E diele, 04.05.2025, 09:54 PM (GMT+1)

Kulturë

Adem Zaplluzha: Diku te një baladë (2)

E hene, 25.02.2013, 07:06 PM


Adem Zaplluzha

E MORËM BOTËN NË SY

Ka kohë që e braktisëm gurin e lagjes
Ikëm si zogj
Ose pas zogjve
Tani më nuk më kujtohet asgjë
Por ne ikëm metropoleve
Dhe kurrë më nuk u kthyem në atdhe

Ishim kokëfortë
Nuk deshëm ta ndjejmë dhembjen e gurit
As cijatjen e degëve të shimshirit
E morëm botën në sy
Dhe u bëmë halë në sytë e njerëzve
Edhe perënditë na harruan
Ose vdiqën në udhëtimin e zogjve

Tani më kur më kujtohet fëmijëria
Dhe ai gur i murrmë i lagjes
Me gishtat e mia prej ashti
I preki mollëzat e lisave
Më pastaj dënesi

Nuk kam më lot në sy të qaj
Janë shterë të gjitha burimet e shpirtit
Janë tharë rrapet
Kanë mbetur të vetmuara rrugët
Nuk ka më
Se kush të ua prish gjumin

SONTE ÇDO GJË PO QAN SI LOTI

Sa shumë po i përngjan  sonte shiu
Jevgut të lagjes së verdhë
Sa me mallëngjim
Këto pika stërkalash
Po i bien violinës

Nata qan si një foshnje
Qajnë lisat
Ka kohë që shelgjet të lagjja e poshtme
Nuk kanë pushuar së qari
Sonte çdo gjë qan si loti
Qajnë gurtë e lagjes

Diku në fund të qytetit
Një nënë
U këndon ninulla lisave
E lisat qajnë si fëmijët e lagjes sonë
Sonte çdo gjë po qan si loti
Qajnë me një ngashërim të ethshëm
Edhe gurtë e lagjes

NË ASHTIN E THYER TË LISIT

Një zog i bardhë
Fluturon mjegullave
Brenda në dhomën time
Bie një shi i prushtë
Dhe  i ndez të gjitha kandilat e yjeve

Askush nuk fle
S’flenë as kjo natë e vrarë
Në sqepin e korbit një gacë prej dheu
I dogji të gjitha fushat e mbështjella
Në një pikëllim të paparë
Noton errësira

Ky shi i mërzitshëm
Që po bie në dhomën time
Kush e di se ku i ka rrënjët
Sonte për herë të parë mbiu
Në amalgamën e pasqyrës së thyer

Të lutem mos m’i prek gishtat
Lëre le të dëgjohet zëri i violinës
Ne vdekjen e luleve
Sonte në ashtin e thyer të lisit
Një zog rebel
Ndërtoi një çerdhe prej meteorëve

DO SAJOJNË SI PËRHERË TREGIMIN

Kur më humbin fjalët
E s’kam me kë të bisedoj
Ngjitem në katin e dytë të memories
Dhe i përqafojë lisat

Çatia e rrënuar dridhet
Dridhen gishtat e gjetheve
Ullukët bisedojnë
Me dehidrimin e rrënjëve

Sonte do çmendet kjo natë e mermertë
Ose këto lisa prej dylli
Do sajojnë si përherë tregimin
Se si kanë lindur perëndit e  çmendur

NGA DJEPI I GURIT

Më duket se një zë poçari
Më thërret nga gjumi i deltinës
Sa me mjeshtri lagjet gatuanin dheun
Një kërrabë e moçme
Si nga baladat mbiu nga toka

Dhe për flokët e mjegullnajave
I lidhi meteorët endacak
Në brigjet e Lumëbardhit heshti gjëma
Atë ditë deri në mbrëmje
Nuk pushoi
Një qemane prej fjalëve

Kënduan edhe delet si bareshat
Gjethet përkundnin nostalgjinë e moteve
Nga djepi i gurit
Doli një zambak i bardhë
Dhe fill e për pe na rrëfeu
Biografinë e qytetit

USHTARI

Kur ishte fëmijë
Me një gjilpërë të ndryshkur
I ndiqte mushkonjat

Pasi që u burrërua
Nëpër çdo varr
I kallte kryqet

Ky ushtar i çmendur
Sa shumë i donte
Kryqet dhe mushkonjat

Prishtinë, o9 tetor 2012



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx