Kulturë
Kurtesh Devaja: Deri te Molla e Kuqe
E diele, 24.02.2013, 05:51 PM
Deri te Molla e Kuqe
Nga Kurtesh Devaja
"Kur
të rriteni dhe të shtoheni ju muhaxhirët e rinj, mos i lini trojet tona të
Toplicës, se ato janë tokat e të parëve dhe kthehuni atje së paku t’i vizitoni
varret dhe themelet e shtëpive të djegura e të bëra shkrumb e hi”. (Amaneti i
muhaxhirëve të Toplicës). Problemet historike në jetën tonë kombëtare dhe
shtetërore janë prezente në vazhdimësi. Këto probleme datojnë qysh herët, dhe
ato kanë ndikuar në të gjitha proceset e zhvillimit të përgjithshëm shoqëror e
kombëtar. Brezat e lindur dhe të rritur në vitet që po jetojmë, të ndarë
politikisht me kufij shtetesh, të vendosur nëpër tokat shqiptare me vendimet e
Traktatit të Shën Stefanit, Kongresit të Berlinit dhe Konferencës së Londrës, e
quajnë të pakuptimtë mosangazhimin e duhur të politikës mbarëkombëtare për t’i
korrigjuar padrejtësitë dhe gabimet historike që shqiptarëve iu imponuan gjatë
shekujve. Nuk mund të them se është faji i brezave më të vonshëm, pse nuk e
kemi ditur këtë, por do të mbetemi fajtorë nëse nuk e mësojmë sot drejt këtë
padrejtësi që iu bë shqiptarëve gjatë shekujve të fundit. Sepse deri tash këto
padrejtësi në librat e historisë e të gjeografisë i mësuam mbrapsht, ashtu siç
na servuan dhe na mësuan të tjerët.
Por, sa
më shumë që tash mësojmë, më shumë e kuptojmë se në ato libra nuk është shkruar
drejt e si duhet e vërteta historike për shumëçka nga e kaluara jonë. Kjo u bë
nga ata që e shkruan historinë me diktate politike e ideologjike. Por,
njëkohësisht, fajtorë edhe më të mëdhenj janë ata që e falsifikuan historinë
tonë kombëtare. Brezi ynë i sotëm do ta mbajë fajin nëse brezave që vijnë nuk
ua shpjegojmë drejt historinë tonë. Pra, do të mbetemi fajtorë nëse për brezat
që vijnë nuk i shkruajmë drejt librat e historisë e të gjeografisë sonë
kombëtare.
Duhet të
dihet qartë e mirë se shteti shqiptar në vitin 1912 u shpall në kufijtë edhe
ashtu të tkurrur politikisht që përfshinte 4 vilajetet shqiptare, në një
sipërfaqe prej mbi 90 mijë kilometrash katror. Mirëpo, pavarësisht kësaj, nuk
pushoi zaptimi dhe grabitja e tokave shqiptare nga fqinjët, e që është më keq
çështja shqiptare dhe këto padrejtësi ndaj kombit tonë vazhduan që nga Paqja e Budapestit, më 1877, Traktati e Shën
Stefanit, deri në Kongresin e Berlinit (1878). Çështja shqiptare u kalua
shkarazi, duke u përmendur vetëm aq sa i prekte interesat e njërës, ose të
fuqisë tjetër botërore. Ndërsa, Fuqitë e Mëdha kujdeseshin që t’i kënaqnin
interesat e fqinjëve të shqiptarëve, duke u dhënë toka shqiptare. Nga e gjithë
kjo, përfitime më të mëdha nxori hegjemonizmi serb, i cili gjatë shekujve
gjithnjë i zaptonte tokat shqiptare. Prandaj, edhe vendimet që u morën në
Kongresin e Berlinit, të cilat ishin shumë të padrejta, e shtuan zemërimin e
shqiptarëve kundër Fuqive të Mëdha. Ky pezmatim u ndie dhe u theksua veçanërisht
në viset ku ndodhi humbja e territoreve.
Prandaj,
edhe plagët e rënda të pashëruara që vazhdimisht dhembin dhe ngacmojnë edhe sot
trungun kombëtar, e që quhen Molla e Kuqe, Toplica e Sanxhaku i Nishit, ishin
dhe mbeten preokupim i shumë gjeneratave, pasi zaptimi i asaj pjese të
territorit shqiptar nga serbët, sot e gjithë ditën mbeten të paqartësuara dhe
të pandriçuara sa e si duhet. Sepse, kjo pjesë e historisë së dhimbshme për
shqiptarët, me gjithë përpjekjet, asnjëherë nuk u ndriçua drejt, qartë e mirë.
Nuk u ndriçua drejt, e të mos them fare gjithë ajo që kishte ndodhur në fund të
shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, në atë pjesë që ishte tokë
shqiptare, e që u zaptua nga sllavët. Kjo çështje në vazhdimësi vetëm shkarazi
përmendet nëpër disa dokumente historike, apo të autorëve të pakët shqiptarë,
por edhe të atyre të huaj. Për më tepër detyrën që duhej ta kryente historia, i
mbeti traditës gojore e cila aq sa pati mundësi e kurajë e kultivoi në kujtesën
e vet popullore.
