E hene, 29.04.2024, 05:48 PM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Ceshte jeta e nje njeriu

E diele, 24.02.2013, 05:56 PM


Nje fragment te shkurter nga romani

"Ceshte jeta e nje njeriu" botuar ne vitin 2003

Nga Kristaq Turtulli

........Kaq e madhe e fshehta, sa ç’është

njeriu, zoti, bota...!

Televizori dha portretin e diplomates së shtetit të madh. Si një nënë e mirë, gjithë qeshje, veshur  thjesht, me sytë gështenjë, që shprehin vetem mirësi. Flokët i mbante pa kurrfarë mode.

- Ç’përshtypje do të le kjo diplomatë? - e pyeta.

Ai u kthye vrulltas nga unë.

- Ç’farë thua.

Ngrita sytë dhe e vështrova duke buzëqeshur.

- Ndoshta nga thjeshtësia, them që ia vlen për ta admiruar. Ja vështroje me kujdes. Qesh pa të keq, gjithë çiltërsi, me ata vëthë të rrumbullakët, të thjeshtë si fshatarët e jugut.

- Nuk e di çfarë po flet, lëri naivitetet, - tha ai, - me sa di unë ajo është një diplomate e formuar, ka qënë në zonat me të nxehta.

I shkurtri ndezi cigaren dhe e thithi me vrull. Duhani ishte i keq dhe mbante erë të rëndë. Ishte djalë i vetëm mes dy motrave, që ishin martuar dhe ikur jashtë shtetit. Ai thoshte që e vogla kishte ikur shumë larg, në një ishull të veçuar, në fund të oqeanit. Merrte letra një herë në dy vjet, letrat të ftohta dhe pajetë, sikur i shkruante një dorë e huaj...

Mysafiri u takua me diplomaten. Ajo me atë buzagazin e saj, të ngrohtë, fërkonte njërën dorë mbas tjetrës. Mysafiri kishte kryqëzuar gishtërinjtë dhe bridhte nxitimthi sytë e gjelbër mbi të. Diplomatja mbante veshur një xhaketë sportive dhe një fustan të gjerë me pala, që mbulonte mjaft mirë këmbët e plota dhe të bardha.

Mysafiri u përkul lehtë drejt saj dhe i tha diçka me zë të ulët. Ajo qeshi lehtë. Sekuencat filmike ishin të shkurtra, pastaj dhe ngjarje nga qytete të ndryshme të vendit. Makina që vraponin, armë që zbrazeshin, godina të djegura dhe vrenjtësirë të vazhdueshme të kohës...

I shkurtri mu lut ta mbyllja televizorin duke fërkuar herë mbas here sytë e lodhur. Në pjesën e poshtme të fytyrës fare pranë veshit të djathtë, dalloheshin qartë disa gjurmë të përthara gërvishtjeje, si dhe një bllamë mavi rrëzë qafës, me siguri dhurata të tetos.

- Diplomatja është shprehje e vërtetë e koncentruar e një politike të madhe, - tha i shkurtri, heshti një hop, pastaj shtoi, - e di, ajo diplomatja është beqare.

- Kush, - vështrova habitshëm drejt tij.

- Ajo pra, diplomatja, që ti e krahasove me fshataret e jugut. - foli ai thatë.

- Ashtu, hë!

- Po, po.

- Mysafiri a është beqar? - e pyeta.

I shkurtri më vështroi ngultas.

- Ç’rëndësi ka, - tha.

- Ka rëndësi.

- S’jam gjendje civile e gjithë rruzullit tokësor, - u grind ai, - mysafiri nuk hyn në sferën time! Në rastin konkret, diplomatja, po, pastaj...Përse të intereson kjo gjë?

Qesha hidhur.

- Sepse do të ishte një flirt i përkryer midis të të dyve, në këtë vend të vogël me ngjarje të mëdha. Në rrjedhën e viteve, do kujtonim me mall pasionin shpërthyes të tyre. Evropianët e më gjerë, vdesin për paradokse...

- Ne a s’jemi evropianë, - më ndërpreu shoku me vështrimin gjetiu.

- Sigurisht që jemi...

- Mjaft, - foli ai i bezdisur.

Më kërkoi raki, filluam të pimë. Kish filluar të mos më pëlqente nepsi i tepruar i tij ndaj pijes, që e shtrëngonte gotën fort me gishtërinjtë e hollë e të gjatë.

- Femra e vërtetë është një lloj idhulli, ndoshta idiot, por joshës dhe magjiplotë, - tha i shkurtri, - ajo diplomate thjeshtësisht e respektueshme, me ato duar topolake e të plota. Veshur ashtu sportive, vethë të rrumbullakët, është burim i zemërimeve por edhe i kënaqësive. Gruaja e vërtetë, më shumë gëzohet për lumturinë që jep, se sa për lumturinë që i merr burrit.

I shkurtri heshti një hap duke vështruar tymin e kaltër të duhanit, pastaj vazhdoi:

- Po të ma lejosh ti referohem kolosit të lashtësisë, Homerit...

- Fillove nga historitë, - e ndërpreva.

- Aspak,- tha, - dëgjo. Homeri i verbër, në të dy veprat madhore, e sipas mendimit  të tij, strumbullari i dy veprave është gruaja. Penelopa dhe Helena. Dy gra krejt të kundërta. Dy monumente të papërsëritshme. Rreth këtyre dy grave mbështillen qindra, mijëra luftëtarë. Heronj, të vdekshëm dhe të pa vdekshëm. Dinakëria dhe urtësia e burrave. Gëzimet dhe dhimbjet. Perënditë, nën perënditë dhe skllevërit. Pothuajse gati të gjithë i mbuloi tisi i harresës. Ndërsa këto dy gra, këto dy gra mbetën në shekuj dhe në vrapin e çmendur të kohës. Kështu miku im shkatarraq, tek këto dy gra, qëndron besnikëria dhe tradhtia. Paqja dhe lufta. Vazhdon kjo kontradiktë e tmerrshme deri në ditët tona... Në antikitet është dhe një tip gruaje tjetër, Lisistrata, gruaja personalitet, gruaja e burrëruar. E mangët në fëminitetin e saj, me përmbajtje ë qëllimtë. Kjo tip gruaje kërkon hapësirë. Tentativë për pushtet mbi burrat.

- Si e gjykon rolin e gruas në politikë? - e pyeta, - ndoshta gruaja udhëheq trurin mashkullor.

Shoku më vështroi sypicërruar, pastaj ngriti gotën ngadalë.

- Si natën dhe si ditën.

- A nuk është me mirë të bisedojmë diçka tjetër, për djegiet, shkatërrimet, armët, - i thashë.

- Sigurisht që është më mirë, - tha, - as vetë nuk e kuptoj se ajo diplomate ashtu thjeshtësisht, më krijon një befasi çoroditëse. Ndoshta ngaqë është e vetme grua. Por që është mrekullisht e thjeshtë. E mbi të gjitha i një shteti të madh. Më besa s’jam alergjik ndaj grave.

- E di, - i thashë.

- Natyrisht, - vazhdoi ai si me kokëfortësi, - gruaja është një dritë jeshile. Një vështrim, një ftesë drejt të prekshmes dhe të paprekshmes. Jo rrallë ne gruan e kemi përfytyruar me pantallona demode, ushtarake, apo civile, me shata dhe bela aksioneve. Gjithçka që e zbukuron gruan shërben për të treguar bukurinë e saj. Lëvizjet provokuese të gjymtyrëve, në këmishët e holla mëndafshi.

Miku im po bëhej ëndërrimtar.

- Sikur e tepron, - i thashë, - kjo është seks.

- Aspak, - u nervozua ai, - syri ka nevojë për çlodhje të shkurtër. Në këtë zymtësi  dhe çmenduri cilido kërkon një strehë të ngrohtë. Më e pranueshme për këdo është zambaku i gjoksit femëror.

- Me gjithë këto që the, ka lidhje me një diplomate? - e pyeta.

- S’ma merr mendja, - foli ultas i shkurtri, - ajo është me shumë se një grua. Ndjenjat kur i ngatërron keqas me interesa dhe politikë, bëhen pyll i dendur me shkurre, ec çaje në mundesh po deshe.

- Po grua është edhe ajo, - këmbëngula.

- Dreq, - shfryu miku, - lëre mënjanë atë. Shumë njerëz kërkojnë lumturinë mbi njeriun, të tjerë nën të, po lumturia ndodhet tek ai vetë. Dije ama, një lot gruaje është një det i tërë dhe mund të mbysë, por i një gruaje që ndjen dhe dashuron...



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora