E hene, 29.04.2024, 05:47 PM (GMT+1)

Kulturë

Besim Muhadri: Hajdar Salihu studiues i përkushtuar

E hene, 25.02.2013, 07:01 PM


HAJDAR SALIHU STUDIUES I PËRKUSHTUAR

I POEZISË SHQIPE ME ALFABET ARAB

Nga Dr. Besim Muhadri

Hajdar Salihu ( 1950-1995) është autor i romaneve “Udha e ditës së nesërme”, “Jerina dhe Helmi”, “Raport për jetën paralele”, “Stina e mjegullës” dhe “Baladë për kthimin e nizamëve”. Ai është autor edhe i monografisë “Poezia e bejtexhinjve”, që është një nga studimet më të plota të bëra deri më tani për poezinë shqipe të shkruar me alfabet arab. Monografia dhe dy romanet e para janë botuar për të gjallë të autorit, i cili u shua në një moshë fare të re dhe kur pritej që t’i jepte shumë prozës sonë por edhe studimit letrar. Veprat e tjera të tij janë botuar post mortum. Që të gjitha këto vepra na dëshmojnë për një autor mjaft të përkushtuar, i cili la gjurmë të pashlyera, qoftë në fushën e prozës së gjatë, qoftë në atë të studimit letrar.

Temë e vështrimit tonë është studimi i gjatë i Hajdar Salihut “Poezia e bejtexhinjve”, që autori e kishte temë magjistrature dhe që u botuar si parathënie e veprës “Poezia e bejtexhinjve” të botuar në vitin 1987 nga redaksia e botimeve të “Rilindjes” në Prishtinë, ndërkaq ai në këto vitet e fundit është botuar edhe në Tiranë, me të njëjtin titull dhe me të njëjtin qëllim. Studimi në fjalë i Hajdar Salihut është një nga studimet më të thuktë dhe më të përkushtuar që ndonjëherë është shkruar për poezinë shqipe me alfabet arab, përkatësisht për poezinë e bejtexhinjve, letërsi e kultivuar gjatë shekujve XVIII, XIX dhe XX. Studimi i Hajdar Salihut me titull Koha e poezisë shqipe me alfabet arab, pa dyshim që paraqet një nga studimet dhe botimet e para dhe serioze mbi këtë poezi të shkruar gjatë shekujve të lartpërmendur.

Poezia me alfabet arab dhe interesimet e vonuara për të

Me shkrimin Poezia dhe udha e zhvillimit të saj, që për moto ka poezinë e Mulla Dervishit, në studimin e tij Hajdar Salihu ka parasysh gjithsesi kohën dhe rrethanat e krijimit të kësaj poezie dhe të përballjes me sfidat e ndryshme kohore dhe shoqërore si dhe të ekzistencës së saj. Ndërkaq, duke pasur parasysh rrethanat jonormale të krijimit të letërsisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi, H. Salihu shpërfaq mendimin se letërsia shqipe me alfabet arab është shkruar në kushte të vështira historike e shoqërore, gjë që ka ndikuar te studiuesit në krijimin e vështirësive në përcaktimin e kohës së krijimit të saj. Modelin e shkrimit të kësaj letërsie studiuesi e sheh te modeli i letërsive të Lindjes, gjë që e përcakton jo vetëm forma, por edhe alfabeti, që ishte ai arab. Ndonëse thuhet se kjo letërsi u shkrua në kohë dhe në rrethana kur në atdhe krijohej një letërsi e një natyre tjetër, siç ishin letërsia e romantizmit apo ajo e Rilindjes Kombëtare, por që nuk ngjante fort në të, Hajdar Salihu është i mendimit se edhe letërsia e bejtexhinjve ka efektin dhe rëndësinë e vet, sepse, megjithë karakterin e saj religjioz, dukshëm pasuroi përmbajtjen e letërsisë shqipe si dhe preokupimet lokale, krahinore e fetare, të cilat u zëvendësuan me idetë dhe preokupimet e përgjithshme kombëtare.

Hajdar Salihu, kur flet për shtrirjen kohore të kësaj letërsie, ai nuk e konteston mendimin e studiuesve të thëna në historitë e ndryshme letrare. Mirëpo ai është ithtar i zgjerimit të këtij kufiri krijues, duke e shtyer atë edhe në shekullin XX. Sipas tij kufiri më i skajshëm i dëshmisë së shkrimit të kësaj letërsie është ai i vitit 1725 me poezinë Imzot, mos më lerë pa kave të shkruar nga Muçi Zade, kurse skaji i tjetër, ai i përfundimit të saj, është viti 1947 kur Hysni Statovci e shkruan poezinë Ni e permenje n’gjuhën shqip. Sipas kësaj rezulton se poezia shqipe me alfabet arab është shkruar në një hapësirë kohore prej dy shekujsh të plotë.

Poezia shqipe me alfabet arab u shkrua në shekujt 18, 19 dhe 20 dhe përshkoi formacionet historike të këtyre kohëve. Hajdar Salihu kur flet për këtë letërsi të shkruar në shkullit XVIII, vëren me plotë të drejtë se poezia me alfabet arab e këtij shekulli, që është e njëkohshme edhe me letërsinë e vjetër shqipe, shkarkohet dukshëm nga karakteri religjioz, duke pasuruar  kështu përmbajtjen e vet me tema të patrajtuara deri atëherë. Në këtë kontekst ai shquan poezitë me tematikë sociale të Hasan Zyko Kamberit, ato me tematikë dashurie të Sulejman Naibit dhe tematikës së natyrës, të Ibrahim Nezimit. Ndonëse poezia me alfabet arab e tejkalon letërsinë e vjetër për nga aspekti tematik, ajo, sipas Hajdar Salihut, megjithatë mbetet prapa në aspektin gjuhësor.

Ndërkaq, kur flet për poezinë me alfabet arab të shekullit 19, kohë kjo e lërimit të letërsisë romantike, thotë se nëse ajo mbeti arkaike në aspektin e përmbajtjes dhe të formës, megjithatë në krijimet e autorëve që shkruan në këtë periudhë, si Baba Meleqi, Baba Salihu, Baba Ibrahimi, Dervish Salihu, Sheh Jonuzi, Nasibeja e Gjirokastrës etj., u  inkorporuan edhe idetë e Rilindjes.

Poezinë shqipe me alfabet arab të shekullit 20 dhe përafrimet e saj me letërsinë sociale, ai i sheh si të vonuara. Hapësirën e kultivimit të saj e përcakton në Kosovë, ndërsa si vendburimet dhe përhapjen e kësaj poezie e gjen te teqetë dhe xhamitë, me autorë kryesisht  dervishë, shehlerë e hoxhallarë. Arsyet e lërimit të saj në këtë formë H. Salihu i kërkon te rrethanat shoqërore dhe politike të kohës, por edhe te mungesa e institucioneve arsimore dhe kulturore e letrare të kësaj pjese të atdheut, e cila pas daljes nga pushtimi pesëshekullor osman, bie nën pushtimin sllav, ku nuk lejohej hapja e shkollave shqipe dhe përdorimi i i alfabetit shqip, që tashmë përdorej në shtetin amë, që kishte shpallë pavarësinë në vitin 1912.

Në këtë kontekst studiuesi  e sheh edhe çështjen e mosnjohjes dhe të mospërhapjes së kësaj poezie, e cila në të shumtën e rasteve nuk arriti deri te lexuesi, por mbeti brenda për brenda qarqeve ku u shkrua, ku u këndua dhe si e tillë edhe u harrua, u zhduk dhe shumë nga krijimet e kësaj natyre mbetën pa autorë. Duke pasur një fat të tillë të rrugës së krijimit dhe të zhvillimit të saj, Hajdar Salihu pohon se ajo mbeti e njohur vetëm ndër qarqet e ngushta të atyre institucioneve fetare ku u krijua dhe përhapja e saj në të shumtën e herëve u bë përmes ithtarëve të atyre teqeve, që kishin kontakte të ngushta me autorin. Mirëpo mosbotimin, mospërhapjen dhe mosnjohjen e kësaj poezie studiuesi e sheh edhe te faktorë të tjerë.

Kur flet për aspektin historik të krijimit të saj, Hajdar Salihu është i mendimit se sado që ajo është e shkruar me alfabetin e sjellë prej pushtuesit, në anën tjetër ajo ka sjellë shpesh përmbajtje origjinale dhe përparimtare për kohën e vet. Zhdukjen e kësaj poezie Salihu e sheh te mungesa e ndihmës së duhur për përkrahjen e zhvillimit dhe përhapjen e saj në kohën e duhur. Sipas tij poezia me alfabet arab është gjetur përherë në mes dy zjarresh, shkakun dhe pasojat e të cilëve i ka bartur në vete dhe mbi vete. Ai dëmtimin e  saj e sheh, në radhë të parë, edhe te forma e saj e jashtme, modeli i bartur nga kultura e huaj, ndërsa, në anën tjetër,  kur është fjala te botimi i saj, ai mendon se në këtë aspekt atë e ka dëmtuar përmbajtja, shpesh demokratike e përparimtare, sidomos në planin shoqëror dhe atë patriotik.

Interesimet për poezinë shqipe me alfabet arab janë të vonuara dhe madje në periferi të interesimeve shkencore, pikërisht për shkak të fokusimit të studiuesve kah trashëgimia, përkatësisht kah letërsia e periudhave më të rëndësishme letrare. Hajdar Salihu është i mendimit se kjo ka dëmtuar në masë të madhe këtë poezi, e cila për një kohë të gjatë mbeti nën pluhurin e harresës dhe të mosngjalljes së kërshërisë shkencore dhe kulturore. Ai është i bindur se kjo heshtje ndaj kësaj poezie ka ardhur edhe për shkakun se shumica e autorëve të këtyre krijimeve ishin shehlerë, dervishë e hoxhallarë, të cilët, bashkë me institucionet që i udhëhiqnin për një kohë të gjatë u sfiduan nga pushteti komunist në Shqipëri që kishte mbyllur këto institucione, duke i   burgosur, internuar dhe madje edhe duke ekzekutuar një pjesë të madhe të klerit fetar. Kjo blasfemi bëri që një pjesë e madhe e dorëshkrimeve të zhdukeshin tërësisht, apo të mungonte edhe autorësia.

Katër përmbajtjet e poezisë me alfabet arab dhe faktorët frenues të saj

Hajdar Salihu në aspektin e përmbajtjes te poezia me alfabet arab heton katër përmbajtje kryesore: Përmbajtjen patriotike dhe politike, shoqërore dhe sociale, atë të iluminizmit kombëtar dhe fetar si dhe përmbajtjen fetare dhe atë të misticizmës islame. Kur është fjala te përmbajtja patriotike dhe politike, ai është i mendimit se vendosja e çështjeve patriotike e politike brenda kornizës së vetëdijes fetare nuk është vetëm strategji e autorit për ta vu në kontakte poezinë e tij me masat, por më tepër se strategji ajo është vetëdije e tij dhe përpjekje e qëllimshme që poezia patriotike të lirohet nga përnbajtja fetare, që mendon se gjithssesi del si një përpjekje e panevojshme. Në këtë prizëm ai e shikon poezinë patriotike të Dervish Salihut, poezinë fetare të Baba Meleqit, të Sheh Jonuzit, Sheh Malës e deri diku edhe atë të Sheh Ahmetit si dhe poezinë e vetme të Sheh Idrizit. Madje te poezia e Dervish Salihut gjen informacione dhe vlerësime interesante për kohën, përkatësishit klimën e ngjarjeve të para dhe të pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pjesëtar i së cilës ishte edhe vet autori ai tayre poezive. Te poezia e Dervish Salihut me titull Bismilahi nokt e nisa ai gjen propaganduesin e flaktë dhe luftëtarin besnik të realizimit të qëllimeve që Lidhja shtronte para popullit shqiptar. Po nga ky prizëm ai shikon edhe poezinë e Sheh Jonuzit, të shkruar në çerekun e fundit të shekullit XIX. Elemente të mjaftueshme të angazhimit kombëtar do të gjejë edhe në poezinë e Sheh Malës dhe te ajo e Baba Meleqit. Ky i fundit, sipas Hajdar Salihut, është ndër të rrallët i cili ka kultivuar poezinë patriotike në formën e saj të pastër dhe plotësisht në frymën e letërsisë së romantizmit. Ndërkaq, kur është te ky aspekt, ai te poezia e Hasan Zyko Kamberit, të ajo e Baba Salihut gjen tiparet e një poezie kronikë. Poezitë e tyre ata i ndërtojnë mbi bazën e përvojave jetësore personale, për ndryshim nga Anonimi i Gjirokastrës, i cili poezinë e tij e ndërton mbi bazën e dramës kolektive. Karakteristikat e poezisë patriotike me tipare të theksuara romantike ai gjen te edhe poezia e Baba Meleqit, Baba Ibrahimit apo edhe te ajo e Hafiz Islamit, ndërkaq karakteristikat e poezisë patriotike me tipare politike do t’i gjejë te poezia e Vesel Xh. Gutës dhe ajo e Hysni Statovcit.

Në kuadër të iluminizmit kombëtar dhe fetar brenda për brenda poezisë shqipe me alfabet arab, Hajdar Salihu shquan iluminzmin për bashkim kombëtar, atë në fushën e arsimit, kulturës dhe dijes në gjuhë amtare dhe iluminzmin që ka për qëllim përsosjen morale dhe shpirtërore mbi bazat e filozofisë islame.

Poezia me përmbajtje shoqërore dhe sociale, sipas Hajdar Salihut mungon, mirëpo megjithatë ai arrin të gjejë disa elemente të saj në poezinë e Ibrahim Nezimit, Hasan Zyko Kamberit, te një poezi e Sheh Elmazit dhe te disa pjesë të poemës së Vesel Xh. Gutës. Kur jemi te kjo përmbajtje e poezisë, qoftë ajo e gërshëtuar edhe me përmbajtje të tjera, H. Salihu tek ajo dallon tri forma të shkrimit të saj që janë si pasojë e tri mënyrave të vështrimit, përjetimit dhe të pasqyrimit të jetës shoqërore: Poezinë shoqërore dhe sociale përmes së cilës kritikohen sistemet shoqërore dhe klasat; poezinë përmes së cilës jipet pozita e vështirë sociale e popullit, që është pasojë e momenteve dhe situatave të caktuara politike dhe poezinë shoqërore, tek e cila jeta shoqërore dhe marrëdhëniet brenda saj jipen përmes ndjenjave, emocioneve si dhe disponimeve kryesisht të ngrysura e të zymta të autorit të poezisë.

Kur merret me shqyrtimin e poezisë fetare dhe të misticizmës islame, ai kërkon që poezia e autorëve që lëruan këtë lloj poezie duhet të trajtohet në nivel të barabartë me poezinë e angazhimit patriotik, të atij politik dhe shoqëror si dhe iluminist. Si tipar të përbashkët që shtrihet nëpër gjithë mendimin fetar të kësaj popezie studiuesi gjen karakterin Alevi të tyre. Këtë mendim Hajdar Salihu e ndërlidh dhe e forcon me faktin se të gjithë ata që e lëruan këtë lloj poezie i takonin ndonjërit nga dymbëdhjetë tarikateve alevi të bësimit islam ( siç i takonte edhe vet studiuesi), apo në mos jo, ata gjithsesi ishin njohës të mirë të mendimit teorik të alevizmit dhe misticizmit.

Kur flet për poezinë me alfabet arab dhe faktorët frenues të saj, Hajdar Salihu arrin te përcaktimi i tre faktorëve, të cilët frenuan apo e penguan zhvillimin dhe njohjen e kësaj letërsie të krijuar nga vet shqiptarët. Faktori i parë frenues është karakteri i theksuar religjioz, që jo rrallë është shoqëruar me fatalizma dhe me disponime të ngrysura për jetën dhe për problemet e kohës. Faktori i dytë është ai i receptimit të botës dhe kërkesat ndaj saj (botës), ndaj realitetit dhe ndaj universit. Ndërkaq, faktori i tretë frenues është mungesa e komunikimit të duhur më masën, që është rezultat i mosbotimit dhe i mosqarkulllimit të kësaj poezie për të arritur deri te lexuesi.

Duke qenë njëri ndër njohësit më të spikatur të letërsisë shqipe me alfabet arab, përkatësisht të letërsisë së bejtexhinjve, gjatë studimit të saj, arrin në konstatimin e pranueshëm se kjo poezi, e krijuar në rrethana të caktuara politike, shoqërore dhe kulturore, ka arritur të shtrijë ndikimin e saj aq sa ia kanë mundësuar format dhe rrethanat konkrete. Madje ai arrin te konkludimi se kjo poezi, me vlerat, idetë dhe me mendimet brenda për brenda saj, ka arritur të shtrhet më tepër se në hapësirat nacionale, në rrethet e ngushta regjionale e fetare, mirëpo komunikimi dhe ndikimi i saj, ishte dhe mbeti gjithsesi i ngushtë dhe i frenuar.



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora