| E premte, 22.02.2013, 07:00 PM |
Historinë
shqiptarët e kanë shkruar në damarë gjaku!...
Me rastin
e shpalljes së 5- vjetorit të Pavarsisë së Kosovës.
(Copëza histori - jete nga Dardania (Kosova),rrëfime nga plaku 76 vjeçar Halim Avdullau)
Nga Xhevahir Cirongu
Ishte një
rastësi që unë takova plakun 76 vjeçar Halim Avdullau nga Podujeva e Kosovës.
Ai s’bashku me të shoqen kishin ardhur në qytetin e Durrësit për plazhë. Aty
nën çadrën e plazhit çfletonte një gazetë. Mosha e thyerë nuk e “rrëzonte“ dot
atë lis të moçëm; dhe me ata sy si të shqiponjës, lexonte pa u penguar në
shqipërimin e fjalëve.
- Epo,
boll hej burrë, se do qerrohesh nga sytë! - i tha gruaja. Kemi ardhur për plazh
këtu, e jo në bibliotekë....!
- Edhe
këtu duhet lexuar, - i a kthehu përgjigjen aty për aty ai. Në këtë kohë ngriti
kokën lartë dhe më vështroi mua. Unë në këtë çast kisha ndaluar,dhe në këtë
kohë që po më vështronte vazhdova të ecja.
- Ndalo
more bir i shqipes! A ban me këqyr ato libra…?! Ndalova hapin. U ktheva për tek
miqtë të një gjaku të ardhur nga Kosova.
-Po, si
je more bacë!
-Mirë
besa mirë, edhe këtu në shqipen tonë jemi akoma më mirë…. Deti i shqipes sonë
është më i miri në botë!.... U takuam si baba me të birin, dhe më ftoi të
ulesha në shazllon.
Me ato duar të ashpra malsori çfletoi disa fletë të librit. Nga sytë rrodhën pika loti dhe u thithën nga rëra e detit. Në ballë rrudhat tregonin vuajtjet dhe trimërinë e tija, ….pastaj e puthi librin.
- I lumtë dora e mendja autorit, se bukur e paska shkruar, flet edhe për historinë! Unë, sakaq ngacmova bisedën, dhe Halim Avdullau që kishte lindur në fshatin Dumnicë të poshtme më 10 maj të vitit 1935; e tani jeton në Podujevë, tregon histori të dhimshme, por edhe me ndjenjën e krenarisë prej shqiptari.
.....Copëza historie Kosovare .........
- Zona e
Podujevës dhe fshati im Dumnica e poshtme, - na tregon Halimi është shtatë
kilometra larg kufirit Serb. Duke filluar nga Merdari e deri në Nish, zona
kufitare është mbi 100 km vijë kufitare tokësore, dhe e cila mbaron tek Molla e
Kuqe, ku është kufiri fundor Shqipëri – Serbi. Në këtë zonë kanë qënë mbi 703
fshatra shqiptare. Në vitin 1864, kjo zonë u okopua me forcë nga sllavët dhe u
popullua prej tyre. Ata dogjën e masakruan, vranë e shkatërruan ç’mundën, që
ishte shqiptare, duke i dëbuar me forcë nga vatrat e tyre shekullore, e si
rrjedhojë rrafshuan të gjithë fshatrat shqiptare.
Plaku i
Dumnicës rrëfen këto copza historie të trishtueshme shqiptare dhe sërisht
përlotet. - “Shpërngulja e shqiptarëve filloi prej Toplice deri në Nish, ku një
pjesë aty ishin të banuar me shekuj nga shqiptarët. Shumica e tyre u larguan
për në Turqi, dhe vetëm një pjesë e vogël u ndalën në Kosovë.
Gjyshi im
të cilin e quanin Shaban dhe baba Muharrem Avdullau; më kanë treguar se në
vitin 1864 Serbët e çvendosën kufirin prej nga Molla e Kuqe nga Nishi, duke
dalë në Merdare dhe Prepollacë. Në vitin 1912 e gjithë Kosova bie nën sundimin
serb. Sipas gjyshit na tregon Halim Avdullau, për 48 vite kufiri në Merdare
është sunduar nga shkau (Serbi); ku ky i fundit vendosi edhe piramida nga viti
1864 deri më 1912. Pas kësaj serbi i shkatërroi dhe dolli në Morinë.
Ashtu me
zërin burrëror, por që brenda shpirtit mban të fshehur dhimbjen e vendlindjes
së të parëve; vazhdon të na rrëfejë ngjarje historike trimërie plot sakrifica
të shqiptarëve të Kosovës. Dhe vazhdon të na tregojë: “Kufiri është thurur disa
herë me thupra nga shkau (Serbi), prandaj edhe sot ka mbetur shprehja në Kosovë
ku thuhet “Mu bëre si gardhi i shkaut, ose i Serbit“. Edhe vendet e kulteve
shpirtërore të shqiptarëve, pushtuesit e sidomos Serbosllav i shkatërruan, dhe
në vend të tyre në mënyrën më barbare ndërtuan kisha Ortodokse Serbe. Më e
çuditshme është se në to nuk kanë vendosur datën e fillimit të ndërtimit, por
mbarimin e punimeve të tyre. Fakti sot është në kishën e ndërtuar në Merçezë të
Podujevës, ku është e shkruar vetëm viti i ndërtimit (viti 1930). Midis viteve
1912-1920, fshatrat shqiptare filluan të popullohen me serbë, pothuajse në
gjithë Kosovën.
Në luftën
e parë botërore në vitin 1918, u dogjën e u shkatërruan përsëri fshatrat
kufitare shqiptare për gjatë vijës kufitare me serbin. Si: Keçekallë,
Prapashticë, Radishevicë, Dadishefc, Repë, Popovë, Herticë, Gërdac, Dumnicë
etj. Por barbarizmat nuk kanë të sosur për shqiptarët e Kosovës nën sundimin
Serbosllav. Ka plot shqiptarë të Kosovës, që pas luftës parë botërore kanë
ardhur edhe në shqipen tonë aq të dashur....
Eshtë
viti 1944, ku vetëm në Kosovë u vranë e u prenë nga shkau Serbomalazes, 50.000
shqiptarë civilë pa përmendur këtu masakrën e Tivarit. Nga mesi i fillimeve të
viteve 1953-1966 pushtuesi serbosllav dëboi nga vatrat e tyre shekullore mbi
gjysëm milioni shqiptarë nga kosova për në Turqi.
Ishte
viti 1981, ku më dy prill të këtij viti, Halim Avdullau arrestohet si
pjesëmarrës në demonstratën e organizuar në Prishtinë, kundër regjimit
Sllavoserb. Nga regjimi i urryer serb, Halimi dënohet me katër vite burg. Në
fillim burgoset në Prishtinë.Pastaj më von e trasferojnë në Gjilan, Pejë dhe
Sarajevë. Nuk lë pa përmendur edhe shokët e tija, që në ato vite të egra
okupatori morën guximin të ngriheshin kundër shkaut.
Bashkëvuajtsit
në burgjet serbe ishin shokët: Hysni Thaçi nga Rahoveci, Avdulla Rama nga
Podujeva, Nexhmi Bala nga Podujeva, Naim Buijupi e Mos Musa nga Orllati i
Drenicës etj. I kujton me mall shokët dhe përlotet sërisht të cilët sakrifikuan
edhe me jetë për Kosovën e lirë, që po gëzojmë sot e brezat që do vinë pas. Me
dhimbje kujton djemtë e vajzat Kosovare e gjithë djemtë nga trevat
gjithëshqiptare; të cilët dhanë jetën për çlirimin e Kosovës, me në krye
legjendarin Adem Jasharin. Në 30 vjetorin e kujtimit të demonstrates të vitit
1981, këtë vit më dy prill 2011, në Prishtinë festuam këtë ngjarje me rëndësi
historike për Kosovën. Këtë radhë na thotë Halimi ishte ndryshe, sepse kujtonim
e festonim në Kosovën e lirë.
Historia
duhet shkruar more djalë, që t’u tregojmë brezave se është dashur shumë
sakrificë dhe gjakë për të jetuar i lirë, ndaj jam i gëzuar sot këtu që po të
flas buzë detit të qytetit tonë Durrës. Me këto fjalë e mbyll rrëfimin e tij
historik xha Halim Avdullau nga Podujeva.
Ndoshta, një radhë tjetër do na tregojë copëza nga jeta edhe më shumë, sepse historinë shqiptarët e kanë shkruar në damarë gjaku.