Kulturë
Lumo Kolleshi: Midis fabulës dhe ninullave
E diele, 17.02.2013, 12:00 PM
Midis
fabulës dhe ninullave
Letërsia
për fëmijë dhe, për më tepër, ajo që i drejtohet moshës parashkollore, ka diçka
të përbashkët nga Penelopa e Odiseut dhe endja e pëlhurës së mundimshme. Ajo
kërkon të hysh në një botë sa të qelqtë e të pastër, siç është në vetvete bora
e fëmijës, por dhe të rrokësh ashtu si bleta nëpër lule nektarin e dëshirave të
tyre. Kjo letërsi, e sendërtuar në formën e poezisë, kërkon të qëndrosh aty
midis ninullave dhe fabulave, kështu dhe depërtimi i saj te kjo moshë do të
jetë po aq i mjaftueshëm sa dhe qumështi amnor apo rrëfimi i ngrohtë e i
shtruar i gjysheve të dhembshura. Në këtë parantezë besoj se qëndron krejt
arkitektura e librit më të ri “Krahët e fluturës” të autorit Nehat Jahiu.
Si nga
motivet që ka përzgjedhur autori, si nga figuracioni dhe teknikaliteti i
kompozimit (gati secila nga poezitë nuk i kalon tri strofat), i gjithë libri
përshkohet nga një dialogim i besueshëm i poetit (porosidhënësi) dhe botës
kureshtare të fëmijës (porosimarrësi).
Libri në fjalë mbetet një përpjekje e suksesshme e autorit për të përmbushur modestisht atë vakum shpirtëror që mbizotëron kohën të cilën jetojmë dhe vet boshllëkun që përjeton letërsia e sotme për fëmijë.