| E hene, 12.08.2013, 06:11 PM |
A është Turqia ajo që duket?
Nga Ahmet Dursun
Unë si
qytetar turk (për dijeninë e autoriteteve, arnaut i diasporës) e ndjej për
detyrë t’ju tregoj të vërtetën time rreth zhvillimit ekonomik të Turqisë në 11
vitet e fundit …Atëherë, si fillim: Mendoni për një çast që gjyshi juaj në
vitin 1923, pas luftërash, përpjekjesh, sakrifikash dhe me një largpamësi
epokale e rindërtoi shtëpinë e rrënuar, madje duke e shndërruar atë në me të
bukurën e botës për ju. Në gadishullin ku lindën qytetërimet, filozofia,
shkenca, vera… në gadishullin më të lakmueshëm të tokës, që ushqeu me lumenjtë
e tij tre fetë më të mëdha, gjuhët më të rralla… aty ku lindën dhe u ndanë
brenda tyre të gjitha…
Mendoni
për një çast që gjyshi juaj kësaj pasurie historike, ia shtoi edhe udhëzimet
për të arritur ju vendet më të përparuara të kohës. Aq më shumë, gjyshi juaj ju
la amanet edhe një thënie si asnjë gjysh tjetër “paqe në atdhe, do të thotë
paqe në botë…”.
Mendoni
që gjyshi juaj e urrente injorancën, dembelizmin, errësirën… i respektonte
gratë, u dha duk, zë dhe emër e mbiemër para çdo oxhaku në botë. Mendoni që ky
gjyshi juaj, vdiq në 1938 dhe vdekja e tij i hidhëroi edhe ata që e kishin
luftuar që të mos ringrinte shtëpinë tuaj.
Atëherë,
si zhvillim… Mendoni sikur në vitin 2002, fëmijët e shtëpisë suaj, ju dhanë
çelësat e kësaj trashëgimie dhe ju vendosët aty për aty ta ri-modeloni shtëpinë
për ta sfiduar gjyshin tuaj… E kuptuat në çast, se nuk kishit të holla të
mjaftueshme me çfarë ta bënit këtë, por e kuptuat se keni plot gjëra të
lakmueshme dhe vendosët t’i shisni ato… E nisët me dyshekët e shtëpisë
(lumenjtë), tapetet (liqenet), kolltuqet (malet), lulet në ballkon (pyjet)…dhe
ja ku filluat të rriteni e të pasuroheni… sa e mësuat se si bëhet, ju doli
turpi dhe yrysh me pikturat (portet), frigoriferin (zonat ushtarake),
lavatriçen (spitalet), televizorin (telekominakacionin)…jo vetëm mëhalla, por
gjithë dynjaja u çudit me zhvillimin tuaj… pastaj e shitët kasafortën (bankat),
librarinë (shkollat) dhe më e rëndësishmja makinën qepëse, trapanin, frulatorin
(gjithë ndërmarrjet fitim prurëse)…
Mendoni
sa të pasur u bëtë brenda natës… ndryshuat qethjen, veshjen, sjelljen…u
pasuruat, ia kaluat të gjithëve!
Si
përfundim… Drejtimi i një shtëpie nuk ndryshon aspak nga drejtimi i shtetit.
Nëse i shisni sot orenditë shtëpiake, jeni më të kamur seç ishit dje… Nëse i
shisni sot e doni t’i blini nesër, nesër do të jeni më të varfër seç jeni sot…
Por nëse
i keni harxhuar vend e pa vend, vetëm për të verbuar njerëzit, për të çuditur
dynjanë?! Djalli në shekullin XXI, fshihet në shifra…pa i zbuluar ato, ai nuk
tregon të vërtetën… Borxhi i
përgjithshëm i Turqisë sot është 500 miliard dollarë (5 dhe 11 zero mbrapa) dhe
interesi vjetor i këtij borxhi është 50 miliard dollarë… Papunësia, sa gjithë
popullsia në Greqi… plot 13 milion! Verbuese…shurdhuese…tranuese…
Vizita e
z.Rama në Turqi kishte një rëndësi historike. Sepse për dy orë e gjysëm qëndroi
në vendin ku mendoi, punoi edhe ndërroi jetë Ataturk-u, pra në Sarajin e
Dollmabahçes. Me Turqinë, strategjitë më të frytshme lidhen edhe sot, pikërisht
me përkatësinë, njohjen dhe dashurinë që ka pasur Ataturk-u me kombin shqiptar,
dhe ato duhen ndjekur verbërazi, sepse thika nuk e pret dot bishtin e vet!
Partneriteti strategjik me Turqinë, i bazuar në parimet e Ataturkut do të ishte
padyshim i frytshëm, i gjithanshëm dhe afatgjatë. Përndryshe ndërtohet veçse
partneritet tragjik…
Gazeta
Dita