| E marte, 19.02.2013, 10:42 PM |
NEWBORN
Nga Xhemail Peci
Të premten,
më 15 shkurt 2013, nëpërmjet valëve të programit satelitor, në një rubrikë sa
të pritur, po aq edhe të qëlluar, në emisionin KULT, një hapësirë e merituar iu
kushtua Simbolit me të cilin është njëjtësuar pavarësia, paqja dhe ardhmëria
jonë.
Këtë radhë
NEWBORN u shfaq në plotni si një Obleisk Madhështor, që mëtonte të nderonte, sa
Liberatorët, po aq edhe Ideatorët e Organizatorët, që Ai të veshte petkat e
reja solemne, e që do të jenë Flamujt e Kombeve Liridashëse, të cilat duke bërë
pjesë në Koncertin e Demokracisë Perëndimore, e kanë pranuar Kosovën si shtet
dhe se e kanë respektuar kështu të drejtën legjitime, sa të natyrshme po aq
edhe demokratike, të një populli të përgjakur e të përvuajtur aq shumë, që ai
të vendosi vetë për ardhmërinë e tij dhe të brezave që do të vjnë.
Në të
vërtetë shumëçka ngjante me një paralajmërim që shëmbëllen aq fort me një
ceremoni të denjë shtetërore. Së pari e Kuqja Flamurshpalosur vinte si një
Zjarr Përcëllues e të cilën breza dhe
gjenerata të tëra të shqiptarëve atdhetarë, që prej Ilirisë e deri tek Fisnikët
e Arbërisë dhe tek Feniksët e Lirisë sonë, e lanë me gjakun më të kulluar të
Breznive Orëmira.
E Kuqja
Flamurshpalosur përmes flamujve të shumtë që valviteshin në ajri, sikur
shfletonte kujtimet e mahnitshme të përpjekjeve dhe të sakrificave mbinjërezore
që Liria të vinte.
E Kuqja
Flamurshpalosur, në palët e saj ngriste drejt kaltërsive të qiellit të lirë,
epopenë e luftërave liridashëse ku u derdhen lumenj gjaku, e ku trualli i
shqipes mbeti një djep vullkani, në të cilin Levendët e Lirisë e ternin barutin
dhe prisnin ta ndiznin sa të vinte Ora e Madhe e Motit të Madh.
Shpalosja
e palëve të Flamurit, sikur shpaloste edhe kujtimet për te: Ai Flamur, më i
vjetri dhe më i drejti, siç shkruante Faik Konica, Princi i Hijshëm i Gjuhës
Shqipe e Kalorës i Letrave dhe Arteve, Aristokrati Kuqezi që Shqipërinë e donte
të përparuar e të lulëzuar, prandaj nga pluhuri i bibiotekave të Europës; Faik
Konica e nxorri ate dhe i foli kujtesës së bjerrur të Europës, duke i thënë se
jo vetëm një herë ne i kemi larë me gjakun tonë më të mirë fletët e historisë
së saj.
E Kuqja
Flamurshpalosur na kujton Krye-Vargun e Poetit të Himnin Kombëtar, Aleksandër
Stavri Drenova – Asdrenit: Rreth Flamurit të përbashkuar, me një dëshirë e një
qëllim. Na e kujton Vargun e Lasgushit: Një shqiponjë e arratisur fluturon! Por
edhe Krye – Vargun e Gjakut, që Krye – Poeti Ali Podrimja e la si një Firmament
të Përgjakur të Shqiptarëve ndër Shekuj: Kosova – Gjaku im që nuk falet! E
Kuqja Flamurshpalosur, na e kujton përmbledhjen poetike të shkrimtarit Ismail
Kadare: Shqiponjat fluturojnë lart…
Një
histori e tërë e një kombi të lashtë, e shkruar me vargje poetësh, të cilët
mishërojnë në majat e artit të tyre, ëndrrën e një kombi të tërë, duke
rrezatuar dritë, kulturë, paqe dhe dije.
Një
kronikë që shpalos kujtimet e shumta të rrugës së gjatë dhe të mundimshme për
të ardhur deri këtu. NEWBORN – një ëndërr e re dhe një shpresë e re. Gushëkuq
me trëndafila, të cilit Fan Noli, ky Marathonomak që në Portat e Mëdha të Letrave
Shqipe, Thërret me Zemrën që i pikon Gjak: PËRLINDJA SHPIRTIN DHE FUQINË! Pa
dyshim, një Himn që Noli na e la me përmasat e njëjtë të Simfonisë Hyjnore të
Ludvig Van Bethovenit.
NEWBORN.
Një ëndërr të cilën e plagosën aq shumë dhe deshtën ta vrisnin aq shumë, sa
mizorisht, po aq edhe padrejtësisht, sa egërsisht po aq edhe barbarisht.
NEWBORN,
një këngë të cilën donin ta këpusnin në gjysmë, një Djep që Përkundte Ëndrra
Lirie e që i ngrenin kurthe e prita, që i bënin atentate e masakra, gjenocid,
shfarosje, ekzod biblik!
NEWBORN,
nga shtigje lufte e në shtigje paqeje, nga prita në pritë e nga kurtha në
kurthë, mes breshërive të plumbave e rafaleve të automatikëve, mes topave dhe
tankeve, mes shtetrrethimeve të hekurta e plojës së gjakut: Ëndërr Lirie.
NEWBORN,
një Këngë e Re, një Shpresë e Re, një Ditë e Re. Një tufë lulesh e një grusht
lotësh, një grusht pëllumabsh në ndërrim motesh.
NEWBORN,
vie veshur me petkun e lirisë së pritur aq gjat, me Diellin buzëqeshur vie. E
mbi të bie dyvargëshi i lirikës popullore me perlat e saj të papërsëritura:
Vetëtimat
dhe rrufetë, hodhën zjarre e hodhën gurë,
Male
t’larta hapin rrugën, po vijnë krushqit me Flamur!
NEWBORN.
Konstantini i Vogëlth e mbajti Fjalën. E dha përgjigjen që mblidhej nyje si
vetë nyja gordiane në kapërcyell të shekujve, që shtohej herë si pikëpyetje e
herë si pikëçuditëse: Kush e solli Doruntinën?! Konstantini sfidoi vdekjen, errësirën
e honeve të shekujve, çau dërrasat e varrit e në Krye-Termopilet e Lirisë së
Shqipërisë, në Prekaz i ra Trumpetës së Krujës, ashtu siç i pat ra edhe në
Prizeren – pas pesëqind vjet robërie. Legjenda e Krushqve të Ngrirë foli me Zë
Gjaku. Tumullat Ilire mbinë sërish në Tokën e të Parëve e Toka Bujare e Gjakut
foli me Zë Përjetësie.
NEWBORN,
Zog Zë – Ëmbël e Zog Dielli: Liria. Gushëkuq me Trëndafila: Flamuri. Ëndërr e
Shamibardhave që Puthin Mermerin. Ëndërr e Bardhë si e Nënë Zahides e si e
Lokemadhes Ajshe Gërvalla. Shami të Bardha që nga Majat e Larta të Bjeshkëve,
si Himnet më Madhështore të Paqes dhe të Përjetësisë, Mesazhe Zemërbardhash i
çuan Qiellit të Përflakur.
NEWBORN,
ose: U BËFTË DRITË!
NEWBORN,
ose: U BËFTË ARBËR!
NEWBORN,
ose: U BËFTË PËRJETËSI!
NEWBORN,
ose siç e pat thënë Pjetër Budi:
QOFTË PËR
TË MIRËN E DHEUT TË ARBËRIT!
NEWBORN,
ose siç e pat Pagëzuar Pjetër Bogdani:
VESHUR ME
DIELL, MBATHUR ME HËNË!
NEWBORN,
ose siç e shkroi Naimi, që sa bukur ka thënë, e pastë bekimin aty ku ka rënë:
LUM KUSH TË RRONJË, TË TA SHOHË ZONJË!
NEWBORN,
ose: NJË ZANUSHË FISNIKE NË TOKËN JETIKE.
NEWBORN,
ose: BREZI I DIELLIT E BREZI I QIELLIT.
NEWBORN,
ose KËNGË LIRIE E RRAHJET E ZEMRAVE ME NDIESITË E TYRE FISNIKE: MIJËVJEÇARËVE.
NEWBORN,
ose KËNGA E ZEMRAVE DHE ETJA E SHPIRTRAVE SHTEGTARË QË NË GRANITIN E SHEKUJVE
TË RËNËT BEKUAN ME QUMËSHTIN E GJIRIT, E QË ME DJEPAT: HERË TË LIDHUR PAS
SHPINE, HERË NË PLUMBA PUSHKE, HERË NË BARIKADA E HERË NË BAJONETA, ZGJATNIN
DUART E BARDHA SI SHAMITË E TYRE – DREJT QIELLIT, QË DIKUSH T’UA NDIENTE
LUTJET, QË DIKUSH T’UA NDJIHTE KËNGËT:
NEWBORN!
NEWBORN:
Në një hapësirë të një kronike që përkon aq shumë me Kronikë në Gur, që
shëmbëllen aq shumë me kronikat e kujtimeve të Atdheut, shtruar si me
kalldrëmet e gurta të Gjirokastrës, e ku bie vazhdimisht shi. Kronikë e një
emisioni i cili sa përmallshëm, aq edhe përvajshëm hapet me tingujt e një
muzike e cila si një ansambël monumental malesh sikur përkulet në nderim të
shekujve, tek prekë zemrat e thekë shpirtat, me një sfond që ngjanë aq shumë me
një Sofër të Madhe Lirie, e ku shtrohet me sa bujari po aq dhe me fisnikëri,
dija dhe kultura, arti dhe letërsia, muzika dhe filmi, e ku shfletohet libri:
herë si në një himn e herë si në një tempull për kulturën.
NEWBORN,
në një hapësirë që ka një simbolikë aq të dyfishtë, sepse në të njëjtin vend
mblidhen gëzimet e zemrave në pranverat e kombit në pragun e tyre, dhe gëzimet
e njerëzve për Festën e Librit. Në sfondin që pritet të merr petkun e ri të
Festës së Pavarësisë së Kosovës, shkallët prapa Obeliskut çojnë tek vendi ku
mbahet çdo vit Panairi i Librit. Ndërsa të përbashkët kanë aureolën e kaltërt
që si një këmishë e bukur rri e veshur me pulla yjesh. Të përbashkët kanë
bardhësinë e rrobes që shëmbëllen me shpirtin, parathënien e të cilit, si në
një poemë madhështore ku çdo gjë ka ritmin që ngjanë aq shumë me Urdhërat e
Veprimit Hyjnor, e tha Pjetër Bogdani:
VESHUR ME
DIELL, MBATHUR ME HËNË.
Dhe Zëri
që prekë zemrat, që ngjallë shpirtat, Zëri që vie si Një Bekim prej Zoti:
NEWBORN!
NEWBORN:
GJIRI I
GRIRË ME THIKA! OBELISKU KU KTHEHEN PËR TË FESTUAR EDHE SHPIRTAT SHTEGTARË TË
TË HUMBURVE, TË TË ZHDUKURVE E TË PAGJETURVE!
NEWBORN:
ATA
KTHEHEN SEPESE ASGJË NUK MUND TA NDALË KTHIMIN E TYRE NGA SHTEGTIMI I GJATË!
ATA
KTHEHEN SEPSE ASGJË NUK MUND T’UA MOHOJË ATYRE TË DREJTËN DEMOKRATIKE, TË
LIGJSHME, TË NATYRSHME DHE PSE JO: TË PERËNDISHME, E TË PAGËZUAR NË MËNYRË AQ
SIMBOLIKE.
ATA
KTHEHEN NË TOKËN QË I LINDI E I RRITI, SEPSE ATA JANË GJAK NGA GJAKU YNË, SY
NGA SYTË E TANË, MISH NGA MISHI YNË.
NEWBORN:
‘RRON TEK KOSOVARJA, NËNA E DYMBËDHJETËS, SIÇ JETON DHE SHPATA BRENDA
BAJONETËS’…
Zëri i
Zemrave e Zëri i Shekujve, Zëri i Brezave të Gjeneratave të Shqiptarëve
Atdhetarë, Zëri i Breznive Orëmira, që si një Simfoni Hyjnore përhapet
hapësirës së Shqipes Dykrenore:
Gushëkuq
me Trëndafila!
Nëpër
vite e nëpër mote, paç gëzim sa zemra jote:
NEWBORN…
Zëri i
Zemrës si Zëri i Vaçe Zelës:
Rrjedhin
Këngë e Ligjërime…
E ku ka si Ti, ku ka më bukur se Ti, O SHQIPËRIA IME!?