E premte, 26.04.2024, 08:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Sabit Rrustemi: Në fytyrën e një gjethi (3)

E hene, 25.02.2013, 08:23 PM


Sabit Rrustemi

 

FUSNOTA

 

Republika derdhet në gotë

si koktej rasti

mbështillet me Fusnotë

 

Pihet në këmbë

nga tavolina në tavolinë

 

Post - festum për lirinë

 

Tash i fus duart në xhepa

eci i lirë

 

Po dua fishkëllej

 

Po dua ulem këmbëkryq

në cilëndo lendinë

 

E hiç s'ma ndien

 

Fusnotën

si biletë e mbaj në xhep

 

Pa treni le të shkojë

 

(21 shkurt, 2012)

 

NËPËR PLAGËT E TRUPIT

 

Fus dorën nëpër plagët e trupit

e shpërblehem me nota të dobëta

për mosmbrojtjen e shëndetit

 

Dhembjet e fjetura

rizgjohen sakaq

 

Prej sikletit

dhëmbët thyhen mes vete

për mungesë mishi

 

Të mavijosurat nuk fshihen

 

Vetëm dora

me gjithë gishtërinj

kërcen si zorra në prush

 

Plagët e trupit ngrenë kokë

nuk shërohen me receta

as nënshkrime qorrazi

 

Kot i shenjëzoj me yll davidi

në fund të faqes

kot sqarohem

 

Fusnota më kthen në pikën zero

si përsëritës

 

Liria lehtë nuk u mësuaka

 

(23 shkurt, 2012)

 

ËSHTË KOSOVA

 

Me gjysmën e trupit nën sqetull

me pjesën tjetër nën vetull

ecën e s'ndalesh qe një shekull

 

Ec e mos u ndal

rrënja ime mal

 

Mblidhe veten

gjymtyrë për gjymtyrë

të të ruhet e të shkëlqejë

jotja fytyrë

 

Udhëve të botës

shpërfaqu e plotë

ti më e moçmja e dheut

je më shumë se një fusnotë

 

Gjakun tim të dielltë

në të kristaltën gotë e ke

 

E kurrë

kurrë mos thuaj mbarova

se këtu është Kosova

 

(25 shkurt, 2012)

 

XUN ÇELIKU E PYET VLORËN

 

Xun Çeliku

ky shpend krahëlehtë

sa shpejt kapton qiejt

 

Me atë kumt në gji

fluturon nëpër Shqipëri

 

Pas le malet nën borë

ato fusha të mbuluara në gjak

gjallë

jo vdekur

të mbërrijë në Vlorë

bac Idrizi i ka thënë

 

...

Kush si ti

Xun

s’i di shtigjet

kush më shpejt

s’i ha udhët

për dritë e në të mugët

 

Shko e thuaj atij burri

që po bëhet Zot Atdheu

të fala shumë nga Idriz Seferi

dhe tanë trimat

roje të kësaj Atnie

shpaloje më atë shenjë të Gjergjit

e një ditë Shqipërie

që po digjet në zjarr lirie

...

S’ priti Xuni

t’i thuhet dy herë

u nis jugut porsi erë

 

Sa në këmbë

e sa mbi at

le këtë mal

e kap atë shpat

shmang një pritë këtu

tjetrën atje

kalëroi nëpër Atdhe

me kumtin nën gjuhë

e zjarrin në gji

mbrojtur nga lumja orë

udhës deri në Vlorë

 

Me natën ditë

e ditën orë

shkundi supesh

krejt atë borë

për tri ditë

hyri në Vlorë

...

Xun Çeliku prej Karadaku

vërshuar trupit

prej rrëkesh gjaku

me gjysmë zemre e pak zë

e pyet Vlorën

kjo Shqipëri

a u bë

 

(29 shkurt, 2012)

 

NËNË

 

Në një sy tëndin moçmohet malli

në tjetrin sython shpresa

 

Ende s’erdhi i lumi im

veç le të jetë mirë

 

Heshtjes i thua

 

E zemra të gurgullon si krua

prej dashurisë

 

Një botë përkundet

në atë prehër

 

E ti ninulla i këndon

 

Mallkimin e fsheh nën dhëmbë

a e shkel me këmbë

 

Edhe kur në zemër

të pikojnë helme kohësh

ti uron

 

Uron

se je Nënë

e një bote shpirt i jep

 

Nënë

 

(1 mars, 2012)

 

TEK ATI YNË PËR BEKIM

 

O At i Madh

që shndrit shtatë palë qiell

për ta lumturuar këtë tokë

para Teje jam

si dje

si sot

si nesër

 

Përmes shpirtit tim

bekimin tënd kërkoj

atë bekim dëshiroj

 

Bekomë o At

për Dheun e Arbrit

gjakun tonë

një punë të mirë

ta bëj dhe unë

 

O Ati ynë

Ti më dëgjon

edhe kur heshti

edhe kur flas

 

Bekomë bekomë bekomë

 

me bekimin tënd o At

do të nisem e s'do të ndalem

deri në frymën e mbramë

për t'ia çelur udhën këtij gjaku

 

Le të rrjedhë ku deshe Ti

o At

 

Ku deshe Ti

po rrjedh

me emrin e për emrin Tënd

nëpër dejtë e trupit arbëror

o udhërrëfyes

o bekues

 

o At i paqes e lirisë

të falem përjetësisht

 

(2 mars, 2012)

 

PREKAZI KJO AMË E LIRISË

 

Libri Amë i Lirisë

është Prekazi

 

Nuk preket me duar

as mbahet në prehër

ballinat i ka kuq si gjaku

me Kosovën në zemër

 

Në Prekaz nuk hyhet kah dilet

as dilet kah hyhet

çdo hile aty thyhet

fjala e dhënë ndryhet

 

Dhe portat të hapura janë

në të katër anët për mikun

asnjë udhë s'e ka për armikun

 

Kur ta shtron sofrën

ta afron dhe gotën

në dorë ta lë besën

e jetën

 

Sa herë ka nevojë

lind e vdes e rilind

për ty

për mua

e për veten

 

Pika më e ndritshme e tokës

rrënja e shpresës

ora më e saktë e Kosovës

është Prekazi

 

Kjo lulnajë e zjarrtë e Dardanisë

prehje e prekje e përjetësisë

 

Libri Amë i Lirisë

 

(5 mars, 2012)

 

KA VDEKUR AJO VDEKJE

 

(Rapsodit dhe poetit Agim Gashi)

 

Po thonë ka braktisur dhomën e miqve

ka dalë tej faqes virtuale

është shtrirë në spital po thonë

Pa sharki në pizhame po rri

me një dhimbtë të zezë

që e ther bri më bri

 

Po thonë e çka s'po thonë

pa le të thonë

të thënat si gjithmonë

vrimave të veshëve përbirojnë

e qafën thyejnë

 

Nuk iu besoj

pa edhe ashtu në qoftë

se ka vdekur ore

ka vdekur ajo vdekje

që atë burrë mund ta nënshtrojë

 

Çeljani derën e shihni

si del e niset ngadalë

për tek ai majemal

 

Në thikë të qiellit atë këngë

edhe një herë ta këndojë

 

Telat e sharkisë zërin ia kërkojnë

 

(6 mars, 2012)

 

SHKOLLA JONË

 

Ish larg prej shtëpish tona

në fund kodre

në një lendinë të vogël

 

Disa udhë e shtigje mali

të shpinin deri tek ajo

dhe Reka Ahit

 

Dielli tek kah mesdita

shkrihej nëpër dritare

e ia ngrohte muret

 

Dy dhoma mësimi kish

e një korridor të gjatë

dhe shkallët nga hynim dilnim

 

Pasditeve rreth saj

ktheheshin zogjtë

dhe vaji i trishtë i Rekës

 

Kur dielli fshihej pas kodrës

mbi të binte hija

e qetësia

 

Ne habiteshim

se si ajo rrinte vetëm

netëve të errëta

 

Nëpër erëra shira dimra

ashtu qetas pa frikë

 

Zemër të madhe thoshim

ka shkolla jonë

vër s'i bën syri

 

Ajo ruante brenda një botë

në një hartë muri

me numëratoren skaj derës

 

Dhe një mal mësimesh nëpër banka

që nuk shterën kurrë

 

(7 mars, 2012)

 

NESËR...

 

(Doresës, në njëvjetorin e shkuarjes në amshim)

 

Do zgjohemi

duke shqiptuar emrin tënd

 

Ditë e njomë

përbirohesh poreve të dhembjes

si emër i rrallë malli

 

Dëshirë e nxënë

buzë pranvere

vendlindja t'u bë prehje e përjetshme

...

Në vend të kafesë

do pimë lotët e fshehur

thellë bebëzave

 

E do nisemi për tek ty

me kurora lulesh

kujtime të njoma

 

Mos u trazo prej hapave tanë

do ecim lehtë

barit që rilind

 

Si buzëqeshja jote

do shkrihet në ty

e para rreze

 

Nëpër dheun e shprushur

të trupit tënd

Doresa lule shtat lëshon

 

(9 mars, 2012)



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora