E merkure, 01.05.2024, 09:00 AM (GMT+1)

Kulturë

Xhemail Peci: Newborn

E marte, 19.02.2013, 10:42 PM


NEWBORN

Nga Xhemail Peci

Të premten, më 15 shkurt 2013, nëpërmjet valëve të programit satelitor, në një rubrikë sa të pritur, po aq edhe të qëlluar, në emisionin KULT, një hapësirë e merituar iu kushtua Simbolit me të cilin është njëjtësuar pavarësia, paqja dhe ardhmëria jonë.

Këtë radhë NEWBORN u shfaq në plotni si një Obleisk Madhështor, që mëtonte të nderonte, sa Liberatorët, po aq edhe Ideatorët e Organizatorët, që Ai të veshte petkat e reja solemne, e që do të jenë Flamujt e Kombeve Liridashëse, të cilat duke bërë pjesë në Koncertin e Demokracisë Perëndimore, e kanë pranuar Kosovën si shtet dhe se e kanë respektuar kështu të drejtën legjitime, sa të natyrshme po aq edhe demokratike, të një populli të përgjakur e të përvuajtur aq shumë, që ai të vendosi vetë për ardhmërinë e tij dhe të brezave që do të vjnë.

Në të vërtetë shumëçka ngjante me një paralajmërim që shëmbëllen aq fort me një ceremoni të denjë shtetërore. Së pari e Kuqja Flamurshpalosur vinte si një Zjarr Përcëllues e të cilën  breza dhe gjenerata të tëra të shqiptarëve atdhetarë, që prej Ilirisë e deri tek Fisnikët e Arbërisë dhe tek Feniksët e Lirisë sonë, e lanë me gjakun më të kulluar të Breznive Orëmira.

E Kuqja Flamurshpalosur përmes flamujve të shumtë që valviteshin në ajri, sikur shfletonte kujtimet e mahnitshme të përpjekjeve dhe të sakrificave mbinjërezore që Liria të vinte.

E Kuqja Flamurshpalosur, në palët e saj ngriste drejt kaltërsive të qiellit të lirë, epopenë e luftërave liridashëse ku u derdhen lumenj gjaku, e ku trualli i shqipes mbeti një djep vullkani, në të cilin Levendët e Lirisë e ternin barutin dhe prisnin ta ndiznin sa të vinte Ora e Madhe e Motit të Madh.

Shpalosja e palëve të Flamurit, sikur shpaloste edhe kujtimet për te: Ai Flamur, më i vjetri dhe më i drejti, siç shkruante Faik Konica, Princi i Hijshëm i Gjuhës Shqipe e Kalorës i Letrave dhe Arteve, Aristokrati Kuqezi që Shqipërinë e donte të përparuar e të lulëzuar, prandaj nga pluhuri i bibiotekave të Europës; Faik Konica e nxorri ate dhe i foli kujtesës së bjerrur të Europës, duke i thënë se jo vetëm një herë ne i kemi larë me gjakun tonë më të mirë fletët e historisë së saj.

E Kuqja Flamurshpalosur na kujton Krye-Vargun e Poetit të Himnin Kombëtar, Aleksandër Stavri Drenova – Asdrenit: Rreth Flamurit të përbashkuar, me një dëshirë e një qëllim. Na e kujton Vargun e Lasgushit: Një shqiponjë e arratisur fluturon! Por edhe Krye – Vargun e Gjakut, që Krye – Poeti Ali Podrimja e la si një Firmament të Përgjakur të Shqiptarëve ndër Shekuj: Kosova – Gjaku im që nuk falet! E Kuqja Flamurshpalosur, na e kujton përmbledhjen poetike të shkrimtarit Ismail Kadare: Shqiponjat fluturojnë lart…

Një histori e tërë e një kombi të lashtë, e shkruar me vargje poetësh, të cilët mishërojnë në majat e artit të tyre, ëndrrën e një kombi të tërë, duke rrezatuar dritë, kulturë, paqe dhe dije.

