E diele, 04.05.2025, 09:48 PM (GMT+1)

Kulturë

Florim Shatrolli: Nexhat Halimi - ''Narcis i gjakosur''

E diele, 24.02.2013, 11:32 AM


Nexhat HALIMI, “Narcis i gjakosur”, poezi, botoi “Buzuku”, Prishtinë, 2007

Nga Florim Shatrolli

Nexhat HALIMI, i dëshmuar deri më tani si një nga poetët më të spikatur dhe të shquar të letërsisë bashkëkohore shqipe, ka krijuar stilin e tij të veçantë, lojën, qasjen dhe artikulimin në zhanre të ndryshme letrare, e me fokus dhe në mënyrë shumë specifike në idetë, imazhet dhe artin e tematikës së poezisë shqipe. Edhe në vëllimin poetik “Narcis i gjakosur”, rithekson zotësinë e tij prej një talenti të rrallë të shprehjes së ndjenjave dhe frymëzimit me anë të poezisë, siç e thotë autori “nuk dëshiroj të ligjëroj”, por vetë vargjet e tija janë bërë temë shumë e fuqishme e diskutimeve dhe ligjërimeve poetike në letërsinë bashkëkohore mbarë shqiptare, e në mënyrë të posaçme vëllimi poetik “Narcis i gjakosur”, që me një xhelozi letrare, thur vargje për Ilirinë, për paraardhësit dhe të parët tanë.

Në mesin e poezive të përfshira në vëllimin poetik “Narcis i gjakosur”, ai ka bërë një laramani temash të trajtuara, duke bërë kështu që ky libër të ketë cilësi, në radhë të parë, pastaj edhe rëndësi të shumëfishtë, për faktin se nga ajo që shihet brenda këtij vëllimi, poeti ka përfshirë ato poezi, tema e së cilave është më e rëndësishmja për kohën bashkëkohore, duke trajtuar një temë shumë të rëndësishme në gjithë këtë vëllim, pra temën Lirisë dhe Ilirisë, vendit ku janë shtrirë të parët tanë. Qasja dhe trajtimi i kujdesshëm, me nuanca e ngjyrime të së bukures dhe figurave që simbolizojnë sakrificën, guximin dhe trimërinë e të parëve tanë. Artikulimi përmes vargjeve në rrethana sistematike të lëvizjeve dhe ndryshimeve te ilirët (shqiptarët) që nuk u ndërruan kurrë, në vargje shihet qartë se HALIMI, ka zhvilluar tematikën e vuajtjeve dhe sakrificave të vazhdueshme që kanë bërë të parët tanë, por që këto sakrifica po i bëjnë dhe do i bëjnë edhe pasardhësit e ilirëve. Pra shqiptarët e coptuar në shumë vende në mënyrë të padrejtë, vazhdojnë luftën e tyre në forma të ndryshme për bashkimin e natyrshëm mbarë kombëtar, shqiptar.

Ndër temat që trajton poeti është tema e Ilirisë, që e trajton në poezinë “Letër e re për nënën”, tematika e së cilës prekë transformimin e kombësisë dhe kufijve nga rrethanat e kohës së vjetër të Ilirisë, duke e renduar autorin edhe më tutje ky transformim në rrethana të reja bashkëkohore, “e syri pikon mbi Ilirinë / ja ajo që humb me gjak / mund të kthehet veç me gjak”

Pastaj, shpirtin e poetit e ngacmon vuajtja e pafund e popullit paqedashës shqiptarë, pasardhësve të ilirëve, gjatë periudhës së transformimeve dhe rrudhjes së kufijve të Ilirisë.

Ajo çka e veçon këtë libër, apo që mund të quhet veti dalluese e tij, është se të gjitha poezitë i kushtohen Ilirisë, trimave dhe popullit shqiptar që vazhduan dhe mbrojtjes së lirisë njerëzore dhe universale aq sa munden dhe ditën trojet e të parëve.

Shprehja dhe trajtimi i temës së Lirisë është ngushtë e lidhur me temën e Ilirisë, sot shqipja ka nevojë dhe bën përpjekje që në gjithë Ilirinë ta ketë Lirinë.

Poeti u dërgon mesazhe, përmes poezive të tij, se ai i mbështetë thyerjet e barrierave në trojet e Ilirisë, duke ilustruar me dallgët e detit, me zhurmën e bjeshkëve dhe maleve që komunikojnë dhe thyejnë ndarjen e kufijve të shqipes (dikur truall i Ilirisë), zogjtë që lëvizin dhe cicërojnë, shqiponjat që krah hapur fluturojnë pa e ndier se janë në shumë vende sepse ato janë dhe fluturojnë në trojet e dikurshme të Ilirisë.

Po ashtu, me poezitë e tij, poeti HALIMI ka prekur shumë aspekte të jetës, duke trajtuar të gjitha tematikat e mundshme me një mjeshtëri dhe përsosëshmëri të jashtëzakonshme poetike, duke luajtur me shumë nuanca, ngjyrime dhe figura, të cilat kanë mesazh artistik dhe kanë kuptimin heroik shumë të qartë ndër shqiptarët.

Një anë tjetër që bie në sy gjatë leximit të këtij vëllimi poetik të Nexhat HALIMIT, është se numri më i madh i poezive, të përfshira në këtë vëllim poetik, janë lidhshmëri e tematikës së përgjithshme për Ilirinë, që e trajton aq me mjeshtëri, kujdes dhe xhelozi pozitive.

Secila poezi në këtë vëllim poetik ka pjesë të ndryshme të rrëfimit dhe dhembjes së poetit, për vuajtjen që ka përjetuar populli dhe trojet e shqipes (gjegjësisht Ilirisë), gjatë luftërave më të tmerrshme dhe të vazhdueshme, të bërë deri më tani në këtë pjesë të trojeve iliro-shqiptare.

Një veçori tjetër e këtij vëllimi poetik është ndjenja e dhembjes që ndjen një shqiptar për të parët e tij, pra vuajtjet që janë bërë, përjetohen edhe sot te pasardhësit e ilirëve, pra te çdo shqiptar.

Andaj, mund të thuhet se poezitë e Nexhat HALIMIT, janë të mbushura me shumë nostalgji, dhembje, pasion dhe dashuri për të parët tanë, pra për truallin dhe popullin ilir, duke ndier etje për vendin, rrënjët dhe gjuhën dhe i kujton me lot në sy.

Me anë të këtij vëllimi poetik, poeti HALIMI, me shumë nostalgji, dhembje dhe dashuri, i këndon trojeve te të parëve tanë, dhe ky këndim rrjedh shumë natyrshëm dhe spontan nga një pasardhës i ilirëve, nga një ilir i dikurshëm dhe shqiptarë i tanishëm.



(Vota: 115 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx