Kulturë
Blerim Rrecaj: “Pritje e dehur”
E enjte, 14.02.2013, 09:58 PM
“Pritje e
dehur” ose shkëmbimi i (pa)kënaqësive?
Nga Blerim Rrecaj
E lexova
librin “Pritje e dehur”. Më mirë të them e shfletova duke hedhur sytë në të e
mbase duke lexuar, jo në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, dhe mund të rikthehem në rileximin e saj. Dhe kujtova atë
ditë kur ktheheshim pas një proteste dhe Arbërin dhe të tjerë e gjatë rrugës më tha kam
vendosur ta botoj librin dhe kur e pyeta se a do ta botoj në prag a mbase edhe
në ditën e 100 vjetorit të Pavarësisë ai ma ktheu se pak më vonë. Dhe siç
kujtoj në ditët e para të Vitit të ri shpërndau në rrjetin social njoftimin për
botimin e librit të tij dhe një poezi a
vargje të patitullara: “më është deh/vargu i poezisë së fundit/po vallëzon/
s'di se cilën valle/i tëri është harlis/andaj vini re mund të ju puthë e të
ikë” (Dhe kjo poezi (a këto vargje) të
cilën tash nuk po e shoh në libër të cilin e bleva sot te “Buzuku” në këtë ditë
të hënë 11 shkurti …) Dhe kujtimi sjell e nxjerr kujtimin. Me Arbërin në udhëkryqin kryesor të
qytezës në të cilën banojmë patëm lexuar së bashku një poezi për një udhëtim të
tij në Durrës për një festival filmi derisa mblidheshin nënshkrime kundër
privatizimit në një tavolinë aty skaj rruge diku në një copë trotuari. As kjo
poezi e tij nuk është pjesë e librit edhe pse për poezinë Arbëri kishte thënë
se do ta përpunonte edhe më. Megjithatë në facebook një ditë prej ditësh pashë
poezinë e tij “ADN minus” që megjithatë këtë e gjej në libër dhe që po marr dy
vargjet e para të saj që thonë: “Të gjithë njerëzit kanë mungesa\Boshëllëqe që
s’i mbushin lehtë” dhe poezia që vazhdon edhe më dhe që flet për këtë temë sa
personale a individuale, lokale a kombëtare, rajonale kontinentale a universale
për qenien e quajtur njeri dhe atë të
diturën që (s’)e gëlltisim edhe aq
lehtë, pra luftën me vetveten. Dhe
derisa dje ishte shënimi i përvjetorit të 10 shkurtit 2007 Arbëri po këtë ditë
postoi poezinë “Liri vetëm në libër” që ia kushtoi kësaj date të me përleshje
të vrullshme, e të përgjakshme dhe për të cilën lashë këtë shënim për të: Hamendem a t'i them dy tri fjalë për ketë
poezi e cila folëm a s'folëm për të nuk të lë të jesh mospërfillës. Kjo poezi
përveç që na kujton kronikën e njërit nga sulmet gjakatare që iu bë përpjekjeve
në rrugën për liri më 10 shkurt 2007, na vetëdijëson edhe për vazhdimin e
përpjekjeve të vazhdueshme për ta rritur, ujitur e zgjeruar lirinë. Ndonëse
disi pavërejtshem poezia lidh e bashkon përpjekjet shekullore të çdo date, çdo
stine e të çdo kohe me vargjet himn: "Atë ditë e sot/ Unë/Megjithatë/
Besoj në liri.../ Besimi në liri të ushqen për të vazhduar rrugën drejt saj dhe
e bën këtë rrugë për të cilën gjithmonë ata që deshtën e që duan do të gjejnë
shtigje... Dhe liria është edhe e drejta për të folur, shprehur e shkruar. Dhe
poeti gjen shtigjet për të folur pikesëpari me veten (duke përsiatur, menduar,
medituar) e më pastaj edhe me të tjerët. Tek më pas fillon llojlojshmëria e
dëshifrimit të fjalëve, vargjeve e poezive të tij.Paçka se gjuha e tij na duket
ku e ngrohtë, ku e ftohtë, ku e embël, ku e hidhur, ku me humor, ironi, satirë
e sarkazëm duke shpalosur një botë të larmishme mendimesh e ndjenjash. Dhe
pastaj themi se kjo ishte kështu e kjo ishte ashtu, kjo vije nga ky e kjo nga
ai ndikim. Dhe derisa mbaj(më) sytë në libër dhe ndalem(i) pak më shumë te një
titull, te një varg, a tek tërësia e ndonjërës prej poezive si p.sh : “Guralecë
fëmijërie” a “Tirana ndryshe” të vije një sms nga ndonjë tjetër shok dhe të
thotë se sa ta dërgova një reportazh që
shkrova për Shkupin ashtu siç unë e pashë. Dhe ashtu si poezitë por dhe
ciladoformë tjetër artistike sikur mban një kod të pashprehshëm të cilin mund
të themi se e kemi dëshifruar, se duhet udhëtuar nëpër veprat e të tjerëve me
sytë tanë, me qeniet tona dhe nëse bindim veten atëherë dhe themi dhe ca fjalë
duke qenë të vetëdijshëm se mund të flasim edhe për të bukurën dhe të
papërkryeshmën. Për gjurmët e një vepre që doli në dritë…Dhe nga ndonjë
fjalë,fjali a mendim yni i çiltër dhe i sinqertë, i rrëmbyeshëm, i
papërmbajtshëm a (pa) nguti ndokush mund
të ndjej një valë të re frymëzimi ashtu si edhe mund të vëj buzën në gaz. Ajo
që kam kuptuar është se poeti siç thuhet ka përcjellë (mendimet e ndjenjat e
tij) nga vetja. Për të na u kujtuar shumë gjëra nga vetja jonë. Dhe derisa hedh
kështu shkronja (mbi një fletë të bardhë e të pafajshme wordi) themi se shumë
“pritje të dehura” enden, bredhin, këtu, atje, andej, përtej e të cilat mund
edhe t’i vërejmë tek vetja dhe tek të tjerët…Për të mos u zhytur edhe më në vorbullën
e fjalëve po i kthehem (para) fillimit të librit dhe fjalës së Herman Hesse-s
që është autori ka parapëlqyer ta vëjë si moto dhe si çelës magjik të veprës së
tij : ‘’Nuk mund të marrësh kënaqësi nëse nuk dhuron kënaqësi”…