E hene, 29.04.2024, 11:29 AM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Vullnet Mato

E hene, 25.02.2013, 07:02 PM


Vullnet Mato

 

TRUMA ME ZOGJ

 

Brenda meje ligjëron

një trumë me zogj,

dhe rreh krahët pa pushim.

Ata më këndojnë

çdo stinë në gjoks,

përmbi degët e gjelbra

të shpirtit tim.

 

Është vetë pranvera

e lulëzimit njerëzor,

të qeshurat dhe puthjet

e zjarrta të stinës.

Janë buzët manushaqe

mbi gjirin amësor,

që thithin kulloshtrën

e yllit të Afërditës.

 

Brenda meje

një trumë me qyqe,

drithërojnë zërat

me klithmat e vajtimit.

Janë dhimbjet fatkeqe

të gjithë miqve,

që më shkundin gjethet

e thara të shpirtit.

 

Ndodh brenda meje

truma e madhe me zogj,

shpesh këndon aq fort,

sa më buçasin veshët,

po kur jehona cicërimave

zërat e qyqeve mbulon,

atëherë bëhem foleja

ku zogjtë ngrohin vezët...

 

LULJA E BORËS

 

Ngrite kryet përpjetë

mbi jorganin e ngrirë,

dhe sfidove dimrin e ftohtë,

moj lulja e borës!...

Ngjyrat ylberore të jetës

çele mbi korijen e mpirë,

si një agim boreal

në polin akullor të botës.

 

Paqja ka ngjyrat e tua

me të gjitha bukuritë,

moj lulebora që guxove

të na sjellësh shpresën.

Kjo ndodh kurdoherë

me të gjitha trimëritë,

kur ngrenë krye befas,

përmes shtypjes së egër.

 

Kështu kanë guxuar

heronjtë që nga krijimi,

me pak petale jete

t’i dalin vdekjes përballë.

Kështu guxon të lëshojë

rrezet e veta agimi,

kur nga bora e zezë e natës

çel në qiell lulen e bardhë.

 

Kështu dhe im atë çeli

një lule bore mes dimrit,

kur e mbyllën mes gardhit

rrethuar me ferra të kohës,

mos u tregonte njerëzve

se ekzistonte lulëzimi,

të mos çelnin të tjerët

lulet e tyre përmes borës.

 

Moj e vogla, lulja e borës,

zemrën time ma ngrohe

dhe më lulëzove gjakun,

këto ditë të ngrira shkurti.

Petalet e tua delikate,

të parat mesazhe pranverore,

s’do i harroj, sado lule të shoh

nga marsi, deri te gushti.

 

Lulja e bukur e borës,

O shpirt i gjallë i tokës!...

 

PËR JU QË MË LEXONI

 

Ndoshta nuk dini

ç’u jap nga vetja,

juve që më lexoni

në libra krejt të qetë,

pa ditur se marr frymë

thellë nëpër rreshta,

duke u pëshpëritur

pranë në çdo fletë...

 

Në internet ku tregoj

gjithë të fshehtat e mia,

kam hapur të katra

dhomat e zemrës,

të hyni e të dilni

sikur u kam te shtëpia,

dhe ju ftoj në tryezën

me ndjesitë e temës.

 

Herë ju fal ngazëllim

nga hareja e gjoksi tim,

të shtoni gëzimin

që u fle përbrenda,

herë derdh pika lot

me mjaft hidhërim,

të prehni durimin

në çaste të rënda.

 

Herë u sjell episode

shkarjesh në fatkeqësi,

nga aksidentet e tyre,

timonin t’i drejtoni rrotës.

Por u rrëfej dhe grackat

që ngrihen në pabesi,

të ruheni nga ligësia

e mafiozëve të sotëm.

 

Gjakun që më thithin

mendimet e mira,

e harxhoj të vadit

gjithë lulishtet në tru.

Dhe në orët kur

më kërkon dashuria,

vonohem enkas,

derisa të putheni ju!...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora