E diele, 28.04.2024, 01:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Shefqet Dibrani: Simpleksiteti dhe ngjyrat poetike

E shtune, 16.02.2013, 11:55 AM


SIMPLEKSITETI DHE NGJYRAT POETIKE

Shqipe Hasani, „AKUARELI I DHEMBJES“, poezi, botoi „FLOMED“, Prishtinë 2008, faqe 62. ISBN 978-9951-415-04-0

Nga Shefqet DIBRANI

Shqipe Hasani, i takon brezit të shkrimtareve që u bënë kurban i proceseve politike e shoqërore nëpër të cilat kaloi vendi ynë, përkatësisht fati i saj ishte "kryqëzuar (si) një trup (e) një shpirt", (f. 61). Si të themi, procesi i formimit intelektual është rezultat i rrethanave shoqërore e politike që kaloi vendi ynë, përkatësisht si rrjedhojë e atyre proceseve nëpër të cilat kaloi atdheu i shqipes, sepse ajo ishte "ankthi (që) kërkon poetin/ të dalë nga çelësi i enigmës", (f. 11).

Libri i saj “AKUARELI I DHEMBJES", plotëson më së miri nocionin e flijimit, që për fatin e mirë të saj edhe pse e ka jetuar diskriminimin institucional, ajo më në fund në këtë libër "në emër të Atdheut/ rrëfehet arbërisht", (f. 18), dhe në anën tjetër duket se ka triumfuar. Më pas ajo e ka përjetuar edhe "vuajtjen e Rozafës me trup të përgjysmuar", (f. 29), përkatësisht Luftën e Kosovës 1998 - 1999, jo vetëm duke e soditur atë me sytë e saj, por duke e ndjerë në palcën kurrizore krimin mizor që pat rënë mbi hapësirën tonë, e mbi të gjitha, (të paktën kështu duket përmes këtij libri), autorja ato kohë, e ato tmerre i paska mbijetuar me sukses se mbase "jeta e poetëve thyhet kufijve të vrazhdë", (f. 29). Këtë konstatim timin e sforcon libri i saj poetik me një titull sa simpleks (lat. i thjesht) po aq përmbajtjesor siç është "AKUARELI I DHEMBJES", i cili është konstruktuar si një metaforë që shpjegon se "asgjë nuk falet nga kjo botë", (f. 30).

Se poetët janë racë që u japin ngjarjeve përjetim artistik duke i përshkruar deri në hollësi dramacitetet dhe tragjicitetin e ndodhur për të "zgjeruar kufirin e dashurisë", qoftë edhe me emrin e saj, (f. 36). Poetët, janë ata të cilët edhe dhembjen e kthejnë në përjetësi, po poeteshat këtë dhembje mund ta sjellin edhe në mënyrë më përjetuese, më melankolike, ashtu siç shprehet se "krejt çka shkruaj sonte/ është vaji dhe fundi i një rrëfimi", (f. 45), prandaj janë këtë arsye pse mendojmë se libri "AKUARELI I DHEMBJES" i Shqipe Hasanit plotëson diçka të mirë në këtë plan.

Ajo ka arritur t'i përshkruaj mirë ngjarjet e përjetuara, dhe sidomos ato që i ka përjetuar populli i saj t'i kthej në një krijim artistik siç është poezia, e cila do të kujtohet, dhe do të mbahet mend më mirë, qoftë si ngjarje e jetuar që mund të duket nga "boja – ngjyra" e jashtme, e qoftë si përjetime shpirtërore nga ana e brendshme, që përfaqësohen përmes nocionit të "dhembjes" që e karakterizon pjesën e dytë të titullit. Por poetesha mendon se "as dimri Siberian/ s'mund t'i mposht murlanet/ që fryjnë mbi emrin Kosovë", (f. 47). Pikërisht janë ngjyrat (akuareli) që e plotësojnë më mirë përjetimin, përkatësisht dhembjen si një proces fiziologjik, me të cilat poetesha Shqipe Hasani ka ditur të ndërtoj anagramet e përjetimeve të saja, qofshin këto përjetime edhe vetëm si nocione artistike sa për ta ndërtuar poezinë e vlefshme në të cilën do të shprehet "s'harrohet durimi as dhembja as vuajtja/ populli përballet me shpresa", (f. 47).

Pikërisht janë poezitë e përjetuar, ato që lëndës së prezantuar në librin “AKUARELI I DHEMBJES” i kanë dhënë nocionin e së mirës artistike, qoftë kjo e mirë e shprehur në mënyrë të drejtpërdrejt apo tërthorazi nëpërmes metaforave poetike me të cilat si tërësi libri është mjaft i begat: "Nuk ringjallet asgjë nga mallkimi/ borxh mbeten të rënët të gjallë", (f. 54). Gjithsesi nga vet titulli, merret vesh se poezia e saj ka dhembje, ka përjetime të rralla, një lloj dramaciteti, dhe një lloj ankthi të pashmangshëm apo siç shprehet ajo: "Atdheu quhet fjala dhe emri yt (lexo saj)", (f. 43).

Por vetvetiu shtrohet pyetja, nëse Shqipe Hasani e cila e paska nxjerr dhembjen në mënyrë artistike, madje duke e bërë atë publike, ajo paska qitur në pah një të vërtetë të cilën po e diskutojmë. Mua më duket se poetesha sikur e ka heq dhembjen e ndrydhur nga shpirti i saj, sikur ajo është larguar për një çast nga ankthi i së kaluarës, si përjetim më vete ngase siç thotë ajo në një varg të saj se "askush nuk vdes nga uria e cunguar/ as nga hijet e bishave të zeza barbare", (f. 58). Ndonëse imponohet pyetja, por për një popull të tërë "plaga (a) do të gjejë udhë shërimi", (f. 56)?

Shqipe Hasani, edhe disa temave që iu ka rikthyer për diskutim, pikërisht i gjen ato ngjarje që tmerruan jo vetëm të tashmen, por e patën tmerruar edhe fillimin e shekullit të kaluar, ku pasojat, bile të papërmirësueshme përjetohen një shekull më vonë, në të tashmen tonë qoftë përmes boshatisjeve, e qoftë përmes krimeve në shkallë kombëtare, duke prekur cep më cep hapësirën e atdheut, por ajo – poetesha, ka marrë në shqyrtim një skaj të atdheut, përkatësisht njërin nga fshatrat më tragjike të Malësisë së Gallapit, fshat ky në të cilin për disa herë janë kositur, pushkatuar e varfëruar banorët e tij, pikërisht nga bandat pushtuese të krimit e dëbimit, ashtu siç ndodhi edhe para një dekade në Luftën e Kosovës, për liri, demokraci e pavarësi.

Këtë element sa artistik po aq tragjik e gjejmë tek poezia "KRONIKË PËR PRAPASHTICËN", e cila si krijim poetik është njëra nga poezitë më të mira jo vetëm brenda këtij libri, por njëra nga poezitë më të mira që iu kanë kushtuar krimit bizar mbi këto anë. Poezia, sjell të freskët në kujtimin tonë një ngjarje dhe një tragjedi që pat pllakosur këtë vend e këto anë rreth një shekulli më parë, ndonëse Prapashtica, siç dihet i ka përjetuar të paktën tri masakra masive të cilat kanë bërë që ky fshat malor i cili shtrihet buzë kufirit të atdheut sot të mbetet pothuajse një lloj "frymimi që lëngon me ankth nga shpata harkore", fshat ky që "jeton me gjuhën e legjendave dhe me kronikën në mes bukurisë dhe shëmtisë", (f. 41).

E, pikërisht ky ngjyrim e ky përjetim në librin "AKUARELI I DHEMBJES", merr përmasat jo vetëm tragjike por më shumë të përjetësimit historik e artistik ku i japin dhembjes nuancat e një përjetimi real, qoftë aty tek poezia që cituam më lart apo edhe tek një varg poezish të tjera të kësaj natyre, nëpër të cilat ku më shumë dhe ku më pak paraqitet realiteti dhe përjetimet e dhembjes, qofshin ato si përjetime fiziologjike e qofshin si nocione poetike, përkatësisht filozofike, se mbase edhe poezitë e këtij libri janë në kuadrat të njëjtë me filozofinë qoftë si shkencë e qoftë si interpretim: "Nuk i heshtim eklipset e dhembjes/ Gjersa gjenden njerëz të zhdukur/ Heshtja një ditë më vret/ Gjuha një natë më thumbon", (f. 12), "Tim atë ma rrahën pas burgut/ Derisa vdekja i sillej mbi kokë", (f. 14), "Babë piramidë e dhembjes sime", (f. 35), "Mbi qiell të Medvegjes rigon shi", (f. 58), "E dëgjon kush klithmën time/.../Ndalem labirinteve Ilire me ditar Atdheu", (f. 60), etj.

Te poezia e këtij libri, (në nuanca të caktuara), gjejmë mjaftë vlera të qëndrueshme, qofshin ato të aspektit estetik apo tematik që mbushullojnë suksesin e arritur të Shqipe Hasanit. Natyrisht, autorja është bërë emër i njohur jo vetëm në Kosovë, por në tërë hapësirën etnike sepse ajo me dashuri dhe përplot vullnet i këndon atdheut dhe truallit të saj fisnik, u këndon bëmave dhe sfidave të njeriut të shumtë, po më shumë u këndon arritjeve në Kosovën e saj të dashur, për të cilën do të shprehet: "Dikur vjen një melodi/ Ndoshta jehonë fyelli/.../ Një mall vërshues më zgjon/.../ Zemra ma thotë një këngë/ përsëri festojmë Kosovë”, (f. 7). Por, për të mos mbetur ky konstatim imi vetëm deklarativ po sjellim këtu edhe disa vargje e strofa për të parë se si autorja e ka ndërtuar metaforën dhe poezinë e saj: "Nënës i lidhën duart/ Të mos gatuante", (f. 14), "Ku mbeten stinët e pafajësisë", (f. 26), "Kokës vardiset fjalë e shenjtë/ ENDE NUK ËSHTË VONË", (f. 33), "S'mund t'i shoh fëmijët migjenianë/ mbështetur ëndrrave të statujave", (f. 47), "Gjallërohet fisi me tinguj të baladës", (f. 52), "Pranverave i mëkoi engjëjt e dhembjeve", (f. 55).

Nuk e kuptoj çfarë malli a çfarë brenge e lidh poeteshën mërgimi, por ajo temën e mërgimit, përkatësisht metaforën e mërgimit e ka mjaftë të sforcuar, ndoshta ka dike nga të afërmit në mërgim, apo nga të dashurit e saj, ka ndonjë mik a shoqe të gjeneratës, është i mërguar ndonjë i njohur a personalitet i adhuruar prej saj, por brengat e saj, në poezitë e këtij libri, qajnë edhe gurin, në kohën kur dihet, (të paktën prej se e njohë unë), ajo jeton dhe gjallërinë në Prishtinë. I gjithë ky mall, gjithë ky mallëngjim është për t'u admiruar se si ajo e ndjen dhe e përjeton këtë plagë të rëndë në shoqërinë tonë: "Shtegton qyteti pa frikë/ Kalorës i stinëve të çuditshme/ Kurorën e flokëve të gjata/ Fshihje si enigmën mes fjalëve" se "Vitet e mërguara i kaplon dhembja/ Sizifi i mbulon me gurë e djersë”, (f. 8). Motivin për mërgimin e gjejmë më të sforcuar te poezitë: "Ankth mërgimi", "Klithmë mërgimi", kurse në nuanca të caktuara edhe ndërmjet vargjeve e strofave edhe nëpër ca poezi të tjera, por në poezinë e Shqipe Hasanit ka edhe simbolika të shumta me të cilat ajo ka ndërtuar metaforat dhe konceptin e saj poetik, mjaftë i pranueshëm dhe të përjetueshëm.

Një tufë poezish u kushtohen personaliteteve të njohura, qofshin ato familjare, të paqes a humanizmit, po më shumë personaliteteve të flijimit, për të cilët autorja ka respekt krijues të veçantë, pa të cilat sikur do të lëngonte nocioni i "dhembjes" që na shfaqet qysh në titullin e librit. Poezi të këtij motivi janë: "Nëse më fton zëri i nënës", "Baladë për babanë", "Zbrazëti kohe", "Fjala s'ka mbarim – kushtuar dr. Agron Krasniqit", "Në horizont amshimi – kushtuar Agim Ramadanit", "Luftës i shëroi plagët – kushtuar prof. dr. Gani Bajraktarit" e ndonjë tjetër që i kanë dhënë vlerë librit dhe poezisë së saj, ku e ka dëshmuar mishërimin dhe përkushtimin krijues duke qenë gjithmonë falënderuese për sakrificën e tyre që ne të frymojmë më të lirë në atdheun tonë me emrin KOSOVË, në të cilën "midis Emrit e Atdheut/ (autorja?!), mbanë një LIRI të ngushtuar", (f. 12).

Jo vetëm në këto vargje që i kemi cituar sa për të ilustruar mendimin e thënë, sa për të sforcuar këtë shënim të çiltërt, për poezinë e Shqipe Hasanit, për të cilën mendojmë se ka një vlerë e cila nga libri në libër është sforcuar dhe përpunuar, madje ajo ka krijuar individualitetin e saj krijues mjaftë të besueshëm. Këtë stërhollim lirik e plotësoj edhe dhjetëra poezi të tjera që kanë motiv lirik, madje të një lirike që ngjyrimet shkojnë edhe nga poezia erotike, të cilat brenda këtyre vargjeve të dhembjes e përjetimit sikur lë testamentin se ishte në këtë jetë për të mbetur edhe më pas prezent - gjallë: "Kur të vdes natyrshëm/ Mos m'i verboni ëndrrat/ Gjymtyrët e njoma/ Mos i hidhni zhavorrit/ Të kënetës së tharë", (f. 9), sepse askush nuk e dëgjon "klithmën e saj", (f. 60), e ajo sikur nuk ka "me kë të flas për romancën", e "portreti me njëmijë metafora erotike/ kërkon dashuri/ dashuri të ngushëlluar/ kërkon dashuri...", (f. 61).

Shqipe Hasani, vazhdimisht ngulmon në kërkimin e hapësirës së saj krijuese, e sigurt se nga libri në libër do të bëhet edhe më e pranueshme në hapësirën e letërsisë shqipe në Kosovë dhe më gjerë!...

*Botuar në gazetën "KOSOVA SOT", më 13 korrik 2012, Prishtinë.



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora