Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: Hajduti ''hallall''
E enjte, 13.06.2013, 09:55 PM
HAJDUTI
“HALLALL”
NGA KALOSH ÇELIKU
Ditë e
bukur pranvere me diell. Qielli i kaltërt lot mes dy-tri reve që thyejnë qafën
matanë maleve. Një mik i imi shkrimtar më telefon për një kafe. Moti nuk e
kisha ngritur dolli një gotë raki rrushi. Mos të flasim për dy shtamba me verë
ose për “lëngun e turshisë”, pijen e preferuar të partizanëve të partive tona
politike “demokratike”, që herët me hebet në krah kanë dalë për gjah t’i
plaçkisin shqiptarët nëpër Bit – Pazar.
Edhe,
dalim me mikun shkrimtar në një “oazë paqe” të Shkupit nën “Sheshin e madh Skënderbeu”,
në Bit - Pazar. Ballë për ballë me Hasn Prishtinën, që këto ditë me shi e diell
nuk ka para këmbëve asnjë lule. Miku shkrimtar sot ka lekë vetëm për dy birra
“hallall”. Edhe atë, pa meze. Merreni me mend, birrën ta pish së paku pa një
copë mish viçi të palëpi. Zorrët në bark gjithë ditën e gjatë të të këndojnë
këngë patriotike me dajre. E di, Skënderbeu ushqimin e tij të preferuar e ka
pasur përsheshin me mish qengji. Gjatë një Paniri të libtit e kam provuar edhe
unë autori i këtij shkrimi në restorantin e xhaxhit Enver në Tiranë, rreth
oxhakut të viteve ’70 –ta te Zogu i Zi.
Këmbëkryq me popullin në fotografi nëpër mure mes kazmave, traktorëve e
pushkëve. Fytyrave të buzëqeshura të aksionistëve: në njërën dorë pushkën, në
tjetrën kazmën. Këngën e asaj kohe: Me gëzim po shkoj në punë. Katastrofë e
sotshme kombëtare, kur i krahason ato gra e burra mejdani me gjelat tanë
“krynegritës” gjatë fushatave parazgjedhore sesi krekosen mbi pleh duke thirrur
agimin ende pa hipur në gardh. Pajtohem me ralitetin pas shpine para këmbëve të
kalit të Skënderbeut. Ditën, sot do ta përfundoj vetëm me një birrë “hallall”.
Miku im
shkrimtar, dikur shkaku obligimeve familjare të përditshme vazhdon rrugën për
në shtëpi, ndrësa unë rrokem fytas në dylyftim me birrën “hallall”, që mbi
tavolinë më ka shpallur luftë fetare mes ferexhezezave. Kamarieri, dikur më
thotë matanë tavolinave: E do edhe një “hallall”? Jo, i përgjigjem. Mjaftë e
kam një sot në këtë vapë politike, sipas porosive të një “analisti” dudum. E
dua “haramin”, e jo “hallallin” e dudumëve. Dikur, për inat dalë nëpër qytet
para grave të begatshme me fëmijë në gji përballë Filipit të Maqedonisë t’i
rrokullis bythekrye edhe dy shtamba me “hallall”. Rrugës padashtas nga
“pastërtia e madhe”, që gjatë natës së kaluar e ka sulmuar qytetin, më
rrëshqasin këmbët shkallëve: “se spasiv”, (shpëtova), rënkova në gjuhën e
“vëllezërve”. “Patriotët kuqezi” e di, do të thonë: ja, ku e keni nacionalistin
e madh shqiptar para këmbëve të kalit Skënderbeut, e ju e kërkoni në xhami para
këmbëve të Hoxhës Allahut ta shpallni taliban. Ama, hiç nuk ma ndi për
theshethemet dhe shpifjet e tyre të përgjumshme me këmbët dhe trutë në legen.
Pesë “vakte” që përditë i falin në sexhadet e persisë me kokën në xhami e
bythën në polici. Nateditë para popullit flasin jerm marrëzira, shesin moral.
Moti e kam thënë: Internacionalist nuk mund të jeshë, pa qenë nacionalist. Ose,
ndryshe: nuk mund ta duash më shumë tjetrin, pa e dashur vtëveten. Vetë,
përsëri ngrihem më këmbë për ta vazhduar rrugën me gropa mes gjithë këtij
bërlloku dhe ndërtimeve pa leje, që mbijnë si këpurdha në mes të parkut
(gjelbërimit). Inati më vjen, pse sot nuk e kam pi as një gotë raki rrushi e
rrëzohem shkallëve të Nënës Parti. Përmëtepër, dy të rinj studentë shqiptar
disa metra më larg më përkrahin me fjalë: Qoftë e kaluar, o burrë! Me siguri
janë lexues të shkrimeve mia të “egra” publicistike anë e mbanë Atdheut për
Ditën e Nesërme.
Rruga
është rrugë. Patjetër, duhet vazhduar përmes Shkupit historik të shqiptarëve.
Kryeqendrës, që përderisa Gruevski matanë
e në këtë anë të Urës Gurit, ndërton sheshe me përmendore e fontana,
partizanët tanë partiak shqiptar edhe atë pak hapsirë që ka Çarshia me
gjelbërim dhe beton e kanë mbushur me parkingje të makinave. Përçudi, vetja të
duket se jeton në ndonjë shkretirë arabe. Merreni me mend, heroin tonë
legjendar Skënderbeun me gjithë kalë e kanë dënuar t’u bëjë roje me shpatën në
brez, sikur të ishte Tarzani në mesin e majmunëve. E di, vështirë e ka pasur
dje me turqit, edhe më vështirë e ka sot me dudumët mes varrezave të
automobilave që e kanë rrethuar nga të katër anët mu si dikur ushtria Osmane te
Kështjella e Krujës. Mjerisht, edhe Universiteti i Tetovës mezi merr frymë mes
këtij bërlloku të makinave shkatrraçe të parkuara para dere. Studentët gjatë
pushimit pas ligjëratave kërkojnë shpëtim për ta kaluar kohën e lirë në ndonjë
birucë betoni të partive politike. Aty për aty, më kujtohet vendasi im shakaxhi
Xha Duli i Riu, kur në kohën e komunizmit me shokë i veshur me tirqi, xhamadan e
kësula të bardha në kokë me flamur në dorë, lodra e valle i bienin krah për
krahu përmidisi Çarshisë Kërçovës si në kohën e “Shqipërisë Madhe”. Natën e
bënin ditë. Këmbëkryq uleshin para restorantit “Slloboda” (Liria), kafenesë më
të njohur në atë kohë të qytetit. Vite ato, kur sot më kujtohet edhe Babai me
“nagantin” më brez e bombat nëpër xhepat e strukes hedhur krahëve. Kamarieri
kur pasi e paguante dëmin, i thoshte: “Falla, pak da dojdete utre”
(faleminderit, përsëri të vini nesër). E Babai, aty për aty në gjuhën shqipe i
përgjigjej me buzëqeshje te pragu i derës: kurrë, më nuk do të më shihni në
këtë konak të hajdutëve. Djemtë e mi mund t’i mashtroni me “çaj rusi”, bozë
gostivari ose ndonjë nuse qyteti, por mua kurrën e kurrës!
Edhe pas
kaq viteve, ne shqiptarët përsëri rrotullohemi bythekrye nëpër çajtore e konaqe
“rreth oxhakut” me këngë e valle patriotike. Popull më të lumtur se na në ditën
e sotshme, nuk besoj se ka në botë. Armik të gjallë nuk lamë pa vra me çifteli
e lodra mbi tokë. Qosh më qosh e kërkojmë “çajin e rusit”, kur dehemi keq me
bozë në mes të Bit – Pazarit, e hajdutët e pulave na prinë për në liri. Edhe
atë, tashti kur më nuk kanë të vjedhin pula si dje në katund, i sulen pas
shpine Skënderbeut dhe intelektualëve shqiptar. I ndejkin këmba – këmbës nëpër
qytet si “armiq” të fesë islame, Partisë dhe shtetit. Rasti ma kujton çetën
partizane mbi katund në Luftën e Dytë Botërore. Partizanin që e dërgojnë shokët
të vjedhë pula. E, ai në vend që të vjedhë pula te koteci, bie “heroikisht” dhe
vritet në telat e elektrizuar të ushtrisë gjermane. Shokët partizan pas lufte e
shpallin hero kombëtar. Kohë kjo shterpë, kur unë fatkeqësisht për dudumët e
kërkoj ta ngrej dolli Lotin e Shën Mërisë Virgjër ose gjakun e Isu Krishtit
(azreti Isait). E ata, “çajin” e rusit mbi tavolinë me të cilin i ka shpërblyer
pas lufte dhe stërvitur në këtë profesion të “rrezikshëm” nëpër lëmë Nëna Parti
me nga një post “shefi” dhe vende të merituara pune.
Pas pak
kohe, përsëri më paraqitet në telefon miku im shkrimtar: A je ende aty në
tavernë? Jo, i përgjigjem, posa dola të marr pak frymë para këmbëve të Filipit
të Maqedonisë. Tashti për tashti, i pushoj sytë e lodhur te gratë e tij të
“rrezikshme” me fëmijë në gji e prehër. Bërlloku i Bit – Pazarit m’i ka qerruar
sytë. Qelbet nëpër kontenierët e partive politike. Nëntë sahat larg i vjen era.
Përveç bakshishit, më thotë matanë telit miku im shkrimtar, kamarieri m’i ka
vjedhur plus njëqind denar. Hi-hii-hiii, qesha unë përmes telefonit. Prandaj,
edhe më pyeti: a dua ta pi edhe një “hallall”?! Vertetë, qenka burrë si te ajo
kënga popullore: Shka po i thotë Dema – Kadrisë, a ia di bre emnin burrnisë?!
Edhe, Kadriu i përgjigjet po në atë këngë popullore: Ia kam dijtë. O s’i nuk ia
kam dijtë/ qe dy herë për mik jam fik. Po, rri rehat - fli pa brekë, nuk e
rrokullisa edhe një “hallall” në atë shtëpi të Zotit. Sot, u përpoqa të ecë
përmes Bit – Pazarit me një këmbë. Babai po të ishte gjallë do të thoshte: nuk
lërohet ara me një ka rrëzë Çukës. E di, i përgjigjem unë sot në këtë shkrim:
po, nuk kam zgjidhje tjetër mes arave që na i kanë mbuluar ferrat. Shkak ky, që
edhe rrëshqita teposhtë shkallëve partiake para këmbëve të kalit të
Skënderbeut.
Megjithatë,
rrofshin kamarierët! Vërtetë, sot për sot janë më të mirë se politikanët. Partizanët
e tyre që në emer të partisë përditë e plaçkisin popullin shqiptar. Edhe atë
pak hapsirë me gjelbërim e beton që ka Çarshia e kanë shndërruar në parkingje
të makinave. Biznesi i vetëm në këtë qytet për partizanët e Nënës Parti siç
duket për ta mbajtur veten e familjen gjallë, u ka mbetur plaçkitja e
shqiptarëve në mes të ditës madhe. Edhe atë, nga “myslimanët” që natë e ditë i
luten Zotit në xhami me këmbët dhe trutë në legen. Përderisa, Gruevski ndërton
sheshe dhe fontana, rrugaçët tanë politik i sulen gjelbërimit: uzurpojnë parqet
dhe sheshet e qytetit për parkingje duke i plaçkitur qytetarët si në kohën e
Turqisë. Suksese të pakëpërcyera në këtë biznes ka arritur njëfarë “shefi
mysliman” i parkingut afër kishës Shën Dhimitri, rrëzë kalasë në Bit – Pazar.
Mendja ma thotë se, i njëjti e ka nën “përkujdesje” edhe sheshin “Skënderbeu”,
në Shkup. Rrugaçi politik, përveçse që i palaçkitë shoferët përmes telefonave
celular ua bllokon edhe rrotat e makinave. Dënimi dihet, përveç kohës së
parkingut që ua merr përmes telefonit celular, plus edhe 910 denarë denim
policor. Dëshmitar i gjallë, është vetë autori i këtij shkrimi, që përveç
pagesës përmes telefonit celular të kohës së parkingut, ia pagoi edhe dënimin
me gjithë kafe “shefit mysliman” për idenë e këtij shkrimi në vend të
shpërblimit, hiç më pak me gjithë kafe një mijë denarë. Dënim, shkaku i një
shkrimi të mëhershëm, që autori e kishte
publikuar në mjetet informacionit për sheshin (parkingun) më të madh “Skënderbeu”
të Shkupit: Shkupi historik i shqiptarëve. Porosinë që ia dërgonte rrugaçi
politik për Dadën Hajri mu si te ajo kënga popullore, që nuk e ka shoqen në
shtatë krajli, e ia lyp në kafe Beqir aga veç një natë me të të rri. Prandaj,
edhe Beqir agës të sotshëm me këtë shkrim ia pagova dy kafe “sheqerli”, se sot
e kam zënë një “mik” të ri.
Qëllimi i këtij shkrimi, nuk është për ta shkundur këtë rrugaç politik me shokë nga “hallalli” që e ka mbuluar këmbë e kokë, i cili do të pasurohet brenda një nate me djersën e huaj në kurriz të shqiptarisë, por për t’ua bërë me dije liderve tanë partiak “mallin” dhe bagazhin e sotshëm që e kanë nëpër radhët e partive politike. Farën e hajdutit të pulave, të cilit për disa vota të vjedhura gjatë zgjedhjeve lokale e parlamentare ia kanë hapur dyert krah më krah në plaçkitjen e qytetarëve. Njëkohësisht, duke i zhveshur lakuriq nga “hallalli” para syve të shoferëve e popullit: Kujdes, ku i parkoni makinat: te “hallalli”, apo te “harami”! Hajduti partiak me diplomë universitare nuk është sot më “marimanga” e dikurshme komuniste, po dudumi “hallall” që në emër të ligjit dhe shtetit ju plaçkitë edhe më zi se shkau në mes të Ditës Madhe para syve të policisë…