E merkure, 01.05.2024, 04:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Xhevahir Cirongu: Historinë shqiptarët e kanë shkruar në damarë gjaku!...

E premte, 22.02.2013, 07:00 PM


Historinë shqiptarët e kanë shkruar në damarë gjaku!...

Me rastin e shpalljes së 5- vjetorit të Pavarsisë së Kosovës.

(Copëza histori - jete nga  Dardania (Kosova),rrëfime nga plaku 76 vjeçar  Halim Avdullau)

Nga Xhevahir Cirongu

Ishte një rastësi që unë takova plakun 76 vjeçar Halim Avdullau nga Podujeva e Kosovës. Ai s’bashku me të shoqen kishin ardhur në qytetin e Durrësit për plazhë. Aty nën çadrën e plazhit çfletonte një gazetë. Mosha e thyerë nuk e “rrëzonte“ dot atë lis të moçëm; dhe me ata sy si të shqiponjës, lexonte pa u penguar në shqipërimin e fjalëve.

- Epo, boll hej burrë, se do qerrohesh nga sytë! - i tha gruaja. Kemi ardhur për plazh këtu, e jo në bibliotekë....!

- Edhe këtu duhet lexuar, - i a kthehu përgjigjen aty për aty ai. Në këtë kohë ngriti kokën lartë dhe më vështroi mua. Unë në këtë çast kisha ndaluar,dhe në këtë kohë që po më vështronte vazhdova të ecja.

- Ndalo more bir i shqipes! A ban me këqyr ato libra…?! Ndalova hapin. U ktheva për tek miqtë të një gjaku të ardhur nga Kosova.

-Po, si je more bacë!

-Mirë besa mirë, edhe këtu në shqipen tonë jemi akoma më mirë…. Deti i shqipes sonë është më i miri në botë!.... U takuam si baba me të birin, dhe më ftoi të ulesha në shazllon.

Me ato duar të ashpra malsori çfletoi disa fletë të librit. Nga sytë rrodhën pika loti dhe u thithën nga rëra e detit. Në ballë rrudhat tregonin vuajtjet dhe trimërinë e tija, ….pastaj e puthi librin.

- I lumtë dora e mendja autorit, se bukur e paska shkruar, flet edhe për historinë! Unë, sakaq ngacmova bisedën, dhe Halim Avdullau që kishte lindur në fshatin Dumnicë të poshtme më 10 maj të vitit 1935; e tani jeton në Podujevë, tregon histori të dhimshme, por edhe me ndjenjën e krenarisë prej shqiptari.

.....Copëza historie Kosovare .........

- Zona e Podujevës dhe fshati im Dumnica e poshtme, - na tregon Halimi është shtatë kilometra larg kufirit Serb. Duke filluar nga Merdari e deri në Nish, zona kufitare është mbi 100 km vijë kufitare tokësore, dhe e cila mbaron tek Molla e Kuqe, ku është kufiri fundor Shqipëri – Serbi. Në këtë zonë kanë qënë mbi 703 fshatra shqiptare. Në vitin 1864, kjo zonë u okopua me forcë nga sllavët dhe u popullua prej tyre. Ata dogjën e masakruan, vranë e shkatërruan ç’mundën, që ishte shqiptare, duke i dëbuar me forcë nga vatrat e tyre shekullore, e si rrjedhojë rrafshuan të gjithë fshatrat shqiptare.

Plaku i Dumnicës rrëfen këto copza historie të trishtueshme shqiptare dhe sërisht përlotet. - “Shpërngulja e shqiptarëve filloi prej Toplice deri në Nish, ku një pjesë aty ishin të banuar me shekuj nga shqiptarët. Shumica e tyre u larguan për në Turqi, dhe vetëm një pjesë e vogël u ndalën në Kosovë.

Gjyshi im të cilin e quanin Shaban dhe baba Muharrem Avdullau; më kanë treguar se në vitin 1864 Serbët e çvendosën kufirin prej nga Molla e Kuqe nga Nishi, duke dalë në Merdare dhe Prepollacë. Në vitin 1912 e gjithë Kosova bie nën sundimin serb. Sipas gjyshit na tregon Halim Avdullau, për 48 vite kufiri në Merdare është sunduar nga shkau (Serbi); ku ky i fundit vendosi edhe piramida nga viti 1864 deri më 1912. Pas kësaj serbi i shkatërroi dhe dolli në Morinë.

Ashtu me zërin burrëror, por që brenda shpirtit mban të fshehur dhimbjen e vendlindjes së të parëve; vazhdon të na rrëfejë ngjarje historike trimërie plot sakrifica të shqiptarëve të Kosovës. Dhe vazhdon të na tregojë: “Kufiri është thurur disa herë me thupra nga shkau (Serbi), prandaj edhe sot ka mbetur shprehja në Kosovë ku thuhet “Mu bëre si gardhi i shkaut, ose i Serbit“. Edhe vendet e kulteve shpirtërore të shqiptarëve, pushtuesit e sidomos Serbosllav i shkatërruan, dhe në vend të tyre në mënyrën më barbare ndërtuan kisha Ortodokse Serbe. Më e çuditshme është se në to nuk kanë vendosur datën e fillimit të ndërtimit, por mbarimin e punimeve të tyre. Fakti sot është në kishën e ndërtuar në Merçezë të Podujevës, ku është e shkruar vetëm viti i ndërtimit (viti 1930). Midis viteve 1912-1920, fshatrat shqiptare filluan të popullohen me serbë, pothuajse në gjithë Kosovën.

Në luftën e parë botërore në vitin 1918, u dogjën e u shkatërruan përsëri fshatrat kufitare shqiptare për gjatë vijës kufitare me serbin. Si: Keçekallë, Prapashticë, Radishevicë, Dadishefc, Repë, Popovë, Herticë, Gërdac, Dumnicë etj. Por barbarizmat nuk kanë të sosur për shqiptarët e Kosovës nën sundimin Serbosllav. Ka plot shqiptarë të Kosovës, që pas luftës parë botërore kanë ardhur edhe në shqipen tonë aq të dashur....

Eshtë viti 1944, ku vetëm në Kosovë u vranë e u prenë nga shkau Serbomalazes, 50.000 shqiptarë civilë pa përmendur këtu masakrën e Tivarit. Nga mesi i fillimeve të viteve 1953-1966 pushtuesi serbosllav dëboi nga vatrat e tyre shekullore mbi gjysëm milioni shqiptarë nga kosova për në Turqi.

Ishte viti 1981, ku më dy prill të këtij viti, Halim Avdullau arrestohet si pjesëmarrës në demonstratën e organizuar në Prishtinë, kundër regjimit Sllavoserb. Nga regjimi i urryer serb, Halimi dënohet me katër vite burg. Në fillim burgoset në Prishtinë.Pastaj më von e trasferojnë në Gjilan, Pejë dhe Sarajevë. Nuk lë pa përmendur edhe shokët e tija, që në ato vite të egra okupatori morën guximin të ngriheshin kundër shkaut.

Bashkëvuajtsit në burgjet serbe ishin shokët: Hysni Thaçi nga Rahoveci, Avdulla Rama nga Podujeva, Nexhmi Bala nga Podujeva, Naim Buijupi e Mos Musa nga Orllati i Drenicës etj. I kujton me mall shokët dhe përlotet sërisht të cilët sakrifikuan edhe me jetë për Kosovën e lirë, që po gëzojmë sot e brezat që do vinë pas. Me dhimbje kujton djemtë e vajzat Kosovare e gjithë djemtë nga trevat gjithëshqiptare; të cilët dhanë jetën për çlirimin e Kosovës, me në krye legjendarin Adem Jasharin. Në 30 vjetorin e kujtimit të demonstrates të vitit 1981, këtë vit më dy prill 2011, në Prishtinë festuam këtë ngjarje me rëndësi historike për Kosovën. Këtë radhë na thotë Halimi ishte ndryshe, sepse kujtonim e festonim në Kosovën e lirë.

Historia duhet shkruar more djalë, që t’u tregojmë brezave se është dashur shumë sakrificë dhe gjakë për të jetuar i lirë, ndaj jam i gëzuar sot këtu që po të flas buzë detit të qytetit tonë Durrës. Me këto fjalë e mbyll rrëfimin e tij historik xha Halim Avdullau nga Podujeva.

Ndoshta, një radhë tjetër do na tregojë copëza nga jeta edhe më shumë, sepse historinë shqiptarët e kanë shkruar në damarë gjaku.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora