E diele, 04.05.2025, 09:24 PM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Për dashurinë

E diele, 24.02.2013, 11:58 AM


PËR DASHURINË

 

QAZIM SHEHU

 

THESARI

 

Kur më lind ndonjë motiv,

Më duket se kam zbuluar një thesar,

Ngrihem jerm dhe nëpër shtëpi,

Fërkoj duart si një politikan i marrë.

 

I cili sapo një lidhi paktin e radhës,

Për tenderin e groposur në miliona,

O ç`i pakrahasueshëm mbetet ky fat,

I zbulimeve tona…

 

Dhe mua mendja s`më shkon tek ai,

Domosdo , atij s`i vjen tek unë,

Kështu njëri tjetrin në qetësi

Shikojmë, e s`i prishim punë…

 

SENDET

 

Para syve të poetit sendet lëvizin,

Sinjale dashurie çojnë ngado,

Shproporcion i tyre tallazit,

Shpirtin që frymë u ço.

 

Dhe kështu ato qëllimshëm,

Ngatërrohen e shkëndijojnë më tepër,

Me përpikmëri harmoninë,

Ua stolis vargu në letër.

 

Pa këtë, bota do velej,

E squllur si pelte-batak.

Sa më tepër të zhvendosen sendet,

Poezi rritet, shkëndijon e merr zjarr…

 

DIKUR

 

Për dashurinë kurrë s`do vuaj,

Thosha kur isha i ri,

Tani që thinjat kanë gëluar,

Femrat më buzëqeshin për kortezi.

 

Se dashuria është fiksuar,

Tek gruaja, fëmijtë e mi,

Duke mbetur  këngë e pambaruar,

Mbi të cilën ranë aq stuhi…

 

KUR DOLA KËTË MBRËMJE

 

Kur dola këtë mbrëmje dhe të kërkova ty,

Kur dola ,çasti i flakur s`të gjet,

Qyteti u duk bosh si një sy,

Shkulur nga një heshtë.

 

Dhe shkova përmes vetes bosh,

Të kap një fije jete,

Vështirë jetën nga e para të ndërtosh,

Kur pret dikë,

Që mbetet dikush tjetër…

 

GABIMI

 

Dëgjoma këtë këngë që është thurur për ty,

Në pejza zjarri shpirtërisht thurur,

Sa gra ranë pa lavdi,

Në gabimin e bukur.

 

Ndoshta mund mos kishin rënë,

Nëse mendjen do kishin dëgjuar,

Po zemra gjithnjë është shpënë,

Në kohën e marrë e grackën  e thurur…



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx