Kulturë
Halil Haxhosaj: Koha dhe hapësira nyjëtime
E merkure, 13.02.2013, 08:00 PM
KOHA DHE
HAPËSIRA NYJËTIME DOMINUESE NË VEPËR
Nga Halil Haxhosaj
Krijuesja
Mevlyde Saraçi është e njohur për lexuesin me disa vepra në poezi të botuara
deri tash si dhe me veprën në prozë “Kur jeta duhej jetuar ( Kujtime nga ditët
në flakë)”, botuar nga Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi” i Gjakovë, më 2003
dhe të përkthyer në gjuhën angleze nga Lola Ukaj dhe Manuella Markaj, botuar
nga QKPSHA (Qendra kombëtare e poetëve, shkrimtarëve dhe artistëve “Gjakova”),
më 2012 në Gjakovë.
Që në
fillim duhet të konstatoj se kjo vepër e kësaj autoreje ka disa specifika, të
cilat të ndërfusin nëpër disa hallka e nyjëtime, pse jo edhe teorike, sepse
vepra qëndron në disa kënde si vepër me memoare, ditar i luftës, tregime që
trajtojnë një kohë të rëndë e me peshë, sakrifica e tragjedi, si dhe një roman
paksa të forme tjetër. Por, të gjitha këto kanë nga pak të të gjitha atyre që i
njohin teoritë letrare dhe kurorëzim i të gjithave, madje edhe strumbullar,
është përkthimi në gjuhën angleze, i cili madje mund të konsiderohet edhe si
një ribotim, sepse në të janë shtuar edhe 70 faqe të reja e tejet interesante
me fakte reale, që janë fotografi, shkrime të gazetave të kohës dhe të qendrave
informative, aktgjykime, dëshmi, e të tjera. Andaj vepra në anglishte mbarset,
pasurohet dhe merr edhe një trajtim paksa më dokumentar sepse paraqet një pasuri
nga autorja, e cila e ka parë si të nevojshme ta shtojë në këtë botim, që në
fillim e konsiderova ribotim.
Kjo vepër
e Mevlyde Saraçit është një dëshmi dhe një pasqyrim real i një realiteti
kombëtar historik që ka ndodhur në Kosovë, por saktësisht në Gjakovë, në ato
vite, në të cilat zhvillohen ngjarjet, ndodhitë, përjetimet, por edhe
sakrificat në tehun e shpatës për jetë a vdekje. Dhe të gjitha këto, por edhe
shumë e shumë përjetime, kujtime, përkujtime, por edhe tragjedi të tjera,
shprehen artistikisht nëpërmes penës së shkrimtares Saraçi, e cila në realitet
është edhe personazhja, pse jo edhe rrëfimtarja artistike e veprës. Ky kombinim
e binom sintetizohet duke manovruar me penën e autores, e cila patjetër duhet
t’i luaj të dyja rolet që “ia ka ngarkuar vetes”. Andaj, edhe kryepersonazhja e
veprës shpesh përshkruhet në pozita të ndryshme, pse jo edhe në pozita të të
gjitha femrave që ishin të tilla në ato momente të turbullta të asaj kohe që
“Kur jeta duhej jetuar në kujtimet nga ditët në flakë”. Dhe e tillë ishte ajo
jetë edhe reale e njerëzve të asaj kohe, por edhe artistike e personazheve të
veprës letrare. Tërë lënda artistike e veprës strukturoret duke depërtuar nëpër
67 nyjëtime artistike, të cilat mund të jenë edhe rrëfime artistike, fletë ditari
jete e personazhit kryesor, por pse jo edhe rrëfime apo tregime të një lloji të
caktuar artistik. Ky strukturim nuk është i njëtrajtshëm, madje as i zorshëm e
statik, por në brendësinë e vet ka një ngjizje tepër dramatike, e cila rrëshqet
shpejt, por me maturi si rrëfim i caktuar dhe i qëllimshëm i përzgjedhur nga
autorja, për ta shpërfaqur për lexuesin, tash edhe si dëshmi, por edhe si art
letrar. Dhe këtij synimi kjo autore ia arrin me sukses dhe me një dëshmi tepër
të theksuar e të qëlluar syninimisht. Të gjitha ngjizjet janë qeliza të indit
të tmerrshëm të luftës së fundit në Kosovë, e cila ishte aq tragjike, aq e
rëndë dhe aq e pakuptimtë sa që ia ka kaluar edhe asaj fashiste të kampeve
naziste të përqendrimit në disa shtete të Evropës të kohës së Luftës së Dytë
Botërore. Edhe në faqet e veprës “Kur jeta duhej jetuar” e autores Mevlude
Saraçi është një pasqyrimi me dy sfonde: realiteti apo realja dhe artistikja,
apo ajo e krijuar dhe e shkruar nga shkrimtarja. Ky pasqyrimi bëhet dhe
shikohet qartë në pasqyrën e Luftës së fundit çlirimtare të Kosovës, por edhe
të kohës plot trazira të para kësaj lufte. Koloriti i vrazhdët i kësaj
paraqitje buron nga frymëzimet e shkrimtares, e cila poashtu është një binom i
personazhes së veprës. Dhe frymëmarrja e këtillë nuk ngushtohet, por
përkundrazi, rrjedhë nëpër vijat e saj që nga burimi e deri në derdhje në ditët
e arta të lirisë përplot tragjedi, sakrifica, dhimbje, shkatërrime e të tjera e
të tjera.
Vepra
“Kur jeta duhej jetuar ( Kujtime nga ditët në flakë)”, fillon me trokitjen e
policëve serb në derën e kryepersonazhes e me burgosjen e saj dhe përfundon me
kthimin në Kosovë. Këto kallëzime bëhen në rrëfimet me titullin “Arrestimi” dhe
“Kthimi në Kosovë” që janë dyert e hapjes, por edhe të mbylljes së kësaj odisejade
të shkrimtares, tani personazhes kryesore të veprës, sepse: “Dy bisha të
tërbuara kishin zgurdulluar sytë, sikur donin të më përpinin. – Tije zonja X? –
më tha njëri praj tyre”, për të përfunduar në fund të librit: “Kosova kishte
marrë udhë të mbarë. Kishte filluar të ngrihej në këmbët e veta dalëngadalë.
Plagët e lirisë kishin filluar të shëroheshin. Rruga dhe dëshmia e shekujve po
merrnin trajtën e tyre ...”.
Në disa
dromca të shpërfaqura në libër hasen edhe elemente nga intimiteti, dhimbja,
ofshama, sakrifica, por edhe ndjenja e gruas shqiptare si aktiviste, luftëtare,
udhëheqëse, krijuese, nënë, bashkëshorte, fqinje, bashkëqytetare, mësuese,
humaniste, e të tjera e të tjera. Gërshetimet e të gjitha këtyre këndeve dhe
gërshetimi i tyre rrjedh nëpër sfondet e një kohe dhe hapësire të caktuar, pse
jo edhe të shënuar historikisht. Madje kjo histori e nënshkruar nga të gjitha
këto aktivitete, nëse mund të cilësohen si të tilla, marrin kurorën e
sendërtimit sot me rastin e botimit të veprës në gjuhën angleze, sepse të
gjitha instancat e botës, mund t’i shohin këto pasqyrime të dokumentuara në
njërën anë, por edhe të përjetuara nga gratë e Kosovës, në anën tjetër. Duke e
ngritur veprën mbi këtë piedestal të komunikimit, luftës së Kosovës te
ndërkombëtarët dhe qarqe të tjera botërore i shtohet edhe ky libër dokument dhe
përfaqësues i një gjinie që shpesh nga ta, këtu, në këto hapësira, është
konsideruar si tabu temë.
Më këtë
vepër, por edhe më të tjerat, krijuesja Mevlyde Saraçi, e ka ndriçuar një
obligim që ka pasur, por e ka shpaguar edhe sakrificën e saj dhe të gjitha
femrave shqiptare të Kosovës, në fund të shekullit XX në këtë hapësirë.
Kjo vepër e ka shtuar vlerën e vet, e ka zmadhuar atë, e ka shtrirë dhe zgjeruar duke u përkthyer në gjuhën angleze dhe është një pasuri jo vetëm për bibliotekat tona këtu në shqiptari, por edhe me gjerë.