E merkure, 01.05.2024, 07:25 AM (GMT+1)

Kulturë

Hasan Qyqalla: Prekja e ëndrrës

E marte, 19.02.2013, 08:36 PM


Poezi: PREKJA E ËNDRRËS

Hasan QYQALLA:

DO KTHEHEM PËRSËRI

Në majat e bjeshkëve
Në fushat e blerta
Në çdo konak
… dhe në rrugë
Gdhendim emrin Kosovë
Kryedashurinë tonë

As veriu kur fërfëllinë
Germat e emrit s’i luan dot
Në rrepet e lashtë çdo germë ka rrënjët
Në shqotat e kohërave qëndruam fort.

Fëmijë a plak
N’Atdhe a mërgim
Në varr, a gjallë
Japim kumtin krenarë:
“Jam SHQIPTAR!”.

Nuk tretet etnia
Boshti i gjuhës
Gjaku i Jasharajve
Derdh shqip

Ligjëroj arbërisht
Dasmë me Flamur
Lehonën e bartëm mbi supe
Me gjoksin e zbërthyer.

Në çdo vend ku qëndruam
Pas shtegtimit biblik për një strehë liri
Si ritual-lutje para prekjes së bukës:
“Kosovë do kthehem përsëri”.

Vitet kalojnë shpejt
Unë mërgimtari i huaj-busull e mbetur
Një biletë kthimi si hajmali në xhep
Si fëmija – Nënën, Kosovë kam për të rigjetur!

KOSOVË: FJALA IME E FUNDIT

Të takoj në botën e Dreqit
Me samar të thyer
Flladit të mëngjesit
Ku mrizon Zanë e Malit
Kosovë: Histori n’labirinth
Peng i dashurisë
Gaz i fëmijërisë
Psherëtimë e nusërisë
Ofsham e burrërisë
Kosovë: fjala ime e fundit
Kosovë: Fjalë e bekuar
Burim i pashuar
Kullë, tirq e plis
Kronik e shkruar në fis
Kosovë: ftesa e unit
Kosovë: FJALA IME E FUNDIT!

MOS …

Mos më thaj sonte lotin e njomë
Ka mall Kosove
Mos ma ndal këngën e re
Ka etje Kosove
Mos më sulmo ëndrrat e natës
Kanë ngjyrë Kosove
Mos më lëndo samarin e shpirtit
Me të bartë Kosovën
Mos më vrit me maskë në lak
Shkel gjakun, vret Kosovën…!

VDEKJA KRENARE

-Familjes Jasharaj-

U përkula para Teje: t’më dëftosh Ti, o Trim
U gjunjëzova para syve: t’thellë sa deti I Arbërit
U përshëndetëm pa zë: për Nder të fisit tim
U ndamë në heshtje: unë n’udhën e mërgimtarit.

Shqiponjë në këngë Kosove
Gjergj epokal i trungut të ri
Baladë shekulli hyre prore
Kandil kombi i brezit të ri…

Fryj një çast puhi marsi: flladit qerpikun e atdhetarit
Ndal rënkimin lum Prekazi: flakadan përtej malit
Zjarr, o trim nga trimëritë: Kosovë djep i Shqiptarit
„Ndal!“ –i the dhunës barbare mbi bijtë e Arbërit.

Kur këndohen këngë Lirie
Sjell voglushët çdo shkurt e mars
Të takoj në tel poezie
Dritë, legjendë,…histori në laps…!

PREKJA E ËNDRRËS

Sot nuk kërkoj aromë lulesh
As lakmoj retë qiellore
As kërkoj ndihmë shenjtërish

Sot le të mos vijnë yjet
As rrezet e hënës
Se s'bie më terr në Kosovë

PREKËM
ËNDRRËN!

Sot Kosovë e Pavarur
Është vet dielli i rilindur
Dhe unë shtetasi i saj Shqiptar

PAVARËSI E KOSOVËS
Prekja e ëndrrës së brezave
Qarkullim i gjakut tim në deje...



(Vota: 10 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora