E hene, 05.05.2025, 01:32 PM (GMT+1)

Kulturë

Xhemail Peci: Arieta Seferaj dhe Panteoni në të cilin u nderuar Uilsoni

E enjte, 14.02.2013, 07:00 PM


ARIETA SEFERAJ DHE PANTEONI NË TË CILIN U NDERUA UILSONI

Nga Xhemail Peci

Arieta Seferaj është gazetarja me një individualitet të theksuar origjinal në fushën e gazetarisë, të cilën ajo e ka formuar si pasojë e një përvoje të pasur profesionale, e cila shpaloset aq qartë dhe me aq elegancë si një kombinim aq i natyrshëm i një logjike të fortë juridike, por edhe i një kulture të pasur me sfonde letrare.

Duke përgatitur rubrikën për librat e rinj, e nëpërmjet këtij prizmi edhe duke zhvilluar biseda me autorë të profileve të ndryshme, gazetarja Arieta Seferaj e ka hapur një dritare të re në emisionin KULT, të cilin së bashku me gazetaren Lumira Kelmendi, me përkushtimin dhe me profesionalizmin e tyre të veçantë, e kanë ngritur në një Himn për Librin shqip, por edhe kanë sjellur një stad të ri ku kultura shqiptare merr frymë: sa lirshëm, po aq edhe natyrshëm.

Në rubrikën e librit që kishte për qëllim të nderonte Presidentin Uilson, nëpërmjet bisedës me autorin Arbër Hadri, gazetarja Arieta Seferaj përmes hapësirës së emisionit KULT, e dëshmoi qasjen e saj profesionale duke folur me kompetencë rreth librit, por edhe me aq elokuencë rreth personalitetit historik të Presidentit Uilson.

‘Presidenti Villson dhe Çështja Shqiptare, është libri me autor Arbër Hadrin, i cili nëpërmjet dokumenteve historiografike sjell periodizimin e marrëdhënieve diplomatike në mes të shtetit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e ndërlidhur me tre momente vendimtare në historinë njëqindvjeçare të shtet-formimit shqiptar’. Kështu do ta fillonte bisedën e saj gazetarja Arieta Seferaj me studiuesin Arbër Hadri, duke vënë në pah ‘përvojat dhe praktikat e reja’ që autori ka sjellur në librin e tij.

Duke e shoqëruar bisedën me fotografi nga libri, me të cilat ilustrohej sa argumenti po aq edhe sfondi i bisedës, autorja e rubrikës me të cilën ajo është identifikuar në përkushtimin për prezentimin dhe shfletimin e librit të ri, ia dha mundësinë autorit të librit që në mënyrë të thukët të vinte në dukje ‘proceset historike në përcaktimin e shtetit shqiptar’, si dhe sfidat e ndeshtrashat e shumta që e shoqëruan ate.

Në ndërkohë që autori i librit flise sa me zotësi po aq edhe me pietet për rolin e pamohueshëm të Uilsonit, duke nënvizuar ‘qëndrimin e politikës amerikane’ si dhe ‘proceset e vështira historike nëpër të cilat po kalonte shteti shqiptar’, duke e sintetizuar përmbajtjen e librit i cili shtjellon ‘në vija të detajuara evoluimin e çështjes shqiptare’, tok me ‘pranimin e Shqipërisë në Ligën e Kombeve dhe nga shteti amerikan’ – në mënyrë ‘që shteti shqiptar të mbijetojë’; gazetarja Arieta Seferaj ndërlidhej në mënyrë aq të natyrshme në bisedën të cilës i priu, duke i quajtur me të drejtë kapitujt e librit si ‘kapituj për sfidat që kishte pasur shteti shqiptar’, e që në të vërtetë e dëshmonte qartë seriozitetin në vlerësimin e një libri, në qasjen e një teme, në bisedën me një studiues, por edhe fare natyrshëm: Nderimin për Personalitetin e Presidentit Uilson.

Është meritë e pakontestueshme e studiuesit të përkushtuar Arbër Hadri, për të vlerësuar kontributin e Uilsonit, i cili ka lënë gjurmë në trajektoren historike e diplomatike të formimit të shtetit shqiptar, por është gjithashtu meritë e pamohuar e gazetares Arieta Seferaj, e cila nuk e la pa e çmuar një përpjekje të tillë serioze të vlerësimit e ri-vlerësimit të marrëdhënieve shqiptaro – amerikane, kur me taktin e të folurit elegant prej një gazetareje profesionale, e shpalosi faktin se autori i librit ka në projekt edhe katër vepra të tjera në fushën përkatëse, gjë që pa dyshim e begaton sfondin e studimeve për marrëdhëniet shqiptaro –amerikane.

Nuk ka dyshim se studiuesi Arbër Hadri me librin e tij ‘Presidenti Vilson dhe Çështja Shqiptare – Politika e SHBA-ve në Konferencën e Paqes në Paris 1919 - 1920’ jep një konribut të çmuar në këtë fushë, dhe se pas librave përkatës të studiueses Valentina Duka, të Haris Sillajxhiqit, të Leonard Demit, a të Mal Berishës (për Çarls Eriksonin në tre vëllime), e pasuron fondin përkatës dhe po aq të rëndësishëm.

Të mbrosh të vegjëlit e të mposhtësh kryelartët! Kështu qe shprehur njëri prej poetëve më të shuqar antik, Virgjili. Ky ishte edhe thelbi i politikës së Presidentit Uilson, i njohur gjithashtu për qëndrimin e tij se: ‘Amerika nuk kërkon asgjë për veten e saj, përpos të drejtës që ka për të kërkuar: në emër të vetë humanizmit’

E shqetësuar për fatet e Shqipërisë dhe të tërësisë së saj tokësore, Elena Gjika më 25 nëntor 1879 i shkruante Jeronim De Radës: ‘Zotëri…Lord Beaconsfield (Disraeli) mund të merrte në duart e tij më mirë se kushdo tjetër çështjen shqiptare në Berlin. Ai e ka vizituar këtë vend në kohën e rinisë së tij dhe bile ka shkruar edhe një biografi të Skëndërbeut. Por duket se një verbim hyjnor u ka errësuar sytë burrave të shtetit në atë kohë’.

Udrou Uilson nuk ishte Disraeli. Në prizmin e vlerësimit që ia ka bërë Fan Noli: ‘Uilsoni ishte orakulli i njerëzve të vuajtur. Si  lutës i përulur i thashë ta shpëtonte këtë racë heroike dhe të pashpresë…I shkëlqyeri dhe i shumëvuajturi President Uilson…Shqipëria një vend në të cilin u zhvilluan betejat më të ashpra e më të gjata në shekuj. Shqiptarët një racë e lashtë dhe mjaft premtuese…Ndjeva një lëmsh mallëngjimi në grykë dhe më rrotullonte në kokë një emër, që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare, emri i Presidentit Uilson…Amerika – Një Nënë Bujare që i ka dhënë botës Uilsonin’.

Për Princin e Gjuhës Shqipe - Faik Konicën: ‘Uilsoni ishte Një Lapidar Përjetësimi e si Një Profet Biblik…Shqipëria ishte dënuar me vdekje dhe dënimi do të duhej të zbatohej doemos. Po e papritura ngjau dhe kjo e papritur erdhi nga qëndrimi i Udrou Uilsonit…Ndërgjegja e Drejtësisë njohu Zërin e Madh, dhe u drodh nga gëzimi, se Uilsoni duke mbrojtur Shqipërinë nuk e mbronte një popull të vetëm, por mbronte gjithë popujt, mbronte parimin…Gjithë Shqipëria duhet t’i ngrejë Uilsonit një monument të pavdekur në zemrat e tyre’.

Zef Serembe, Ndre Mjedja, Fan Noli a Faik Konica, kanë lartësuar dhe kanë nderuar me të drejtë në shkrimet e tyre dhe në veprat e tyre: Uashingtonin, Amerikën dhe Uilsonin. Veçanërisht dy të parët, e kanë lartësuar figurën frymëzuese të Uashingtonit (‘I pavdekshëm, themelonjës kryesor i Atdheut federal amerikan të lirë, të përndritur e të fuqishëm, hero i njerëzimit në luftë, tepër i thjeshtë e famëmadh’ – siç shkruante poeti i madh romantik e po aq tragjik Zef Serembe, më 25 shkurt 1885 nga Nju – Jorku), apo siç do të shkruante Ndre Mjedja: ‘Të Lumtë, O Uashinton! U zhvillat qiella!..Ju lirinë keni, e na hekura kemi!’…

Si Zef Serembe, ashtu edhe Ndre Mjedja, si Faik Konica, ashtu edhe Fan Noli, përpiqeshin t’ua kthenin borxhin edhe poetit Henry Longfellow (i cili e kishte ftuar Elena Gjikën për një darkë duke i premtuar se do të shkruante një poemë për Skëndërbeun) dhe Çarls Eriksonit, të cilët kishin shkruar vargje pë Gjergj Kastriotin…

Si autori Arbër Hadri, ashtu edhe gazetarja Arieta Seferaj, i janë bashkuar një Nderimi të tillë, duke e vazhduar traditën në të cilën Nderimi është dëshmuar shpesh si një Shenjë e Shenjtë Qytetërimi.

Duke e sjellur në memorien tonë kolektive si komb, personalitetin e shquar të Presidentit të Nderuar Udrou Uilson, që të dy sikur donin të risillnin në mendjen tonë, pohimin e njohur të Nolit se ‘thonjtë e përgjakur të luajve të Versajes donin ta shqyenin prapë Shqipërinë’, dhe se mbi kurmin e Shqipërisë martire do të binin sërish vendimet arbitrare të Ansamblesë së Mjekrrave të Thinjura të Kongresit të Berlinit (të cilat as nuk pyetën drejtësinë e as historinë) sikur të mos ishte qëndrimi atdhetar i popullit shqiptar, lufta e tij heroike e cila e dëshmonte për të satën herë se dashuria për atdheun është ushtria më e fortë e një kombi, por edhe qëndrimi parimor i Presidentit Uilson.

Kapiteni Gjon Smith, themelues i Kolonisë së Virxhnias, më 1607 ishte shprehur se: ‘Qielli kurrë nuk ishte marrë vesh aq mirë me tokën, për t’i bërë vend njeriut për të jetuar’.

Gazetarja Arieta Seferaj me individualitein e saj origjinal ku bashkëbiseduesit i jipet - dhe nuk i ndërpritet fjala, ku filli i bisedës dhe përmbajtja e saj përcillen me një vëmendje aq të hollë, ku qartësinë e mendimit e shquan mprehtësia e gjykimit, me një përzgjedhje aq të qëlluar fjalësh, me një ligjërim sa elegant e po aq edhe të kulturuar, me një horizont dituror që me pak fjalë thotë aq shumë, është shprehur aq bukur dhe në mënyrë aq kuptimplote, me aq pietet dhe me po aq afinitet:

‘FAKTET TREGOJNË SE ME TË DREJTË, PRESIDENTI UILSON ËSHTË RENDITUR NË PANTEONIN E HISTORISË SHQIPTARE. KY ËSHTË PRESIDENTI UILSON, KONTRIBUTI I TIJ DIPLOMATIK QË SHQIPËRIA GËZON SOT KËTË INTEGRITET TERRITORIAL’.

Një thurje e tillë mendimi (e që s’do mend se fillet e formimit të tij i ka edhe në shkollën që e mbanë emrin Gjergj Katrioti, në një qytet ku jo rastësisht Ciceroni i kalonte pushimet verore – në Durrës), një ndërthurje e tillë bashkëbisedimi – sa me autorin po aq edhe me historinë, një renditje e tillë fjalësh, më kujton një thënie shumë të rrallë nga një libër po aq i lashtë (Anguttara Nikaya, Pjesa 1, XII, fq. 22):

‘Një Qenie e jashtëzakonshme, një Njeri i jashtëzakonshëm shfaqet në këtë botë për të mirën e shumicës, nga dhimbshuria që ka për botën, për të mirën, përfitimin dhe lumturinë e zotave dhe të njerëzve. Kush është ky Njeri i veçantë? Është Tagatha, I Ngazëllyeri e I Gjithë-Ndrituri’…

Udrou Uilson dhe Panteoni i Historisë Shqiptare (ku Presidenti Uilson është: Pararendësi i Presidentit Uilliam Xheferson Bill Klinton), që për autor të librit ka Arbër Hadrin, dhe që për autore të rubrikës e ka Arieta Seferajn – një gazetare të cilës nuk i mungon qartësia transparente dhe po aq lapidare e fjalës, e për të cilën Bajroni ka thënë me aq të drejtë, se kur përdoret me vend, bukur dhe hijshëm, fjala e ka fuqinë e një perandorie.

Sikur gazetarja Arieta Seferaj të kishte më shumë hapësirë, sigurisht që në një tryezë ku do të ftoheshin për të debatuar në fushën fisnike të mendjes dhe të dijes, edhe studiues të tjerë të marrëdhënieve shqiptaro – amerikane, ajo do ta udhëhiqte me po aq kompetencë dhe me po aq përkushtim edhe një bisedë të tillë më të gjërë.

Në të vërtetë, përkushtimi, prirja, pasioni dhe profesionalizmi i shfaqur për librin dhe për kulturën tek të dy gazetaret, e ka rritur dhe do ta rrisë edhe më shikueshmërinë e emisionit duke zgjuar kërshërinë për librin, për artin dhe për kulturën, gjë që edhe e bën të domsodoshme kërkesën që emisioni për kulturën të shfaqet dy herë në javë.

Prandaj, nuk është e rastësishme pse në librat e lashtë, shkruante:

MERITOJNË T’I NDEROJMË, ATA QË NA NDEROJNË!

Gjithsesi, edhe gazetaret: Lumira Kelmendi e Arieta Seferaj.



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx