Kulturë
Shpëtim Kastrati: Pallati me dosje
E marte, 17.07.2012, 07:45 PM
Shpëtim
Kastrati
tregim
PALLATI ME DOSJE
Në të djathtë
ose në të majtë (varet se ç’drejtim mund të kesh ti) të bulevardit, ndodhet
pallati me dosje. Me faqe larushe dhe katrore të suvatuara, dritare të vogla të
hershme prej druri, dyer të mëdha dhe të rënda (që në fakt nuk shihen nga këtu,
por ndihen që kërcasin sa herë që hapen dhe mbyllen). Çati, serrë apo tarracë?
Nuk dallohet sepse pallati ose ata që janë brenda pallatit nuk preferojnë të veçohen,
të ndriçohen ose të dritohen. Ndaj duken edhe perde të trasha si prej dylli. Zakonisht
jeshile ose të kuqe, ose më të zëna, të kuqërremta në vjollcë. Që të mos e
zgjasim, e dëshiruar është gjysëmerrësira. Dhe pallati me një stil baron i
shekullit të 19-të i përshtatet mrekullisht.
Nuk kisha
patur ndonjë përshtypje për këtë pallat, sepse rrallë kisha kaluar këtej. Por
një ditë u gjenda në një kafe përball tij i ftuar nga një “mik” i rastit. Nuk më
kujtohet fare biseda me të, sepse unë u mahnita vërtet nga “magjia” e pallatit:
Për çudinë
time (dhe jo të “mikut” tim) unë u habita nga pamjet që shihja, meqënse portën
e madhe të pallatit e kisha mu përballë. Dua të parashtrojë këtu që unë nuk kam
ndonjë dhunti të rrallë apo të veçantë nga të tjerët, për të dalluar apo
skanuar etyde të veçanta, sidomos tek njerëzit. Jo aspak. Përderisa unë po
shprehem se po shihja një çudi, kjo e vërteton këtë. Ndërsa, për sa u përket
polemikave, debateve, thashë-e-themeve, do t’i shmangja ato, sidomos me gazetarët,
shkrimtarët, madje edhe me hyzmeqarët. Sepse pikërisht për këtë çështje, miqëve
dhe shokëve të mi, pjesës dërrmuese të njerzëve, kjo çështje, u ka ardhur në majë
të hundës. Por me që ra fjala “hundë” edhe ndërkombëtarët sikur shpesh i kanë futur
hundët në këtë çështje. Nga ata që na duan të mirën bëhet fjalë. Edhe mbretër,
edhe presidenta, edhe kryeministra, edhe ministra, edhe ambasadorë, edhe ushtarë
me kapele dhe pa kapele, pra, i kanë futur hundët. Ndërsa nga ana jonë, ata (të
pallatit), edhe i fusin edhe i nxjerrin hundët. Por nuk është kjo, çështja që dua
të trajtojë, sepse tani kjo është në duar të pastra, në koka të ftohta që dinë të
arsyetojnë edhe më mirë edhe më shtruar. Ata (të pallatit) dinë se ç”bëjnë. Unë
dua të shprehem vetëm për atë ç’farë pashë tek ky pallat i çuditshëm:
Rastësisht
dikush po i afrohej pallatit ( kështu mu duk mua për rastin që po më habiste),
i stolisur me kostum të zi që farfuriste në diell, dhe me hapa të sigurtë dhe i
kënaqur si në një paradë, plot zell e i tendosur shkonte përpara, si rrotë e dhëmbëzuar
dhe e bindur për në kubenë e tij. Sapo afrohet tek dera e madhe e pallatit, supet
e tij marrin formën e këndeve, si të prerë, dhe gradualisht zgjaten deri tek
vithet, në formë katrori. Me një diçiturë që i përket mu në mes të shpatullave
që unë nga larg mezi e dalloj, ngaqë shkronjat ose boja e sajë duken të vjetëra.
Por më në fund e shquaj atë. Shënon: - Dosje Nr.- Numri nuk shquhet. Sigurisht
fërkova sytë, nga ajo që mu shfaq dhe disi i turpëruar se mos “miku” im e
kishte vënë re habinë time, bëja sikur diç kërkoja nëpër xhepa. Rrufita kafen
me të shpejtë dhe i hodha sytë vjedhurazi, por ai, rënduar e menduar në të tijën.
Dashur pa dashur më shkojnë sytë përsëri andej, një grua që më tepër dukej si
flutur, nga ngjyrat dhe pudrat që kishte kombinuar, që nga koka deri tek këmbët,
më tërhoqi vëmendjen. Pothuajse e harrova
“ katrorin e parë” dhe po ndiqja
lëvizjet e sajë me ëndje. Edhe ajo ishte drejtuar për tek porta e pallatit. Të them
të drejtën nuk doja që ajo të hynte aty, për të mos marr ndonjë formë si ajo që
pashë ose të ngjashme me të, si trekëndësh në mos katrore, kur ishte aq e
hijshme dhe e freskët ashtu në bulevard. Por edhe nëse hynte, të paktën
hijeshia e shpinës t’i qëndronte. Ndaj ngultas ndiqja ecjen e sajë të ngadaltë drejt
pallatit. (“Miku” që më kishte vënë re tek po sodisja gruan, më shihte si vëngër
dhe pinte cigare, por unë nuk kisha ndërmend ti shqisja sytë prej sajë). Sapo
ajo u afrua pranë portës u shfaq një katror si drita e një vetëtime, ose kështu
mu duk mua, sepse ajo po ndërrohej tek dera me një burrë trupmadhë që po dilte,
dhe katrori i tij mund të zinte dy tre si ajo. Sidoqoftë gruaja u zhduk brenda
dhe unë shihja tani vetëm “katrorin e madh” që dukej sikur rëndonte mbi shkallët.
Diçiturën tek ky e dallova lehtë: - Dosje Nr. 00. Numri jo se nuk dukej por ai
ishte rrubullakosur 00 (zero- zero). Kjo mu duk vërtet e habitshme, edhe dosje,
edhe pa i dhënë kuptim numërit. Por që unë ta kuptoja dhe vërtetoja këtë, kërkonte
një llogjikë të fortë, që nuk ishte as vendi dhe as koha që të vrisja mendjen. E
lashë “katrorin e madh ose dosjen e madhe” të shkojë dhe iu ktheva “mikut” tim:
- A marrim edhe ndonjë kafe tjetër?
- Pse, - ma ktheu ai hijerëndë dhe me
shpoti - si duket u pëlqeu
peizazhi,
këtu përrreth?
Nuk kisha
pse ta gënjeja dhe i thash; që tani më dukej edhe më i çuditshëm ky pallat, nuk
e kisha vënë re me imtësi më parë.
- Sa çudira ka pasur dhe ka aty, or
mik, - po më thoshte ai duke shtypur
dhe
trazuar hundën nga që ishte me rrufë – nuk ke pse çuditesh, katrori i atyre
mureve të gëlltit, siç gëlltit mutin pula.
Nuk mu
duk ndonjë fjalë e gjetur ajo që tha, por e pranova në heshtje ngaqë nuk mund të
gjeja ndonjë krahasim më të saktë ose më të goditur se ai me mendjen time, ndaj
dhe nuk e kundërshtova. Dhe ndërsa mendohesha se si të hyja në temë dhe ta
pyesja përafërsisht se ç’po ngjiste, ai m’i preu mendimet në mes dhe papritur:
- Unë po ngrihem, ti po deshe merr
ndonjë kafe tjetër, shihemi
tjetërherë.
- më dha dorën dhe iku.
Meqënëse,
“miku” im, u largua e ktheva karrigen mbarë për të parë drejt e tek porta e
pallatit. Tani nuk kisha pse të shqetësohesha nëse dikush do të më shihte të habitesha
apo jo ? Kafeja tjetër erdhi dhe unë i kisha ngulitur sytë atje përpara portës.
Kur befas, edhe “miku” im, që sapo ishte ngritur nga këtu, po drejtohej për tek
pallati. Tani që të mos kisha dyshim për imazhin që më shfaqej, thirra
kamarierin, nëse do të shihte edhe ai të njëjtë gjë apo jo?
- A e njeh atë që po hyn atje brenda?
- Ouu, atë me kostum gri, - ma ktheu
kamarieri – është miku juaj që
ishte
ulur këtu pak më parë.
U çudita,
jo se nuk po e njihja, por më habiste fakti, që vetëm unë po e dalloja
imazhin “dosje”,
kësaj here edhe tek “miku” im, që ishte pak më parë tek unë. Ndërsa kamarieri
po të shihte diçka si ajo që po shihja unë, do të ma thoshte me siguri.
- A e dini se ç’punë bën ai? – e pyeta
me mëdyshje.
- Pse, nuk e njeh ti, - më tha i
habitur – ju pitë kafe bashkë?
- Jo nuk e njohë, ma rekomandoi kunati,
- i thashë edhe vet i habitur – i
solla një
porosi prej tij.
- Ai është sekretar i partisë “M”. – më
tha dhe iku se e thirrën.
Tani nuk
kisha më mëdyshje që imazhi im ishte i rremë, përderisa kamarieri nuk e
shquante atë si unë, kjo do të thoshte pa pikë dyshimi se ishte i rremë. Por
megjithatë sytë i mbaja atje tek porta, tani ishin bërë dhjetë a pesëmbëdhjetë
“dosje” të tillë. Dhe duke vëzhguar më habiti edhe një fakt tjetër; një grua
dhe një burrë, jo të veshur mirë, që nga ç’ kostatova me t’i parë, nuk mu dukën
të pallatit, por ndoshta hallexhinjë. Prej tyre nuk po më shfaqej imazhi “dosje”,
ndërsa dikush që kishte dalë tek dera me ta dhe po i përcillte, imazhi “dosje” dukej
qartë. Kjo më la edhe një pështypje tjetër, ndoshta thash me vete: “ shfaqet
tek ata që janë të veshur mirë dhe me kravatë”. Por duke vëzhguar gjatë kohës
pash që kjo nuk qëndronte. Të tjerë, jo të veshur mirë (pa kostum dhe kravatë) ndoshta
badigardë, guzhinierë, farmacistë ose shofera e ku ta di unë, imazhi prap më shfaqej
edhe tek ata; “dosje”. Kur vendosa të ngrihesha dhe të ikja, më zunë sytë një shokun
tim gazetar së bashku me një tjetër. Ndoshta kameramani, ngaqë kishte një kamer
në sup. Atherë qëndrova të vëzhgojë se çdo të ndodhë edhe me këta. Sigurisht që
gazetarin e njihja dhe ishim miq, por në ishte “dosje” apo jo, këtë nuk kisha
nga ta dija? “ Por ja që mu dha rasti”, thash me vete, tani do të shfaqet në “skanër”,
dhe po i ndiqja me vëmendje. Ata u afruan tek dera si edhe të tjerët më parë,
por asgjë nuk po shfaqej tek shpinat e tyre. Ndjeva një ngazëllim, për mikun
tim, që “skaneri” po e nxirrte “të pastër”, por pëderisa ai ishte akoma tek
dera, do të thoshte që “skaneri” nuk kishte mbaruar punë. Një trupmadhë që u
shfaq në krye të derës, menjëherë u shfaq edhe “dosje e madhe”, diç bisedoi me
ta që ishin të ndryshëm nga ai, thjeshtë trupa siç kishin qënë më parë, i rrëmbeu
pa ngurim dhe i futi brenda.
Nga që isha
në mëdyshje akoma, për ç’farë po ndodhëte, për tre katër ditë vëzhgoja me vëmendje
fenomenin. “Dosjet” hynin e dilnin dhe rrallë tek ndonjë pa “kornizën dosje”,
sepse disa i njihja tani dhe dosja ishte
bërë si kornizë në shpinën e tyre. Nuk shprehja ndonjë ngazëllim për “zbulimin”
që kisha bërë fare rastësisht, por përkundrazi ndjeja keqardhje. Sesi ky fermet
që vlonte brenda pallatit ishte vënë në kokën e lokomotivës për të transportuar
demokracinë e vendit tim. Aq më tepër që më dhimbte dhe më therte sarkazma e
tyre, që luanin pothuajse përditë, “gungulleshkën e dosjeve”, me fraza dhe
manovra fëminore.(Nuk është nevoja t’i përmend sepse janë bërë aq bajate, sa
nuk vlejnë edhe për ndonjë siklet në nevojtore , po të jenë të shkruara).
Ishte dita
e fundit që po qëndroja aty, sepse po të qëndroja edhe disa ditë do tu mësoja
edhe emrat atyre (spiunëve) që u rrezatonte damka mbrapa kurrizit. Por mu pështiros
kjo lloj kënete me shushunja në atë llucë dhe batak të hershëm.
Duke e rrudhur disi zemërimin mendoj se e gjithë kjo më ndodhi, ngaqë mu shfaq ashtu papritur “katrori i parë” ose “dosja e parë” që ndoshta dhe e njihja dhe më lëndoi diku. Por sidoqoftë, ujku rronë me lukuninë e vet.