Mendime
Vangjush Saro: Shkatërrues institucionesh
E diele, 11.08.2013, 08:52 PM
Shkatërrues
institucionesh
Nëntitull: Do ta “grëpni” edhe Shtëpinë e Ushtarakëve në mes të Tiranës?
Nga Vangjush Saro
Skota e
pangopur në ikje e Berishëve, po zapton së fundmi edhe Shtëpinë e Ushtarakëve,
në fakt një territor i paanë dhe një pasuri e paanë (e të gjithëve?) në mes të
kryeqytetit. Ish-SHQUP. Kështu i thoshin dikur. Nuk mjaftoi hedhja në rrugë
kohë pas kohe e shumicës së ushtarakëve; edhe një pasuri që tjetërkush ua la,
duan ta bëjnë të partisë. Të partisë që na “ndriti”; sidomos në këtë mandatin e
fundit. Ani. Duke e vështruar ftohtë këtë fakt të ri, me të cilin duhet të
merret drejtësia, nuk ka si të mos sjellësh ndër mend një sërë vjedhje e
shkatërrime të tjera që mbajnë po këtë firmë. Lajmet e këqia nuk kanë të
mbaruar, edhe pse skota i ka ditët të numëruara. Ajo, me të vërtetë që po e bën
baltë.
Tani na
duhet të përdorim numeracionin, (një figurë e marrë hua nga letërsia.) Është
kjo skotë që shkatërroi institucionin e Presidentit, duke ia hequr krejt
kompetencat, për ta shndërruar në një ent më shumë se honorifik. Kjo skotë mori
nëpër këmbë Lidhjen e Shkrimtarëve dhe godinën
e këtij institucioni, që e shndërroi në Ministri të Kulturës, enti që
prodhon më pak ose aspak në Shqipëri, ministria më e turpshme dhe më e qullët,
në jetë të jetëve në Shqipëri. Po kjo skotë i dha arsimit një pamje qesharake,
tejet të politizuar; shkolla e lartë veçmas u bë një lodër, që mund të merret
sikur je në piknik apo duke pirë një krikëll birrë. Po ashtu, u zhveshën nga
funksionet dhe u shkatërruan e janë bërë inekzistente Dhomat e Tregtisë e të
Industrisë, të cilave nuk iu ndihet zëri fare, sikur të mos ishin.
Institucionet e drejtësisë skota i ka mbushur me ish-badigardë e militantë që e
kanë bërë shkollën “natën”, por vjedhin në mes të ditës; kështu është sjellë
edhe me policinë, që ka treguar dhe po tregon një mefshtësi sikur të ishim në
vendin më të humbur të botës.
Skota në
fjalë shkatërroi sindikalizmin, duke iu hedhur drejtuesve (të përhershëm) të
sindikatave nga një kockë (kupto pronë) dhe duke ua mbyllur kështu gojën për
jetë e mot. Ecë e thuaj që jetojmë në demokraci dhe njerëzit e punës mund të
organizohen dhe të kërkojnë të drejtat e tyre, si kudo në botë. Skota
shkatërroi gjithë partitë e djathta tradicionale, duke përfituar edhe nga zelli
i disa prej drejtuesve të rinj të tyre për pushtet, por pse jo krejt të djathtën, e cila humbi
lidhjet me bazën e vërtetë, pronarët dhe të përndjekurit. Akademia e Shkencave
mori të politizohej edhe ajo. Iu vërsulën mandej gjuhës standarde, duke bërë
çmos ta dialektalizojnë, duke abuzuar me dëshirën e njerëzve për t’u pasqyruar
në këtë standard e gjithë pasuria leksikore, frazeologjike dhe shprehëse e
shqipes. (Shpresojmë të mos ia arrijnë dot qëllimit, sepse tashmë gjuha
standarde është prevaluese dhe mbijeton në krejt median dhe artet, po ashtu në
një sërë revista, portale e televizione në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mali i
Zi, sa edhe në krejt diasporën.)
Enumeracioni
është një figurë e lodhshme paksa. Ka qenë dikur një institucion që quhej
Qendra Kulturore e Fëmijëve. E morën dhe e degdisën në katin e fundit të
Piramidës; tash nuk i dihen fare gjurmët dhe a zhvillon dot ndonjë veprimtari.
Se çfarë mund të bëjnë fëmijët e një qyteti me gati 1 milion banorë, këtë e di
skota; (duan t’ua rrëmbejnë edhe 7 Xhuxhat dhe për çudi, na paska firmosur për
këtë edhe kolegu ynë i dashur z. Zhiti, të cilin e përshëndeta kur u bë
ministër dhe i kujtova se për çfarë po e ngrinin aq vonë aq lart...) Koha të
cilën Berisha dhe të vetët e shajnë me ulërima, pa duruar ta shajnë ata që
vuajtën vërtet dhe jo komunistët 20-vjeçarë e miqtë e Bllokut, kishte një sërë
biblioteka lagjeje; kishte një sërë të ashtuquajtura shtëpi rinie; shkollave
nuk guxoje t’iu aviteshe, jo më t’iu merrje territore për të ndërtuar
pallate-monstra mbi kokat e fëmijëve. U zhdukën të gjitha, me ndihmën edhe të
ushtrisë së sahanlëpirësve, shumë prej të cilëve mercenarë në media karagjoze
apo të tilla që s’janë më e që s’lehin më...
Skotës i
kanë pëlqyer shumë krahasimet, për shembull ato me Gjermaninë, me Perëndimin në
tërësi...Po, bie fjala, si është dhe çfarë ka një Dhomë Tregtie në Gjermani? Po
marr vetëm Dhomën e Artizanatit të Koblencit, që e kam vizituar dy herë. Ka
anëtarësi të siguruar. Ka prona, zyra, shkolla profesionale, përmes të cilave
garantohen bizneset e vogla kudo. Ka salla të mëdha ekspozitash, disa prej të
cilave rrinë hapur përherë. Boton disa gazeta e buletine. I dëgjohet zëri për
taksat, për dhënien e kredive, për administrimin e territoreve të qytetit. Me
shtetin i ka hesapet një dhe një bëjnë dy. Po se mos do t’ia dijë skota që
dhomat shqiptare janë hije, sepse ashtu duhej...që të diktonte skota. Duhej t’i
bënte ajo të gjitha, regjistrimin e biznesit, licensat, taksat, tenderat.
Dhomat shqiptare të mbajnë derën...
Se mos
harroj. Sa nxënës ka një klasë në shkollat e Suedisë? Si nja 15-20. (Kurse në
klasat e shkollave tona, dyfish.) Si është dhe çfarë ka një shkollë në
Kanada?...Një shkollë e vogël fillore në BC (British Columbia) ka veten e vet,
me aq shumë territor e pajisje, sa nuk kanë të gjitha universitetet shtetërore
të marra së bashku në Shqipëri. Ka palestër. Ka dy ose tre fusha futbolli dhe
basketbolli. Ka kënd lojërash për më të vegjëlit. Ka një territor të veçantë
ngjitur me ndërtesën e shkollës, të mbuluar, mjaft të konsiderueshëm dhe ku
mund të zhvillohet ora e fizkulturës në kohë me shi. Ka dy vendparkime. Ka
mjek. Ka asistente. Ka sekretare. Ka edhe dy pastrues. Dhe gjelbërim pa fund
përqark. Mjetet mësimore në dorë të mësuesit dhe nxënësve, janë vetë larmia dhe
nuk mungojnë asnjëherë. M’u kujtua kjo ashtu rastësisht, teksa një miku im,
drejtor shkolle i shkarkuar, më shkruante se jo që nuk bëhet fjalë për mjete e
laboratore, por nuk iu jep kush as letra formati e lapsa. Por sa për mitingje,
vuuu...
E di,
realisht krahasimet ende nuk janë të kollajshme për ne; megjithëse skota i
kishte për zemër, i bënte për demagogji. Edhe duke ikur, skota veç vazhdon të
kërcënohet e të krekoset e të shpërndajë lajme të këqia në Shqipëri. Pardje
lejoi importin e plehrave. Sot i vërsulet Shtëpisë së Ushtarakëve. Nesër nuk
dihet çfarë mund të bëjë. I vetmi ngushëllim (dhe lajm i mirë) për qytetarët e
këtij vendi dhe për gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, është fakti kokëfortë që
skota po ikën. Duke dhënë garanci se nuk do t’i kalojë me indiferentizëm dhe pa
reaguar vjedhjet dhe shkatërrimet e institucioneve, sa edhe vendimet
antishqiptare si ai i importit të plehrave, qeveria e ardhshme duhet të lexojë
mirë lajmet e deritanishme. A do të nxjerrë mësime apo jo dhe si do të sillet
me këto që u thanë më lart dhe në tema të tjera, njerëzit presin ta shikojnë
këtë qëndrim; kanë dhënë një votë që nuk duhet zhgënjyer.