Që nga
koha kur isha nxënës i shkollës së mesme, por edhe gjatë studimeve, e në
veçanti gjatë bisedave të zakonshme, si në tubimet familjare, por edhe në ato
më të gjera shoqërore, isha kureshtar të di për historinë e Mollës së Kuqe, që
brez pas brezi përcillej nga të moçmit, duke e cilësuar si kufi ndërmjet
Kosovës dhe Serbisë, që nga koha e sundimit të Perandorisë Osmane. Por,
asnjëherë nuk e kisha mësuar me saktësi të vërtetën se ku ndodhej kufiri që
quhej si Molla e Kuqe. Për Mollën e Kuqe shpesh në opinion dolën edhe spekulime
të ndryshme, kinse ajo është joekzistente etj. Nën trysninë e kësaj kureshtjeje
dhe i interesuar për të vërtetën, vendosa që t’i qasem me një cikël dokumentari
televiziv, që në verën e vitit 2011 u transmetua në 9 episode në televizionin
publik, Radio Televizioni i Kosovës, e që u realizua në bashkëpunim me Radio
Televizionin e Preshevës. Kjo ishte një
përpjekje që, sado kudo me të dhëna arkivore, biseda me historianë, demografë,
etnologë, veprimtarë dhe nëpërmjet deklaratave të dëshmitarëve të gjallë, apo
stërnipërve të atyre që e kishin përjetuar kohën e tmerreve dhe gjenocidit serb
ndaj shqiptarëve në Sanxhakun e Nishit dhe Toplicës, ta prek këtë temë, e cila
meriton më shumë se kaq. Në këtë cikël të dokumentarit u përpoqa që ta
shtjelloj sado pak historinë e Mollës së Kuqe, por t’i prek edhe ngjarjet tjera
që e kishin sajuar atë periudhë të dhimbshme për kombin tonë.
Nga puna
që kam bërë, gjatë realizimit të ciklit të dokumentarit për Sanxhakun e Nishit,
Toplicën dhe kufirin “Te Molla e Kuqe”, arrita të gjej shumë fakte historike në
retrospektivë, për ato ngjarje lemeritëse që kishin shoqëruar atë periudhë
historike. Do ta përmendja një element që hasa në vendet që vizitova, për të
mbledhur dhe siguruar materialin, për ta shtjelluar këtë tematikë, vërejta se
bashkëbiseduesit vazhdimisht ndjeheshin të trishtuar kur i përmendin ngjarjet
që kishin përjetuar stërgjyshërit e tyre gjatë periudhës së dëbimeve në
Sanxhakun e Nishit në vitet 1878-1889. Dhimbja dhe pikëllimi i tyre ishte i
papërshkruar, për gjithë ata që ende ruajnë me tapitë e tokave dhe pasurive të
tyre në Sanxhakun e Nishit e Toplicës, e që sot e kësaj dite, kjo e drejtë u
mohohet vazhdimisht nga Serbia.
Fatkeqësisht,
të vdekurit nuk mund të kthehen, por me kujtimin e tyre mund ta vazhdojnë
praninë e tyre midis nesh. Sepse, ato ngjarje kanë qenë krim kundër
shqiptarëve, e për këtë nuk mund të thuhet asgjë. Prandaj, edhe vendosa që në
këtë libër të përfshij pjesët më të rëndësishme nga dokumentari im “Lugina e
Preshevës, dikur dhe sot”, i transmetuar në vitin 2011 në Radiotelevizionin e
Kosovës. Pjesa që ka të bëjë me rrëfimet e ngjarjeve është autentike. I
vetëdijshëm për punën e bërë, nuk dua të jem përjashtues për kritika, ose
rrëfime tjera që gjërat i ndriçojnë ndryshe, ose pretendojnë se përshkrimet dhe
analizat e tyre janë më të sakta, seç i kam paraqitur në këtë libër.
Personalisht vetëm do të përfitoja dhe do të më kurajojnë për hulumtime më të
hollësishme në këtë lëmi shumë të ndjeshme dhe të dhimbshme për kombin tonë, në
përgjithësi.
Por, njëkohësisht, vatrën e ngrohtë të stërgjyshërve tanë në Sanxhakun e Nishit dhe Toplicës e konsideroj se duhet ta ngremë dhe ta mbajmë gjallë si çështje kombëtare dhe të kërkojmë me argumente të fuqishme në të gjitha institucionet ndërkombëtare që të aktualizohet çështja e kthimit të shqiptarëve në trojet e tyre etnike në Toplicë dhe në Sanxhakun e Nishit. Në elaborimin e kësaj çështje shumë të vështirë, por me interes kombëtar dhe shkencor me sugjerimet e veta substanciale dhe me këshillat përmbajtjesore kontribuuan edhe recensentët e këtij libri, historianët e spikatur Prof. dr. Muhamet Mala dhe Prof. dr. Jahja Drançolli dhe veprimtari Reshat Avdiu, për çka u jam shumë mirënjohës.
(Parathënie
e librit “Te Molla e Kuqe, 1878-2012)”, Faik Konica, Prishtinë, 2012. Zgjodhi
për ZSH: B. Y.)