Mendime
Gurakuqi: Përpjekje për të rehabilituar Diktatorin
E diele, 02.12.2012, 05:55 PM
Përpjekje
për të rehabilituar Diktatorin
Nga Romeo Gurakuqi
Është
pjesëza e radhës e ndërhyrjes politike në shkencë, pjesë e mungesës së
seriozitetit dhe diletantizmit me të cilin segmente të caktuara të politikës e
kanë marrë procesin e rishkrimit shkencor të historisë. Nisma e zotërisë që
përmendët ju, është pjesë e frymës zhbalancuese joliberale, jodemokratike që po
mbizotëron në mënyrën e radhën e vlerësimit të figurave të historisë kombëtare,
është pjesë e një linje për të ripozicionuar në histori ata që vranë shqiptarë
të ndershëm, të atyre që vranë udhëheqësit e revolucionit nacional të viteve
1909-1912, të firmëtarëve të pavarësisë të viteve 1912-1921, dhe të lidershipit
përparimtar të viteve 1921-1924, të atyre që vranë intelektualët më në zë të vendit,
klerikët më të ndritur, pjesë e frymës që po sundon në një pjesë të republikës
sonë të paarrirë. Kur e dëgjova pjesën e parë të ligjërimit të udhëheqësit të
mirënjohur të së majtës aktuale politike, mendova se bëhej fjalë mbi nevojën
për të rishkruar Historinë e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, rishkrim i
cili nuk është bërë mbasi ne operojmë ende me shabllonet e historiografisë së
ndërtuar dhe frymëzuar nga diktatori më gjakatar i vendeve të Europës Lindore,
i quajtur Enver Hoxha. Por pjesa e dytë e fjalisë nuk lë aspak dyshim: bëhet
fjalë për një përpjekje tipike për të rehabilituar Diktatorin dhe me këtë rast,
edhe ata që i shërbyen atij dhe padronëve të tij titistë dhe stalinistë, në
procesin e ndalimit të rrugës europianizuese të popullit shqiptar në vitet 1940
dhe procesin e shkëputjes së dytë të Kosovës nga Shqipëria në rrjedhën e pesë
muajve të parë të vitit 1945.
Në
pikëpamje shkencore, nevoja e rishkrimit të historisë dhe veçanërisht të
thelbit e përmbajtjes së periudhës së Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri është
më se evidente dhe kjo nuk mund të mohohet. Vetëm një studim i çliruar nga
komplekset e përkatësisë në krahët e Luftës Civile të Shqipërisë së viteve
1941-1944, bazuar mbi kriteret shkencore dhe mbi një metodologji të qartë, do t’u
mundësojë shqiptarëve të kuptojnë dhe vlerësojnë përgjithësisht, realitetin
konfliktual shqiptar të kësaj periudhe, shkatërrimin institucional dhe
përçarjen e thellë civile të krijuar në Shqipëri si rezultat i konvergimit të
disa faktorëve: pasojave fatale politike të pushtimit fashist dhe nazist;
fuqizimit abuziv në terrenin e varfër social shqiptar të forcave të majta të
lidhura me strukturat politiko-ideologjike komuniste titiste dhe staliniste;
pafuqisë dhe paqartësisë të forcave patriotike për t’u orientuar qartë në
realitetin kompleks shqiptar dhe gjeopolitik ndërkombëtar.
Në
pikëpamje të vlerësimit politik të periudhës, përmbajtja e Luftës së Dytë
Botërore në Shqipëri, më shumë sesa një karakter nacional-çlirimtar, ka pasur
të thellë dhe të qartë komponentin e Luftës Civile, mes forcave që e shikonin
Shqipërinë të orientuar nga krahu perëndimor i Aleancës Antifashiste dhe
forcave partizane të komanduara nga komunistët jugosllavë, vegël e të cilëve ka
qenë lidershipi i Partisë Komuniste i drejtuar nga Enver Hoxha. Dje, historinë
dhe monumentet i vendosën fitimtarët
kuqalashë. Sot, në një Shqipëri të lirë dhe të çliruar nga tabutë,
forcat politike që kanë në dorë paketën kontrolluese të vendosjes së
monumenteve, duhet të përpiqen të rivendosin me një radhë meritash të vërtetën
në vend. Nderimi më i parë në këtë 100-vjetor duhej të bëhej duke filluar nga
pionierët e një Shqipërie të lirë, Konstitucionale, Liberale, Demokratike dhe
të orientuar drejt strategjikisht nga Perëndimi që në fillesë të shtetit, pa i
lënë hapësirë drejtimit nga një rend vlerësues selektiv dhe me kapërcime të
dallueshme. Në vend që të mendohej një nderim i posaçëm edhe për vizionarët më
të mëdhenj të së ardhmes: për Luigj Gurakuqin, Dom Nikoll Kaçorrin, Ded Gjo’
Lulin, Mehmet Konicën, Fan Nolin, Faik Konicën, Riza Bej Gjakovën, Sotir
Kolean, Stavri Vinjaun, Atë Gjergj Fishtën, Imzot Luigj Bumçin, Avni Rustemin,
Gani Kryeziun etj., sepse ata i dhanë shtysën e plotë indipendentiste dhe
ideuan Shqipërinë e Lirë, të Bashkuar, Konstitucionale, Demokratike, Liberale
dhe Europiane, çuditërisht lihet hapësirë të mendohet që mund të rivlerësohet
diktatori dhe mjeruesi i Shqipërisë, Enver Hoxha.
Shqiptarët
kanë ditur dhe do të dinë të nderojnë pa kontestim kujtimin e bijve të vet,
gjakun dhe sakrificat e atyre mijëra idealistëve që dhanë jetën dhe rininë për
një shoqëri më të mirë shqiptare, për të nderuar figura të tilla simbol të
djalërisë dhe mençurisë të së majtës shqiptare, pjesë e universit politik të
këtij vendi, si Qemal Stafa, Vojo Kushi, Mustafa Matohiti, Manush Alimani, e
dhjetëra e dhjetëra të tjerë, duke respektuar faktin e pamohueshëm të
ekzistencës së një disponimi dhe angazhimi antifashist civil, intelektual,
krejtësisht të ndryshëm në ambicion nga ligësia e uzurpatorit komunist Enver
Hoxha, dhe për të provuar se dënohet çdo krim që individë shqiptarë kanë bërë
ndaj djemve idealistë partizanë e komunistë.
Por nga
ana tjetër, sot, nga lartësia e gjykimit historik, vërejmë se, duke filluar nga
data 29 nëntor 1944, në Shqipëri në përgjithësi dhe në Shqipërinë Veriore në
veçanti, u instalua një regjim dhunues makabër, që do t‘i kushtonte këtij vendi
humbjen e bijve dhe të bijave më të mirë të tij, ndërsa kryeqendrës së
Shqipërisë, Shkodrës, 29 nëntori do t’i sillte shkatërrimin e plotë të
institucioneve dhe trashëgimisë kulturore shkencore, edukative, fetare dhe
qytetare, eliminimin gradual të primatit moral, kulturor, ekonomik dhe
shpirtëror të Shkodrës në skenën shqiptare. Në krye të këtij procesi
urdhërdhënës ka qenë diktatori Enver Hoxha. Vetëm një fakt sot në veprim dua të
kujtoj: në Shqipëri dosjet e ish- Sigurimit mbahen ende të mbyllura, ndërsa të
njëjtat dosje të Sigurimit famëkeq shqiptar janë të hapura dhe të aksesueshme
lirisht për publikun, 2000 milje larg Tiranës, në National Archives në Londër.
Urdhrat për vrasje pa gjyq, arrestime, survejime, përndjekje, grabitje
(sekuestrim) të pronësisë, dëbime dhe internime, emrat e agjentëve të
infiltruar, urdhra për nxjerrje forcërisht nga shtëpitë, të nisura nga
Komandanti i Përgjithshëm, Enver Hoxha, ose nga ministrat e Brendshëm, Koçi
Xoxe e Mehmet Shehu, drejt të gjitha Degëve të Punëve të Brendshme në rrethe,
me emra dhe mbiemra, për periudhën 1944-1948, si dhe dosjet e sjelljes së po
këtyre personazheve gjatë Luftës së Dytë Botërore, i keni të hapura në Londër
dhe çdo vit që kalon, hapet një vit dosje më shumë. Shërbimet e inteligjencës
së vendeve perëndimore kanë interceptuar çdo gjë nga mekanizmat vulnerable të
komunikimit të shërbimeve tona “krenare” e të ”pathyeshme”. Kushdo që mendon se
duke zhdukur rekordet e brendshme, dhe duke hedhur teza në rrëmujën
rivlerësuese do të arrijë t’i shmanget rishkrimit të historisë dhe humbjes së
përgjegjësisë nesër, gabohet. Çdo sjellje e brendshme politike, çdo bashkëpunim
me forcat titiste, staliniste, fashiste dhe naziste, çdo shmangie që i është
bërë së drejtës, çdo abuzim me pushtetin, çdo grabitje dhe shndërrim i
pronësisë, ka qenë i regjistruar përjetësisht në kancelaritë me përfaqësi në
Shqipëri. Dhe aty dosjet janë të hapura dhe të padëmtuara.
Shqipëria
nuk ka arritur të bëjë pastrimin (lustracionin) e politikës dhe administratës
së lartë nga bashkëpunëtorët e Sigurimit, nga veprimtarët agresivë të PPSH, nga
Vullnetarët e Enverit të Ushtrisë dhe Ministrisë së Brendshme dhe të frymëzuarit
prej tyre. Shqipëria është vendi tipik brenda grupimit të vendeve të Europës
Lindore, i cili nuk po arrin të vendosë në veprim Ligjin mbi hapjen e dosjeve
të ish-Sigurimit të Shtetit, duke mbetur prapa edhe Serbisë së post
Millosheviçit. Dhe kjo ka ardhur për shkak të mungesës së njësueshmërisë
politike për distancim me të djeshmen, për shkak të përzierjes në forcat
politike liberale edhe të nostalgjikëve të Ancient Régime. Në një vend
demokratik është shumë i rëndësishëm uniteti i forcave kryesore politike që
ndërrohen në pushtet demokratikisht, në mbështetjen e disa shtyllave kryesore
zhvillimore. Dënimi i krimeve të djeshme, në rastin e vendit tonë me përmasa të
atilla krimi diktatorial, duhej të ishte, së paku, njëra nga shtyllat politike
që pozitat dhe opozitat në vite do të duhej të ishin marrë vesh, për ta bërë
Shtetin të besueshëm me Publikun dhe me partnerët tanë strategjikë perëndimorë.
Vendi ynë (pavarësisht përpjekjeve pozitive të bëra në vitet 1992-1996 dhe
2005-2010), për shkak të mungesës së këtij unitetit, jo vetëm nuk arrin të
hapë, por nuk ka arritur të bëjë asnjë studim serioz për të bërë matjen zyrtare
të së keqes, vlerësimin e sistemit dhe të gjerësisë së dosjeve që duhen hapur,
dhe impaktit të pritshëm social në rast të një hapjeje të mundshme. Pyetja që
ngrihet është: Pse vendi ynë, anëtar i NATO dhe me një aplikim për anëtarësi në
BE, pra një vend që priret të integrohet demokratikisht dhe të perëndimizohet,
nuk hap dot dosjet e ish policisë së fshehtë, pra ka frikë të pastrojë ndërgjegjen
e vet politike dhe sociale? Përgjigja është se në këtë vend, një pjesë e së
djeshmes është ricikluar ”demokratikisht”, pa u filtruar ideologjikisht,
kulturalisht dhe politikisht. Dhe kjo pjesë e së djeshmes zotëroi një zonë të
hapësirës politike dhe institucionale të vendit, për shkak se në momentin e
llogaritjes të së vërtetës, më 20 shkurt 1991, u përzje tinëzisht, si pjesë e
huaj, në vrullin e një populli që kërkonte ndryshim të vërtetë. E ndërruar
formalisht, kjo pjesë e së djeshmes vazhdon të mbahet në këmbë dhe të godasë
sistemin, vazhdon t’i imponohet sistemit, vazhdon të çrregullojë sistemin,
tashmë pa friken e viteve të hovit popullor demokratizues, me të njëjtat metoda
intolerante të arkitektëve të diktaturës në Shqipëri. Përfaqësia e së djeshmes
arriti në një moment të caktuar të pengojë juridikisht, në çastin e fundit,
procesin lustrativ ligjor, pa një argument të qartë politik dhe pa një
bazueshmëri të besueshme juridike. Pengimi i lustracionit do të rëndojë
gjithmonë si një sjellje diskredituese mbi aktorin kryesor që e mori përsipër
frenimin e procesit të shpalljes së ligjit, mbasi është një indikacion i
ndërlidhjeve me fijet e padukshme të
organeve të errësirës diktatoriale.
Shqipëria
nuk është një vend me ndërgjegje të qetë qytetare, pasi nuk arriti të ndajë
disidencën e vërtetë intelektuale e patriotike (që u vra, u burgos, u internua,
e në fund, ajo që mbeti, u detyrua të syrgjynosej larg atdheut për të mos u
lejuar asnjëherë të kthehej), nga viktimat komuniste të diktaturës, nga veprat
penale ordinere; nuk u interesua asnjëherë institucionalisht për kthimin në
atdhe dhe punësimin e fëmijëve të elitës disidente shqiptare, dhe nuk u kujtua
kurrë për krijimin e Regjistrit Nacional të Emigracionit Shqiptar të periudhës:
29.11.1944- 20.02.1991.
Shteti shqiptar kishte për detyrë dhe e ka ende, të rivendosë në vendin nga ku forcërisht e shkulën më 29 nëntor 1944, atë çfarë ka mbetur nga trashëgimia e elitës dhe qytetarisë politike e kulturore të djeshme, ta kompensojë moralisht, pastaj në pronësi dhe materialisht në mënyrë të plotë për jetët e shkatërruara. Sot nuk shtrohet rivlerësimi i figurës së Enver Hoxhës, por matja e shkallës së krimit të tij ndaj popullit shqiptar, matje që do të duhet të vlerësohet së paku shkencërisht nga pikëpamja historike.