Kulturë
Një triologji me vlera për Turizmin Shqiptar
E shtune, 23.02.2013, 12:38 PM
(Shënime
rreth librit të ri: “Turizmi Shqiptar” të publicistit Xhelal Marku)
Duke
lexuar librin e ri “Turizmi Shqiptar” të studjuesit dhe publicistit të njohur
Xhelal Marku, të duket sikur ke prekur dhe shijuar resurset e shumta turistike
të Shqipërisë përgjat gjithë hapsirave të saj, nga bregdeti e deri në lartësitë
e Alpeve. Ai shpalos me artin e bukur të fjalës e të figurës gjithë bukuritë
tona natyrore, klimën e preferuar dhe pasuritë e mëdha të trashëgimisë
kulturore të këtij vendi, historinë, kulturën, artin, kinematografinë,
letërsinë, arkeologjinë e arkitekturën, traditën e lashtë të bujarisë e të
mikpritjes shqiptare, si dhe bashkëjetesën e harmoninë historike fetare të
shqiptarëve, që ka mahnitur botën me realitetin e saj unikal. Lexon këtë libër
dhe frymëzohesh për vlerat turistike të vendit tënd, që padyshim janë e ardhmja
e ekonomisë së Shqipërisë. Krenohesh me konkurencën e vendit tonë në tregun
turistik botëror. Dhe thua me vete: “Ej sa shpejt i ngjiti shkallët Shqipëria
jonë Turistike, që sot mediat më prestigjioze e rekomandojnë si të parin vend
në botë, që duhet vizituar...”. Kënaqësi e krenari për të gjithë ne shqiptarët
për këtë realitet të ri të Shqipërisë, për këtë imazh të ri të saj, kudo në
Botë. Lexon faqet e librit “Turizmi Shqiptar” të autorit Xhelal Marku dhe
përnjëherësh e ndjen përkushtimin e tij për të sjellë nëpërmjet këtij botimi,
një risi promocionale të zhvillimeve turistike në vend. Këtë fakt e thekson
edhe redaktori i librit, shkrimtari dhe publicisti Albert Zholi në komentin e
tij tek “Hyrja” e librit të autorit Xhelal Marku: “...Them me bindje të plotë,
thotë ai, se libri, “Turizmi Shqiptar” i Xhelal A. Markut, sjell një promocion
të ri e të fuqishëm për Shqipërinë Turistike, për imazhin e saj të ri e të
mrekullueshëm, që tashmë është bërë pjesë e përvitshme e promocioneve të
mediave e të shtypit të huaj më prestigjioz të turizmit botëror...”. Ky libër
simpatik, të lë mbresa me faktet dhe argumentet, që sjell nëpërmjet fotografive
të shumta e cilësore, të gjitha me ngjyra, duke ilustruar mjaft mirë gjithshka
që thuhet në tekst. Në këtë drejtim vlen të përgëzohet për punën plot art e
profesionalizëm edhe autori i paraqitjes grafike të librit, specialisti i
njohur i Agjensisë Kombëtare të Turizmit, Ergys Faja, i cili me përvojën e tij
ka ditur të përzgjedh fotot dhe t`i përdor ato për ilustrim e argumentim në
masëm dhe në vendin e duhur. Kështu, libri paraqet një pasqyrim konkret të
resurseve turistike të Shqipërisë, por dhe të zhvillimeve bum të tij në
fillimet e këtij shekulli. Por, vlerat e librit “Turizmi Shqiptar”, qëndrojnë
edhe në gamën e gjërë të informacionit që sjellë për lexuesit, në gjurmimin dhe
përzgjedhjen e fakteve, ku autori Xhelal Marku, ka rendur pas tyre me pasionin
e bletës. Është një punë e përkushtuar kjo e një krijuesi të talentuar, i cili
përvojën e tij të gazetarit e ka gërshetuar bukur me atë të profesionit të
hershëm të mësuesit të letërsisë në gjimnaz, duke na dhënë një produkt mjaft
cilësor e të realizuar me mjeshtëri edhe nga ana gjuhësore. Në këtë mënyrë,
autori ka ditur të ndërtojë me talentin e tij letrar e krijues, një vepër
letraro-publicistike interesante e tërheqëse për të gjithë lexuesit, vendas apo
të huaj qofshin ata. Libri është një botim cilësor dhe i kompletuar, i cili
shënon një nivel të ri promocional në publikimin e vlerave turistike të
Shqipërisë, si dhe në rritjen e imazhit të saj turistik në tregun botëror. Duke
iu referuar arritjeve që ka shënuar zhvillimi i industrisë turistike në vend,
autori thekson, se Turizmi Shqiptar nuk është më ai i dikurshmi, që konceptohej
vetëm në rërë e det, por shumë e shumë më tepër se kaq. Ai sot shtrihet në të
gjithë territorin shqiptar, në fushë, mal, bregdet e kudo, është i
shumëllojshëm, por edhe gjithëvjetor. Me një pasion të veçantë, autori i librit
Xhelal Marku analizon e argumenton historinë e veçantë e unikale të bashkëjetesës
e harmonisë fetare në Shqipëri. Një foto e përbashkët e përfaqësuesëve të katër
feve, që ekzistojnë sot në vend, është një domethënie e madhe, një atraksion i
fuqishëm turistik për vizitorët e huaj, që ky relitet i ka befasuar. Ata kanë
lexuar e prekur tek historia fetare e shqiptarëve edhe sekretin e kësaj
bashkëjetese e harmonie të madhe, moton që i mban fetë të lidhura bashkë në
Shqipëri. Ajo moto buron nga fjala e urtë popullore: “Pa atdhe, nuk ka fe!”, që
do të thotë se të gjitha fetë, janë në shërbim të Shqipërisë. Ky është dhe
lejtmotivi shqiptar i zhvillimeve fetare në vendin tonë përgjat gjithë
kohërave, që nga lashtësia e deri në ditët e sotme. Edhe pse shteti i
diktaturës komuniste e ndaloi me ligj fenë në Shqipëri në vitin 1967, ai nuk arriti
dot t`i shuante besimet fetare tek njerëzit, të cilët pas viteve `90, me
besimin e madh tek Zoti, iu rikthyen institucioneve fetare si rrallë ndonjë
herë në historinë e tyre shumëshekullore të këtij vendi me tradita të shumta
kulturore në Ballkan.
Duke përshkruar vlerat e shumta të trashëgimisë tonë kulturore, si një atraksion i veçantë turistik i vendit, autori i librit, ndalet në paraqitjen e kalave të Shqipërisë, që nga Shkodra e deri në Butrint, si kështjella të fortifikimit ilir, që dëshmojnë për historinë qëndrestare të shqiptarëve në shekuj, si dhe për lashtësinë e Trojeve tona autoktone. Me pasion e dashuri përshkruhet në libër edhe vija jonë bregdetare me plazhet e mrekullueshëm, që nisin nga Velipoja, Shëngjini, Gjiri i Lalëzit, Durrësi, Golemi, Mali i Robit, Divjaka, Gjiri i Vlorës, Dhraleo në Palasë, Dhërmiu, Himara, Spillea, Potomi, Llamani, Livadhjaja, Qeparoi e Porto Palermo, ku gjëndet dhe njëra nga kalatë, ajo e Ali Pashës, duke vazhduar më pas me Plazhet e tjerë të Rivierës, si: Buneci, Kakomea, Krorëzi, etj. Të ilustruara dhe me fotot përkatëse, plazhet tona pasqyrohen në libër si plazhet me bukuri të rrallë në rajon, të cilët shquhen për cilësinë e ujrave të pastra të detit. Por, duke argumentuar idenë se Turizmi Shqiptar nuk është më ai i traditës së hershme, ku frekuentohej vetëm deti dhe rëra, autori Xhelal Marku sjell në librin e tij edhe peizazhin e bukur të natyrës tonë malore, si një tjetër atraksion turistik i kërkuar dhe i frekuentuar nga vizitorët e huaj dhe vendas. Parqet tona kombëtare, si: Dajti, Thethi, Lura, Llogaraja, Drenova, Valbona, Mali i Tomorrit, Hotova, Qafë – Shtama, etj, me bukuritë e rralla natyrore, burimet kurative dhe klimën e mrekullueshme që kanë, janë destinacionet tona malore më të vizituara nga turistët jo vetëm në verë, por edhe në dimër, ku frekuentohen sportet dimrore të aventurës, si: skitë, alpinizmi, aeronatika, etj. Në libër, lexuesi gjen një pasqyrim të gjërë edhe të turizmit shëndetësor, i cili përfaqësohet me pushimet në Llixha (ujërat termale), ku paraqiten vlerat kurative të burimeve të njohura termale të Peshkopisë, Elbasanit, Fushë - Krujës, Bënjës, etj. Libri është i kompletuar me informacione të reja dhe profesionale për gjihthshka, që i nevojitet një turisti, që preferon të vizitojë vendin tonë. Aty jepen jo vetëm rrugët hyrëse në Shqipëri, me tokë, ajër e det, por dhe harta e plotë e rrjetit të ri rrugor të vendit, distancat e të gjithë qyteteve tona nga Tirana, si dhe harta turistike e Shqipërisë. Autori e ka ndërtuar librin mbi tre kapituj, të cilët duket se plotësojnë njëri tjetrin, për t`i bërë më bindëse faktet dhe argumentet, që thuhen. Kapitulli i parë jep resurset turistike të Shqipërisë dhe gjithçka që ofron ajo për pushuesit e huaj e vendas, kapitulli i dytë sjell opinionet dhe mbresat e vizitorëve të huaj vipa, gjatë më shumë se një shekulli, ndërsa kapitulli i tretë është një pasqyrim artistik i realitetit turistik të vendit në ditët e sotme. Ndaj, unë e kam vlerësuar librin “Turizmi Shqiptar” të autorit Xhelal Marku, si një triologji me vlera të veçanta promocionale për publikimin e imazhit të ri turistik të Shqipërisë. Ai është i pari libër gjithëpërfshirës dhe gjithhapsinor për Turizmin Shqiptar, që vjen nga një mjeshtër i gazetarisë, por dhe specialist i turizmit, i cili ka derdhur mbi të, gjithë talentin e tij krijues të mbledhur në vite. Kësisoj, libri “Turizmi Shqiptar” i autorit Xhelal Marku, ka hyrë në fondin e botimeve shqiptare, si një nga botimet e rëndësishme të realizuara në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, i cili mori vlerësimet më të mira edhe në promovimin, që iu bë nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe nga Agjensia Kombëtare e Turizmit, ku ai punon. Me këtë rast, unë i uroj autorit, suksese në punën e tij krijuese, për të na dhënë të tjera botime me vlerë në të ardhmen!
Tiranë,
më: 21 / 01 / 2013
Mevlud Buci, studjues, analist