E premte, 26.04.2024, 12:34 PM (GMT+1)

Kulturë

Xheladin Mjeku: Lotët e dashurinë për nënën

E premte, 20.07.2012, 07:56 PM


KUR PIKOJNË LOTËT E DASHURISË PËR NËNËN

Antologji me poezi shqipe “LOTËT E VIRGJËR”, përgatitur nga Agim Mato e Fatmir Terziu, botoi SHB “ACPE&LULU  “ – USA , 2012

NGA XHELADIN MJEKU

Antologjia poetike “Lotët e virgjër” kushtuar nënave, motrave, grave dhe vajzave për festën e tyre ndërkombëtare, ideuar dhe realizuar nga  Agim Mato dhe  Fatmir Terziu, që brenda kopertinave të saj mbledh njëqindedyzetepesë autor nga të gjitha trojet etnike, nga diaspora dhe bota shqiptare, me krijimet e tyre për qenjen më të dashur, emri i të cilës është i shkruar me shkronja zemre dhe me dashuri shpirtërore shqiptohet në çdo kohë e në çdo rast. Vend meritor për këtë pasuri shpirtërore që ta kemi të gjithë që ndiejmë mall dhe konsideratë për këtë emër janë padyshim hartuesit e saj. Ata për një kohë sa kishin ndërmarr këtë projekt pothuajse në çdo çast ishin kujdestarë në takimin e çdo autori e miku të kudondodhur në botë, që kishte nevojën e përkrahjes dhe këshillave për të mbledhur materialet dhe shkrimet e tyre, duke i sjellur këtu në një përmbledhje të përbashkët.

Shtrirja globale – vlerë që entuziasmon

Në frymën e kësaj ndërmarrjeje poetike, në vend të një parathënje shpjeguese për vlerën dhe qëllimin e saj, hartuesit kishin zgjedhur një shkrim shumë përmbajtësor dhe kuptimplotë që rrumbullakson gjithë  brumin e vlerës dhe qëllimin e  kësaj antologjie. Për ta zbërthyer këtë që thash këtu, po jap në tërësi gjithë shkrimin, që paraskicon lidhjen kushtimisht të Kryefjalës poetike – nënës me poetin, si dy  anët ndërlidhëse të një ure që lidh brigjet e  kësaj dashurie të përjetshme: “Nënat dhe poetët! Ashtu si nuk ka rreshtim për nënat, nuk ka rreshtim për poetët në një antologji për to. Pa mendoni kaq shumë nëna, fisnike dhe të thinjura dhe pas çdo nëne një poet. A nuk e shenjtëron kjo idenë e një përmbledhjeje të tillë, që nuk duhet të jetë e vetme?”

Kjo pasuri poetike me fuqinë imagjinative dhe përkushtimin emocional të krijuesve dhe poetëve që aderojnë në brendinë e kësaj antologjie me poezi që i kushtohen nënës. rrezatojnë dashurinë, respektin, dhimbjen dhe mallin që kanë për më të dashurën s tyre.

Antologjia në fjalë përveç vlerave letrare dëshmon edhe përkushtimin e madh të krijuesit  gjithandej nëpër botë  që përveç vlerave  letrare dhe estetike që paraqet përmes vargut të tij lirik dhe frymëzimit spontan për tema a ngjarje të ndryshme, e në rastin konkret për temën e caktuar, ku spikat ndjenja e thellë dhe emocioni, ai nuk rresht me përpjekjet e mëdha dhe të mundimshme që të kultivoj traditën  kombëtare dhe të ruaj në masë të mirë kulturën gjuhësore, përkundër ndikimeve të shumë faktorëve në ndryshimin dhe tjetërsimin e fjalëve dhe shprehjeve gjuhësore me fjalë  të huaja, varësisht prej vendeve ku jetojnë e veprojnë në momentet aktuale. Kjo flet për një përkushtim të madh dhe të kujdesshëm  në mbajtjen  zgjuar  të dashurisë për gjuhën shqipe  tek brezat që vijnë, duke u lënë trashëgimi të mirë vlerash letrare dhe kulturore që do t’u përkujtojnë prejardhjen nga  trungu i lashtë ilir, nga atdheu i tyre stërgjyshor edhe atëherë kur do të ikin brezat e tashëm. Në  fakt, ruajtja e traditave kombëtare, kultivimi i gjuhës amtare tek pasardhësit e tyre që i janë nënshtruar kthetrave asimiluese në vendet e ndryshme të botës, duke u ndikuar në kulturën dhe gjuhën e tyre, mbetet padyshim roli kryesor dhe vendimtar i krijuesve letrar të kudondodhur nëpër vende të ndryshme të botës.

Dhe, pikërisht këto vlera kanë domethënje për  kulturën, gjuhën dhe traditën tonë. Këto  janë sakrificat dhe  investimet më meritore në çdo ndërmarrje të këtillë me karakter të veçantë në ndërtimin e vlerave  morale dhe intelektuale, që transmetojnë mesazhe të fuqishme në rrafshin kombëtar, se dashuria për nënën është dashuri shumëdimensionale, ku preket edhe ndiesia e dashurisë së përgjithshme, në kuptimin e vendlindjes, si fenomen që ruhet në breza, si shprehje: mëmëdheu, nëna Shqipëri, etj.

Emrat si Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Ismail Kadare, Agim Mato, Alma Begaj, Agim Bajrami, Faslli Haliti, Kozeta Zavalani, Murat Gecaj, Myrteza Mara, Preç Zogaj, Sazan Goliku, Suzana Zisi, Timo Mërkuri, Vilhelme Vranari Haxhiraj, Visar Zhiti, Zeqir Lushaj e shumë të tjerë nga Shqipëria, pastaj nga Kosova vijnë të prezantuar me poezitë e tyre Ali Podrimja, Agim Gjakova, Sabit Rrustemi, Abdyl Kadolli, Halil Haxhosaj, Sejdi Berisha, Halil Xani, Izet Abdyli, Albina Idrizi, Xheladin Mjeku, Xhevat Latifi, etj. duke vazhduar me krijues nga Maqedonia, si Kalosh Çeliku, Puntorie Ziba, Nuhi Vinca, etj. Poashtu në këtë antologji prezantojnë krijues nga Presheva e deri në diasporë e  Amerikë, si Iliriana Sulkuqi, Kozeta Keze Zylo, Fatmir Terziu, Drita Ademi (Beqiri), Thanas Jani, Raimonda Moisiu, Shadije Hotnjani, Rizah Sheqiri, etj. të cilët nuk do t’i radhisim një për një në këtë shkrim, ngase që të gjithë konsiderohen emra në kolanën e letërsisë kombëtare, duke sjellur vepra të ndryshme për lexuesin dhe studiuesin e pasionuar. Nuk do mend, numër  i këtyre autorëve të prezantuar në këtë antologji mund të jenë jo edhe aq të njohur për opinionin letrar, por përfshirja e tyre në mesin e krijuesve që tashmë janë emra të letërsisë kombëtare u krijon mundësi të reja të daljes nga anonimiteti, mundësi të frymëzimit dhe shtjellimit të temave të ndryshme me intensitet dhe përkushtim të shtuar.

Nëna si frymëzim dhe motiv

Mbi njëqindedyzetë emra krijuesish të përfshirë në këtë antologji poetike, dëshmojnë bindshëm për ndjeshmërinë shpirtërore të tyre, për dhembjet dhe mallin për nënën, si figurën qendrore të tematikës që shtjellohet në poezinë që vjen këtu nga të gjitha anët e globit. Një përfshirje kaq e madhe e krijuesve nënkupton lidhshmërinë shpirtërore me nënën,  pavarësisht moshës dhe largësisë fizike të tyre. Kjo ndjesi reflektohet edhe në rastet kur mungon qenja e saj fizike, por doemos frymon shpirti i ëmbël dhe fjala-mesazh për jetën dhe dashurinë njerëzore. Kështu figura e nënës paraqitet e dashur, me shqetësimet e jetës dhe familjes, me mallin për bijtë e saj në dhe të huaj e deri edhe me paraqitjen e figurës së saj si heroinë në periudha të ndryshme, si në luftë ashtu edhe në paqe, duke shpalosur deri në imtësira karakteret dhe fuqinë mitike të saj. Femra si qenje e jetës dhe nëna si e veçanta  e saj këtu vjen e dashur për  të gjithë, por në raste tjera ajo përjeton edhe situata të rënda plot dhimbje e vuajtje, plot shqetësime e brenga për njerëzit e saj familjar, për fëmijët dhe fatin e tyre.

Derisa numër i konsiderueshëm poetësh i këndojnë figurës së femrës, e veçanërisht nënës për dashurinë prindore, për kujdesin dhe dhuntitë  e saj për familjen, në poezi të tjera takojmë edhe portretin e skalitur me përkushtim, duke mos lënë pa hetuar edhe pamje deri në imtësi, ku:

“Ishe bjonde atëherë,

mbi flokë, të kish zbritur dielli,

tani, me argjend të bardhë,

kaçurrelat t’i zbukuron qielli.”

(Alma Begaj: “Flokëargjenda”, fq. 21)

Autorja sikur e ka përcjellur ndryshimin kohor të nënës, duke bërë karahasimin e ndryshimeve përmes flokut të saj, që nënkupton se afria me nënën është e patjetërsueshme dhe ndryshimet tek ajo janë të  hetueshme në çdo kohë.  Por, jo vetëm kaq. Këndimi për nënën vjen edhe nga prizmi i saj si heroinë, si bamirëse dhe zemërgjerë nëpër kohëra të stuhishme, në luftëra, skamje e varfëri, sidomos trajtimi i saj si personalitet i kohës, ku asnjëherë nuk është nënshtruar, por gjithmonë ka qëndruar stoike ballë për ballë me furtunat. Këto tipare të nënës i gjejmë të skalitura në vargjet e Konstandin Dhamos, Rozi Theoharit, Xheladin Mjekut, etj. Edhe vdekja, si akti më prekës është trajtuar mjeshtërisht nga autorë të shumtë, duke sjellur në kujtesë dhimbjen dhe mungesën e nënës në jetën e  tyre në vazhdimësi. Me këtë tematikë shquhen poezitë e Dritëro Agollit, Fatos Arapit, Ismail Kadaresë e ndonjë tjetër:

“Ti ike udhës së pafundme

Ku zverdhen drurët gjetherënës

Mbi gjokse pellgjesh tani tundet

I arti medalion i hënës”.

(Ismail Kadare: “Pa ty”., fq. 71)

Portretin e femrës të skalitur mjeshtërisht nga pena e krijuesve të përfaqësuar  në këtë antologji e takon lexuesi kurreshtar gjatë një ballafaqimi të këndshëm nëpër faqet e saj, ku shquhet tematika dhe trajtimi i figurës së femrës  si nënë, si grua, si motër, si gjyshe, si intelektuale dhe si faktor i fuqishëm i kauzës sonë kombëtare, deri në heroizmin e saj të dëshmuar në shekuj. Poezitë: “Sonet për ditëlindjen e nënës sime” e Fatmir Terziut, pastaj “Letër nënës me internet” nga Iliriana Sulkuqi dhe ‘’Tek oborri i fëmijërisë sime” i Irena Gjonit shquhen me frymën e shtjellimin që bëjnë, duke sjellur kujtime në kohëra të ndryshme, që nga fëmijëria, lidhjet e brezave e deri në mënyrën e komunikimit në relacionet fëmijë-nënë, përmes rrugëve elektronike, duke kujtuar kështu lidhshmëritë  e tyre të fuqishme prindore, mbi të gjitha. Përveç figurës së nënës, krijues të shumtë kanë kujtuar edhe gjyshen si dashuri dhe kujtesë  e veçantë. Poetë, si Fatos Arapi, Bardhyl Maliqi, Miltiadh Davidhi, Riza Sheqiri, etj me mall të pashuar e kujtojnë dhe e trajtojnë këtë figurë, sa të dashur, aq edhe të dhimbshme, që me këngët, ninullat, përrallat dhe pëkdheljet e saj mbeten gjatë në kujtesën e tyre.

Shikuar nga kjo që takojmë këtu, del se nëna është në teresi frymëzim i krijuesit dhe motiv i shtjellimit, njëkohësisht.

Falënderimi në fokus

Kjo Antologji poetike ndër të  veçantat e kësaj tematike, sjell gjithë nektarin poetik të mbledhur nga shpirti dhe ndjenja e krijuesve,  përkushtimi i të cilëve dëshmohet nga vargu në varun tjetër, nga strofa a poezia tek tjetra, duke ndërtuar kështu një kopsht të madh poetik dhe duke skalitur një monument pë nënën, atë figurë qendrore dhe më të dashurën në jetë.  Përkujdesja e krijuesve të prezantuar këtu, por edhe e shumë penave tjera që nuk kishin fatin të sjellin shkrimete tyre në këtë Antologji, përbëjnë një vepër kapitale që meriton të lexohet e të diskutohet gjatë për vlerat që kanë sjellur në vazhdimësi, sidomos në ndërmarrje të këtilla tematike.

Nëse vlerësojmë punën dhe përkushtimin e krijuesve në trajtimin e figurës së femrës, si tematikë, dhe nënën si e veçantë e krijimtarisë së tyre, atëherë kurorën e kësaj vepre të dëshmuar e bartin ideatorët dhe realizuesit Agim Mato dhe Fatmir Terziu, të cilët treguan gatishmërinë e realizimit të një galerie të këtillë poetike, ku shkëlqen fryma e dashurisë dhe kujtimit për qenjen më të dashur shpirtërore-nënën.

Tradicionalisht në shkrime të këtilla thuhen fjalë përmbyllëse me falënderime e lëvdata, por këtu nuk ka arsye të humbasim kohë me këto përkdhelje e rrahagjokse, meqë vetë puna dhe vlera përmbajtësore e shprehin këtë  meritë të pakontestuar, duke përkujtuar edhe simbolikën e titullit, që loti vjen si dashuri dhe dhimbje në kuptimin e poezisë përkushtuese.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora