E shtune, 27.04.2024, 02:05 PM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Fshatrat Patjomkin ?!

E merkure, 18.07.2012, 06:35 PM


"Fshatrat  Patjomkin ?!"

(esse )

Nga  Përparim Hysi

Titulli është si një metaforë apo analogji për ç'ka tentoj. Për lexuesit,them që pak do jenë ata që nuk e njohin këtë emërtim kaq butofarik,por,sidoqoftë,për ta bërë pak më të qartë se si lindi ky emërtim,po shpjegohem pak shkurt.

Patjomkini ka qenë një nga dhjetra "favoritët" (nënkupto ashikët ) e  Katerinës së madhe,perandoreshës ruse,por,ajo që duhet veçuar në këta lloj "favoritësh" është fakti se me këtë Patjomkinin,perandoresha kish vënë kurorë.Patjomkini,sado me një sy,por qe i zoti,aq sa një ambasandor i huaj (këta,ambasadorët qenë si termotetër që matnin temepraturën e shteteve ku qenë akredituar  ) ,ka lënë me shkrim që "...Patjomkini qe një makineri e vërtetë pune,që bënte shumë punë njëherësh ". Pra,i tillë qe  Patjomkini në oborrin e careshës së  e madhe,e cila,siç shkruhet në kujtimet për të, vuante nga obsesioni që shekulli  XVIII-të duhet të quhej shekulli i saj. Patjomkini bëri shumë shërbime në oborrin e careshës dhe,më vonë,ra në një far limontie.Megjithatë,për  t'u afruar asaj ç'ka do të them,Patjomkini,veç meritave, u u bë pak butaforik. Krijonte "fshatra magjikë" apo iluzivë,për t'i mbushur mëndjen perandoreshës se në kohën e saj rrohej mirë. Ndaj ka mbetur në histori "Fshatrat Patjomkin?!". Perandoresha,kur shkonte për vizitë,ngopej me këto shfaqje që i merrtte si reale.Pra,po ta vlerësosh nga kjo anë,Patjomkini qe pak sharlatan. Të tillët në oborret ruse sikur janë bërë pak historik. A nuk  ka qenë një sharlatan i dorës së parë,Rasputini, në oborrin e carit të fundit rus,Nikollës së dytë,të cilin  bolsheviku Lenin e zhduku me kuç e me maç,po me firmën e komisarit të kuq,Sverdllov. Kur përmënd Rasputinin,nuk e bëj më kot: ka shumë që thonë  (është e shkruar e zezë mbi të bardhë ),se,po të qe gjallë Rasputini,revolucioni i tetorit nuk  do kish patur sukses. Kapur pas kësaj thënie,si i  mbyturi pas fije së kashtës, mendoj:- Le të kishte një sharlatan më shumë made in Rasputin,se sa një "tovarish" Lenin a Stalin që i vunë zjarrin gjithë Lindjes...

 

*     *    *

Kur po vij me këtë shkrim kam parasysh"Fshatrat  Patjomkin" që krijojmë ne,me shkrimet tona. Kur them ne,e kam fjalën se,tek lexon,s'ke si mos hidhesh përpjetë nga ç'ka lexon. E keqja e madhe është se këto"lloj fshatrash"-në mund të shpreem kështu- ndodhin që "krijohen" nga pena me peshë dhe,rëndom,edhe nga ata që hiqen si me peshë. Ajo që më alarmon kur lexoj  është fakti tjetër: ne,sado që e dimë që ç'ka shkruhet e bardhë mbi të zezë,nuk është e vërtetë,heshtim,duke bërë një sy qorr e një vesh shurdh,sikur nuk ka ndodhur gjë.Dhe nuk ka se si bëhet më keq. E shkruara mbetet. Po bëre sikur nuk e vë re,i bën një shërbim shumë të dëmshëm,fillimisht,kombit dhe,mandej (varet nga përmasat ) ,edhe njerëzimit.

Kam kohë që doja të dilja me këtë shkrim.Vetëm për sensebilizim. Me fakte që bëjnë mu. Të futësh kokën në rërë,si struci,është fare e pandershme. Gjatë leximeve,sa herë që vija re apo hasja me"fshatra  Patjomkin",nxirja bllokun e shënimeve dhe shënoja"frazën tollumbace apo faktin deformues" si dëshmi autentike. Mirëpo,kur bën dasëm fukaraj,qëllon që griset daullja.Kështu ndodhi dhe me mua. Duke u mbartur nga Amerika në Fier.Nga Fieri në Tiranë,blloku se ku përfundoi. Më erdhi keq ,natyrisht.Kisha shënime autenitke. Por,toruan,ama nuk e humba.

 

*     *    *

Nuk ka ditë që mos lexoj. Natyrisht,jam "qibar" dhe,nuk e mohoj:jam i "shkollës së vjetër". Hyj tek libraria tek Pallati i  Kulturës dhe mundohem të takoj "miqtë e mi të vjetër".Kur them kështu,e kam fjalën për letërsinë ruse. Sa pashë Buninin,u gëzova. I bleva "Memuaret" e tij dhe mezi prisja të sosessha në shtëpi. Por tek lexoja,u hodha përpjetë. Sikur dikush erdhi më kapi prej flokësh. Fjalia e parë..." me Çehovin u takova në fund të vitit nëndqind e pesë !!!". Kujtesa ende nuk më ka lënë. More,-thashë,-sikur Çehovi ka vdekur në vitin 1904 apo më ka lënë mëndja mua. Jo.Atëherë,për të verifikuar në kishte të drejtë Bunini apo unë,e mbylla librin dhe hyra në kompjuter.U vura në kërkim.Çehovi kish vdekur në vitin 1904.Po ti,o përkthyes apo,o redaktor,pse më shkruan një proçkë të tillë.Se Bunini dihet se kush është.Nobelisti i parë rus,sado që pjesën më të madhe të jetës e kaloi në emigrim ,se kurrë nuk u pajtua me "mortajën e kuqe,bolshevike".

Një shkrimtar me emër (shkruan në prozë e poezi dhe është i mirë ) tek shkruan për Sejfulla Maleshovën hyn në ca"vogëlina" që të bën të qeshësh. Sejfulla Maleshova alias Lame Kodra apo  Lamja i vogël siç e thërriste Konica,kalvarin e madh të internimit e ka vuajtur në Fier.Shkrimtari thotë,mes tjerash,doli lumi Seman dhe ia mbyti shtëpinë që kishte. Doli Semani? Po jo,mor burazer,del nuk del Semani (pra lumi që mban këtë emër) kurrë nuk ka ndodhur që të përmbytë Fierin.Por duke shkruar nga "maja e kalit",shkrimtari nuk e di që Fierin e përmbyt,siç ndodhi dhe me shtëpizën e mjerë të Lame Kodrës, Gjanica,një lumth i vogël që derdhet në Seman. Vërtitet t'i përqaset  Lame  Kodrës,por nuk arrin të dalë ku duhet.Se nuk e njeh. Se,po ta njihte,me interes do të ishte të thoshte,që Lame Kodrën e varrosën punëtorët e komunales,atje ku kalonin këmbësorët dhe vetëm kujdesi deri në martirizim,i  ish të burgosurit të ndërgjegjes,poetit dhe shkrimtarit Nuredin Boriçi,bëri që   Lame Kodra të ketë  një qivur. E mbaj mënd mirë kur altruisti Nuredin Boriçi kërkonte donacione për varrin e Lame Kodrës dhe,kur trasta mbeti bosh,atëherë me kursimet e tij,ia arriti. Dhe sikur të shkruante kështu,sa do kishte përfituar dhe shkrimi për Lame Kodrën.

 

*     *    *

Tranzicioni i  ngjetë atij lumit që bie shumë llumb. Çlirimi nga "prangat" sikur i bëri njerëzit me krahë dhe,secili,rroku penën dhe doli kush me një libër,kush me një monografi dhe kush me seri të tilla.Dikush bëhet i "famshëm" duke zbuluar ca "të fshehta" që veç ai i di dhe zë të shet egjrën për grurë. E lexon këtë lloj "patjomkini" dhe siç e lexoj unë,ka dhjetra apo qindra që gjërat i dinë mirë apo dhe më mirë se ai,por,megjithatë,nuk flasin. Unë jam fierak dhe,si të gjithë fierakët e brezit tim,e kemi njohur  Lame Kodrën . E kemi njohur,po  në distancë.Qe një "kodër" që të ngjitte "kolerën" dhe jetoi në vetminë e vet. Përplaste këmbët fortë tek shkonte nga ajo"shtëpiza"-ku e mbyti Semani?!!!- për tek grumbullimi ku punonte  si makazinier  i depos së duhanit. Me asnjë nuk bëhej dhe dihej përse.Po ja tek del një që shkruan dhe thotë:

-U thashë atyre të degës (nënkupto të degës së mbrëndshme ) a ta thërres në dasëm ? ( është fjala për Sejfullan,de! ) dhe më thanë:-Thirre,po mos qëndroj shumë !!!!

Natyrisht,që ky "patjomkin" ndërton kështjella në  erë. E vërteta është krejt ndryshe.Po dihet që të vdekurit nuk flasin.Ata,të ndjerët,e kanë mbyllur ciklin e jetës,po më të rrezikshëm  jemi ne,të gjallët,që vazhdojmë ta hamë sapunin për djatthë.

Një shkrimtar me emër,buçkan e kokoroç,aq obses është për veten e tij,sa,tek pohon,se dikë ka marrë në qafë duke e spiunuar,konkludon me delir:-Më duket se mirë ia bëra atij X-it.Dhe pozon sikur të ketë bërë hyner.Askush nuk shkroi kundër tij.Se dhe "yjet" rrinë e vështrojnë. Dhe vazhdojmë ta "përkëdhellim" këtë lloj specie,se mos na thahet  a vyshket dhe,pastaj,mjerë letërsia.

Të shkojmë dhe më tej.Në atë "bllokun që humba" në mjegull më është fiksuar një detajë:

"...unë kisha bibliotekën me të madhe në qytet.X... erdhi për të marrë një libër dhe,mandej,më doli dëshmitar i rremë në gjyq.Bëra (nuk më kujtohet se sa vjet ) disa vjete burg.E citonte "dëshmitarin"me em[r e mbiemër,dhe ky "patjomkini" (pra,dëshmitari i rremë ) ka goxha pozitë edhe si prozator. Shumë e dinë,por askush nuke mbështeti atë D.B. që bëri burg.

 

*       *     *

 

Kur flas për "Fshatra  Patjomkin",e kam fjalën se sa realist jemi kur shkruajmë apo rrëfejmë diçka. Nuk e kam fjalën për letërsinë artistike,si krijim,por kur flitet për personazh apo ngjarje historike,ku,për anjë arsye apo tjetër, ndërtojmë "fshatra iluzivë". I ndërtojmë dhe i ekspozojmë para sysh dhe,s'do mend,bëhemi delirant ,se askush nuk na i prish  ajkën.Shtroj pyetjen a ndodh gjithkund kështu?  Ma do mëndja,që jo. Ne bëjmë sikur  lexojmë symbyllur dhe bëhemi pak,si bashkëpunëtor në "vrasje". Pranojmë diçka që nuk është dhe,kështu,i bëjmë shoqërisë një dëm jo të vogël.

The kështu se gati bërtita,kur lexova se në Fier,-siç shprehej një që kish bërë"shumë" pë Fierin,- na ishte parë një trainer fantazëm,Sabri  Peqini, që e kish penguar... e bla,bla.

Sabri Peqini,i dashur "Patjomikn" është një futbollist i madh i Kombëtares;ka qenë trainer i madh,i cili,qysh në  vitet 1957-1958,erdhi nga Hungaria dhe në Elbasan qe dhe trainer dhe futbollist dhe,në saj tij,Elbasani jo vetëm doli në ktegori të parë,po e ngriti lart stekën.Po "patjomkini" e quan "fantazëm" dhe aq.Asnjë reaksion.As i zi dhe as i bardhë.

Një tjetër,në një "kundrëvënie" që të mbushë mëndjen,tek orvatet të shpjegoj  një të vërtetë,zgjedh një rrugë tjetër:

"... qeshë riosh fare dhe tek po ecja rrugës,më arriti dikush dhe më tregoi se qe i burgosur nga Enveri dhe i tha,këtij 14-vjeçarit,se Migjeni,po të qe gjallë,do futej në burg.Dhe unë i këtij mendimi jam:po të shkruante ashut siç shkroi,Migjeni do futej në burg a ca më tepër,por si ndodhka,që një i burgosur,në atë kohë të frikshme,të paska zgjedhur si"qelë"ku rrëfehet.

Këto janë ca "thela që nuk m'i nxë jamakia",mua. Ai që rrëfen ,është i dëgjuar,me peshë,por ç'tregon,nuk qëndron. Por njerëzit i pranojnë si të vërteta dhe aq. Dhe mudn të vazhdoja dhe me të tjera "fshatra",por dhe me kaq besoj se sikur ia kam hequr guallin plagës. Se plagë   është që të bësh sikur nuk sheh ca të vërteta që bëjnë mu. Nuk duhet të heshtim. Si thoni,kam të drejtë ?!...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora