E shtune, 27.04.2024, 10:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Marius Chelaru: Mexhid Mehmeti në gjuhën rumune

E enjte, 19.07.2012, 06:36 PM


Mexhid Mehmeti në gjuhën rumune, apo:

Për gjeografinë e kujtimit kur mbi dhe mbetet dashuria

Nga Marius Chelaru

E kam takuar Mexhid Mehmetin te këmbët e Alpeve Dinarikë, në Sarajevë, në një festival poetik me karakter ndërkombëtar. Ma tregoi një libër të tij në gjuhën shqipe. I këmbyem ca fjalë për poezinë, për vendet tona dhe për dëshirën për ta patur një vëllim edhe në gjuhën rumune. Dhe ja tani, falë përkthimeve briliante të Baki Ymerit, dëshira e tij kaplon përmasat e konturimit, ndërsa lexuesit rumunë, përmes vëllimit „Noapte lunga/Natë e gjatë” (Amanda Edit, Bukuresht 2012), kanë rastin e një takimi të ri me poezinë e një poeti të talentuar shqiptar.

Kështusoj, kemi para nesh një autor interesant që gësheton poemat e gjata me poema tjera të shkurta, me vargëzim vlerash të mirëfillta. Bie në sy koncizioni që nuk vuan nga mungesa e metaforave. Disa nga to kanë vetëm një strofë prej tre-katër vargjesh, tjerat sjellin do aforizma/ sentenca, ndërsa disa ngërthejnë formulime (me figura stili, shumica interesante, me tentë personale, siç i ka hije çdo poeti), të cilat duket se tentojnë të të befasojnë me një sentiment, një ide, një aspekt nga jeta apo nga ndonjë fragment nga e shkuara që përpëlitet në një betejë çasti në vetullat e shpirtit. Historia, sipas tij, do të shkruhet pëmes të vdekurve të gjallë. Vargu i tij mbyllet në guaca deti, duke u shndërruar në odë për përjetësinë. Shiu i poetit kur bie, e zgjon nga gjumi pullazin e shtëpisë. Po qe se, sipas tij, kthehemi ndonjëherë tejmatanë harrimit, mos u mahnit pse aq shpejt modifikohet „gjeografia e kujtimit.”

Tjetër herë, duket se ka tubuar një varg poemash të shkurta në një poemë të vetme (Vetëm rrugë e fjalë, Trashëgimi, Si mund të vdiset) etj. Një konkluzion është se nuk mund të bëjmë fjalë për një monotoni tematike apo formale, dhe, duke u bazuar në disa konsiderata, as për monotoni stilistike. Mexhd Mehmeti ka dhuntinë e „udhëtimit” nëpër fjalë, duke i paluar ato në konstrukcione të veçanta, me metafora të zgjedhura e të qëlluara.

Ekzistojnë disa tekste që të shpien me mendimin te një poezi „përfytyrimesh”. Në disa tjera duket se buzëqesh një botë paralele me realitetin e saj, madje edhe me irealitetin apo/edhe me atmosferën alla Dali, që të shpien në „shtëpi” (shembulli më mirë duket Kopshti i çuditshëm), me vargje ku poetesha e Kanadasë krijon gjëra të çuditshme në poezi, duke i mbëltuar shuplakat në kopsht. E çuditshme duket çerdhja e luleve, „me dy shuplaka e dhjetra gishtërinj”. Në këtë kontekst, dit/e/natë faniten degët e gishtërinjve me vlastarët e thonjëve, duke pritur zogjtë shtegtarë të klithin në „antishuplaka”.

Në këtë kontekst gjejmë edhe një gamë poemash tjera që të shpien me mendimin në atë që thamë më lart, por, thuajse edhe në paradokse me puhi alla cong-an/koan, mes të cilave, gjithësesi mund të „inkuadrojmë” edhe Kopshtin e çuditshëm, Bukurinë e ngrirë, Kur delte ylberi („E bukura e Dheut” që tentonte të bëhet burrë) etj. Më duket, ndërkaq, se sfondi i këtyre formulave nuk ndërlidhet me doemos me këto kërkime/tesha formale, por me një „plasim në akord” të reflektimit të botës me vetveten.

Në disa poema tjera sentimenti duket më pasë si një përfytyrim, një fundal, një sfond apo një mënyrë përmes së cilës poeti e sheh botën, edhepse llogarit sidomos mënyrën në të cilën është kapluar përmes pikave të qelibarta të vargut. Autori flet edhe për dashurinë, për Mirandën e tij, por dashuria te Mexhid Mehmeti, edhepse e fuqishme, duket se disa herë paraqitet tejet e shkëlqimtare, herë tjera shëmbëllen me një tundim dhe mundim, shpresë, dëshirë, e ëndërr dhe, diku, tejmatanë zonës së përmbushjes së sentimenteve. Nga një herë duket se është „baraspeshuar” disi tensioni ndërmjet interioritetit dhe eksterioritetit, një qartësi e gjallë që tenton herë pas here ta kallë apo shuajë afshin, senzualitetin. Por, thot autori, në fund të fundit, tinëzisht vargu digjet, shpresa muroset, „në vargun tim të paskajshëm”  (Idilë pa kuptim).

Dhembja është një „vend/strehim” tjetër në poezën e Mexhd Mehmetit. Dhe, sipas tij, kur fillojnë dhembjet në shpirt, pagjumësia merr flatra, e zgjidh gjuhën fjalë pas fjale, pa u ndërprerë. Dhe në ato çaste „mund të shkruhet poezi”, apo, me litarin në qafë, „mund të varet vetmia”. Dhe, mbi të gjitha këto, dhembjet, thot autori, „nuk fshihen me gomë”. Bota në sytë e poetit duket e hijshme, dhe e trishtë, dhe plot shkëlqim, por edhe me mjerim, ashpërsi e vrazhdësi. Për atë, shkruan ai, në bebzën e syrit, janë ngritur kështjella pa gurë. Dhe, ndoshta vlen të përkujtojmë pour la bonne bouche, se ka edhe një gamë poemash për të shkuarën, për historinë e vendlindjes (e shkelur nga ardhacakë e pushtues gjatë shekujve), ku krojet ende derdhin gjak, kurse për njerëzit e vendit të tij, historia mund të pikturohet me kujtime të zeza e me mundime të kuqe (Karadaku). Apo poemat për konfliktet e freskëta në zonë (Bij në luftë), vargje për fatin e Kosovës (Mallkim prozaik).

Jetojmë këshu pra, sipas vizionit të Mexhid Mehmetit, në një botë problematike, ku hapat duket se ende janë vonuar gjatë rrugës së kërkimit. O zot, thekson me fjalë të frymëzuara, në Idilin e pakuptimtë, tinëzisht digjet ëndrra, dhe shpresa muroset, „në vargun tim.” Kurse ne, ende bëlbëzojmë nëpër labirinthet e jetës, nga të cilat, si mund të dalim, pyet poeti, po qe se „na ka ikur hija”? Por mbetet dashuria mbi dhe, si një bërthamë e shëndetshme, e hedhur nga njerëzimi. Nuk e di se sa reprezentative janë vlerat e këtilla për një autor, por e parandjej se Mexhid Mehmeti është tejet i njohur në Kosovë, siç është edhe ky vëllim vlerash të veçanta, që ngërthen për pasojë, një fushë të gjerë dimensionesh të mirëfillta tematike dhe stilistike. Pra, duke konkluzionuar, mund të themi – ja edhe një poet i ri shqiptar, që hapëron me vargun e tij në gjuhën tonë!

BOX

Mexhid Mehmeti u lind më 11 qershor të vitit 1948 në Zhunicë të Preshevës. Katër klasë të fillores i kreu në vendlindje, tetëvjeçaren dhe gjimnazin në Pre-shevë, kurse fakultetin filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, në Universitetin e Kosovës në Prishtinë. Disa vjet ishte mësimdhënës i gjuhës dhe letër-sisë shqipe në qendrën arsimore “Skënderbeu” në Pre-shevë. Këtë profesion e ushtroi edhe në shkollën e mesme në Tërnoc të Bujanocit, në shkollën fillore në Raincë, Corroticë dhe Preshevë. Punoi edhe përkthyes – gazetar në “Flaka e vëllazërimit” në Shkup. Që nga viti 1985 e deri në përfundim të luftës së fundit në Kosovë punoi gazetar në “Rilindja” - “Bujku” (korrespodent nga Kosova Lindore). Ishte njëri ndër themeluesit dhe redaktor i revistave “Filizat” e “Panorama” të Preshevës dhe “Jehona” të Bujanocit. Kohë të gjatë udhëhoqi klubin letrar “Feniks” të Preshevës dhe edicionin botues të këtij klubi, i shquar me botime cilësore të autorëve të asaj treve. Pas luftës deri në shuarjen e së përditshmes “Rilindja” ishte gazetar dhe redaktor i rubrikës së kulturës. Është prezantuar në disa antologji poetike, në mesin e të cilave edhe në “Poets for world peace” të Akademisë Botërore të Paqes Stefan Gil të Kanadës, pastaj në disa tekste universitare, leksikone, albume, botime kritike etj., në shqip, anglisht, gjermanisht, rumu-nisht, boshnjakisht, kinezisht, mongolisht e gjuhë të tjera. Bashkëpunon me të gjitha gazetat dhe revistat që botohen në trevat shqiptare, ndërsa punimet e tij janë botuar edhe në Ylliria të New Yorkut, Diogen pro cultura të Sarajevës, Ars të Podgoricës etj. Në dy mandate ishte anëtar i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, ku ishte i angazhuar në shumë aktivitete, përfshirë këtu edhe juritë, komisionet e ndryshme etj. Është fitues i disa çmimeve për poezi, kur-se më 2006, për romanin “Shtatë ditë pas vdekjes” mori çmimin “Hivzi Sulejmani”, të cilin LSHK e jep për veprën më të mirë të vitit të botuar në prozë. Që nga paslufta je-ton dhe vepron në Prishtinë e në Fushë – Kosovë.

Bibliografi letrare: “Klithje e përmallim”, poezi, (1977), “Lumja”, tregime, (1982), të dyja në botim të klubit letrar “Feniks” të Preshevës; “Frymëmarrje”, (1984), “Flaka e vëllazërimit”, Shkup; “Peizazh i ngrirë”, (1994), “Rilindja”, Prishtinë; “Monstrumiada” - tetralogji me dramat “Zibardhët”, “Monstrumiada”, “Ëndërroj për një ditë” dhe “Vdekje e hijshme”, (1998), Vatra, Prishtinë; “Presheva”, poemë, (1998) Vatra, Prishtinë; “Rikthim dhembjeje”, poezi, (1998), Vatra, Prishtinë; “Puthja vrastare”, tregime, (2003), Gazeta Rilindja, Prishtinë; “Hija e korbit” (novelat “Hija e korbit” dhe “Zgafella hutinit”), 2005, Lumi i bardhë, Mitrovicë; “Pikë në zemër”, poezi (2005), Ura, Prishtinë; “Shtatë ditë pas vdekjes”, roman, (2006), Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, Prishtinë; “Pallati me yje”, poemë për fëmijë, (2006), Ura, Prishtinë; “Furtuna”, roman (2007), Ura, Prishtinë; “Përtej harrimit”, përzgjedhje me poezi, (2008), Ura, Prishtinë; “Ishulli i vdekjes”, trilogji (2012), Vatra, Shkup; “Lëmë derrash”, antiroman, botim eksperimental i autorit me tirazh të kufizuar, Prishtinë 2010; “Tuna”, roman dashurie (2012), Ura, Prishtinë; “Kalvari”, roman (2012), Ura, Prishtinë; “Njeriu që rrezonte mirësi” (Në kujtim të Bexhet Sallahut), monografi ende e pabotuar për arësye të mospërmbushjes së premtimeve të familjarëve; “Poezi të zgjedhura” kinezisht, Taibei 2010; “Gatanje” (Fall), boshnjakisht e anglisht, botuar nga Dhira Verlag e Zvicrës dhe Diogen pro culture e Sarajevës. Vëllimi “Natë e gjatë”, poezi në gjuhën rumune (Bukuresht 2012), është vepra e njëzetegjashtë e botuar e këtij autori, kurse për shtyp i ka të përgatitura edhe disa vepra të tjera, në mesin e të cilave romanin për fëmijë “Çamarrokët”, një vëllim me vështrime letrare, një libër publicistik etj.



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora