Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: 5 vjetori i Pavarësisë së Kosovës
E premte, 15.02.2013, 08:43 PM
P o e z i
Sejdi BERISHA:
EDHE NJË GRIMË DIELL ENDE TË MUNGON...!
(Në pesë vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës)
1.
Kur u linda
Në etje drite të hasa
Kur u bëra kalama
Në bebëza të syrit të vura
Çun kur u bëra
Në lotin e nënës të takova
Në tytë pushke
Babai si vrojtim të kishte vënë
Pak më vonë
Në këngë e bisedë odash
Me Ty, Kosovë u mishërova
Kur dridhja e telave të çiftelisë
Shpirtin ma çonte peshë
Ty, oj toka ime
Në udhëkryq shekullor të shihja
Atëherë mendoja
Çfarë ekuacioni mund të gjendet
Rrugën e lumturisë për ta gjetur
2.
Burrë kur u bëra
Kosovë...
I tëri isha bërë shoshë
Nga goditjet e kohërave në Ty
Atëherë
Shumë plagë m’u hapen
Dhe cilën ta shëroja më parë
Terrin e shtypjen e atdheut
Tradhtinë e pabesinë
Robërinë ta luftoja
Apo retë e zeza
Kaltërsive tuaja për t’ia larguar
Ose rrugëtimin
Në pergamenë për ta shkruar
E, harresën për ta mallkuar
3.
Të gjithë këta xhevahir
Madhështinë dhe durimin ma dhuruan
Dhe, bashkë ecnim
Edhe me laps
Edhe me letër
Kurse me gjak
Krenarinë e tokës e ledhatonim
Çfarë shenjtërie ëndrra e lirisë
E Ty, Kosovë
Edhe një grimë diell
Ende të mungon
4.
Dua të kthehem nga e para:
Sërish të lindem
Dhe sërish Kosovë
Në dritë të të hasë
Se...
Dritën tënde të plotë e dua
Sepse ajo hënës së plotë i ngjanë
E të gjitha ëndrrat i trazon
Për të mos harruar
Përrallat i rinon
Dhe për të ecur
Me shikim thikë përpjetë
Se pesë vite janë bërë
Lirshëm duke ecur
S’mund të them edhe nëpër therra
5.
Oj, Kosovë
Po sa shumë të ka hije madhështia
Që me shekuj të është mohuar...
6.
Kosovë, moj...
Urime
Dhe, pas këtij urimi
Nuk dua të them
Se në udhëkryq po të lë
Ti je toka ime
Të tërën në parzma të mbaj
Askujt hise nuk i lë
Ti, copë e atdheut
Që nuk të lë si arnë
Nëse dikush
Të tillë të konsideron...