Një kronikë që shpalos kujtimet e shumta të rrugës së gjatë dhe të mundimshme për të ardhur deri këtu. NEWBORN – një ëndërr e re dhe një shpresë e re. Gushëkuq me trëndafila, të cilit Fan Noli, ky Marathonomak që në Portat e Mëdha të Letrave Shqipe, Thërret me Zemrën që i pikon Gjak: PËRLINDJA SHPIRTIN DHE FUQINË! Pa dyshim, një Himn që Noli na e la me përmasat e njëjtë të Simfonisë Hyjnore të Ludvig Van Bethovenit.

NEWBORN. Një ëndërr të cilën e plagosën aq shumë dhe deshtën ta vrisnin aq shumë, sa mizorisht, po aq edhe padrejtësisht, sa egërsisht po aq edhe barbarisht.

NEWBORN, një këngë të cilën donin ta këpusnin në gjysmë, një Djep që Përkundte Ëndrra Lirie e që i ngrenin kurthe e prita, që i bënin atentate e masakra, gjenocid, shfarosje, ekzod biblik!

NEWBORN, nga shtigje lufte e në shtigje paqeje, nga prita në pritë e nga kurtha në kurthë, mes breshërive të plumbave e rafaleve të automatikëve, mes topave dhe tankeve, mes shtetrrethimeve të hekurta e plojës së gjakut: Ëndërr Lirie.

NEWBORN, një Këngë e Re, një Shpresë e Re, një Ditë e Re. Një tufë lulesh e një grusht lotësh, një grusht pëllumabsh në ndërrim motesh.

NEWBORN, vie veshur me petkun e lirisë së pritur aq gjat, me Diellin buzëqeshur vie. E mbi të bie dyvargëshi i lirikës popullore me perlat e saj të papërsëritura:

Vetëtimat dhe rrufetë, hodhën zjarre e hodhën gurë,

Male t’larta hapin rrugën, po vijnë krushqit me Flamur!

NEWBORN. Konstantini i Vogëlth e mbajti Fjalën. E dha përgjigjen që mblidhej nyje si vetë nyja gordiane në kapërcyell të shekujve, që shtohej herë si pikëpyetje e herë si pikëçuditëse: Kush e solli Doruntinën?! Konstantini sfidoi vdekjen, errësirën e honeve të shekujve, çau dërrasat e varrit e në Krye-Termopilet e Lirisë së Shqipërisë, në Prekaz i ra Trumpetës së Krujës, ashtu siç i pat ra edhe në Prizeren – pas pesëqind vjet robërie. Legjenda e Krushqve të Ngrirë foli me Zë Gjaku. Tumullat Ilire mbinë sërish në Tokën e të Parëve e Toka Bujare e Gjakut foli me Zë Përjetësie.

NEWBORN, Zog Zë – Ëmbël e Zog Dielli: Liria. Gushëkuq me Trëndafila: Flamuri. Ëndërr e Shamibardhave që Puthin Mermerin. Ëndërr e Bardhë si e Nënë Zahides e si e Lokemadhes Ajshe Gërvalla. Shami të Bardha që nga Majat e Larta të Bjeshkëve, si Himnet më Madhështore të Paqes dhe të Përjetësisë, Mesazhe Zemërbardhash i çuan Qiellit të Përflakur.

NEWBORN, ose: U BËFTË DRITË!

NEWBORN, ose: U BËFTË ARBËR!

NEWBORN, ose: U BËFTË PËRJETËSI!

NEWBORN, ose siç e pat thënë Pjetër Budi:

QOFTË PËR TË MIRËN E DHEUT TË ARBËRIT!

NEWBORN, ose siç e pat Pagëzuar Pjetër Bogdani:

VESHUR ME DIELL, MBATHUR ME HËNË!

NEWBORN, ose siç e shkroi Naimi, që sa bukur ka thënë, e pastë bekimin aty ku ka rënë: LUM KUSH TË RRONJË, TË TA SHOHË ZONJË!

NEWBORN, ose: NJË ZANUSHË FISNIKE NË TOKËN JETIKE.

NEWBORN, ose: BREZI I DIELLIT E BREZI I QIELLIT.

NEWBORN, ose KËNGË LIRIE E RRAHJET E ZEMRAVE ME NDIESITË E TYRE FISNIKE: MIJËVJEÇARËVE.

NEWBORN, ose KËNGA E ZEMRAVE DHE ETJA E SHPIRTRAVE SHTEGTARË QË NË GRANITIN E SHEKUJVE TË RËNËT BEKUAN ME QUMËSHTIN E GJIRIT, E QË ME DJEPAT: HERË TË LIDHUR PAS SHPINE, HERË NË PLUMBA PUSHKE, HERË NË BARIKADA E HERË NË BAJONETA, ZGJATNIN DUART E BARDHA SI SHAMITË E TYRE – DREJT QIELLIT, QË DIKUSH T’UA NDIENTE LUTJET, QË DIKUSH T’UA NDJIHTE KËNGËT:

NEWBORN!

NEWBORN: Në një hapësirë të një kronike që përkon aq shumë me Kronikë në Gur, që shëmbëllen aq shumë me kronikat e kujtimeve të Atdheut, shtruar si me kalldrëmet e gurta të Gjirokastrës, e ku bie vazhdimisht shi. Kronikë e një emisioni i cili sa përmallshëm, aq edhe përvajshëm hapet me tingujt e një muzike e cila si një ansambël monumental malesh sikur përkulet në nderim të shekujve, tek prekë zemrat e thekë shpirtat, me një sfond që ngjanë aq shumë me një Sofër të Madhe Lirie, e ku shtrohet me sa bujari po aq dhe me fisnikëri, dija dhe kultura, arti dhe letërsia, muzika dhe filmi, e ku shfletohet libri: herë si në një himn e herë si në një tempull për kulturën.

NEWBORN, në një hapësirë që ka një simbolikë aq të dyfishtë, sepse në të njëjtin vend mblidhen gëzimet e zemrave në pranverat e kombit në pragun e tyre, dhe gëzimet e njerëzve për Festën e Librit. Në sfondin që pritet të merr petkun e ri të Festës së Pavarësisë së Kosovës, shkallët prapa Obeliskut çojnë tek vendi ku mbahet çdo vit Panairi i Librit. Ndërsa të përbashkët kanë aureolën e kaltërt që si një këmishë e bukur rri e veshur me pulla yjesh. Të përbashkët kanë bardhësinë e rrobes që shëmbëllen me shpirtin, parathënien e të cilit, si në një poemë madhështore ku çdo gjë ka ritmin që ngjanë aq shumë me Urdhërat e Veprimit Hyjnor, e tha Pjetër Bogdani:

VESHUR ME DIELL, MBATHUR ME HËNË.

Dhe Zëri që prekë zemrat, që ngjallë shpirtat, Zëri që vie si Një Bekim prej Zoti:

NEWBORN!

NEWBORN:

GJIRI I GRIRË ME THIKA! OBELISKU KU KTHEHEN PËR TË FESTUAR EDHE SHPIRTAT SHTEGTARË TË TË HUMBURVE, TË TË ZHDUKURVE E TË PAGJETURVE!

NEWBORN:

ATA KTHEHEN SEPESE ASGJË NUK MUND TA NDALË KTHIMIN E TYRE NGA SHTEGTIMI I GJATË!

ATA KTHEHEN SEPSE ASGJË NUK MUND T’UA MOHOJË ATYRE TË DREJTËN DEMOKRATIKE, TË LIGJSHME, TË NATYRSHME DHE PSE JO: TË PERËNDISHME, E TË PAGËZUAR NË MËNYRË AQ SIMBOLIKE.

ATA KTHEHEN NË TOKËN QË I LINDI E I RRITI, SEPSE ATA JANË GJAK NGA GJAKU YNË, SY NGA SYTË E TANË, MISH NGA MISHI YNË.

NEWBORN: ‘RRON TEK KOSOVARJA, NËNA E DYMBËDHJETËS, SIÇ JETON DHE SHPATA BRENDA BAJONETËS’…

Zëri i Zemrave e Zëri i Shekujve, Zëri i Brezave të Gjeneratave të Shqiptarëve Atdhetarë, Zëri i Breznive Orëmira, që si një Simfoni Hyjnore përhapet hapësirës së Shqipes Dykrenore:

Gushëkuq me Trëndafila!

Nëpër vite e nëpër mote, paç gëzim sa zemra jote:

NEWBORN…

Zëri i Zemrës si Zëri i Vaçe Zelës:

Rrjedhin Këngë e Ligjërime…

E ku ka si Ti, ku ka më bukur se Ti, O SHQIPËRIA IME!?



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora