Kulturë
Ylli Polovina: Një bust i Skënderbeut ...
E marte, 19.02.2013, 07:52 PM
Një bust
i Skënderbeut, si një gjest i kombëtarizmit
Nga Ylli Polovina
Mesazhi i
fundit i arbëreshit Antonio Franko Mirakos, drejtor i bibliotekës në Santa
Sofia, përmban këto fjalë: “Ditë më parë erdhën këtu nga Tirana, bashkë me
gratë e tyre, dy turistë. Njëri ishte inxhinier dhe tjetri profesor. Shëtitën
të gjitha rrugët, kishat, portalet e gurta, muzeun, bibliotekën…qe një ditë e
ngrohtë, plot diell…dukej si pranverë.
Pasi u
thashë se këtu jeton një bashkësi e bukur shqiptarësh të hershëm etj., etj., më
pyetën nëse në atë vendbanim të përsosur mungonte ndonjë gjë. Mendueshëm u
përgjigja se mungonte një bust i Skënderbeut. Ata u shtangën. Po si është e
mundur, pyetën në një gojë. Është një histori tepër e gjatë, u thashë, por
gjithsesi jemi duke e menduar…”
Në të
vërtetë është një histori tepër e gjatë, me vite, në të cilën mund të gjesh në
formën më të pastër dëshminë se si ne shqiptarët e viteve dymijë, si dy shtete
e një komb, si etni dhe shoqëri, i kemi lënë pasdore arbëreshët. Autori i këtij
shkrimi e di se kjo e thënë, publikisht aspak e para herë për të, do të
irritojë ndonjë apo disa. Megjithatë, duke shpresuar se do të gjenden
bashkëkombës të arsyeshëm, sipërmarrës të kultivuar dhe atdhetarë, shoqata të
mençura apo qeveritarë që i kuptojnë mesazhet e kohës dhe simbolikat e saj, i
fton të kryejnë një akt të thjeshtë dhe kuptimplotë patriotizmi: të dhurojnë
një bust të Gjergj Kastriotit për qytezën arbëreshe të Santa Sofisë. Komuna e saj
e vogël ka fonde vetëm për rregullimin e sheshit, prej kohësh i caktuar. Për
piedestalin po ashtu. Por Skënderbeu duhet të vijë nga atdheu mëmë: Shqipëria.
I ardhur prej këtej nuk është ndihmë financiare, fond, monedhë, llogari bankare
apo një çek modest. Është kryemesazh. Gjergj Kastrioti vetëm në Arbëri, te
bashkëkombësit tanë në Itali, i ka jetuar të plota në kujtesën kombëtare të
gjitha ditët, vitet dhe shekujt e tij. Në anët tona, për njëmijë arsye,
veçanërisht prej censurës së rëndë që iu bë nga perandoria osmane, shkoi gjer
në kufijtë e harrimit. E ringjalli Rilindja dhe Europa. Kjo e fundit e risolli
në qendër të lëvizjes nacionaliste shqiptare për pavarësim. Ky mision i madh i
inkurajimit të frymës tonë kombëtariste u krye dhe ia doli mbanë edhe në sajë
të arbëreshëve, përpjekjes së tyre për ta mbajtur gjallë Skënderbeun si
luftëtar të qytetërimit perëndimor.
Që ishte
mesazh i madh atdhetarie dhe përkatësie të përbashkët e dinte edhe diktatura që
kaluam, madje edhe vetë shumë i kritikueshmi Enver Hoxha. Kur ai drejtonte
Shqipërinë është kryer gjesti i vetëm deri tani, i dhurimit të njëzetë busteve
të Skënderbeut në shumicën e vendbanimeve arbëreshe. Janë ende atje,
mbresëlënës, të paheqshëm, edhe pse në Tiranë, me të drejtë, shtatorja
arrogante e nismëtarit të këtij gjesti të bukur, u shemb dhe në vend të tij ka
një lulishte çlodhëse për kalimtarët. Nuk është përsëritur më një veprim i
tillë i dobishëm nga pas nëntëdhjeta, për plot njëzetë e dy vite.
Po përse
duhet dërguar ky bust pikërisht në Santa Sofia? Aspak, sepse atje mungon, porse
sepse atje duhet të jetë.
Kjo
qytezë është vetë një simbol i shpirtit arbëresh, një nga bashkësitë më
përfaqësuese të shqiptarizmit. Në rast se diku gjallohet e lëvrin ndonjë
paragjykim ndaj etnisë sonë (“albanofobi” kanë filluar t’i thonë, por kërkon
shumë kujdes kur e mëshon si dukuri ballkanike) Santa Sofia d’Epiro, ndërtuar
mbi kodrinat në afërsi të lumit Crati, në Kalabri, është një shembull si të
paktën kemi qenë pesë e gjashtë shekuj më parë. Po ta vizitosh këtë vend vëre
se shumë shtëpi të saj duken si të ngjyrosura me diell. Atë e përshkojnë mes
për mes dy përrenj dhe ka 29 kroje. Nga banorët fjala shqiptohet saktësisht
“Kroj”. Kështu në Santa Sofia d’Epiro ndodhet Kroj i Bukur, Kroj Kaciqit, Kroj
i Malit. Ka edhe Kroi Piu (pi ujë kroji).
Në Santa
Sofia d’Epiro mund të kuptosh sa racë e bukur fizike janë shqiptarët. Banorët e
këtushëm mendojnë se fytyra e tyre ka formë ëmbëlsisht të rrumbullakët dhe
ndryshe nga kalabrezët, krahina ku prej shekujsh banojnë, nuk janë me lëkurë
disi të ngjyrosur në kafen e njohur të italianëve të jugut, por krejtësisht të
bardhë, plot rrëzëllim. Ndërkohë flokët, arbëreshët e Santa Sofisë i kanë të
gështenjtë të errët, ngjyrë që u fërgëllon edhe në sy. Sofiotët janë të
vetëdijshëm se kjo pamje e pangjashme me të tjerët u dëshmon gjallëri dhe
inteligjencë. Ndërkohë ata pohojnë se vërtet nga bashkëjetesa me italianët
arbëreshët i kanë modifikuar tiparet e kahershme me pamje luftarake dhe
kryelartësi, por megjithatë ende e ruajnë shumë dukshëm karakterin krenar.
Sipas tyre, shqiptarët janë punëtorë dhe fitimtarë në çdo sipërmarrje, përherë
në kërkim të një fati më të mirë dhe jete ekonomikisht më të mirëqenë, janë
mikpritës dhe bujarë, dinë të ruajnë zakonet familjare dhe traditën. Sofiotët
shkojnë edhe më tej: thonë se mes arbëreshëve përherë lindin njerëz me shpirt
të befasishëm krijues. Temperamente poetike janë: në këtë qytezë ka një grup
folklorik, i cili quhet “Avulli”. Studiuesit e Shën Sofisë dhe të shqiptarizmit
të saj të paepur, të mbrojtur me kryelartësi etnike, me një lloj nacionalizmi
të ndezur, por edhe me finesë e sqimë aristokratike, dëshmojnë se në traditën e
shtëpive ka qenë vendosja në ballë të tyre, sipër harqeve të portave, të
stemave ushtarake të legjioneve ku kanë marrë pjesë në motin e tyre heroik të
rezistencës ndaj pushtimit osman. Këtë shenjë krenarie ndonjë banesë sofiote e
ka ende.
Një gjë
tjetër prekëse: në ëebsite-n e Komunës së Shën Sofisë, dukshëm vendosur,
ndodhen edhe vargjet naimjane “O malet e Shqipërisë dhe ju, o lisat e gjatë,
fushat e gjëra me lule q’ju kam ndër mend ditë e natë…”. Pastaj: “Shqipëri, o
mëma ime, ndonëse jam i mërguar, dashurinë tënde kurrë zemra ime s’ka për ta
harruar. Kur dëgjon zëthin e s’ëmës, qysh e lë qengji kopenë, blegërin dy a tri
herë edhe ikën e merr dhenë”. Santa Sofia d’Epiro është katundi bashkëkombës ku
identiteti mbrohet me forcën e artit. Në qendër të tij ka një monument shumë
origjinal, me autor italianin, Anxhelo Alixha (Angelo Aligia). Quhet
“Shqiptarët e Italisë“.. Është një rruzull gjysmë i mbështjellë me gurë, tamam si të jetë një
meteor i rënë nga ndonjë galaktikë apo ardhur aty, nëpërmjet qiellit, prej
andej bregut detar, ku janë viset tona historike. Në një pllakë metalike,
shkruar në dy gjuhë, arbërisht dhe italisht, janë vendosur vargjet e këngës së
njohur, himnit të arbëreshëve, “Moj e bukura Moré” (“Moj e bukura Moré,
Si të lë
u më nëng të pe si të le. Si të le, si të le u më nëng të pe. Atje ku kam u
zotin Tatë, Atje ku kam zonjin Mëmë, Atje kam edhe t’im vëlla gjithë mbuluar,
Gjithë mbuluar, gjithë mbuluar nën atë dhe…”.
Ja pse këtu, si një mesazh i vërtetë kombëtarist, duhet të shkojë nga Tirana, pse jo edhe nga Prishtina (cili kryeqytet të jetë më pak retoriku dhe më shumë realizuesi), një bust i Skënderbeut në Santa Sofia. Jo për të nxitur apo lënduar ndonjë sedër shtetari, qeverisësi, deputeti, kryetari partie apo drejtues institucioni të rëndësishëm, i bëjmë të ditur opinionit publik se në një katund të famshëm të Arbërisë, Çivita, ka një gjysmështatore të Gjergj Kastriotit, nismë presidenciale e disa viteve më parë. Por ajo që është më prekëse, në një rast, edhe prej një bashkie qyteti shqiptar: Lushnja.