të huaj…

Një profet i madh shqiptar

moti patë thënë nën Rrap, se:

këtë popull gjithmonë historikisht

e kanë shitur “njerëzit e ditur:

intelektualët dhe hoxhallarët.”

 

Asgjë nuk mësuam nga historia

burrat e mençur i shpallim tradhtarë

E spiunët patriotë mbi gomarë.

Erdhi koha përsëri “intelektualët dhe

hoxhallarët” ta shesin këtë popull.

E ai përçudi, ende i beson Dinakes

majëdege me një copë djathi në gojë…

Erdha në kufi. Dhe, përderisa polici ma kontrollonte dokumentacionin, mezi arrita ta uroj një plak nga turma i cili pas vetes zvarriste gra e fëmijë me plaçka në shpinë. Biro, m’u përgjigj? plot mall, kthehemi në Kosovë…

E kuptova këtë rrëmujë si pa kokë. Në Kosovë ktheheshin ata që gjatë luftës, ishin dëbuar me dhunë nga vatrat shekullore. Në mesin e tyre edhe “patriotët” kuqezi, që e kishin vrarë shkaun me çifteli nëpër këngë… Kafene… Dasma…  Parti politike…

O Imzot, çfarë koincidence! Ballë  më ballë edhe me “patriotët kuqezi” të Atdheut. Ata  ktheheshin në Kosovë me makina luksoze e celularë për brezi. Flamur kuqezi në dorë… E unë ikja sa mundja nga Atdheu… Liria…

Shtatë muaj më vonë në Katund: Ditën, po shpeshëherë edhe natën, Shkrimtari e shihte Plakun me abetare me gunën e zezë krahëve se si hynte në Tyrbe. Disa herë, nga mendimet që i silleshin nëpër tru, ndalej në mes të rrugës dhe tinëz vidhte me sy burrin e botës, se si hynte me struken krahëve përmes varreve. Ia merrte lakmi këtij plaku me mjekër, që hynte me aq guxim midis varreve dhe i shërbente madhërisë së Baba Shehut. Zemëroheshte, shpesh edhe e shante veten, pse ne të tjerët nuk e kishim një trimëri të tillë si Plaku me abetare. Pse ne, nuk flenim si ai në rrugë… Tyrbe… Varre?...

Atje, o vëlla i dashur, e nisi rrëfimin Plaku me abetare, ka çka të të dojë zemra. Vijnë pleq, plaka, fëmijë, cuca, nuse të reja… Sillen tri herë me radhë rreth varrit të Baba Shehut: te koka, te këmbët… Te koka, i lënë dy shtamba me verë të kuqe… Te këmbët: rroba… Para…  Përçudi, një natë pa hënë e kam parë të lutet mbi varrin e Baba Shehut edhe Teknefesin “kuqezi” për Shqipëri Etnike. Uleshte e ngriheshte mbi varr si lugat. I pëshpëriste diç në vesh Baba Shehut. Dikur, e puthi varrin dhe iku me shpresë se Baba Shehu e ka shëruar nga magjitë, xhindet që e kishin zatek pasmesnate në Fecebook.

Punën tash e mora në dorë unë, plaku. Parat i futa në xhep. Rrobat njëra pas tjetrës në një thes të grisur me arna. Shtambave me verë të kuqe ua ngrita bythët në hava.

Në Fund, u rash duarve si pehlivani i Shkupit rreth Nuses me poshterkë të kuqe që nuk iku me të tjerat në shtëpi, po me këmbëngulje priste ta shëroj Baba Shehu. E vesha dollamën e gjelbër. Shtëllungën e bardhë të leshit e vara për qafe.

Hë e hëë e hëëë… Përsipër… Përfundi… Përmbrapa… Bythekrye bashkë mbi varrin e Baba Shehut… Dikur, Nusja me poshterkë të kuqe u bë qull nga djersët. Uluroi si ujkeshë. Atëherë, unë biro, edhe njëherë ia përzura të gjitha xhindet dhe e përgëzova, i rash me shpullë bythëve: - me shëndet!...

Plaku me abetare kur ia tregoi Shkrimtarit të gjitha këto mrekullira, Nusen me pashterkë të kuqe me të cilën lënuri lesh arapi në dhomën e Baba Shehut, ai e harroi frikën e përhapur në popull. Shprehu dëshirë të shkojë edhe ai në Tyrbe, t’i presin së bashku krah për krahu të sëmurët me xhinde, që vijnë t’i shërojë Baba Shehu. Plaku me abetare nuk i kundërshtoi, por me një kusht që ai për të gjitha ato që do të bënin e shihnin me sy, mos t’i shkruante nëpër gazeta, libra.

Plaku me abetare dhe Shkrimtari një mesdite vere, tinëz argatëve që punonin në fushë, hynë në Tyrbe. Dhoma e rregulluar aq me shije, thuaj se këtu jetonte me të vërtetë njeri e jo xhenaze, ia përziu trutë. Filluan t’i merren këmbët… Mendtë… O Zot! Më mirë jetoka i vdekuri, se i gjalli! Tyrbja për të ishte një zbulim i ri në jetë. Shtrati i rregulluar me çarshafë të bardhë… Jastëkë për nën krye... Tavolinat… Luganiku… Magja… Karriget… Enët… Lëkurat e ogiçëve… Rafti me libra… Shkurt, s’ia kishte marrë mendja Shkrimtarit se Baba Shehu kishte qenë edhe adhurues i madh i librave. Vetë ai sa qe gjallë e ndërtoi Tyrben në mes të fushës, rrëzë Çukës… Varrin… Solli çdo gjë që i nevoitej një njeriu në jetë pas vdekjes.

- Mirë, po kush e mbanë kaq në rregull këtë Tyrbe?

- Nuset e reja…

- Dhe unë, pse ia bëj gjithë këtë shërbim Baba Shehut, ditën, natën? Ose, pse ua përzë nuseve të reja xhindet?

Edhe këso pyetjesh do të më bëni, e di… Ashtu e kërkon puna, he burrë! Ne të gjallët duhet t’i bëjmë të gjitha këto mrekullira, se të vdekurve u kanë mbetur vetëm eshtrat. E sa di unë, eshtrave nuk u duhet ushqim… Verë… Para… Nuse… Liri… Më duhen mua, o burrë! Patjetër, mua, plakut. Ose, ndonjë tjetri kështu si unë, që nuk e ka kaq mirë në shtëpi. Zoti me të madhin e vet ka menduar edhe për ne të varfërit… Ose, siç thoni ju të mençurit për ne, “të krisurit” në mesin e librave.

Shkrimtari u ngrit nga shtrati. Ngadalë e ndezi fenerin mbi oxhak. Nëpër dritën e zbehtë mezi e dalloi në një qosh Plakun me abetare se si ia përzente xhindet një Nuseje me poshterkë të kuqe. Edhe ky më nuk priti të mbarojë ceremonia, por vrik e vrik i shpërtheu pantallonat dhe iu afrua Nuses me lale-lule që i rrinte te koka Baba Shehut. Këmishën e gjatë ia përvjeli duke ia hudhur mbi kokë dhe filloi t’ia përzejë xhindet. Dikur, i larë në djersë, u nis kah rafti me libra dhe nisi t’i shfletojë disa tituj të dorëshkrimit Rrufjani: Pazari grave, Deledashi, Shtrigani i Allahut, Rrugaçja, Delezezat e nënkryeme kakademike, Hojdodolja, Lufta për pushtet e veshur “kuqezi”…

Në titullin e fundit Lufta për pushtet e veshur “kuqezi”, padashtas lexoi mes atyre faqeve: Humbje kohe është ta bindësh Teknefesin “kuqezi” që nuk e sheh rrugën e Mesditës Madhe, e ku më dhiaret e Natës pa hënë. Përmëtepër, t’i thuash se nuk di të lexojë në gjuhën shqipe. Shkaku, se: ai e “njeh” më mirë se ti gjuhën shqipe. Edhe atë, është “patriot më i madh se ti kuqezi”. Përpiqet syrin e tjetrit ta “mjekoj”, nxjerrë ashkëlën e nuk ka aftësi shkencore nga syri i tij ta heqë trungun.

Teknefesi “kuqezi” nateditë trumbeton bashkim kombëtar, e nuk e di se s’ka sy e as tru për t’u ngjitur dhiareve në Baba Tomor. Vendin e Perëndive. Tyrben ku pihet vera. Lindë poezia. Dhe, bëhet dashuri me Hënën. Trusakati, të gjithë ata që nuk i shkojnë prapa në këtë “betejë patriotike kuqezi”, i shpallë spiunë dhe tradhtarë.

Tjetër, nuk e ka të qartë Teknefesi “kuqezi” se, me cilët shqiptarë do ta bëj “bashkimin e tij kombëtar”, kur një pjesë të shqiptarëve jashtë kufijve politik ende i quan dhe ankohet: “Ah. ç’na ka gjetur me ju sllavo shqiptarët”???!!!... Përvetson pa pikë djerse mendimin tim që unë (K. Ç.) i pari e kam publikuar këtë pagëzim për “sllavo-shqiptarët” nëpër shkrimet e mia në mjetet e informacioinit. Vetëm për dallim, ky “patriot kuqezi” të gjithë shqiptarët e këtyre trojeve etnike shqiptare jashta kufijve poilitik të Shtetit Shqiptar i shti në një thes me arna për t’ia lidhur grykën nesër me një kordhë kanapi.

Pavetëdije, i harron ngjarjet historike shqiptare se: po të mos ishte Isë Boletini me kosovarët trima, Ismail Qemali vështirë do ta shpallte Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë…



(Vota: 198 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora