E shtune, 27.04.2024, 06:51 AM (GMT+1)

Kulturë

Ullmar Qvick: Ditari i dhimbjeve

E merkure, 18.07.2012, 07:18 PM


DITARI I DHIMBJEVE

Nga Ullmar Qvick

Ditari është libri i zemrës sonë, në të cilin shkruajmë mendimet tona më intime, ndoshta të fshehta. Ditari në shumë raste është një mjet shpirtëror për shërim në këtë botë plot vuajtje, një ilaç për një zemër të lënduar. Besoj se pikërisht si ilaç, si qetësim për mendjen e trazuar, ka vepruar poezia në jetën e mikut të vjetër Sadulla Zendeli-Daja. Libri i tij është i vogël, me 72 faqe, mirëpo ky ditar poetik përfshin një periudhë të gjatë kohore prej pesë dekadash, një gjysmë shekulli. Dhe si i tillë libri nuk është vetëm një grumbull poezish, jo  vetëm një shprehje ndjenjash por një dokument historik me vlera letrare e sentimentale.

Poezitë e Dajës, të shkruara shumë herë në momente dramatike të jetës së tij, në disa raste mbajnë vulën e shpejtësisë. Nevoja për të shpërthyer dëshprimin, mallin, nostalgjinë ose neverinë, krijon një situatë, kur forma e poezisë është në plan të dytë, ndërsa përmbajtja dhe shprehja e mendimit qëndrojnë mbi gjithëçka. Në raste të tjera, vjersha është e peshuar mirë, me metafora, me peshë formale, që dëshmon se autori e ka krijuar këtë poezi në kushte më të qeta. Kjo vërteton fjalët e poetit: ”Janë vargje të vërteta/ Janë vargje marrë nga jeta” (f. 67), sepse Daja nuk ka pasur ndër mend të krijojë një shtëpi luksoze, me pompozitet të vulgaritetit ballkanik, por ai ka krijuar fjalorë dhe libra, një bibliotekë albanologjike që qëndron mbi gjithëçka. Për këtë shqiptar të frymëzuar, përmbajtja, porosia, ideja dhe mesazhi, është me  rëndësi vendimtare.

Pas leximit të njëzet faqeve të para të librit, fillova të kërkoj të dhëna. Si ishte ambienti historiko-shoqëror në Gostivar pas luftës së dytë botërore?  Ishte pikërisht ngjarja e llahtarshme kur ”kanibalët” vallëzuan rreth kokës së prerë të një luftëtari ”armik” që më bëri të kërkoj faktet.  Dhe kuptova se ky tmerr kishte të bënte me vdekjen e komandantit ballist Xhemë Hasa Gostivari në vitin 1945. Lexova për të në Internet, fillova të mendoj edhe për Shaban Polluzhën, luftëtarin e Drenicës, dhe mendja më çoi deri te Finlanda gjatë Luftës së dytë botërore, kur finlandezët u bashkuan me gjermanët kundër zaptuesit sovjetik. Shkrepi në trurin tim deviza ”Armiku i armikut tim është miku im” – një mendim politik shumë i rrezikshëm. Ballistët kuptuan mashtrimin, tradhëtinë e komunizmit. Ku të merrnin mbështetje? Edhe gjermanët përhapnin terror, por terrori bolshevik ishte më shkatërrues për shqiptarët – si për finlandezët.  Luftuan ballistët ”against all odds” (kundër fatit të pamëshirshëm) – dhe dështuan.  Por trimëria e tyre do të kujtohet.

E mora Dajën në telefon, ai vërtetoi mendimet e mia. Ishte 10-vjeçar kur bashkë me babanë e tij,  e pa kokën e prerë të trimit Xhemë. Pamje e llahtarshme për një djalosh, i cili në këtë moment vuri re si babai i tij qante në fshehtësi. Sqena makabre përshkruhet me mprehtësi psikologjike nga autori. Sot përmendorja e Xhemë Hasa Gostivarit është ngritur në vendlindjen e tij – mrekulli! Një ngjarje tjetër shumë dramatike ishte kur u detyruan fshatarët të largoheshin me dhunë nga fshatrat për tu vendosur në qytet, në Gostivar, dhe në atë rast u detyruan të kalonin lumin Vardar. Për këto ngjarje më tregoi Daja, si një themel për të kuptuar plotësisht vargjet e tij. Fjalët kyq në këtë vëllim poetik janë: Liri, tradhëti, lisa, varre, vuajtje, Kosovë, Shqipëri….. Shumë prej poezive shprehin mallin e poetit, sigurisht ai është i vetëdijshëm se vendlindja e vjetër ngadalë po venitet ose shndërrohet, ndërsa vendlindja e re nuk fitohet plotësisht kurrë. Ky është fati tragjik i çdo mërgimtari.  Ai sikur gjendet në mes, pa qetësi të plotë.

Nga ana tjetër, Sadulla Zendeli si patriot ndjen përgjegësi për gjeneratat e reja, për edukimin e tyre. Poezia e tij ”Thirrje” (f. 39) është me formë të përsosur, dhe mund të ishte teksti i një këngë për diasporën shqiptare, sepse edhe sot arsimi në vendlindje ka nevojë për ndihma!  Edhe disa poezi të tjera kanë karakter shoqëror. Mashtrimi i disa prej përfaqësuesve të fesë, të cilët ushtrojnë pushtetin e tyre në popull duke predikuar përuljen e grave dhe zakone të tjera të prapambetura, stigmatizohet me plotë të drejtë nga poeti, në emër të përparimit njerëzor dhe të demokracisë. Ai shkruan edhe me ironi therëse për dallaveret me njerëzit nga ana e partive politike.

Libri i Dajës ”Ditari i dhimbjeve” lexohet me dëshirë. Megjithëse dhimbja është e rëndë çdokush me mend të ndritur shpreson se e ardhmja do të zbutë, bile të largojë dhimbjet shoqërore.  Për mua si suedez libra si ai i Dajës kanë një kuptim të dyfishtë: Poezitë më interesojnë si poezi, por ambienti, ndjenjat, shpresat, dëshpërimet,  komunikojnë  shpirtërisht me mua si njeri. Jeta ime nuk mund të zëvendësohet me atë të mërgimtarit, prapë mund ta marrë dorën e tij, edhe mund ta përqafoj. Ndoshta nuk mund ta kuptoj plotësisht, por mesazhi i tij ka depërtuar në zemrën time. Dhe ndoshta kjo mjafton!



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora