E premte, 13.12.2024, 09:56 AM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Lani duart nga ''politika madhore''

E hene, 11.03.2013, 09:38 PM


KOHA ËSHTË T’I LANI DUART NGA “POLITIKA MADHORE”

NGA KALOSH ÇELIKU

Edhe, më merr malli për personazhet e mi nëpër libra që turren me të katra përmbrapa partive politike pas një ashti shpërblim. Herët, dal t’i shoh te “Tivoli” burrat e mejdanit, para këmbëve të Skënderbeut në Shkup, sesi bëjnë luftë kokë më kokë për Atdheun. Përçudi, edhe sot si dje asnjëri nuk mungon, vijnë njëri pas tjetrit dhe harrohen me orë të tëra duke bërë “politikë madhore”: Doktorziu krah për krahu me Baxhanakun, Rrumaduci, Hojdodolja, Këlyshi me zgjebe, Dum Dumi, “Nova Godina”...

Gjithë ditën e gjatë, përderisa unë i marr “ilaçet e mia” të zakonshme sipas nipit tim Joni, ato gjithë ditën e gjatë merren me thashetheme politike, marrin gra e burra nëpër gojë. Edhe, me kolumna politike si “analistë” teknefes politik në mjetet e informacionit. Dihet, me parashikime mbarë e prapë për një të Nesërme shqiptare, fundekrye në shërbim të Partisë Neokomuniste, që me  protesta “demokratike” në rrugë do të kthehet në pushtet. Përçudi, janë të njëjtit tursakatë si prodhim serik i një kallëpi - shkolle gazetareske partizane të “vëllazërim – bashkimit”. E, në anët tjetër harrojnë se janë bërë vetë mu si Cuca e Sulçes, që ia hapi derën pasmesnate Xhangos me shokë se, ia kishin zbuluar “llozinkën”: Shefqeti me çizme.

Përditë e shoh Rrumaducin me një “bagazh të madh patriotik” nga Partia Komuniste se, si shkon tavolinë më tavolinë ta pranojnë në shoqëri të bëjë edhe ai pak “politikë madhore” para zgjedhjeve lokale. Burri i botës, tashti në “demokraci” e ka vështirë të nuhas diç të re për Vetëshërbimin e Kukullave, në Bit - Pazar. Arsye, i doli bytha “patriotike” si palare në diell për mejdani. DoktorZiu e shpërbleu me një asht për “flijime artisike” duke e përcjellur në pension të merituar shtetëror mes varreve partizane të “vëllazërim – bashkimit”. Viktimat shqiptare nuk duan të rrinë më me të në një tavolinë. Dikur, më në fund mezi ulet fillkat vetëm në një tavolinë, në verandë. E ngre telefonin celular, gjoja se e kërkon dikushi matanë gardhit, thirrë për shoqëri pune parazgjedhore. Jo, Rrumaducit më nuk i ulet askush në tavolinë. E kanë përzënë të vdekurit, e kanë përzënë të gjallët. Përveç, DoktorZiut me Baxhanakun, që ende nuk i kanë dorëzuar armët e luftës, i dalin zot Partisë Neokomuniste të “vëllezërve” të Njerkës. Edhe, pas pak kohe vijnë Kalorësit e arratisur të harruar nga partitë politike shqiptare nëpër institucionet e “Shtetit të përbashkët”, i ulen Rrumaducit në tavolinë, aq sa për një kafe dhe t’i japin detyra “patriotike” në zbulimin e “armiqve të Shtetit”.

Rrumaduci nuk ka njeri më as për farë të pi si shok lufte edhe një kafe. Rastësisht, më pyet ndonjë kalimtar i rastit: ku i ke sot dudumët? I përgjigjem: posa dolën nga xhamia. Këtu pari janë nëpër tavolina me mikrofona në brez e xhepa, i presin në pusi partizanët partiak për sulme strategjike para fushatës zgjedhore. Fytas të rroken me gotat e çajit të rusit mbi tavolinë me këmbët dhe trutë në legen. Përsëri duan ta nisin luftën për liri. E thirrin “pranverën arabe” edhe në Shkup. Moti e kanë filluar me protesta në rrugë, që nesër të dalin me kërkesa partiake para Qeverisë. Në ndërkohë, kur Rrumaduci më ka mbetur fillkat vetëm në tavolinë, vjen edhe Cuca e Sulçes me një shoqe për ngushllime dhe ulet në një tjetër tavolinë me shpinë të kthyer nga Rrumaduci. Nuk do ta shoh as me sy dudumin. Jo, Rrumaduci më në këtë jetë nuk ka njeri të gjallë e as xhenaze për ta ngushëlluar si rrufjan shqiptar. I ka mbetur vetëm edhe një tavolinë – “tabut” i zbrazët në atë jetë, para këmbëve të Xhebrahilit. Interesant, nuk e di pse ma kujton në Ditën e sotshme Bubën e fëmijërisë me shkop në Katund.

Bubën, që më kujtohet nga ditët e “lumtura” djaloshare, në errësirë matanë dritareve. Nëna ime ndjesë pastë, sa herë që bënim ndonjë bela, ose e kishte vështirë të na vë në gjumë si hutaçë të asaj kohe, na thoshte: Heshtni, se vjen Buba me shkop!

Edhe dihet se, nuk bënim bela ia futnim gjumit duke u strukur, mbuluar kokën me jorgan nga frika. Natën, edhe gërhisnim në gjumë, sharronim shelgje nëpër livadh, rrëzë Çukës. Pasmesnate, shihja ëndrra të tmerrshme: Xhindet duke më hedhur majë lisave mbi çatia dorë më dorë dhe pak para agimit më kthenin në mes Nënës dhe Babait. Tmerr, edhe sot e kësaj dite nuk e kam të qartë sesi, ato nuk zgjoheshin nga gjumi.

Buba me shkop më ndoqi si hije pas shpine gjithë jetën: në Kërçovë, Shkup e Prishtinë. Ndoshta, ky qe shkaku kryesor që unë edhe ia pashë hajrin në letërsi. Përndryshe, një Zot e di se ku do të përfundoja si shkrimtar. Përgjigjeja juaj dihet: në Universitetin e shqiptarëve (Idrizovë). Faleminderit, ende deri më sot nuk kam bërë asnjë “vepër patriotike”. E di, ju do të thoni: edhe sot mu si dje e kemi Bubën me shkop pas dere. Këmbën e lyer me miell duke na e treguar përmes hekurave të dritareve. Përmëtepër, ende na merr si edha të vegjël katundi mes livadheve t’ia hapim derën.

Gruaja ime besnike e ka fajin për këtë shkrim kaq të vonuar me vite, në fund të Dimrit. Bora kur na mbuloi fundekrye kopshtin dhe çatitë e shtëpive. Ftonit, pranë bunarit ia hudhi krahëve gunën e bardhë deri në fund të këmbëve. Kumbullat na i rrëzoi përtokë. Mollët i tërhoqi për setre. Edhe çatinë bashkë me pragun e Shtëpisë. Kohë qorre, kur Ushtria e maceve në kor me këngë patriotike protestojnë për ushqim pas dere. Minjtë na ecin nëpër Shtëpi si mbretër. Dr. Gaçi kërcnohet me veprime demokratike se, do të hidhet në grevë urie para Qeverisë. Mjetet e informacionit do t’i bombardojë me deklarata politike partiake. Dhe, ende pa i marrë “ilaçet” e mia të përditshme, pasi e kisha harruar kafen e mëngjesit mbi tavolinë, Gruaja ime besnike me dy shami lidhur për brezi e poshterkë të kuqe deri në fund të këmbëve, më tha: Vërtetë, sot jam bindur se e kam lehtë unë në punë e jetë, kur e kam Bubën me shkop pas dere.

E kuptova aty për aty se ku e kishte fjalën, kodër pas bregut i themi ne në Katund. Moti kohë për shumë njerëz në bazë të shkrimeve të mia satirike, Buba me shkop isha Unë, Kalosh Çeliku. Përmëtepër, e arsyetova veten si shkrimtar: Ndonjëherë, në jetë njeriu duhet të jetë edhe Bubë me shkop. Përndryshe, të marrin nëpër këmbë dudumët. Populli thotë: Nuk ngacmohet te bytha arusha me krënde. Kujt t’i teket i turret pas me brekët nëpër këmbë. Pastaj, oleleee kuku: më hëngri arusha! Rasti ma kujtoi ngjarjen e disa viteve më parë të djalit tim Asdrenit. Nëna e tij kur deshi ta vë në gjumë duke i rënë me dorë dërrasës të shtratit: Bam,baam, baaam... Bir, flej se vjen Buba me shkop.

Deni i vogël pas një heshtje në errësirë, i përgjgijet duke i rënë vetë dërrasës të shtratit: Mami, flej se vjen Buba me shkop! Frika, paprtimas atëherë qeshi nën shtrat, në dhomë. Matanë dritareve ëndrrat e hoqën një valle. Yjet i hapën sytë mbi çati. Lakuriqi u turr mes errësirës degë më degë. Huti me veshë i trembi zogjtë majë kumbullës në fund të oborrit. Zogu i Keq e thirri mëngjesin. Dita e nesërme zbriti më këmbë maleve nga qielli.

Vite e vite kanë kaluar që nga ajo kohë qorre.  Fëmijët e sotshëm nuk i trembim më me Bubën me shkop pas porte, po me personazhet e përditshme politike të televizorit. Kompjuterit. Buba moderne këto shtëpiake, që i vënë në gjumë me sy të hapur edhe në mes të Ditës Madhe. Sonambël i nxjerrin në protesta “demokratike” edhe në rrugë. Pasmesnate, edhe në vend të nënave i mbulojnë me jorganin e ëndrrave fantastike të livadheve. Dorë më dorë duke i hedhur në botën e fantazisë politike.

Vetëm unë siç duket gjithë jetën mbeta i papërmisueshëm, Bubë me shkop për dudumët që më lexojnë mbrapsht edhe sot e kësaj dite mes rreshtave. Fjalën nuk e kam për politikanët, që nuk dinë të më lexojnë fare. Burrat dhe gratë e mejdanit, që ende “vëllezërit” vazhdojnë t’i trembin me Bubën me shkop në Qeveri. Heshtni, mos e hapni gojën për të drejta të barabarta kombëtare të shqiptarëve! Buba me shkop, troket pas dere. Ose, kërkojnë me këmbëngulje të hanë kashtë nëpër shkrimet e mia publicistike.

Asgjë nuk kam kundër këtij soji të politikanëve, “analistëve” e lexuesve të trembur si lepujt nën ferra. Frika, që u ka hyrë në bark nga koha e komunizmit. I ka djegur tambëli, tashti i fryjnë edhe kosit. Përditë trumbetojnë suksese e premtime dhe nxjerrin në skenën politike fytyra të harxhuara që nga koha e komuizmit. Politikanë teknefes që me vite politikës shqiptare i ngatrrohen nëpër këmbë me luftën për pushtet. Fushatat zgjedhore të të cilëve më shumë përngjajnë në arena gladiatorësh, se sa në fushëbeteja politike. Gurë e dru hedhin mbi njëri tjerin me shpifje e etiketime. Përbaltin popullin shqiptar me përçarje politike duke na i përdhosur para syve simbolet kombëtare. Në vend që t’ia zgjasin dorën e pajtimit njëri – tjetrit, bashkojnë forcat politike për fitore para syve të popullit. Dyert t’ia hapin krah më krah një gjaku të ri shqiptar. Fatkeqsisht, një gjaku të ri politik, që nuk e kemi ende as në Shqipëri, as në Kosovë e as në Maqedoni. Gjak të cilin partitë politike e kanë ngulfatur me vite, e kanë rrokë për fyti me të dyja duart. Vështirë qarkullon nëpër damarët e këtij populli, ngrejë krye në politikën shqiptare. Shkaku, se: kashtë kërkojnë “patriotët kuqezi” në grazhd. Kashtë u japin politikanët e sotshëm me kosh në mes të Lëmës. Metodë e re kjo politike - shkencore për ta ushqyer sot trurin e tyre sakat të arratisur nëpër institucionet e shtetit. Nuk i urrej e as ua kam inatin e lakminë me kokën në grazhdin e partive politike shqiptare e bythën te “vëllezërit” e Njerkës. U bëftë mirë, taxhia!...

Vetëmse, taxhinë e partive politike shqiptare nuk duhet ta shkelin me këmbë, tinëz fusin kokën në grazhdin e “vëllezërve” të Njerkës. Sofrën e shtruar shqiptare në mes të dhomës, së paku mos harroni ta ngreni pas buke! Mundësisht, edhe një lutje: të përpiqeni gjatë zgjedhjeve lokale e parlamentare t’ua jepni votën e lirë demokratike individëve që e kanë dëshmuar veten për zgjidhjen e çështjes shqiptare, e jo partive politike që vite me radhë bëjnë luftën e argatit për pushtet.

Koha është, sot t’i lani duart nga “politika madhore” se, na morët më qafë...



(Vota: 142 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora