Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: Parku i “Çairit” mes sëpatave politike dhe fetare
E premte, 11.01.2013, 04:53 PM
PARKU I “ÇAIRIT” MES SËPATAVE POLITIKE DHE FETARE
NGA KALOSH ÇELIKU
Parkun e
bukur të dikurshëm të “Çairit” e mbaj mend si sot, kur isha nxënës i shkollës
së mesme normale “Zef Lush Marku”, në Shkup. Përmëtepër, ato vite shkollimi
isha vendosur me banesë edhe në këtë lagje të Shkupit. Vendbanim përrallor, që
pas tërmetit katastrofal (1963) u ndërtua me ndihmat solidare nga e mbarë Bota.
Dihet, politika e atëhershme shtetërore jugosllave e “lulëzoi” për vete si një
ndër lagjet më të bukura maqedonase (kombeve dhe kombësive) mes gjelbërimit.
Edhe, në atë kohë ua shpërndau banesat falas partizanëve të Partisë Komuniste.
Natyrën
qiellore kësaj lagjeje të Shkupit ia kishte falë vetë Zoti. Jo, rastësisht edhe
sipas pozitës gjeografike e kishin pagëzuar me një fjalë turke “Çair”
(livadhe). Plot me drunj e gjelbërim që e ruante nëpër vite me xhelozi para
syrit keq të Dexhallit. Vend, ku ne nxënësit e asaj kohe me kitara përqafe e
mandolina të mësuesit të muzikës, Syreja Imami e kalonim kohën e lirë nën hije
me cucat azgane qafë për qafe para syve të Hënës deri në agim. Edhe sot, më rri parasysh si në fotografi:
gjelbërimi i madh dhe drunjtë kokë më kokë verë e dimër. Lagje e re moderne, që
i gjithë Shkupi ia kishte lakmi. Degëve të tyre, ku nateditë fluturonin plot
pëllumba. Zogjë, që gjatë stinës së verës këndonin këngë e gjatë dimrit
truma-truma na trokisnin për thërmia buke në dritare. Vetja të dukej se jeton
në katund, e jo në mes të Shkupit. Dihet, majë tyre herë pas here kakariste
edhe ndonjë laraskë, ose sorrë e zezë. Pasmesnate, edhe Zogu i keq me atë këngën
e tij të kobshme shkatrraçe mbi çati, që mezi na vënte në gjumin e thellë të
gërhasim për Liri duke sharruar shelgje mes livadheve.
Vite më
vonë, pas studimeve në Prishtinë, kur do të kthehem përsëri me punë në Shkup,
rreth viteve ’80 –ta, vërtetë do të dëshprohem keq me pamjen e Parkut të
“Çairit”. Sipërfaqen e madhe me gjelbërim dhe drunj e
Gjatë
ndryshimeve demokratike, Parkut të “Çairit” do t’i sulet edhe një Parti
politike shqiptare (PDSH). Lokalin e vogël turistik “Merkez”, do t’ia dhurojë
një partizani të saj partiak, të cilin ai brenda pak viteve pas disa “flijimeve
patriotike” partiake do ta uzurpojë gati gjysmën e sipërfaqes së Parkut të
“Çairit” dhe do të ndërtojë një godinë të madhe disakatëshe biznesi mbi pronën shoqërore.
Lufta e
vitit 2001, Parkut të “Çairit” plotësisht do t’ia ndërrojë pamjen e bukur
nusërore të përrallave fantastike. Maqedonasit dhe serbët do t’i shesin me të
madhe banesat e tyre për pak e për shumë para, vetëm e vetëm që të mos jetojnë
më bashkë me shqiptarët. Lufta e 2001 -shit, menduan se i dha fund
“vëllazërim-bashkimit”. Prognozë vizionare kjo e gabuar e “vëllezërve”. Rast i
volitshëm ky, që katundarët e fshatrave përreth Shkupit me pak para i blenë
banesat e tyre dhe zbritën në qytet. Një rrezik tjetër ky për Shkupin shqiptar.
E sidomos “Çairin”, të cilit po ia shohim sherrin si shqiptar sot gjatë
“ndryshimeve demokratike”. Shkaku se, i lëshonin fshatrat dhe vinin pa vende
pune në qytet. Përgaditje të lartë shkollore. Asnjë shpresë ekzistimi për jetë.
E, qyteti si qytet, nuk është si katundi ku e ke plot me pula e gjela oborrin.
Lopë e dele livadhin. Dru për dimër në të katër anët e shtëpisë. Qyteti të
detyron nëse nuk ke ekzistencë buke, të merresh me të gjitha punët tjera
joligjore për ta mbajtur veten gjallë dhe familjen.
Tashti,
sipërfaqet e gjelbëruara para ndërtesave dhe Parkun e “Çairit” filloi ta
mbulojë me të madhe edhe bërlloku. Ferrat që i sillnin fshatarët nga katundi me
të cilat rrethonin oborrin e tyre para ndërtesave. Edhe telat e djersitur
gjembor, një rrezik tjetër për fëmijët
që loznin top mes hapsirave të mëdha të gjelbërimit para ndërtesave të
banimit në mungesë të fushave sportive. Secila ndërtesë banimi ishte mjaftë
larg njëra tjetrës, thuajse projektuesit kishin menduar që fëmijët ta kenë edhe
parkun e tyre të lojërave para dere. Populli thotë: Uji fle, po hasmi nuk flen.
Drunjt filluan t’i presin për dimër, ndezin zjarrin me flakë si në katund rreth
oxhakut. Vetëmse, jo këtij “Rreth oxhaku”, që e shohim ne për çdo javë në
ekranet tona televizive me këngë dhe valle popullore. Shpeshëherë, ku
fotografohen para kamerave televizive edhe politikanët tanë dhe artistët e
partive politike.
Përinat
të shqiptarëve, përditë e më shumë Parku i “Çairit” zhvishet lakuriq nga
bukuria natyrore. Asnjë petk gjelbërimi nuk i mbeti më në trup. Qoftë ai edhe
gjethi i Adamit. Rrezik ka, kështu si e kanë nisur partizanët e partive
politike shqiptare me politikën e tyre “madhore”, një ditë ta lënë edhe pa
brekë në mes të Dimrit.
Kryetari
i komunës, më në fund falë luftës së 2001 –shit për herë të parë erdhi
shqiptar. Shpresa e vetme kjo, për Parkun me gjysëm shpirti të “Çairit” që
Ditën e nesërme të ngrihet nga shtrati. Duartrokitje, Bashkimit Demokratik për
Integrim (BDI). Vetëmse, nuk ndodhi mrekullia e premtimeve të përrallave
parazgjedhore. Secili, kujt t’i teket i rrethonte hapsirat para ndërtesave dhe
shtronte përmes gjelbërimit rrugica me asfalt për kalimtarët e rastit para
zgjedhjeve lokale e parlamentare. Ndërtonte në mes parkut shtëpi pa leje
ndërtimi si në kohën e Turqisë. Garazhë për makinën e tij shkatrraçe. Ose,
lokal biznesi të çajit rusit. Tjetri kotec të pëllumbave. Partizanët e partisë
në pushtet, edhe ndërtesa disa katëshe biznesi të egëra vend e pa vend pa plan
urbanizimi, që brenda një nate mbinin si këpurdhat pas shiut. Hapësirat e të
cilave, të nesërmen i shitnin me para të majme në Bit-Pazar. Pasurinë e
shoqërisë nisën ta përvetsojnë për vete, bëjnë rrush e kumbulla para syve të
popullit dhe “Shtetit juridik”.
Njëzet
vjet më vonë, në Ditën e sotshme “demokratike”, përveç partive politike kësaj
lagjeje të “pastërt” shqiptare me sëpata në krah e duar do t’i sulen edhe
“vëllezërit” besimtarë ortodoks të Zotit. Drunjtë e rritur me vite, edhe ato
sot pak në numër, brenda një nate do t’i presin persona të papërgjegjshëm fetar
në emër të Krishtit dhe me to do t’i ndezin zjarret e krishtëlindjeve
ortodokse. Edhe atë, Natën e Madhe, kur besimtarët mysliman të Pejgamberit
fundit Muhamedit a. s. e falin “teravinë” në xhami.
Përçudi, me gjithë këta politikanë dhe besimtarë të Zotit dhe Allahut, Parku i “Çairit” në Ditën e sotshme mezi e mbanë veten gjallë mes sëpatave politike dhe fetare para syve të shqiptarëve. Kryetarit të Komunës së “Çairit”, që me siguri kësaj radhe duke u marrë gjatë gjithë vitit me “aktivitete kulturore” partiake në Njëqindvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, e ka zënë pa dru Dimri…