Kulturë
Ejup Ajdini: Ringjallet shpirti i Rekës
E premte, 22.02.2013, 09:20 PM
Ringjallet shpirti i Rekës
Nga Ejup AJDINI
Historia
është e mbushur plotpërplot me mallkime që kanë shkaktuar tragjedi e fatkeqësi
të shumta. Këto mallkime i atribuohen më tepër fatit të keq, por shumë prej
tyre janë çuditërisht të natyrave të ndryshme dhe mbeten të pashlyera në
vëmendjen tonë në mënyrë të pashmangshme. Me
librin “ Josif Bageri” të autorit Branisllav Sinadinivski, duket drita nga
fundi i tunelit, edhe atë në kohën më të duhur dhe më të përshtatshme. Kjo
vepër përputhet edhe me thënien e Martin Luther Kinng-ut , kur u drejtohej
patriotëve amerikan: “mos pyesni se çfarë vendi juaj mund të bëjë për ju,
pyesni se çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj."1
Sa
është kënaqësi që të shkruash dhe të flasësh për veprimtarinë interdiciplinare
të Branisllav Sinadinovskit, po aq është edhe përgjegjësi e veçantë sepse kemi
të bëjmë me një personalitet shumëdimensional, si në jetën kulturore, pulitke e
diplomatike, po ashtu edhe në mbarë jetën shoqërore në Maqedoni dhe më gjerë.
Që në antikë Horaci thoshte: “Eshtë kenaqesi dhe nder te vdesësh për atdhe”2.
Sinadinovski i lindur në Shtip, por, të gjitha shkallët e shkollimit i bëri në
Shkup. Përveç se bashkëpunëtor i lartë shkencor për studime sociologjike,
politike e juridike, ai edhe ligjëron në disa universitete të botës arabe. Ka
punuar në shumë projekte ndërkombëtare. Dy dekada ka qenë diplomat karriere dhe
shumë funksione në ish diplomacinë jugosllave. Njohës i pesë gjuhëve botërore.
Pjesëmarrës në themelimin e VMRO-DPMNE. Ka qenë ministër i punëve të
jashtme, kandidat i pavarur për
president shteti më 1998 etj. Siç duket Sinadinovski e ka ruajt në thellësinë e
shpirtit atë më të shenjtën, siç thoshte edhe Sami Frashëri : “ Sendet me te
shtrenjta ne bot janë nderi dhe atdheu.”3 Vetëm kjo mund të na krijoj një jetë të qetë, të bukur
dhe të lirë.
Lakmitë
e tepërta e kanë helmuar shpirtin e
njeriut, e kanë mbushur botën me urrejtje, na kanë bërë të biem në
greminë të varfërisë e në rrëketë e gjakut të pafund. Koha e shkuar
na bëri të ktheheshim në cinikë, në jo-njerëzorë, të mos ndjejmë sa duhet shpirtërisht sepse na mungonte njerzillëku, na mungon
zemërbutësia dhe mirësjellja. Pa këto cilësi të veçanta njerëzore, jeta
gjithmonë do jetë dhunë dhe gjithçka do jetë e humbur. Asgjë nuk humbet në këtë
botë! Populli thotë : Nëse vonon, por nuk harron. Pra, kjo vepër për Bagerin na
nxitë që të mendojmë se, urrejtja do të zhduket dhe diktatorët do të vdesin, e
pushteti që ua kishin marrë njerëzve do t’i kthehet sërish njerëzve. E derisa
për lirinë ende njerëzit e japin jetën, liria dhe drejtësia kurën e kurës s’ka
për t’u mposhtur. Sunduesi mund të marrë gjithçka, por shpirtin jo!Shpirti
mbetet shpirt, nuk vdes dhe armiku s’ka si ta asgjësoj atë, ja pra, edhe pas
100 vitesh ky shpirt i i rekasve ngjallet, apo rilindet përsëri.
Nga
33 librat shkencor e profesional të Sinadinovskit, me vlerë të veçantë është edhe libri, “Josif
Bageri”, rilindës, poet dhe publicist i shquar shqiptar, që tek unë, ka lënë
gjurmë të thella e të pashlyeshme, si nga metodologjia e punës shkencore,
qartësia, kompletimi i të dhënave dhe fakteve të sakta e shumë bindëse, zhdukja
e dilemave rreth ndonjë fenomeni të caktuar dhe veçmas stili i të shkruarit që
nuk të jep rast që të shkëputesh nga ky lexim.
Një
peshë të madhe libri tregon edhe me vetë biografinë e autorit të librit, që
lidhet me historinë e krahinës së Rekës dhe atë të Josif Bagerit. Veçmas vlen
të përmendet se “rrënjët e autorit dhe
familjes së të atit, janë nga Reka e Epërme...Deri me vdekjen e gjyshes së
autorit, gjuha shqipe ishte gjuhë komunikimi në shtëpi midis gjyshes dhe babait
të autorit, të cilën e respektonin dhe adhuronin pa masë, ani pse që të dytë me
kohë kishin mësuar edhe gjuhën maqedonase.”4 Mu këtu qëndron edhe
mrekullia e këtij libri serioz, sa human, po aq edhe shkencor, sepse që nga
Bageri, babai i autorit dhe vet studiuesi, diplomati e shkencëtari
Sinadinovski, “kurë nuk i kanë fshehur rrënjët e vjetra shqiptare ortodokse,
prejardhjen dhe përkatësinë etnike.“5 Kjo mrekulli e ardhur nga fuqia e
zotit, me automatizëm na i kujton arbëreshët e Italisë, Fan Nolin, Çajupin,
Gramenon , Migjenin, Azdrenin, Thoma Kacorin e shumë të tjerë dhe nuk thuhet
rastësisht se gjaku i arbrit rron dhe kurë nuk do vdes. Për këtë, nuk e di pse
mu kujtua një thënie e Balzakut i cili thoshte: “Kush kërkon dekorata nuk i
meriton ato. Kush i meriton s’ ka nevojë për to”.6 Edhe Sinadinovski
s’ka nevojë për lëvdata, sepse puna e tij është vetë e lavdëruar.
Nuk
ka fenomen më tragjik për një popull se kur i fshihet një pjesë e shpirtit –
letërsia e historia, apo edhe tërësia e qenies së identitetit kombëtar. Një
pjesë e madhe e popullit tonë ngeli nen administratën e ish Republikës
Jugosllave të Maqedonisë, ku përjetuan reprezaljet nga më të ndryshmet, por
falë traditës së lashtë kulturore, historisë së lavdishme të mbarë kombit
shqiptar, duke falënderuat bijtë dhe bijat e pushkës e të pendës të shqiptareve
të kësaj ane, asnjëherë nuk pranuan prangat e robërisë. Ata ruajtën me krenari
identitetin e qenies së tyre kombëtare, qëndruan stoikisht përballë hordhive
osmane e sllave. Ky stoicizëm i shqiptareve të Maqedonisë ishte i gjithanshmen,
si në planin politik, shoqëror, kulturor
dhe luftarak.
J. Bageri
erdhi si rrjedhojë e forcës se përbashkët kombëtare, i cili veproi në kushte
dhe rrethana të përbashkëta historike, kulturore politike dhe ekonomike të
mbarë qenies sonë kombëtare. Ai ishte, siç
thotë edhe vetë autori i librit që në titull, rilindës, poet, por edhe
publicist i mire i kohës. Përveç se atdhetar i devotshëm, ishte edhe njeri i
aksioneve dhe me aftësi krijuese dhe organizative, që, bashkë me shokët e tij ,
ideal të vetëm e kishin lirinë e plotë për të gjithë shqiptaret, por edhe të
popujve tjerë të shtypur të Ballkanit.
Me 1912, me
shpalljen e pavarësisë se Shqipërisë, ku pjesa më e mashe e Shqipërisë mbeti
jashtë kësaj pavarësie, të gjithë rilindësit tanë të kohës u ndjenë shumë të
zhgënjyer dhe të tradhtuar nga fuqitë e mëdha. Këtë zhgënjim të madh kombëtar
edhe Bageri e ndjeu thellë dhe këtë e shprehu me një shkrim te veçante ku
thotë: “ Ejani t’a ngjallin kombin, se anmiku na përpiu e na gëlltiti...”7
Ai kërkon që popullata shqiptare të
lidhin besa-besë dhe të punojnë për të
mirën e kombit. Kjo, sipas Bagerit arrihet vetëm me “hapjen e shkollave shqipe,
të cilat do ta ndritin dhe do t’ia hapin sytë popullit tonë” 8
Pasi Josifi
kishte dhënë prova si poet, veçmas me përmbledhjen “kopsht malësori”Autori i
këtij libri, i qaset edhe këtij problemi. Jo rastësisht Sinadinovski librin e
tij “ Josif Bageri” e fillon me këto vargje:
“
S’due ktu uni me vdek,
Po
n’shqipni! Atje në Rek!
Ah
dhe njëherë unë të ngrihem!
Pa
n’vorr t’nanës un të shtrihem!
Atje
në Rek para kishës;
Atje
në Nistrovë, n’hijet pishës! 9
Këto
poezi më së shumti janë të ngjeshura me motivin patriotik dhe atë të punës dhe
e atdhedashurisë në tërësi, ku dominon fryma filozofike e iluminizmit shqiptar,
sepse arsimimi i brezave të rinj në gjuhën amtare, për Bagerin dhe rilindësit
tjerë ishte gjithçka. Aty edhe fillonte shpëtimi kombëtar dhe pa te do
vazhdonte shkatërrimi kombëtar.
Një shekull më
parë, intelektualë të shumtë, krijues e patriotë të vendit, gjithandej u
larguan nga trojet e tyre etnike dhe u vendosën në shumë qendra të Evropës dhe
jashtë saj, por bota e tyre krijuese, patriotike e revolucionare nuk qëndroi në
heshtje, përkundrazi ata u mobilizuan fuqishëm dhe krijuan kolonitë, klubet,
shoqëritë, shtypshkronjat, gazetat e gjithçka që ishte e nevojshme dhe në dobi
të lëvizjes kombëtare. Njëra nga kolonitë shqiptare më e veçantë ishte edhe ajo
e Sofjes “ Dëshirë”, ku ishte aktivizuar thellësisht edhe J. Bageri, e që
kishte marrë një orientim të mbarë për kauzën e madhe kombëtare, si në planin
organizativ, politik, kulturor, arsimor dhe të atij letrarë që çonte drejt
udhës së pavarësisë.
Në revistën “
Shpnesa e Shqipnis “ që e drejtonte z. Ivanaj, Bageri do të gjej prehje
intelektuale dhe do të botoj pandërprerë për një vit rresht, 1906-1907. Në këtë
revistë ai botoi edhe punimin “ Detyra e shqiptarit “ që molisi e para
platformë politike e tij për trasimin e rrugës deri te liria kombëtare. Për të
ardhur deri te liria kombëtare e Shqipërisë etnike, ai në platformë parasheh
edhe detyrat e çdo shqiptarit dhe duke filluar nga e para: “ Të ape dorën vllai
vllait me t’pa dajtun të fes ”10 Sipas Bagerit, kombit
tonë nuk i munguan trimat, dhe njerëzit e dijes, por i mungonte organizimi,
pasi këto njerëz ishin të shpërndarë
gjithandej. Detyra e dytë në këtë
platformë ishte që, shqiptarët të sigurojnë mjete financiare që do kërkonte lufta për liri. Me këto mjete do
ndihmohej edhe shtypi shqiptar, pasi
është pjese e pandarë e lirisë
kombëtare, me të cilat mjete do përkrahej edhe shtypi, sepse Bageri e
quan te varfër shtypin shqiptar, pasi, gjithandej kemi vetëm katër gazeta
shqipe. Kjo vinte edhe si rezultat duke u mbështetur në programin e Lidhjes së
Prizrenit duke thënë se” duhet të formojmë qeverinë tonë, ushtrinë tonë, që do
t’i mbroj kufijtë tonë”11
Punë e madhe
që bënte me shkrimet e tij neper gazetat e kohës, e nxitën që të nisi punën me
gazetën e tij të pavarur “ Shqypja e shqypnis” e cila filloi të dalë në botim
në muajin maj 1909 deri në muajin tetor 1911, pas Kongresit të Manastirit. Kjo
gazetë ishte organ për politikë dhe
dituri. Motoja kryesore e gazetës ishte: “ Përpara vllazën shqiptar! Ne
luftën e rreptë kundër padijes për mbrojtjen e kombit shqiptar dhe shndritjen e
tij”.12 Rruga deri te kjo gazete ishte tejet e vështirë, të cilën
nuk e bënte për te përfituar, por për t’u treguar bashkatdhetarëve, se cila
ishte detyra e tyre patriotike dhe rrugët qe do çonin drejt lirisë dhe
pavarësisë se Shqipërisë natyrale.
Letërkëmbimet
dhe urimet për gazetën i shtoheshin
Bagerit dita më ditë nga katër anët e botës. Hil Mosi, me 2 korik 1909 i
shkruante: Atdhetar i dashtun Z-ni
Bageri! Nuk dim se si t’ju rrëfejmë
përgëzimet dhe urimet t’ona për këtë barr dhe pasi iniciativa që keni
marë për me mpruejt të drejtat e kombit shqiptar.. Letrat vinin edhe nga Amerika e Australia
Afrika etj...
Sa
i përket vizionit të tij politik edhe sot e kësaj dite është aktual. Ai, që
atëherë, shkruante: “... Serbia dhe Greqia jan ma t’rreptit
armik të Shqipenis....”13
Kjo vepër që
po promovojmë sot me kaq kënaqësi është mjaft komplekse. Ajo përbëhet me mbi
300 faqe material shkencor, me mbi 94
burime shkencore dhe me 28 tituj të plotë që përbëjnë tërësinë kompozicionale
të veprës, e cila vjen si një filozofi e
veçantë e kësaj ane, e shfaqur si domosdoshmëri historike dhe imperativ i
kohës, pikërisht në kohën kur populli shqiptar
kalon vuajtje nga më të ndryshmet, veçmas ata të anës së Rekës, e që një shekull lufton për moszhdukje. Në këtë
libër të bën përshtypje se autori na ka bërë të qartë filozofinë e Bagerit dhe
të botës shqiptare në të gjitha fushat dimenzionale të kohës kur jetoi dhe
veproi ky Rilindës i madh. Në fillim kemi një pasqyrë të qartë për krahinën e
Rekës që sjell një studim preciz për të gjitha katundet me numra të saktë të
nacionaliteteve dhe besimeve fetare, që në esencë kuptohet Shqipëria e Josif
Bagerit. Rinia e hershme dhe kurbeti i Josifit paraqet një personifikim për
gjendjen e rëndë të të gjithë shqiptarëve. E veçanta e veprës qëndron tek
parashtrimi i Lidhjes së Prizrenit dhe lidhjet kulturore dhe revolucionare
midis shqiptarëve dhe maqedonasve, për të cilat ne edhe sot e kësaj dite kemi
mangësi njohurish. Veçmas vlen të përmendet apeli i Ligës Maqedonase –
Shqiptare, ku ndër të tjera thuhet: ”...pa zëra ndryshe, nën një kushtetutë,
nën një flamur dhe do të luftojmë për autonominë në të dy rajonet tona.”14
Pastaj përshkrimi i ngjarjeve të Kongresit të Manastirit, luftërat ballkanike,
gazeta “Shqypja e Shqypnis”, dokumente të ndryshme dhe opusi i tij krijues në
tërësi përbëjnë tërësinë kompozicionale të kësaj vepre që na dëshmon, jo vetëm
për karakterin e fuqishëm shkencor e studimor, por edhe për një punë të zellshme
e të palodhshme prej atdhetari të devotshëm... duke kujtuar gjithherë se,
“është e rrezikshme të kesh të drejtë, kur qeveria është gabim",15
thoshte Volteri.
Për në fund, ky libër, sa shkencor e publicistik, po aq edhe human, u shkrua me frymën e dashurisë dhe dëshmisë se identitetit kombëtar të kësaj pjese më të shkelur të qenies sonë kombëtare, që edhe sot e kësaj dite këto plagë kullojnë gjak arbërori. Motivi kulturor e gjuhësor, publicistik e shkencor i librit në fjalë, ka individualitetin e qarte prej një studiuesi, diplomati e burë shteti si z. Branisllav (Branko) Sinadinovski, që dëshmon për një aktivitet të pasur të kësaj vepre e që sjellë një kontribut të veçantë në mbare publicistiken shqiptare të kohës sonë e që do jetë një vulë e përjetshme, jo vetëm për Josif Bagerin e Krahinën e Rekës, por edhe për pjesën e pandriçuar të Rilindjes sonë Kombëtare në tërësi, me të cilën plotësohet kjo shprazëtirë komunikuese me veprën dhe Rekën e Josif Bagerit.