Mendime
Blerina Rogova: E vrasin prapë Aliun
E enjte, 25.07.2013, 07:17 PM
E vrasin
prapë Aliun
Nga Blerina Rogova - Gaxha
Pushtetet
tinzare dhe popujt "hipokritë" që vrasin bijtë e tyre, mund ta vrasin
edhe poetin Ali Podrimja, veçse në këtë rast, ndjesë pastë, vrasja ka filluar
akoma pa iu tretur eshtrat.
Pushtetet
tinzare dhe popujt hipokritë, jo rrallë i kanë vrarë bijtë më të mëdhenj të
tyre. Para sa kohësh Kuvendi i Kosovës nuk u ngrit në këmbë në nderim të emrit
të Bekim Fehmiut, me arsyetim se ai jetën e karrierën e tij e paska shpenzuar
në Beograd. Ata e vranë për së vdekuri artistin e madh. Disa vite më vonë
pushteti tinzar dhe populli hipokrit e harruan poetin më të madh që ka pasur
Kosova ndonjëherë. Në njëvjetorin e Ali Podrimjes, nuk deshën ta kujtojnë se ai
kishte jetuar dhe për Kosovën kishte shkruar njëherë. Po të ishte gjallë sot,
do të shkruante edhe njëherë "Tokë për të ndarë nuk kam, hasmi në të
samës"! Hasmi i tij i sotëm mund të ishte "pushteti tinzar dhe
populli hipokrit".
Të jetë
një njeri i verbër është fakt fizik. Të jetë i tërë një shtet i verbër, është
fakt i një anomalie ose zgjedhjeje më vetëdëshirë, ngujimi në një botë terri të
plotë, po fenomeni mund të jetë edhe fare i thjeshtë, siç u ndodh shpesh
shqiptarëve. A mundet që fenomeni i verbërisë të merret si fenomen i shtetit të
kosovarëve. Apo të gjithë këtu jemi “duke vështruar errësirën që shohin të
verbërit”, siç do të shkruante gjeniu i letrave në anglishten e tij të vjetër “Looking
on darkness which the blind do see”.
Kemi parë
me qindra ceremoni e me qindra manifestime të përkujtimit të lindjeve e të
vdekjeve të plotë dëshmorëve, të mëdhenj e të vegjël, të rëndësishëm e të
parëndësishëm. Kemi parë me dhjetra dokumentarë mbi luftën e tyre reale e
‘imagjinare’. Kemi parë me dhjetra libra kushtuar atyre, me dhjetra poezi, me
dhjetra flamuj, e me dhjetra tufa lulesh që u vunë mbi varre.
Por çfarë
ndodh kur shteti i harron krijuesit e vet? Nuk është për t’u çuditur e nuk
është as ndonjë punë e madhe. Mund edhe të quhej krejt e zakonshme.
Në dyqind
vjetorin e lindjes së Verdit e të Wagnerit, Italia e Gjermania, që mburren me
gjenitë e tyre krijues, mbi të cilët u krijua traditë jo vetëm në kombet që u
përkisnin, këto shtete organizuan me dhjetëra a qindra aktivitete në përkujtim
të lindjes së gjenive të kulturës së tyre. E gjithë bota i kujtoi, e i kujtoi
edhe Kosova, me festivale e koncerte për nder të tyre.
I
përmasave tjera, por përfaqësues i kulturës e artit të vendit të vet, qe poeti
i ndjerë Ali Podrimja. Ajo që ndodhi javën e shkuar e që sigurisht, se pak kujt
i ka rënë në mend, ishte përvjetori i vdekjes së tij. Emrin në datën e vdekjes
nuk ia kujtoi kush. Institucionet kulturoe e harruan ose bën kinse e harruan.
Akademia e Shkencave, së cilës i përkiste dhe vetë i ndjeri, Ministria e
Kulturës, Lidhja e shkrimtarëve, Klubet e shkrimtarëve, qyteti ku qe lindur, të
gjithë mbyllën një sy e bën sikur nuk e panë datën në kalendar. Madje as
ata…….. që vdekja e shkrimtarit i bëri analistë e kritikë, studiuesë e lexuesë
“të mirëfilltë” të punës së tij, por në rrjetet sociale. Në gjithë këtë
shpërfillje, ironia më e madhe qe pjesëmarrja e ‘shefit’ të komunës së Gjakovës
dhe përcjellësve të tij në ceremoninë që iu bë poetit në vendin e vdekjes,
Lodeve të Francës. Rasti i Podrimes mund të jetë i freskët e të të duket e
çuditshme që kush të mos e kujton në përvjetorin e parë të vdekjes. Dhe fajin,
secili ia hodhi tjetrit.
Pa një sy
e pa një vesh kanë kaluar edhe të gjitha datat e përvjetorëve të krijuese
kosovarë, qofshin ata shkrimtarë, këngëtarë e aktorë me namë dikur. Edhe nëse
ky do të ishte ‘guri’ i Azem Shkrelit, ‘dielli’ i Din Mehmetit, ‘tafë kusuri’ i
Agim Qenës apo ‘kaqurrelja’ e Muharrem Qenës deri te ‘lumi’ i poezisë shqipe.
Thuhet shpesh
se ajo që është e humbur e merr fund, jo gjithmonë ka me çfarë të zëvendësohet.
Por harrimi i krijuesve nga institucionet kulturore, është më shumë se sa i
trishtueshëm. Të vdekurit nuk do të çoheshin nga varri për të vrarë tiraninë e
tiranin. As për të nxjerrë ndonjë fjalë për veprën. Kur diçka merr fund, duhet
të mendojmë se diçka tjetër do të fillojë. E kemi bërë zanat tashmë, të
harrojmë, pa marrë parasysh se çfarë është humbur.
Pushtetet
tinzare dhe popujt "hipokrit"që vrasin bijtë e tyre, mund ta vrasin
edhe poetin e madh Ali Podrimen, sado që është herët që ai ta ketë fatin e Lekë
Dukagjinit, Skenderbeut ose Nënë Terezës. Por në rastin e këtij të fundit,
ndjesë pastë, vrasja ka filluar akoma pa iu tretur eshtrat. Këta s’po të
kujtojnë o Ali! Shkruaju një epitaf që t'i presësh kur të vinë! Mos harro t'iu
shkruash "tokë me nda nuk kam, ju në të s'amës".
Zëri