E shtune, 27.04.2024, 12:07 PM (GMT+1)

Kulturë

Intervistë me shkrimtaren Luljeta Lleshanaku

E enjte, 19.07.2012, 07:26 PM


“Letërsia edukon shije, por edhe qytetari e kulturë”

FLET POETJA LULJETA LLESHANAKU, “ZËRI I PARË” NË MAGNETOFONIN E NXËNËSEVE TË SHKOLLËS “ASIM VOKSHI”

“Nderim shkrimtarëve” është nisma e nxënësve të shkollës së mesme “Asim Vokshi”. Gjimnazistë që mbledhin zëra shkrimtarësh?! Është më se e vërtetë. Ka gati dy muaj që nëpër rrugët e Tiranës sheh nxënës të kësaj shkolle, në këtë “mision”, në pamje të parë të çuditshëm. Me një magnetofon dhe tufë lulesh në duar, kalojnë sa nga shtëpia e Dritëro Agollit, tek ajo e Fatos Kongolit, te poetja Luljeta Lleshanaku, apo në Fakultetin e Histori-Filologji për tek Agron Tufa, por edhe në Qendrën e Studimeve Albanologjike për te studiuesi i letërsisë, Shaban Sinani.

Ç’është kjo dëshirë për të mbledhur zëra shkrimtarësh?

Vajzat na thonë se nuk është thjesht çështje kurioziteti, ndonjë hobi e tyre apo “për muzë”. Ato shpjegojnë se kjo punë e tyre dhe jo vetëm e tyre, por e gjithë nxënësve të viteve të treta, është një nismë, më saktë një detyrë e dhënë nga mësuesi i tyre i letërsisë, Arshin Xhezo. Albumi me titull “Nderim shkrimtarëve”, kërkon plotësimin e gjashtë rubrikave: jetëshkrim i shkurtër i shkrimtarit; foto e tij; zëri i shkrimtarit; imazh filmik; relike nga shkrimtari (që mund të jetë autograf ose ndonjë send i përdorur prej tij, dhe intervistë e shkrimtarit. Në listat e tyre janë jo vetëm shkrimtarë shqiptarë, por edhe më të mëdhenjtë e letërsisë botërore. Zërat dhe imazhet e këtyre të fundit, si Heminguejit, Kafkës, Xhojsit apo Dostojevskit, i kanë nxjerrë nga interneti. Edhe zërat e shkrimtarëve shqiptarë, që nuk jetojnë më, si Noli, Fishta apo Konica, nga interneti i kanë marrë, por edhe nga arkivi i ndonjë radioje apo televizioni, ku të munden. Shkrimtarët janë treguar tepër të gatshëm e të sjellshëm me nxënëset. Madje, shpesh, ata u kanë dhuruar edhe libra të tyre me autografe. Tepër entuziaste e pasionante pas “Albumit” të tyre, vajzat duan të theksojnë se nderimi i vërtetë për shkrimtarin është leximi i veprës së tyre. Dhe ky album ndihmon pikërisht për t’i njohur e dashur më shumë shkrimtarët dhe letërsinë. Me intervistat e tyre, përmes pyetjeve të parapërgatitura, ato duan të marrim edhe mendimet e opinionet e shkrimtarëve e studiuesve, se si mund të përmirësohen programet e letërsisë, sidomos në gjimnaze. Dhe kur në këto programe mungojnë shumë shkrimtarë të rinj e të talentuar, kjo që bëjnë, pra “Albumi” i tyre, është një rrugë për t’i njohur e lexuar ata. Për shembull, poetja Luljeta Lleshanaku, që as përmendet në programin e letërsisë, por që është vlerësuar e përkthyer në disa gjuhë të botës, midis poetëve më të zgjedhur. Zonja Lleshanaku jo vetëm kishte pranuar t’i priste e t’u jepte këtë intervistë, por edhe u foli me po atë përgjegjësi si në intervistat që ka dhënë në gazetat a studiot televizive të Shqipërisë apo Amerikës, ku sidomos është përkthyer e vlerësuar poezia e saj. Fiona Kopalin dhe Klaudia Hasanllari erdhën për vizitë në redaksinë e gazetës “Shqip” dhe kanë dëshirë që ta botojnë intervistën e poetes Luljeta Lleshanaku, që e kanë “zbardhur” vetë.

Në intervistën tuaj në “Top Channel” u tha se jeni botuar në një antologji të poetëve të zgjedhur të shekullit XXI? Përse bëhet fjalë konkretisht?

Bëhet fjalë për antologjinë “Between water and song”, botuar nga White Pine Press, Buffalo, në New York. Antologjia ka si redaktor Norman Minnick dhe promovon, sipas autorit, një grup autorësh të brezit të ri, të lindur të gjithë pas vitit 1960, të ndryshëm nga njëri-tjetri dhe të suksesshëm në tregun amerikan. Midis tyre gjen edhe emra të tillë, si Ruth Forman, Ilya Kmisky, Terrance Hayes, Maurice Manning etj. Është një botim për të cilin kanë shkruar Adam Zakajewski, Jane Hiershfield, David Shumate. Antologjia, për momentin, është në një tur promovimi, por unë nuk mund të jem. Do të jenë të tjerë që do të lexojnë në vendin tim dhe uroj, së paku, ta shqiptojnë emrin tamam.

A janë të shpeshta tonet superlative (ose edhe e kundërta) në vlerësimin e shkrimtarëve? Si p.sh.: më i miri, ose kësisoj?

Përgjithësisht jo. Ata janë shumë të kujdesshëm me fjalën, në të dyja krahët, vlerësuese apo denigruese. Fjala vjen, shkrimtares Joyce Carol Oates iu bënë nga audienca pyetje provokuese lidhur me letërsinë amerikane që botohet në Europë, të tipit Danielle Steel e të tjerë, por ajo as edhe njëherë të vetme nuk përdori ndonjë epitet të natyrës “bestseller” apo “mediokër”, apo kësisoj. Në të vërtetë, ky ngacmim erdhi si reagim ndaj deklaratës së komisionit të “Nobelit” për letërsinë amerikane, si të mbyllur ndaj letërsive europiane. Por, përgjithësisht, në çdo lloj niveli, atje nuk më ka ndodhur të dëgjoj të flitet me ton absolut, si më i miri apo kësisoj, për hierarki letrash, gjë që këtu, nganjëherë është servirur si temë debati. Shtrohet pyetja, kujt i shërben ndërtimi i hierarkive letrare? Me sa duket, ky lloj vaniteti është karakteristikë për vendet e vogla, e sidomos kulturat relativisht të kufizuara. Zakonisht, letërsia e gjen shumë më me modesti vendin e vet. Fjala vjen, unë mora pjesë në një aktivitet letrar në Dublin para pak ditësh dhe në leximin tim kishte qenë edhe Seamus Heaney, nobelisti irlandez dhe një nga shkrimtarët e mi të preferuar, gjë që unë e mora vesh më vonë. Dhe, pas leximit, pyeta dikë: “A është Seamus Heaney ai apo më bëjnë sytë?” Në të vërtetë ishte tamam ai, por sillej kaq natyrshëm në sallë, kaq me modesti, pa rënë në sy fare dhe nuk ishin nja tre a katër që t’i shkonin nga mbrapa si badigardë. Në sallë kishte zënë një karrige si të gjithë të tjerët. Sinqerisht më bëri shumë përshtypje. Pyes veten se çfarë është tendenca për të krijuar mite dhe pse diku është më e theksuar se diku tjetër. Një përgjigje është frika për të parë realitetin në sy; një tjetër, mungesë vetëbesimi.

Cilët janë shkrimtarët tuaj të preferuar?

Sa më shumë lexoj, aq më shumë vlerësoj ata poetë të cilët i kam dashur që në shikim të parë. Yehuda Amichai është njëri prej tyre. Ka një metaforë të jashtëzakonshme dhe duket sikur Amichai vetë ka dalë nga Bibla. Poezia vjen tek ai kaq natyrshëm dhe fuqishëm, sa të lë pa frymë. Nga ana tjetër, është një nga poetët më të vështirë për t’u analizuar, sepse metafora është një mister në vetvete për t’u shpjeguar. Ajo thjesht vjen si analogji, diçka që ka të bëjë më shumë me intuitën, sesa me një formulë logjike. Pastaj më pëlqen shumë, përsëris, edhe Pavese në fazën e tij të vonë, kur u shkëput nga hermetizmi dhe u orientua drejt poezisë narrative psikoanalitike; edhe W.C.Williams, edhe Transtromer, Brodski, Ricos, Elisabeth Bishop, Filip Larkin, Szymborska, Charles Simic etj.

Sikur të ktheheshit në gjimnaz, do të merreshit përsëri me poezinë apo do të donit një profesion tjetër?

Ndoshta me të drejtë ju e lidhni fillimin me periudhën e adoleshencës, pasi kjo është periudha kur shkrimtarët fillojnë të dalin hapur, por përgjithësisht, te të gjithë, rrënjët janë më të hershme. Të shkruarit është pjesë e temperamentit, e konstruktit shpirtëror. Fjala vjen, në ditarin e Musine Kokalarit, të shkruar gjatë kohës që ajo ishte studente në Romë, herë pas here ajo shprehej se ishte nën pushtetin e një mërzie apo dëshpërimi pa ndonjë shkak konkret. Në Perëndim kjo quhet “melankoli” ose “blues” dhe është një reaksion që jo të gjithë njerëzit e provojnë, tregues i një ndjeshmërie shumë të lartë fizike, sa edhe metafizike. Pra, pa shpjegim. Një burim tjetër i kësaj “melankolie” është kur njerëzit arrijnë të shohin përtej fundit të gjërave. Pra, është edhe tregues inteligjence. Dhe ndërsa lexoja Musinenë, kuptova se kisha të bëja me një temperament artistik, gjë që me sa duket, ajo e mësoi më vonë, kur filloi të shkruajë. Pra, me këtë shembull desha të them, që të shkruarit nuk është zgjedhje, por një stampim në temperament. Mund të ketë efektin e një deformimi, por mund të merret edhe si bekim, si diçka që mund të të bëjë të lumtur nganjëherë.

Por letërsi mund të shkruhet në çdo moshë. Sa më vonë, më mirë është, sepse je më i pjekur dhe më me përvojë për të përcjellë dhe analizuar. Fjala vjen, në një program për master në shkrimin krijues që po marr në Karolinën e Veriut, shoh Ildën, një zonjë e hijshme, rreth 80 vjeçe, bionde, e gjatë, e çuditshme si “hipi”, të cilën nganjëherë e zë gjumi në kolltukët në korridor, midis dy ‘workshopeve’. Është studente, si të gjithë të tjerët, vjen atje për të mësuar të shkruajë dhe nuk ishte se i duhet një master formal për të mbushur CV-në e punës. Me sa duket, qoftë edhe dy ditë jetë të kenë mbetur, ia vlen të përpiqesh të bësh letërsi. Kurrë nuk është vonë. Pra, nëse do të kthehesha mbrapa, kam frikë se do të bëja të njëjtën gjë. Kur i shoh gjërat në retrospektivë, më kujtohet se sa presion kam pasur për të mos u marrë dhe jo për t’u marrë me letërsi, sepse, sipas sime meje, “librat nuk të japin bukë” (që po e provoj, në njëfarë mënyre), dhe prapë kam bërë timen. Kështu që, me sa duket, është çështje programimi, madje çështje programimi edhe për të tjerë, të cilët ndonëse nuk kanë shkruar, thjesht mendojnë poetikisht, sillen poetikisht, jetojnë poetikisht. Poezia nuk është vetëm ajo që ekziston e shtypur në letër.

Si do të donit të zhvillohej lënda e letërsisë në gjimnaz?

Natyrisht jo si në rininë time dhe jo si zhvillohet në pjesën më të madhe të sistemit arsimor edhe sot. Më pëlqejnë programet fleksibël, me autorë të ndryshëm dhe metodologji të ndryshme. Jam për forma nxitëse të debatit dhe të hapur ndaj klasikes, sa edhe zhvillimeve të reja. Pra, desha të them, edhe interpretimi i letërsisë është një proces që evoluon çdo ditë, paralelisht me produktin letrar. Unë do të isha dakord të merrej në analizë, qoftë edhe libri më i keq i vitit, fjala vjen, sepse është një temë intriguese, e cila synon të nxjerrë në pah argumentin letrar. Qëllimi është që nxënësit të mësojnë të përtypin dhe të shijojnë letërsinë. Edhe metoda krahasuese midis dy veprash apo autorësh, inkurajon po të njëjtën gjë dhe unë jam për çdo lloj eksperimenti të kësaj natyre dhe për të futur çdo vit gjëra të reja, një sistem rrotativ që sjell oksigjen dhe dëshirë te nxënësi apo studenti. Letërsia, në të gjithë botën trajtohet si një nga aspektet më të rëndësishme të programit arsimor të lidhur me formimin e personalitetit dhe është mëkat të vendosin për të gjithmonë të njëjtët njerëz, të lidhur pas të njëjtave karrige akademike prej vitesh. Dhe pse jo, mund të them që pikërisht ju jeni me fat që keni një mësues të tillë letërsie, që thyen skemat.

Çfarë muzike do të donit të dëgjonit?

Nuk është çudi që e dua kaq shumë muzikën, sepse pothuajse të gjithë e duan. Kam disa kompozitorë të dashur të përjetshëm, ashtu siç kam edhe shkrimtarë të tillë. John Williams është njëri prej tyre dhe sa për t’ua kujtuar, është ai që ka kompozuar muzikën e filmit “Lista e Shindlerit”. Eric Satie është gjithashtu hyjnor në veshët e mi. Më pëlqen Bah-u shumë, megjithëse është i rëndë, po kaq sa më pëlqen muzika braziliane, sepse ka nuanca lirike inteligjente. Më pëlqen shumë edhe kënga “Lili Marlen”, po kaq sa “Katjusha” ruse, me një histori të ngjashme, si dy këngë të pastra sentimentale, të cilat u shndërruan në himne ushtrish, për të frymëzuar ushtarët në llogore, megjithëse nuk kanë asgjë të përbashkët me dhunën. Më pëlqen edhe këngëtarja portugeze Cesaria Evora, madje edhe një bashkëpunim i saj me Goran Brejkoviç. Natyrisht, më pëlqen edhe muzika folklorike shqiptare, sidomos çiftelia, fyelli dhe tragjizmi i thellë, por filozofik i Veriut. Dhe shumë e shumë të tjerë.

Çfarë do të donit të realizonit nga ato që quhen pengje?

Nganjëherë them se mund të isha marrë me shkencë. Arkeologjia, mjekësia, gjenetika, të gjitha më tërheqin pa masë. Nganjëherë, them se mund t’i kisha bërë të gjitha, por mbas gjithë këtij budallallëku besoj se ka diçka të vërtetë dhe të përbashkët midis letërsisë dhe shkencës, që është kureshtja. Madje, kur isha e vogël, siç kam thënë edhe në një poezi, shkatërroja lodrat, sepse nuk më durohej derisa t’u hapja barqet e të zbuloja mekanizmin që i vinte në funksionim. Të shkruarit motivohet nga kureshtja, njëlloj si edhe shkencat. Ajnshtajni thotë se si shkencën, ashtu edhe artin i shtyn përpara kureshtja. Por, me sa duket, edhe origjina është kureshtja. Në këtë kontekst, nuk është habi që Ajnshtajni vetë luante shumë mirë në violinë, madje, ai vetë ishte i bindur se muzika dhe shkenca plotësonin njëra-tjetrën dhe e ushqenin me ide njëra-tjetrën. Kureshtja për të bërë diçka është pasion dhe nuk ka rëndësi sa e rëndësishme ajo që ti bën për të tjerët. I rëndësishëm është relacioni që ne ndërtojmë me atë që zgjedhim. Ndaj edhe nuk ka njerëz apo profesione të rëndësishme apo më pak të rëndësishme, për mendimin tim.

Çfarë sandalesh apo këpucësh do të donit të vishnit?

Gjëja që do të doja të kisha me shumicë janë këpucët. Në të vërtetë kurrë nuk kam pasur mjaftueshëm. Për sa kohë isha e re, si të gjithë shqiptarët, me një palë këpucë shtyja tre vjet: viti i parë vetëm të gërricura pak në majë, të riparuara gjatë vitit të dytë dhe me funde krejt të reja gjatë vitit të tretë. Dhe bëheshin aq të rënda, saqë në vend që të vinin këpucët pas meje, shkoja unë pas këpucëve. Për çudi, disa nga makthet që akoma i mbaj mend janë dhimbjet e këpucëve të ngushta. Mund të flas pafundësisht për këpucët, sepse kam shumë gjëra për të treguar. Por them që ndihem rehat me çfarëdolloj gjëje që të vesh, kur kam këpucë të mira. Gjyshi im madje, kishte një shprehje: “Hasmi të sheh te këmbët”. Kurse sa për veshjet jam natyrë e ngurtë dhe disi frikacake. Nuk eksperimentoj me pamjen. Mbetem gjithmonë te ngjyrat klasike: e zeza, grija dhe bluja e errët. Një shprehje e imja është: “Klasikja kurrë nuk të tradhton!”.

Na kanë thënë se keni dy vajza. Ku ju ngjajnë dhe ku nuk ju ngjajnë?

E para, Lodia, ka më shumë temperament artistik; është impulsive dhe e drejtpërdrejtë. Them që më ngjet më shumë mua. Kurse e dyta, Lea, është shumë e ndryshme nga unë. Ajo është e kursyer, i dëgjon të gjitha dhe bën sikur nuk i dëgjon, është tip manipulues, por e pandikueshme. Fjala vjen, një nga gjërat që më bën më shumë përshtypje tek ajo është kur thotë: “Unë nuk dua të bëj gjëra të mëdha në jetë! Çdo gjë që dua është të kem një shtëpi të bukur, një njeri që të më dojë dhe të kujdesem për fëmijët. Mua gjërat e mëdha më trembin”. Nuk bëhet fjalë për rolin e gruas shtëpiake, i cili në emër të pavarësisë femërore, pothuajse përbuzet sot. Në të vërtetë, ajo që ime bijë kërkon natyrshëm, është gjeneza e të gjitha dëshirave njerëzore: një familje, mirëqenie dhe dashuri. Njerëzit luftojnë për gjëra të mëdha, për para, pushtet, famë, pikërisht për të siguruar këto gjërat e vogla. Disa e kanë të qartë këtë dhe kanë një jetë më të shëndetshme; të tjerët ose e kuptojnë vonë, ose nuk e kuptojnë kurrë. Dhe pikërisht këto gjërat e vogla, janë gjithmonë më të vështirat për t’u arritur, madje edhe më të paqëndrueshmet. Më kujtohet një shprehje e Markezit, kur e pyetën se pse shkruan, dhe ai iu përgjigjet: “Për t’i bërë njerëzit të më duan!”. Në këtë kontekst ia vlen për të përmendur edhe një film të Tornatores, që në shqip është përkthyer “Pianisti mbi oqean”, i cili jep jetën e një njeriu që gjithë kohën e kishte kaluar në anije, pa prekur kurrë në tokë dhe në momentin që vendos të zbresë, heziton, duke argumentuar se: “A do të jem në gjendje unë që brenda asaj bote të madhe që më pret atje jashtë, të krijoj botën time të vogël?”.

Nëse do t’ju kërkonin të bënit një skenar filmi për një shkrimtar, cilin do të zgjidhnit?

Do të zgjidhja një shkrimtar me një jetë shumë aktive, si Heminguej. Heminguej ishte shkrimtari që rrezikoi jetën disa herë duke marrë pjesë në dy luftëra, pësoi aksidente njërin pas tjetrit dhe në fund fare vdiq kur deshi vetë. Nuk mund të gjendet një njeri më i lirë dhe më i guximshëm se ai. Ai e kuptonte letërsinë si të lidhur fort me jetën dhe ky është një nga shkaqet që letërsia e tij është kaq vitale. Për të kundërtën do të zgjidhja Wislawa Szymborskën, duke qenë se në poezinë e saj nuk ka pothuajse fare elemente autobiografike. Filmi do të ishte një mënyrë për të zbuluar Szymborskën si person misterioz, atë çka nuk na e jep vepra. Do të ishte me interes të shkruaja një skenar për at Zef Pllumin, i cili më ka bërë mjaft kureshtare me librin e tij “Rrno për me jetue”. Një roman i jashtëzakonshëm, një shpirt i madh dhe një mendje kaq e emancipuar. Në kohën tonë, kemi kaq nevojë për modele të tilla njerëzore, njerëz që të frymëzojnë aspirata të mëdha. Por, intrigues mjaft më duket edhe Frederik Rreshpja, për shkak të karakterit të tij shumë joskematik, aventuresk dhe të paparashikueshëm. Rreshpja vetë ishte një simbiozë shumë interesante e ndjeshmërisë poetike me pragmatizmin. Ishte thjesht “tip”.

Ishit një vit në SHBA. Për çfarë shkuat atje?

M’u dha një bursë nga Instituti Black Mountain, në Universitetin e Las Vegasit. Ata japin tri bursa për shkrimtarë nga e gjithë bota çdo vit. Konkurrova vitin e parë, u përzgjodha në gjysmëfinale, por nuk fitova. Pëlqyen poezinë, por jo temën që kisha zgjedhur për të shkruar një libër. Kështu që provova prapë vitin e dytë, duke zgjedhur një temë më pak akademike, në natyrën amerikane dhe fitova. Por qe një përvojë shumë e mirë në kuptimin e kohës për të shkruar, sa edhe të kontakteve me njerëzit e letrave dhe kulturën amerikane në përgjithësi.

Si ju dukemi ne?

Të bukurat e dheut. Unë provoj një ndjenjë të veçantë kënaqësie kur takoj të rinj të edukuar dhe me interesa për dijen dhe, sidomos, për letërsinë. Një rast i tillë duket si një apendix në këtë epokën e fastfood-it. Unë besoj se letërsia edukon shije, por edhe qytetari e kulturë.

 

Intervistuan: Fiona Kopali, Klaudia Hasanllari



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora