Mendime » Graciani
Deo Graciani: Shpërbërja e partisë demokratike
E merkure, 24.07.2013, 04:42 PM
Shpërbërja
e partisë demokratike
Nga Deo Graciani
Nëse i
analizojmë me kujdes zgjedhjet e 23 Qershorit dhe humbjen katastrofike të
partisë demokratike, vërejmë se kjo është diçka që pritej prej kohësh. Këmbanat
e alarmit për qeverinë Berisha u dëgjuan që në zgjedhjet e vitit 2009, ku
megjithë manipulimet që bëri klani i Berishës, partia demokratike nuk arriti
t’i fitonte ato zgjedhje. E njëjta gjë ndodhi edhe në zgjedhjet më të fundit
bashkiake, ku partia demokratike humbi bashkitë më të mëdha në vend, por mori
nën kontroll bashkinë e Tiranës duke manipuluar haptazi procesin zgjedhor aty.
Ishte hera e parë në histori, kur vjedhja e votave dhe manipulimi i procesit
bëhej në dritën e diellit, pa asnjë përpjekje për ta fshehur sadopak këtë
katrahurë zgjedhore, duke lënë gojëhapur opinionin kombëtar dhe ndërkombëtar.
Berisha i përket atyre njerëzve që gjithmonë përpiqet të çudisë opinionin
kombëtar dhe ndërkombëtar, të vetët dhe kundërshtarët, me marrëzira dhe
lajthitje të pafundme, të cilat tregojnë se Berisha nuk ka qenë asnjëherë i
vetëdijshëm për përgjegjësitë që duhet të ketë kryeministri i një vendi. Edhe
sot si kryeministër në largim, nuk përpiqet sadopak që të mundësojë një
rotacion sa më të butë, në një periudhë vendimtare për Shqipërinë.
Këto
zgjedhje treguan edhe diçka tjetër po aq të rëndësishme sa edhe humbja e
partisë demokratike, humbjen e elektoratit
të saj dhe zhgënjimin e anëtarëve të saj ndaj klanit që udhëheq partinë
demokratike. Tashmë, partia demorkatike nuk është më një parti e mirëfilltë,
por vetëm një grusht i vogël njerëzish, me interesa klanore dhe mafjoze,
plotësisht të izoluar nga elektorati blu. Ky fakt u duk qartë në zgjedhjet e
brendshme për kryetarin e ri të partisë, të cilat ishin plotësisht të
manipuluara. Klani Berisha që gjithmonë ka manipuluar zgjedhjet parlamentare,
nuk kishte si të mos manipulonte edhe zgjedhjet brenda partisë së tij. Ky
manipulim i zgjedhjeve brenda partisë ka mundësi që të jetë goditja
përfundimtare që mund të çojë në shpërbërjen e partisë demokratike, e cila nuk
përfaqëson më vullnetin e të djathtës shqiptare. Kjo parti, arriti më në fund,
që përveç humbjes së pushtetit, të humbasë edhe atë pak reputacioni që i kishte
mbetur në sytë e anëtarëve të saj. Siç duket, ky ishte qëllimi i Berishës, që 4
vitet e ardhshme ta linte Shqipërinë pa një opozitë të mirëfilltë dhe
dinjitoze, por vetëm me një grup analfabetësh politikë e juridikë, që kanë si
pikë lidhëse interesat e ngushta klanore, dhe asnjë interes kombëtar. Mjafton
t’i hedhësh një sy disa emrave në listën e deputetëve të PDsë, për të kuptuar
se kush do ta përfaqësojë opozitën shqiptare. Fatkeqësisht, kjo është çerdhja e
antivlerave që do ulet këmbëkryq në parlament dhe do të përfaqësojë opozitën e
Shqipërisë prej tani e tutje.
Për të
djathtët por edhe më gjerë, është një fatkeqësi që këta simbole të dekandencës
shpirtërore, morale dhe psikologjike të shoqërisë shqiptare, të luajnë rolin e
një opozite “konstruktive.” Këto mumje parlamentare që kurdisen si marjoneta
gjysmë të prishura, nga mëngjesi e deri në mbrëmje, nuk do bëjnë asgjë më tepër
nga ç’kanë bërë deri tani. Ata do të vazhdojnë të shërbejnë si kanalizimi i të
gjitha antivlerave që rrezaton një individ dhe një shoqëri në kohët e sotme.
Ata janë dhe do të mbeten pjesa vegjetative e një shoqërie në zhvillim.
Është e
domosdoshme që edhe ato pak filiza të brishtë kulture që kanë mbetur akoma në
partinë demokratike, të largohen sa më parë nga kjo kënetë thithëse që helmon
vlerën dhe moralin e çdo individi që ajo prek. Ajo pjesë tepër e vogël, dhe
akoma e shëndoshë që mund të ketë mbetur në partinë demokratike, duhet të
krijojë një grupim të ri, ose t’i bashkangjitet një grupimi tjetër. Fryma e Re
Demokratike do të ishte njëra nga alternativat. Ky grupim i djathtë ndodhet
akoma në një fazë të brishtë, edhe për faktin se sot jeta parlamentare dhe
përballja politike vazhdon të ngjasojë akoma më një përplasje pothuajse
gangsterizmash, dhe në këtë realitet, intelektualit të mirëfilltë i duhet të
përballet çdo ditë me gangsterizmin e mirëfilltë. Kur kultura shqiptare,
shoqërore dhe parlamentare, sot akoma në fillimet e saj, të vijë gradualisht
duke anuar nga vlera dhe duke u pastruar nga antivlerat, si rrjedhojë, edhe
fryma e gangsterizmit në qeveri, parlament, dhe jashtë tij do të zbehet pak e
nga pak, paralelisht me zhvillimin ekonomik, social dhe politik të vendit. Kjo
frymë gangsterizmi pastaj nuk do të jetë më e nevojshme që të jetë pjesë e
institucioneve shtetërore dhe sistemit ligjvënës, siç ka qenë deri tani.
Qeveria
në ikje u bë simboli i gangsterizmit politik. Kjo qeveri në ikje arriti të
krijonte një sistem ku krimineli të ishte i mbrojtur ndërsa qytetari i thjeshtë
të ishte i pambrojtur, i korruptuari të lëvizte i lirë ndërsa viktima e
pambrojtuar e këtij korrupsioni të stigmatizohej edhe më tej. Ky sistem
qeverisës nuk ishte asgjë më tepër se një kopje e keqe e sistemit të brendshëm
funksional të partisë demokratike, një sistem që “pastroi” frymën ndryshe
brenda saj, stigmatizoi intelektualët e mirëfilltë në gjirin e kësaj partie,
dhe pak e nga pak largoi gjithë ata anëtarë që kishin dhënë kontribut real ndër
vite. Kjo parti sot nuk përfaqëson as vlerat e Dhjetorit, as shtresat
intelektuale, dhe as shtresat e të përsekutuarve, dhe veçanërisht nuk
përfaqëson aspiratat e popullit shqiptar pë demokraci dhe zhvillim. Kjo parti
është kthyer në një mumje politike që kundërmon tribalizëm e korrupsion. Ajo
përfaqëson frymën e regresit shoqëror. Është simboli i gjithçakje që nuk
funksionon siç duhet në shoqërinë e sotme shqiptare.
Kjo
strukturë e kalbur, si pjesë e çudive të saj të pafundme, “volli” kryetarin e
ri të saj, të “zgjedhur” me anë të një sistemi mosfunksional. Anëtarët e mbetur
të partisë u detyruan të zgjidhnin midis dy opsioneve, midis Skilës dhe
Karibdës. Olldadhi dhe Basha u shtirën sikur po bënin e fushatë, e sikur po
ziheshin me njëri tjetrin. Pas shumë “përplasjesh,” filloi procesi i “votimit”
gjatë të cilit mijëra anëtarë nuk gjetën as emrat në listë, vetëm e vetëm sepse
fituesi kishte kohë që ishte përcaktuar. Votimi ishte i deformuar dhe i
manipuluar, siç thotë edhe vetë Olldashi, “rivali” i Bashës në këtë garë.
Farsa e
zgjedhjes së kryetarit të ri të PDsë, është edhe një faktor shtesë që mund të
ndikojë në shpërbërjen përfundimtare të partisë demokratike. Lulzim Basha është
kloni i mentalitetit berishian në PD. Ai ngjason më tepër me një demagog
idhnak. Fjalimi i tij përmbyllës i fushatës për kryetarin e ri të partisë
demokratike ka habitur jo vetëm opinionin publik por edhe elektoratin blu. Ai
fjalim nuk përmbante asgjë më tepër sesa derdhjen e një urrejtje patologjike
ndaj qeverisë së re. Ishte gjëja më e neveritshme që kemi dëgjuar ndonjëherë.
Tamam si një pacient i sapodalë nga një periudhë e pasuksesshme rehabilitimi,
ky idhnak shpalosi gjithë gangsterizmin e tij banal. Ky gënjeshtar cinik, pasi
volli e volli helm pafund ndaj qeverisë së re, dhe ndaj çdo kundërshtari që
kishte votuar kundër qeverisë Berisha, tregoi edhe një herë se nuk mund të
përfaqësojë asnjë lloj vlere në opozitën e ardhshme. Është për të ardhur keq,
që një politikan kaq i ri, të jetë një mall kaq i dëmtuar. Në vend që Basha të
fillonte një marrëdhënie të re, midis qeverisë dhe opozitës, duke shprehur më
shumë qytetari dhe kulturë si udhëheqësi i ri i opozitës së ardhshme,
përkundrazi zgjodhi të ecte në gjurmët e lëna nga këpucët e pista të Berishës,
duke përdorur të njëjtin fjalor hakërryes dhe të neveritshëm që përdor
rregullisht tutori i tij, dhe që do t’ia kishin zili edhe prokurorët e partisë
së punës.
Ka ardhur
koha që të hiqet gjuha e urrejtjes. Praktimi i gjuhës së urrejtjes nuk e lejon
një shoqëri të ecë përpara dhe as të zhvillohet psikologjikisht. Kjo vlen për
partitë dhe grupimet e gjithë spektrit politik, qofshin të djathta, të majta
apo të qendrës. Njerëzit si Basha, Berisha, e të tjerë të ngjashëm, që derdhin
urrejtje ndaj çdo kundërshtari politik dhe u kërcënohen kritikëve të tyre, janë
shembulli më i keq për shoqërinë e sotme. Asnjeri nuk ka nevojë për helmin e
tyre. Gjithë ai helm e ka konsumuar tashmë partinë demokratike, e cila rrezikon
të shpërbëhet plotësisht, dhe sot kjo parti nuk ka mbetur më shumë se një sigël
blu, e fundosur në llumin moral, të cilin e krijoi vetë.