E merkure, 01.05.2024, 01:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Art i narracionit objektiv

E enjte, 21.02.2013, 08:58 PM


Art i narracionit objektiv

Nga Dr. Ilir Muharremi

E bukura e madhërishme, emocionet përbrenda emocioneve, dramat jetësore, individuale, narrative e subjektive, duket se shqetësojnë botën e brendshme të artistëve që, të martën, i prezantuan punimet e tyre në Galerinë e Universitetit Iliria, në Prishtinë.

Galeria e themeluar muaj më parë, u pagëzua me emrin e piktorit të madh, Omer Kaleshi. Por nuk u ndalua me kaq. Këtë të martë aty u mblodhën artistë të ndryshëm, të cilët ekspozuan punimet e tyre, që shikohen, përjetohen dhe preken.

Ekspozita “Vështrim në pikturën moderne shqiptare”, shpalos vija, ngjyra, lëvizje, tinguj e motive, që shprehin graciozen, të hijshmen, eleganten, të këndshëm, lozonjaren. Punimet sjellin një simpati mbrojtëse mbi qeniet ose objektet, që vijnë në forma abstrakte, reale, impresive, surreale, kubiste.

Temat vijnë nga përditshmëria monotone e deri tek absurdja e pazgjidhur dhe e pakuptimtë - së cilës kuptimi i jepet brenda motivit, formës dhe ngjyrës. Pamjet riprodhohen estetikisht nga e jashtmja fizike, e cila vërtitet mbi ndjenjat kozmike që mbështeten në dobinë e shikuesve. Ato spontanisht zgjojnë thellësinë dhe ngacmojnë jetën afektive - që bëhet e pranueshme. E madhërishmja përpiqet të harmonizohet me qëndrueshmërinë e kompozicionit, i cili peshon lehtë mbi materien e qëndrueshme.

Vërehet një vullnet i madh i krijuesve, që paralajmëron gjykimin e inteligjencës. Vijat - që herë janë të drejta, e herë të lakuara apo të pjerrëta, me kontura dhe me ndërprerje - shprehin botën ekzistenciale të së përditshmes në shoqërinë e ëndërruar. Harmonia, e spikatur me të bukurën, të madhërishmen e argëtuesen, realizohet proporcionalisht me tërësinë e masës së drejtpeshuar. Ngjyrat ndërkaq janë shpërthyese, të ndezura. Ato shpërfaqen edhe të mbyllura, por gjithnjë dominojnë dhe ndriçojnë mbi kozmiken - të përtejmen dhe të ardhmen e pashkruar.

Tonet krijojnë konfliktin e hijezuar, duke filluar nga më e mbyllura e deri tek më e ndritshmja. Vërtet ka një lojë, një qetësi të jashtëzakonshme që rri besnike mbi revoltën e përjetshme. Shpeshherë sublimja ngacmon konfliktin e ideve dhe, në shikim të parë, vjen si një enigmë, e cila ka zgjidhje. Zgjidhja peshohet me ndihmën e dritës dhe ngjyrës.

E dramatikja nuk është shumë patetike, por herë-herë na emocionon me variacione të ndryshme. Drama e artistëve nxit ndjenjat e vitalitetit personal, gjegjësisht të një simpatie të fuqishme. Nganjëherë, shpirti i tyre niset edhe nga tragjikja, e cila është në konflikt me fatalitetin, i cili në kuptimin e gjerë është njëlloj beteje e qenies që shpreson se ka në duar lirinë. Ajo shprehet nëpërmjet ngjyrave të kuqe, të bardhë, të zezë neutrale, që nxisin një konflikt tragjik mes pesimistes dhe optimistes.

Janë edhe kokat e Omer Kaleshit - të heshtura, pa vesh, që s’duan asgjë që dëgjojnë - të radhitura në një kompozicion vertikal. Po të vështrohet prapa syve të tyre, ato jetojnë ndjenjat më të sinqerta dhe janë burim i emocioneve më të fuqishme, që vijnë nga ankthi e solidariteti, por edhe vuajnë një jetë reale për një kozmike.

Tek Agron Mulliqi kemi një botë krejt tjetër, që thelohet në motivet e etnos, me vija të lakuara, që postmodernizohen me atë të pashprehurën/të pamundurën, e cila bëhet e mundur. Këtu, arsyeja lulëzohet me disa shenja që përplasen me të kaltrën e ftohtë dhe të verdhën e ngrohtë. Krijojnë skenën e pafundme në një thellësi individuale. Edhe krijuesi Verim Zendeli shpalos portretet që qëndrojnë, luftojnë, përpiqen të vërsulen mbi një situatë dramatike nga një shembje psikologjike, por të fuqishme, ngaqë në plan të parë dhe në mes sulmeve të dallgëve të ngjyrave portreti qëndron krenar midis pëlhurës.

Tek Nevzat Bejtuli ndërkaq është forma ajo që shpërfaq harmoninë dhe lidhshmërinë në mes sfondit. Ngjyrat janë të mbyllura, nga dramatikja e deri tek tragjikja. Krijuesi Mustafa Arapi, në universin e tij shpalos nostalgjinë e formës, dritëhijes dhe kompozicionit. Edhe artistët e tjerë, si Hajrush Fazliu, Majlinda Kelmendi, Esad Valla, Luan Zenku, Muhamedali Alili, Reshat Ahmeti, Miftar Mehmeti, Shaqir Veseli, Bashkim Qerimi, Eshref Qahili, Veli Blakçori, Veton Gusia, Arlind Halili... prezantojnë bukurinë, si mbrojtje të njeriut, e cila sjellë ndërmend dritën, idenë e një rregulli të harmonisë, ose të orientimit në kaos.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora