| E shtune, 16.02.2013, 11:55 AM |
SIMPLEKSITETI DHE NGJYRAT POETIKE
Shqipe Hasani, „AKUARELI I DHEMBJES“, poezi, botoi „FLOMED“, Prishtinë 2008, faqe 62. ISBN 978-9951-415-04-0
Nga Shefqet DIBRANI
Shqipe
Hasani, i takon
brezit të shkrimtareve që u bënë kurban i proceseve politike e shoqërore nëpër
të cilat kaloi vendi ynë, përkatësisht fati i saj ishte "kryqëzuar (si)
një trup (e) një shpirt", (f. 61). Si të themi, procesi i
formimit intelektual është rezultat i rrethanave shoqërore e politike që kaloi
vendi ynë, përkatësisht si rrjedhojë e atyre proceseve nëpër të cilat kaloi
atdheu i shqipes, sepse ajo ishte "ankthi (që) kërkon
poetin/ të dalë nga çelësi i enigmës", (f. 11).
Libri
i saj “AKUARELI I DHEMBJES", plotëson më së miri nocionin e
flijimit, që për fatin e mirë të saj edhe pse e ka jetuar diskriminimin
institucional, ajo më në fund në këtë libër "në emër të Atdheut/
rrëfehet arbërisht", (f. 18), dhe në anën tjetër duket se ka
triumfuar. Më pas ajo e ka përjetuar edhe "vuajtjen e Rozafës me trup
të përgjysmuar", (f. 29), përkatësisht Luftën e Kosovës 1998 - 1999,
jo vetëm duke e soditur atë me sytë e saj, por duke e ndjerë në palcën
kurrizore krimin mizor që pat rënë mbi hapësirën tonë, e mbi të gjitha, (të
paktën kështu duket përmes këtij libri), autorja ato kohë, e ato tmerre i paska
mbijetuar me sukses se mbase "jeta e poetëve thyhet kufijve të
vrazhdë", (f. 29). Këtë konstatim timin e sforcon libri i saj poetik
me një titull sa simpleks (lat. i thjesht) po aq
përmbajtjesor siç është "AKUARELI I DHEMBJES", i cili është
konstruktuar si një metaforë që shpjegon se "asgjë nuk falet nga kjo
botë", (f. 30).
Se
poetët janë racë që u japin ngjarjeve përjetim artistik duke i përshkruar deri
në hollësi dramacitetet dhe tragjicitetin e ndodhur për të "zgjeruar
kufirin e dashurisë", qoftë edhe me emrin e saj, (f. 36). Poetët, janë
ata të cilët edhe dhembjen e kthejnë në përjetësi, po poeteshat këtë dhembje
mund ta sjellin edhe në mënyrë më përjetuese, më melankolike, ashtu siç
shprehet se "krejt çka shkruaj sonte/ është vaji dhe fundi i një rrëfimi",
(f. 45), prandaj janë këtë arsye pse mendojmë se libri "AKUARELI I
DHEMBJES" i Shqipe Hasanit plotëson diçka të mirë në këtë plan.
Ajo
ka arritur t'i përshkruaj mirë ngjarjet e përjetuara, dhe sidomos ato që i ka
përjetuar populli i saj t'i kthej në një krijim artistik siç është poezia, e
cila do të kujtohet, dhe do të mbahet mend më mirë, qoftë si ngjarje e jetuar
që mund të duket nga "boja – ngjyra" e jashtme, e qoftë si
përjetime shpirtërore nga ana e brendshme, që përfaqësohen përmes nocionit të "dhembjes"
që e karakterizon pjesën e dytë të titullit. Por poetesha mendon se "as
dimri Siberian/ s'mund t'i mposht murlanet/ që fryjnë mbi emrin Kosovë",
(f. 47). Pikërisht janë ngjyrat (akuareli) që e plotësojnë më mirë
përjetimin, përkatësisht dhembjen si një proces fiziologjik, me të cilat
poetesha Shqipe Hasani ka ditur të ndërtoj anagramet e përjetimeve të
saja, qofshin këto përjetime edhe vetëm si nocione artistike sa për ta ndërtuar
poezinë e vlefshme në të cilën do të shprehet "s'harrohet durimi as
dhembja as vuajtja/ populli përballet me shpresa", (f. 47).
Pikërisht
janë poezitë e përjetuar, ato që lëndës së prezantuar në librin “AKUARELI I
DHEMBJES” i kanë dhënë nocionin e së mirës artistike, qoftë kjo e mirë e
shprehur në mënyrë të drejtpërdrejt apo tërthorazi nëpërmes metaforave poetike
me të cilat si tërësi libri është mjaft i begat: "Nuk ringjallet asgjë
nga mallkimi/ borxh mbeten të rënët të gjallë", (f. 54). Gjithsesi nga
vet titulli, merret vesh se poezia e saj ka dhembje, ka përjetime të rralla,
një lloj dramaciteti, dhe një lloj ankthi të pashmangshëm apo siç shprehet ajo:
"Atdheu quhet fjala dhe emri yt (lexo saj)", (f. 43).
Por
vetvetiu shtrohet pyetja, nëse Shqipe Hasani e cila e paska nxjerr
dhembjen në mënyrë artistike, madje duke e bërë atë publike, ajo paska qitur në
pah një të vërtetë të cilën po e diskutojmë. Mua më duket se poetesha sikur e
ka heq dhembjen e ndrydhur nga shpirti i saj, sikur ajo është larguar për një
çast nga ankthi i së kaluarës, si përjetim më vete ngase siç thotë ajo në një
varg të saj se "askush nuk vdes nga uria e cunguar/ as nga hijet e
bishave të zeza barbare", (f. 58). Ndonëse imponohet pyetja, por për
një popull të tërë "plaga (a) do të gjejë udhë shërimi", (f.
56)?
Shqipe
Hasani, edhe disa
temave që iu ka rikthyer për diskutim, pikërisht i gjen ato ngjarje që tmerruan
jo vetëm të tashmen, por e patën tmerruar edhe fillimin e shekullit të kaluar,
ku pasojat, bile të papërmirësueshme përjetohen një shekull më vonë, në të
tashmen tonë qoftë përmes boshatisjeve, e qoftë përmes krimeve në shkallë
kombëtare, duke prekur cep më cep hapësirën e atdheut, por ajo – poetesha, ka
marrë në shqyrtim një skaj të atdheut, përkatësisht njërin nga fshatrat më
tragjike të Malësisë së Gallapit, fshat ky në të cilin për disa herë janë
kositur, pushkatuar e varfëruar banorët e tij, pikërisht nga bandat pushtuese
të krimit e dëbimit, ashtu siç ndodhi edhe para një dekade në Luftën e Kosovës,
për liri, demokraci e pavarësi.
Këtë element
sa artistik po aq tragjik e gjejmë tek poezia "KRONIKË PËR
PRAPASHTICËN", e cila si krijim poetik është njëra nga poezitë më të mira
jo vetëm brenda këtij libri, por njëra nga poezitë më të mira që iu kanë
kushtuar krimit bizar mbi këto anë. Poezia, sjell të freskët në kujtimin tonë
një ngjarje dhe një tragjedi që pat pllakosur këtë vend e këto anë rreth një
shekulli më parë, ndonëse Prapashtica, siç dihet i ka përjetuar të paktën tri
masakra masive të cilat kanë bërë që ky fshat malor i cili shtrihet buzë
kufirit të atdheut sot të mbetet pothuajse një lloj "frymimi që lëngon
me ankth nga shpata harkore", fshat ky që "jeton me gjuhën e
legjendave dhe me kronikën në mes bukurisë dhe shëmtisë", (f. 41).
E,
pikërisht ky ngjyrim e ky përjetim në librin "AKUARELI I
DHEMBJES", merr përmasat jo vetëm tragjike por më shumë të
përjetësimit historik e artistik ku i japin dhembjes nuancat e një përjetimi
real, qoftë aty tek poezia që cituam më lart apo edhe tek një varg poezish të
tjera të kësaj natyre, nëpër të cilat ku më shumë dhe ku më pak paraqitet realiteti
dhe përjetimet e dhembjes, qofshin ato si përjetime fiziologjike e qofshin si
nocione poetike, përkatësisht filozofike, se mbase edhe poezitë e këtij libri
janë në kuadrat të njëjtë me filozofinë qoftë si shkencë e qoftë si
interpretim: "Nuk i heshtim eklipset e dhembjes/ Gjersa gjenden njerëz
të zhdukur/ Heshtja një ditë më vret/ Gjuha një natë më thumbon", (f.
12), "Tim atë ma rrahën pas burgut/ Derisa vdekja i sillej mbi
kokë", (f. 14), "Babë piramidë e dhembjes sime", (f.
35), "Mbi qiell të Medvegjes rigon shi", (f. 58), "E
dëgjon kush klithmën time/.../Ndalem labirinteve Ilire me ditar Atdheu", (f.
60), etj.
Te
poezia e këtij libri, (në nuanca të caktuara), gjejmë mjaftë vlera të
qëndrueshme, qofshin ato të aspektit estetik apo tematik që mbushullojnë
suksesin e arritur të Shqipe Hasanit. Natyrisht, autorja është bërë emër
i njohur jo vetëm në Kosovë, por në tërë hapësirën etnike sepse ajo me dashuri
dhe përplot vullnet i këndon atdheut dhe truallit të saj fisnik, u këndon
bëmave dhe sfidave të njeriut të shumtë, po më shumë u këndon arritjeve në
Kosovën e saj të dashur, për të cilën do të shprehet: "Dikur vjen një
melodi/ Ndoshta jehonë fyelli/.../ Një mall vërshues më zgjon/.../ Zemra ma
thotë një këngë/ përsëri festojmë Kosovë”, (f. 7). Por, për të mos
mbetur ky konstatim imi vetëm deklarativ po sjellim këtu edhe disa vargje e
strofa për të parë se si autorja e ka ndërtuar metaforën dhe poezinë e saj: "Nënës
i lidhën duart/ Të mos gatuante", (f. 14), "Ku mbeten stinët e
pafajësisë", (f. 26), "Kokës vardiset fjalë e shenjtë/ ENDE
NUK ËSHTË VONË", (f. 33), "S'mund t'i shoh fëmijët migjenianë/
mbështetur ëndrrave të statujave", (f. 47), "Gjallërohet fisi
me tinguj të baladës", (f. 52), "Pranverave i mëkoi engjëjt e
dhembjeve", (f. 55).
Nuk
e kuptoj çfarë malli a çfarë brenge e lidh poeteshën mërgimi, por ajo temën e
mërgimit, përkatësisht metaforën e mërgimit e ka mjaftë të sforcuar, ndoshta ka
dike nga të afërmit në mërgim, apo nga të dashurit e saj, ka ndonjë mik a shoqe
të gjeneratës, është i mërguar ndonjë i njohur a personalitet i adhuruar prej
saj, por brengat e saj, në poezitë e këtij libri, qajnë edhe gurin, në kohën
kur dihet, (të paktën prej se e njohë unë), ajo jeton dhe gjallërinë në
Prishtinë. I gjithë ky mall, gjithë ky mallëngjim është për t'u admiruar se si
ajo e ndjen dhe e përjeton këtë plagë të rëndë në shoqërinë tonë: "Shtegton
qyteti pa frikë/ Kalorës i stinëve të çuditshme/ Kurorën e flokëve të gjata/
Fshihje si enigmën mes fjalëve" se "Vitet e mërguara i kaplon
dhembja/ Sizifi i mbulon me gurë e djersë”, (f. 8). Motivin për
mërgimin e gjejmë më të sforcuar te poezitë: "Ankth mërgimi",
"Klithmë mërgimi", kurse në nuanca të caktuara edhe ndërmjet
vargjeve e strofave edhe nëpër ca poezi të tjera, por në poezinë e Shqipe
Hasanit ka edhe simbolika të shumta me të cilat ajo ka ndërtuar metaforat
dhe konceptin e saj poetik, mjaftë i pranueshëm dhe të përjetueshëm.
Një
tufë poezish u kushtohen personaliteteve të njohura, qofshin ato familjare, të
paqes a humanizmit, po më shumë personaliteteve të flijimit, për të cilët
autorja ka respekt krijues të veçantë, pa të cilat sikur do të lëngonte nocioni
i "dhembjes" që na shfaqet qysh në titullin e librit. Poezi të
këtij motivi janë: "Nëse më fton zëri i nënës", "Baladë
për babanë", "Zbrazëti kohe", "Fjala s'ka mbarim –
kushtuar dr. Agron Krasniqit", "Në horizont amshimi – kushtuar
Agim Ramadanit", "Luftës i shëroi plagët – kushtuar prof. dr.
Gani Bajraktarit" e ndonjë tjetër që i kanë dhënë vlerë librit dhe poezisë
së saj, ku e ka dëshmuar mishërimin dhe përkushtimin krijues duke qenë
gjithmonë falënderuese për sakrificën e tyre që ne të frymojmë më të lirë në
atdheun tonë me emrin KOSOVË, në të cilën "midis Emrit e Atdheut/ (autorja?!),
mbanë një LIRI të ngushtuar", (f. 12).
Jo
vetëm në këto vargje që i kemi cituar sa për të ilustruar mendimin e thënë, sa
për të sforcuar këtë shënim të çiltërt, për poezinë e Shqipe Hasanit,
për të cilën mendojmë se ka një vlerë e cila nga libri në libër është sforcuar
dhe përpunuar, madje ajo ka krijuar individualitetin e saj krijues mjaftë të
besueshëm. Këtë stërhollim lirik e plotësoj edhe dhjetëra poezi të tjera që
kanë motiv lirik, madje të një lirike që ngjyrimet shkojnë edhe nga poezia
erotike, të cilat brenda këtyre vargjeve të dhembjes e përjetimit sikur lë
testamentin se ishte në këtë jetë për të mbetur edhe më pas prezent - gjallë:
"Kur të vdes natyrshëm/ Mos m'i verboni ëndrrat/ Gjymtyrët e njoma/
Mos i hidhni zhavorrit/ Të kënetës së tharë", (f. 9), sepse askush nuk
e dëgjon "klithmën e saj", (f. 60), e ajo sikur nuk ka "me
kë të flas për romancën", e "portreti me njëmijë
metafora erotike/ kërkon dashuri/ dashuri të ngushëlluar/ kërkon
dashuri...", (f. 61).
Shqipe Hasani, vazhdimisht ngulmon në kërkimin e hapësirës së saj krijuese, e sigurt se nga libri në libër do të bëhet edhe më e pranueshme në hapësirën e letërsisë shqipe në Kosovë dhe më gjerë!...
*Botuar në gazetën "KOSOVA SOT", më 13 korrik 2012, Prishtinë.