E diele, 28.04.2024, 07:27 PM (GMT+1)

Mendime

Ahmet Dursun: A është Turqia ajo që duket?

E hene, 12.08.2013, 06:11 PM


A është Turqia ajo që duket?

Nga Ahmet Dursun

Unë si qytetar turk (për dijeninë e autoriteteve, arnaut i diasporës) e ndjej për detyrë t’ju tregoj të vërtetën time rreth zhvillimit ekonomik të Turqisë në 11 vitet e fundit …Atëherë, si fillim: Mendoni për një çast që gjyshi juaj në vitin 1923, pas luftërash, përpjekjesh, sakrifikash dhe me një largpamësi epokale e rindërtoi shtëpinë e rrënuar, madje duke e shndërruar atë në me të bukurën e botës për ju. Në gadishullin ku lindën qytetërimet, filozofia, shkenca, vera… në gadishullin më të lakmueshëm të tokës, që ushqeu me lumenjtë e tij tre fetë më të mëdha, gjuhët më të rralla… aty ku lindën dhe u ndanë brenda tyre të gjitha…

Mendoni për një çast që gjyshi juaj kësaj pasurie historike, ia shtoi edhe udhëzimet për të arritur ju vendet më të përparuara të kohës. Aq më shumë, gjyshi juaj ju la amanet edhe një thënie si asnjë gjysh tjetër “paqe në atdhe, do të thotë paqe në botë…”.

Mendoni që gjyshi juaj e urrente injorancën, dembelizmin, errësirën… i respektonte gratë, u dha duk, zë dhe emër e mbiemër para çdo oxhaku në botë. Mendoni që ky gjyshi juaj, vdiq në 1938 dhe vdekja e tij i hidhëroi edhe ata që e kishin luftuar që të mos ringrinte shtëpinë tuaj.

Atëherë, si zhvillim… Mendoni sikur në vitin 2002, fëmijët e shtëpisë suaj, ju dhanë çelësat e kësaj trashëgimie dhe ju vendosët aty për aty ta ri-modeloni shtëpinë për ta sfiduar gjyshin tuaj… E kuptuat në çast, se nuk kishit të holla të mjaftueshme me çfarë ta bënit këtë, por e kuptuat se keni plot gjëra të lakmueshme dhe vendosët t’i shisni ato… E nisët me dyshekët e shtëpisë (lumenjtë), tapetet (liqenet), kolltuqet (malet), lulet në ballkon (pyjet)…dhe ja ku filluat të rriteni e të pasuroheni… sa e mësuat se si bëhet, ju doli turpi dhe yrysh me pikturat (portet), frigoriferin (zonat ushtarake), lavatriçen (spitalet), televizorin (telekominakacionin)…jo vetëm mëhalla, por gjithë dynjaja u çudit me zhvillimin tuaj… pastaj e shitët kasafortën (bankat), librarinë (shkollat) dhe më e rëndësishmja makinën qepëse, trapanin, frulatorin (gjithë ndërmarrjet fitim prurëse)…

Mendoni sa të pasur u bëtë brenda natës… ndryshuat qethjen, veshjen, sjelljen…u pasuruat, ia kaluat të gjithëve! Po porositë e gjyshit?! Trashëgimia?! Iku…ikën sigurisht, sepse për beqarin është i lehtë divorci!

Si përfundim… Drejtimi i një shtëpie nuk ndryshon aspak nga drejtimi i shtetit. Nëse i shisni sot orenditë shtëpiake, jeni më të kamur seç ishit dje… Nëse i shisni sot e doni t’i blini nesër, nesër do të jeni më të varfër seç jeni sot…

Por nëse i keni harxhuar vend e pa vend, vetëm për të verbuar njerëzit, për të çuditur dynjanë?! Djalli në shekullin XXI, fshihet në shifra…pa i zbuluar ato, ai nuk tregon të vërtetën…  Borxhi i përgjithshëm i Turqisë sot është 500 miliard dollarë (5 dhe 11 zero mbrapa) dhe interesi vjetor i këtij borxhi është 50 miliard dollarë… Papunësia, sa gjithë popullsia në Greqi… plot 13 milion! Verbuese…shurdhuese…tranuese…

Vizita e z.Rama në Turqi kishte një rëndësi historike. Sepse për dy orë e gjysëm qëndroi në vendin ku mendoi, punoi edhe ndërroi jetë Ataturk-u, pra në Sarajin e Dollmabahçes. Me Turqinë, strategjitë më të frytshme lidhen edhe sot, pikërisht me përkatësinë, njohjen dhe dashurinë që ka pasur Ataturk-u me kombin shqiptar, dhe ato duhen ndjekur verbërazi, sepse thika nuk e pret dot bishtin e vet! Partneriteti strategjik me Turqinë, i bazuar në parimet e Ataturkut do të ishte padyshim i frytshëm, i gjithanshëm dhe afatgjatë. Përndryshe ndërtohet veçse partneritet tragjik…

 

Gazeta Dita



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora