Kulturë
Ilir Hasa: Intervistë me shkrimtarin Rezart Palluqi
E enjte, 21.02.2013, 08:16 PM
Nga Ilir
Hasa, Elbasan
Si ke filluar të shkruash ?
Poezinë e parë e shkrova vonë, kur isha në Greqi, në vitin 1997, atëherë isha 21 vjec.
Atëherë
Shqipërinë po e kërcënonte një re e tmerrshme lufte, konflikt vëllavrasës.
Kujtimet e turbullta të rënies së diktaturës i ruaja ende të freskëta në mendje. Ishte pra një ndjenje e fuqishme pikëlluese që më frymëzoi të shkruaj një poemthë rreth flamurit dhe popullit tonë të stërmunduar.
Më duket se keni shkruar poezi dhe ese në greqisht, madje jeni botuar edhe në disa revista e gazeta?
Cfarë temash trajtonin poezitë e juaja?
Detin, klimën e mrekullueshme të ishujve, dhimbjen si fenomen në shpirtin e njeriut por edhe pak politikë. Atëherë shkruajta një poezi ku satirizoja spektaklin e aeroplanëve turq dhe grekë mbi kokën time; poezinë e titullova "Sorrat e sulltanit"
Jeni larguar nga Shqipëria qysh në vitin 1992, atëherë ishit 16-të vjec. Mund të na thoni shkurt rreth arsyes së emigrimit në Greqi dhe më pas në Holandë ku edhe jetoni?
Arsyeja
fillestare ishte të ngopesha me salcice, pija coca-cola dhe ndizja cigare
Marlboro.
Por e
vërteta doli krejt ndryshe. Mu desh të ecja shtatë ditë të tëra në këmbë i
ndjekur herë pas here nga ushtria dhe policia. Punova në bujqësi deri në vitin
1997 në Veria të Maqedonisë . Popullata atje ishtë e prapambetur. Shumica e
tyre nuk njihnin Athinën. Pastaj rinisë shqiptare i ndalohej të shkonte në
disko, puthte vajza apo mbante flokë të gjata si Krishti dikur. Më quanin rebel
ngaqë i kundërshtoja punëdhënësit e mi. Në vitin 1997 u largova për në ishullin
e Mitilinit. Në atë ishull të bukur të banuar nga njerëz të mirë dhe naive zëre
se e futa një këmbë në Europë. Ky ishull në kufi me Turqinë, më ofroi për herë
të parë lirinë e shumë-ëndërruar. Atë kohë përfitova lejen e parë të qëndrimit.
Në kohë rekord e përvetësova greqishten mjaft mirë, nëpërmjet të cilës fitova
edhe zemrat e grekëve. Ata më thërritnin poeti ynë. Atje punova si kamarier dhe
më vonë përfaqesues i një firme pijesh alkolike. I gjithë komuniteti shqiptar
ishte krenar për punën që kryeja, mbasi grekët pandehnin se ne Shqiptarëve na
kishte dhuruar Zoti vetëm kazma e lopata.
Vitet e fundit u bëra edhe pronari i pari i një kioske në tërë ishullin e Mitilinit. Shkurt, atje u integrova në dy drejtime: letërsi dhe degën e tregtisë. Atë kohë njohta ish gruan time holandeze ( sepse tani jam i ndarë prej saj) e cila në vitin 2005 më detyroi të riemigroj me të në Holandë.
Emigranti
mbetet emigrant edhe në kështjellën e Zotit. Por megjithatë atje hasa shumë më
pak vështirësi për t'u emigruar. Holandezët, në kundërshtim me Grekët, të pranojnë ashtu sic je, me gjuhën, kulturën
dhe adetet tuaja, nëse ti e fiton vete bukën e gojës. Nëse je i papunë duhet të
merresh më shumë me aplikacione pune se sa t'i falesh Zotit, gatuar gjellë
shqiptare apo llomotitur për flamurin.
Gjuhën
holandeze e mësova më shpejt se c'pata pandehur. Fill mbas një viti shkrova 40
poezi në holandisht. Atë kohë u botua
edhe një cikël me poezi. Kjo i magjepsi kolegët e mi holandezë. E dija që gjuha
ishte celësi kryesor i integrimit.
Jam
anëtar i klubit të poetëve të qytetit ku banoj. Marr pjesë rregullisht në
aktivitetet poetike që zhvillohen në qytet por edhe jasht tij. Kohët e
fundit bëj pjesë në bordin drejtues,
kontrolloj financat e aktiviteteve tona, llogaritar sic i themi në shqip.
A mendoni se një gjuhë e huaj shndërrohet në barrierë për të bërë art?
Dhe arti
i mirë e dimë se dallohet nga detaji. Vërej, e ndjej se gjuha shqipe më ndjek
si një urith nën cdo varg, mendim që shpreh në holandisht. Kam përshtypjen se
kur shkruaj poezi në
holandisht
zhvillohet nje farë dueli midis shqipes dhe holandishtes. Holandishtja fiton në
aspektin teknik, ndërsa shqipja e mund atë në palestrën e ndjenjave.
Unë do të thoja se kur dy gjuhë bashkëpunojnë, si shqipja ime e pavetëdijshme me holandishten e vetëdijshme, ato janë edhe barriera por edhe ura të njëra-tjetrës.
Muajin e kaluar u botua romani juaj i dytë në shqip, titulluar "Dallëndyshet pa fole". Përpara se të na flisni rreth tij na thoni dy fjalë rreth arsyes që ju shtyu ta promovoni librin midis nxënësve të shkollës pedagogjike të qytetit të elbasanit?
Kohët e
fundit kam spikatur një traditë hermetike, fallco promovuese.
Shkrimtari
ua jep disa shokëve librin e ri ta lexojnë. Ata në vazhdim i thurin atij
lavde, e
ngrinë në qiell duke hartuar faqe të tëra me kritikë miqësore.
Mbas
promovimit shkrimtari shpërblen recensat shekspiriane me një drekë të bujshme.
Unë doja
ta thyeja këtë tabu të keqe. E bëra pra për dy arsye: të merrja kritikë të
sinqertë, mbasi nxënësit nuk më nijhnin dhe ishin të lirshëm të shprehnin
mendimin e tyre. E dyta, të thyeja atë akullin e keq që është krijuar midis
artistit, pra shkrimtarit dhe lexuesit.
Në
Shqipëri mbizotëron një mentalitet olimpik. Nëse je dikushi bëhesh mit. Në rastin
e promovimit tim u zhvillua një dialog, pyetje spontane që kishin të bënin
drejtpërdrejt me personazhet e librit. Shkurt shkrimtari dhe nxënësit ranë në
një nivel edhe pse për pak minuta.
Në mbyllje të kësaj përgjigje, e ardhmja e Shqipërisë nvaret nga rinia. Duke kontaktuar me ta, stimuluar të japin mendimin e tyre për tema të ndërlikuara, si kjo e emigracionit, rinia përgatitet në kohë për të drejtuar të nesërmen Shqipërinë.
Romani i juaj "Dallëndyshet pa fole" u mirëprit mirë. Përse e shkruat atë?
Ky është
romani i dytë dhe ndoshta i fundit që ia përkushtoj temës së emigracionit.
Kur emigrova për herë parë në Greqi, ëndrra ime ishte që brezi im të kthehej mbas një kohe në Shqipëri dhe të ndërtonte jetën e tij atje. Brezi im, duke më përfshirë edhe mua, nuk e arriti këtë. Këtë nuk e arritën dot as dy brezat e mëvonshëm. Mendova pra që këtë ta realizoj në letërsi. Në romanin e përfolur dy personazhet kryesorë, ish emigrantë në Greqi, e arrijnë këtë duke ndërtuar jetën e tyre në Elbasan me kursimet e tyre. Njëri duke mbjellur një serrë me lule, dhe tjetri themeluar një zyrë shërbimesh varrimore. Qëllimi nuk ishte pra, jo vetëm që ky roman të shndërrohet një gjerator shpresash për të gjithë emigrantët për t'u kthyer e jetuar në atdhe por edhe krijojë një koncept origjinal letrar. Besoj se këtë e arrita. Koncepti i luleve dhe varrimet e njerëzve besoj se është origjinal në llojin e tij në letërsinë shqiptare.
Na thoni dy fjalë rreth gjuhës tuaj, strukturës, vendin që ajo zë në prozën tuaj?
Gjuha për
mua vjen në vendin e dytë. Në vendin e parë vjen ideja, koncepti i romanit.
Besoj se
prozatori duhet të përdorë një gjuhë të qartë, origjinale. Prozatori duhet të
ketë kujdes që
të mos e ngopë me gjuhë, llafe lexuesin, sepse gjuha në vetvete është 90% kockë
dhe 10% mish. Këtë kurth përpiqem ta shmang duke i dhënë liri të pakufizuar
personazheve të mi të flasin, grinden, puthen, kafshohen dhe këndojnë. Dialogu
është Zoti i prozës time.
Ndërsa
demokracinë gjuhësore përpiqem ta krijoj duke përfshirë të gjitha dialektet
gjuhësore.
Më vjen
gjynah të refuzoj të përdor një fjalë të vjetër, meqë asaj i ka kaluar koha.
Jam deri diku pro fjalëve të huaja, pra mbetjeve gjuhësore të pushtuesve të
huaj. Jam pra kundra antisemitizmit, nacionalizmit gjuhësor. Një përqindje e fjalëve të huaja
shërbejnë si fanar vëllazërues midis shqipes dhe gjuhëve të tjera të botës.
Ndërsa struktura e prozës duhet të jetë e mirë, të ketë bazament të fortë, ndërsa forma e saj është shije personale. Preferoj ta ndaj romanin në kapituj jo të gjatë, fjali jo të gjata. Përsonazhet kryesorë drejtojnë ngjarjet, ndërsa dytësorët janë pasagjerë kalimtarë.
A mendoni se ky roman do të ndikojë në frenimin e emigracionit?
Sic e kam
thënë edhe herë të tjera një roman i mirë jep ide, por është populli ai që
duhet këto ide t'i shndërrojë në ndjenja, t'u japë jetë. Në Shqipëri jo vetëm
që nuk flitet për frenimin e emigracionit, por në të kundërtën, ai po shihet si
një burim i pazëvendësueshëm i ekonomisë tonë. Ky lloj emigracioni i tejzgjatur
përbën në syte e mi një lloj genocidi të brëndshëm shqiptar.
C'është letërsia për ju?
Letërsia në
vendet ku zotëron diktatura është "arti i fjalës së ndaluar", ndërsa
në vendet e lira, është arti që bie në vesh të shurdhër, si në vendet të tipit
të Shqipërisë.
Për fat
të mirë letersia ka durim te pacake dhe ajo pra nuk demoralizohet prej veshit
te shurdher. Ajo vazhdon t’i ulerijë atij derisa daullet e diferencës të
shpohen.
Letërsia
për mua është në vetvete një art ekstrem, po të mendosh se ajo ushqen një guxim
të krisur, p.sh t'i japë kurajo një shkrimtari të ëndërrojë të rrëzojë një
diktaturë të tërë e armatosur deri në dhëmbë duke përdorur vetëm majën e penës.
Ajo është edhe dinake, sepse ajo lind atëherë kur shurdhit apo bishës sia pret
mendja. Dhe atëherë ajo të jep goditjen vdekjeprurëse. Shkurt, letërsia është
arti që ruan idetë e ndaluara. Detyra ime si shkrimtar, është këtyre ideve t'i
dhuroj energji, jetë, e t'i rrënjos ato në mendjen e njerëzve.
Natyra e ka zgjidhur bukur këtë problem: llojet e bimeve dhe kafshëve që duhet të vdesin ajo i asgjeson vetë, ndërsa meqë njeriu s'e bën dot këtë vullnetarisht, Zoti ka caktuar shkrimtarin apo artistin të groposë tabutë njerëzore, prandaj detyra e letërsisë është të thyejë tabutë.
Cilit do zgjidhnit më shumë poezinë apo prozën?
Personalisht
besoj se proza është vëllai i trurit, ndërsa poezia motra e zemrës.
Proza është në formë më e gjatë, dhe trajton probleme shumë komplekse, ku ndërthurën shumë ndodhi, incidente. Kështu që aty dominon më shumë racionaliteti se sa ndjenjat dhe emocionet. Prandaj kur bëhet fjalë për probleme të ndërlikuara shoqërore, preferoj prozën, ndërsa kur nuk kam durim, ose përballem me një shpërthim të momentit, preferoj poezinë. Aty lë zemrën të ngushëllohet, të shpërthejë e lirë. Ndodh që mendja e ekuilbruar i gropos shpërthimet e zemrës, por ndodh që edhe mendja i jep dorën shpërthimeve të zemrës, dhe atëherë ndodh mrekullia: krijoj një poezi të bukur.
C'farë keni në duar në këto momente?
Nuk mund
t'ju jap informacion konkret rreth romanit që kam në duar.
Mund t'ju
them që ai trajton një temë shumë të nxehtë.
Është roman universal, kundra atdheut si copë tokë, por atdheut të njeriut që quhet tokë...
Cfarë
mesazhi dëshironi t'i dërgoni bashkëkombasve tuaj?
Mesazhet
i urrej. Sidoqoftë do i thoja këtë Shqiptarëve: kuro sëmundjet e vjetra përpara
se t'i trokasësh dyerve të europës. Dhe të mos e kërkojnë problemin e të keqes
në barkun e të kaluarës së afërme, si tek diktatura hoxiane, apo udhëheqësve të
tanishëm, emrat e të cilëvë i lakojmë më shumë se perëndimorët Krishtin dhe
Arabët Profetin Muhamed.
Personalisht
besoj se sëmundja jonë quhet pirateri. Dhe tek Shqiptaret nuk ndeshim pirateri
origjinale: pirati grabit mallin e tregtarit të huaj, por pirateri vetvrasëse.
Pushtimi otoman, për mendimin tim, pushtuesi më dëmprurës për kombin shqiptar, e celikosi piraterinë e brëndshme
shqiptare. Për pesë shekuj në fakt ne u robëruam prej 5 principatave shqiptare.
Turqia
kishte kryesisht rol dirigjues.
Këto
principata i hasim edhe sot në parlamentin shqiptar. Ajo që shoh sot është që
disa kritikë miopë ose pragmatistë, apo gazetarë të djallëzuar, ia hedhin të
gjithë fajin një personi, udhëheqësit të popullit, ndërkohë që populli e
zgjodhi vetë atë udhëheqës.
Duke e shpallur popullin të pafajshëm ose si viktimë e tyre, problemi shqiptar mbetet i pazgjidhur, sepse populli që jeton atje, nuk sheh asnjë arsye të ndryshojë, t'i bëjë një vetanalizë sjelljes, mendimit dhe rrugëzgjidhjeve që ai bën si në zgjidhjen e udhëheqësve të tij ashtu edhe veprimtarive kulturore e tregtare. Duhet pra tia shtypim kokën piraterisë tonë primitive me cdo kusht, dhe kjo fillon së pari duke korrigjuar vetveten. Të mos harrojmë se ne jemi pjesë e këtij rregjimi të kalbur.
Dikush
mund të më thotë: peshku qelbet nga koka! Përgjigja ime është: po, por kush ia
ofron peshkut ujin të notojë?
Ju faleminderit.