Mendime
Vangjush Saro: Ndërkohë pa qeverisje
E enjte, 18.07.2013, 09:05 PM
Ndërkohë
pa qeverisje
N/Titull
1: Keqardhje për shumëçka që vazhdon të shkojë keq.
N/Titull 2: “Sikur të takoheshim me vetveten sy më sy,/ do të putheshim apo kishim për t’u pështy?” (Azem Shkreli)
Nga Vangjush Saro
Ndjej
keqardhje që në Shqipëri zona e “gjysmëqeverisjes” është njollosur tashmë me
urrejtje dhe kërcënime nga palët. Çuditërisht e më shumë, nga ata që posa kanë
rënë...Gjuha e pretendentëve të fronit të Berishës, mjaft e pagdhendur po më
duket. Dy djem të përkëdhelur, që pa dhënë ende prova të intelektualitetit të
tyre (por veç prova servilizmi), janë vënë disa herë në poste zyrtare të larta,
a thua u shuajtën njerëzit e mençur në këtë vend. Një miku im thoshte dikur për
Majkon e Metën që u bënë kryeministra pa pasur librezë pune. Por paska edhe më
keq. Përveç buzëqeshjes së shtirur, çfarë aftësi, përvojë e pjekuri ka z.
L.Basha që s’ka lënë post pa drejtuar?...Me të vërtetë, s’gjendej askush tjetër
më pranë drejtimit të PD-së se ai? Ndjej keqardhje që falë këtij drejtimi “me
djem të përkëdhelur”, jemi ende kaq të varfër dhe të pasigurt. (Kemi Prodhimin
e Brendshëm Bruto për frymë më të ulëtin në Evropë dhe shkallën e pasigurisë
gjithaq. Vetëm shifrave s’kemi ç’iu bëjmë.)
Ndjej
keqardhje që zona-zona kemi nivel kulture e qytetarie që lë për të dëshiruar
dhe që në Shqipëri është ringjallur analfabetizmi, dukuri të cilën rendi i
kaluar - me gjithë krimet e përbindshme që kreu - e minimizoi. (Mjaft të
kujtojmë raportin e fundit të Bankës Botërore që e gjen alarmant gjendjen e
arsimimit të adoleshentëve shqiptarë. Sipas këtij raporti, rreth 57% e
gjimnazistëve në vend, nuk kuptojnë asgjë nga ato që lexojnë në tekstet
shkollore.) Ndjej keqardhje që në Shqipëri është ringjallur në përmasa të
frikshme gjakmarrja, një fenomen të cilin rendi i kaluar - me gjithë të këqijat
e veta të padiskutueshme, - pothuaj e zhduku.
Ndjej
keqardhje që luajmë me veten tonë, me historinë dhe kulturën, me të mirat dhe
të këqijat që kemi si çdo popull; ndjej keqardhje që nuk u hapën asnjëherë
dosjet, sepse do të kishin larë duart njëherë e mirë nga politikanët dhe
pseudointelektualët më të pacipë që ka njohur ndonjëherë Evropa, po ashtu do të
ishim ndarë si duhet me shumë bërtitës e mendjendritur, me shumë “trima pas
lufte”…
Ndjej
keqardhje që papunësia na kërcënon paprerë dhe që nuk prodhojmë pothuaj asgjë e
përmbytemi vazhdimisht; (midis të tjerave) ngase është shkatërruar sistemi
kullues, të cilin shqiptarët e ndërtuan në rendin e shkuar, sado që mjaft baltë
e bar hëngrën të shkretët në atë kohë. Ndjej keqardhje që e katandisëm në atë
gjendje krejt bregdetin tonë, nga Velipoja në Vlorë dhe më tej, duke u treguar
barbarë dhe të papërmbajtur. (Tashmë, kush më shumë e kush më pak, të gjithë
qytetarët shqiptarë kanë parë përqark; le të gjykojnë vetë.)
Ndjej
keqardhje që edhe sot e gjithë ditën, mbetemi një popull i prapambetur dhe që
shpesh na vishen sytë paragjykimesh. Së fundi, rishfaqja e maskave dhe një sërë
vrasje femrash dhe nënash, shoh se pak e trazojnë shtetin dhe zyrtarët. Është
karakteristike e një vendi në hall, gjë të cilën ai vetë, për fat të keq nuk e
kupton. Kemi lexuar veç një deklaratë keqardhjeje e thirrje për kontroll nga
Jozefina Topalli; asgjë tjetër. Zonjat dhe zotërinjtë me pushtet dhe pa
pushtet, e kanë mendjen te postet dhe te burgosjet...(e kundërshtarëve.
Ndjej
keqardhje që si pasojë e prapambetjes (së cilës veç i bëjmë bisht) njerëzit e
lëshojnë gjuhën ‘azat’ (më falni për këtë barbarizëm) dhe secili ngul këmbë në
të vetën: O kështu si them unë, o bota le të përmbyset. Në fakt, ne
përmbysemi…Ndjej keqardhje që njerëz esktremistë, ndonjëherë fanatikë të
verbër, lejohen të llomotisin në gazeta e portale të nderuara dhe shumë të ndjekura
nga lexuesit, në Shqipëri e në diasporë. Ata kanë marrë përsipër të flasin në
emër të institucioneve, që vërtetazi, zëre se nuk janë. Por a mund të
zëvendësohen institucionet me pështytës? Ndjej keqardhje që ritmet e zhvillimit
dixhital kanë shumuar shkruesit dhe pështytësit; një popull që ka zëvendësuar
fletë-rrufetë dhe letrat anonime të kohës së shkuar me paçavure ‘dixhitale’.
Ndjej keqardhje kur pështyjnë edhe njerëz që iu duket se janë shkrimtarë e
gazetarë; është e papërfytyrueshme.
Ndjej
keqardhje që përdoren pacipërisht një pjesë e intelektualëve dhe e mediave, që
tashmë duhej të gëzonin më shumë liri e mëvetësi. Dhe ndërsa duhej të punonin
për ta ndriçuar e kulturuar këtë popull, me hallet, vetitë dhe mangësitë e tij,
edhe më keq e çorodisin, a thua kanë maçokun në bark. Nuk ka mundësi dy
gazetarë, dy intelektualë, sado të larguar në pole, të mos shohin pak a shumë
në një dritë dobësitë e një qeverisjeje tashmë të braktisur nga elektorati,
sikundër detyrimet e vështira të atyre që kanë marrë votëbesimin. Poeti i
njohur shqiptar Azem Shkreli thotë në një nga vjershat e tij: “Sikur të
takoheshim me vetveten sy më sy,/ do të putheshim apo kishim për t’u pështy?”
Ndjej keqardhje që shumë njerëz nuk kuptojnë. Njerëz të njohur. Njerëz të panjohur. Interesat e ngushta e të vockëla nuk i lënë të kuptojnë. Do të ishte gjysma e së keqes...e kundërta. Nëse nuk ndryshojmë me gjithçka, çka shkruhet më tej...“Jeta do të vazhdojë siç ka qenë, domethënë si mos më keq.” (Xh. Oruell “Ferma e kafshëve”) Do të ndryshojmë duke u përpjekur të lexojmë, të kuptojmë, të falim, por edhe të ndalemi përballë njëri-tjetrit. Pikat mbi i. Sytë te ligji. Emocionet te shtëpia...