E shtune, 27.04.2024, 01:04 AM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: Show politik Berisha-Rama

E merkure, 05.12.2012, 08:13 PM


NGA BERISHA DHE RAMA VJEN SHOW POLITIK DHE INFANTILIZËM SHTETFORMUES

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Festimet e 100 vjetorit të pavarësisë ishin organizuar me vetëdije shtetërore. Por nderim dhe respekt meritoi kombi shqiptar për nivelin e kulturës demokratike dhe ekuilibrin. Megjithëse ishte një festim fitimtar pas një shekulli tragjik, shqiptarët nga të gjitha trojet demonstruan pjekuri dhe një gëzim legjitim. Sepse përballë të djeshmes së kallur në luftra, konflikte, genocid, dëbime masive, shqiptarofobi dhe diktatura, tani kombi shqiptar i ndarë në pesë shtete ndodhet në prag të integrimeve Euro-Atlanike.

Mrekullia e këtij festimi ishte se Shqipëria në paradën ushtarake parakaloi bashkë me 12 vende aleate të NATO-s, si vend anëtar i Aleancës ushtarake, garanci kjo, për të mos lejuar më trazira dhe turbullira në dëm të shqiptarëve. Ka ardhur koha që shqiptarët të jenë të barabartë mes të barabartëve të integruar në NATO dhe BE. Ky është objektivi që duhet të arrijnë shqiptarët dhe drejt këtij objektivi duhet t’i drejtojë klasa politike, e cila në vend të përgjegjshmërisë karakterizohet nga arrivizmi politik, ku etja për pushtet është kthyer në paranojë. Për të gjithë, papërjashtim.

Në festimet e 100 vjetorit, paçka se pati lëvizje të madhe, dhe prurje të madhe festuesish nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora gjithçka shkoi për mrekulli, nuk pati asnjë incident që të prishte shijen e festimeve, përveçse u nderuan simbolet e kombit dhe gjithçka u vesh me flamuj të kuq me shqiponjën e zezë dykrenore. Kaq. Fqinjët u irrituan edhe nga kjo, por le të irritohen dhe le të shërohen nga albanofobia që në dekadën e fundit prodhoi të paktën tri konflikte, ai i Kosovës, Maqedonisë dhe Luginës së Preshevës. T’i falesh flamurit të kombit dhe të nderosh Isa Boletinin, Ismail Qemalin apo Hasan Prishtinën bën veç detyrën ashtu si veprojnë francezët, italianët, amerikanët, gjermanët, polakët, çekët. Nuk po i marr assesi si shembull fqinjët sepse ata kanë dëshmuar përherë shqiptarofobi dhe nacionalizëm të sëmurë.

Dhe do të thuhej se gjithçka shkoi ashtu si e dëshironte zemra e çdo shqiptari, sikur të mos përballeshim me shijen e hidhur të konfliktualitetit midis palëve edhe në ditën e madhe, me sjelljet vulgare për të festuar veç dhe ndarë dhe që u kulmuan me retorikën e Berishës e cila vazhdon prej 28 nëntorit. Nuk do ta „fajësoja“ për rastin „Preveza“ sepse Berisha iu referua kontekstit historik. Në këtë rast, po të kishte mendësi shtetformuese, do të duhej të dilte Ed Rama e ta mbronte, si do të duhej të vepronte Berisha nëse do të„shkiste“ Rama. Por në politikën shqiptare ekziston ligji i xhunglës, që do të thotë se kur je duke rënë nuk të japin dorën por shkelmin për të rënë sa më poshtë që të jetë e mundur, mundësisht në greminë.

Kur u mendua se u tejkalua incidenti diplomatik, dhe pala greke u sqarua, Majlinda Bregu doli e lajmëroi se qeveria shqiptare do të mblidhet pas festimeve në Vlorë, atje ku mblodhi qeverinë e parë Ismail Qemali.

Kur Berishës do t’i duhej t’i largohej euforisë së festimeve, e cila gjithësesi ishte legjitime, për t’iu afruar realitetit, Berisha bie në një tjetër eufori, ku nga kryeministër vetëshpallet aktor dhe bën show në nivel amator dhe infantil.

Sot, kryefjala e klasës politike shqiptare, kudo qofshin, është integrimi sa më i shpejtë i shqiptarëve si komb në NATO dhe BE sepse jemi të fundit në rajon.

Çfarë kërkon kjo? Përgjegjshmërinë dhe sjelljen e shtetarit për të ndërtuar shtetin e të drejtës. Kurrsesi provokime që bien erë destruktivizëm.

„Shteti i së drejtës“ është një doktrinë me origjinë nga drejtësia gjermane, që po ta pëkthejmë shqip do të thotë „shteti i bazuar tek drejtësia dhe integriteti“, ose „shteti ligjor“. „Shteti i së drejtës“ është një shtet i mbështetur tek kushtetuta, ku pushteti ekzekutiv ushtron pushtetin e tij përmes ligjit. Sipas konceptit Anglo-Amerikan „shteti i së drejtës“ lidhet me konceptin e „rule of law“ – „sundimi i ligjit“, që do të thotë me fjalë të tjera sundimi i drejtësisë në të mirën dhe për të mirën e qytetarit.

Që do të thotë se nëse klasa politike shqiptare arrin ta ndërtojë shtetin e së drejtës, kombi shqiptar integrohet në Europë. Gabim i secilës palë penalizon shqiptarët si komb, i dënon shqiptarët si komb, pa asnjë faj, për fajin e vetëm se vazhdojnë e besojnë tek këta politikanë.

Pas 22 vitesh tranzicion, Berisha deklaroi nga Vlora: „Shtetësi shqiptare pa kushte për çdo shqiptar kudo ndodhet“, kur do të duhej që nga selia e Ismail Qemalit, vajti që vajti, ta kishte ftuar edhe liderin e opozitës dhe prej andej të deklaronin bashkë, se të gjitha energjitë do të shkojnë për ndërtimin e një strategjie kombëtare për krijimin e shtetit të së drejtës, i cili do ta bëjë qytetarin shqiptar të ndihet i barabartë në kontekstin e integrimeve europiane. Ky është objektivi, ky është qëllimi.

Sepse ajo që e shpalli Berisha me daulle dhe me trumpeta, që nuk ka asnjë lloj efekti për shqiptarët, përveç retorikës dhe fuqizimit të fqinjëve tanë me „fakte“ kundër „Berishës nacionalist“, do të mund të arrihej ashtu si e kanë arritur fqinjët tanë me pakicat e tyre. Në Kosovë, çdo serb, ka shtetësi të dyfishtë, atë të Serbisë dhe të Kosovës. Po ashtu çdo kroat, boshnjak apo turk. Edhe në Maqedoni, sllavët e Maqedonisë kanë dy pasaporta, atë të Maqedonisë dhe të Bullgarisë, si shtet në BE dhe anëtar i NATO-s. Po shteti i Shqipërisë ku është? Po shtetarët e Shqipërisë ku janë? Duke u përleshur me njëri-tjetrin.

Politikanët e Shqipërisë janë në udhëkryq dhe në konfliktet partiake, të cilat janë kthyer në gangrenë për shtetin e së drejtës, i cili duket se është në fund të tunelit. Pasi niveli i korrupsionit, i mungesës së integritetit tek politikanët dhe i lidhjeve të politikës me të shkuarën diktaturiale po e minojnë stabilitetin e vendit. Bashkë me retorikën, shown politik që bën Berisha dhe qëndrimin antagonist të opozitës në raport me shumicën.

Askush nga palët nuk i falet vendit dhe flamurit, por flamur për ta janë vetëm interesat për pushtet. Mjerisht, ky është realiteti.

Kështu, ndërsa Sali Berisha bën show politik, duke luajtur me kartën e nacionalistit të thekur dhe të paekuilibruar, opozita vazhdon me politikën e drejtëzave paralele ku nuk gjen asnjë pikë të përbashkët me maxhorancën. E gjitha kjo prodhon destruktivitet, infantilitet shtetformues dhe aventurizëm. Sa ndryshe janë këta burra me ata burrashteti që e krijuan shtetin shqiptar një shekull më parë. Janë 180 gradë ndryshe. Sepse aspiratat madhore të një kombi arrihen me projekte të përbashkëta, bashkuese dhe integruese.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora