E merkure, 04.12.2024, 06:01 PM (GMT)

Kulturë

Kujtim Mateli: Në qytezën poetike të Lumo Kolleshit

E enjte, 19.07.2012, 06:59 PM


Në qytezën poetike të Lumo Kolleshit.

Nga Kujtim Mateli

Vëllimi  poetik ”Nata vjen e natë s`kam”, i poetit me zë të veçantë në trevën e Përmetit dhe i njohur në të gjithë hapësirën shqiptare, ka kohë që lexohet me ëndje nga lexuesi shqiptar dhe  që tek poezia e Lumo Kolleshit, gjen oazin e qetësisë shpirtërore.
Por ky oaz qetësie e ekuilibri shpesh prishet e trazohet, jo për shkaqe të brendëshme, por të jashtme, për shkaqe që nuk varen në dorën tonë. Në këtë botë të trazuar, ekonomia botërore po i josh shqiptarët si në tregimet e Xhek Londonit, ku personazhet e tregimeve dhe novelave të tij u ciflitën në hapësirat e Veriut të kontinentit amerikan në kërkim të një cifle ari.
Pas kësaj cifle ari u joshën dhe shqiptarët. E ku nuk e kërkuan ata atë. Shkuan deri në ekstrem të hapësirave të hemisferës Veriore dhe të asaj Jugore. Me një fjalë nuk lanë pëllëmbë pa shkelur. Në këtë udhëtim disa ranë e mblodhën disa cifla ari, të tjerët vazhduan e vazhdojnë ende rrugën në kërkim të tij. Ende nuk kanë arritur të grumbullojnë aq sa duhet për të ngritur një strehëz në vendlindlindjen e tyre apo edhe diku gjetkë hapësirave të Atdheut. Në këtë aventurë, shumë prej tyre i mundon rruga e kthimit. Nuk ishte e denjë kjo aventurë.
Në kërkim të arit lanë shpirtin rrugëve të Botës. Nëse truri mund të qetësohet nga një llogari arithmetike, shpirti nuk e njeh një formulë të tillë. Në udhët e shpirtit ndalet e ngre fole dashuria. Dashuria e mistershme që askush deri më sot nuk e shpjegon dot si lind. Midis mendjes e shpirtit nuk ka asnjë korrelacion. Nëse mendja bën llogari, shpirti nuk e bën një gjë të tillë. Shpirti ecën në udhë të shkelura e të pashkelura. Shpirti sheh drejt horizontit ku ka një yll. Një yll në profilin e vajzës që dashuron. Në profilin e gruas që do. Ky yll mund ta mbajë shpirtin e njeriut në një rrugë shtegtare gjatë gjithë jetës ose për aq kohë sa vezullimi i tij e ndriçon atë.
****
Poezia e Lumo Kolleshit është e mbushur pot ndjenjë e dashuri njerëzore. Metaforat dhe epitet e shumta me të cilat poeti ka ndërtuar poezitë e tij, hyjnë natyrshëm te lexuesi, vargu është i kthjellët dhe të çon pa sforcime në universin që krijon poezia, ato vargje e shpien në një botë të njohur për të dhe cilido gjen aty copëza nga jeta e vet. 
Lumo Kolleshi paraqitet një krijues me përvojë. Arkitekti, në një reliev të pjerrët, nuk mund të ngrejë ndërtesa shumëkatëshe, për shkak të rrëshqitjes së vendit. Në vend të një blloku ndërtesash shumëkatëshe, ai ngre aty një qytezë një e dy katëshe. Një qytezë me dritare që ndjekin lëvizjen e diellit. A nuk është  bukur edhe kështu?
Në një terren të tillë e ngre Lumo Kolleshi  qytezën e vet poetike. Megjithëse poezitë e këtij vëllimi  ngjanë si këngët e një poeme; ashtu si e ka individualizuar njërën këngë nga tjetra, të gjitha poezitë i ngjajnë një qyteze të ngritur me fytyrë ndaj dashurisë. Është dashuria ajo që i lidh këto poezi me njëra-tjetrën, njëra poezi ushqen tjetrën dhe njëkohësisht secila është një krijim origjinal që ka fytyrën dhe tiparet e veta të dallueshme nga të tjerat.
Poezia “Pasqyra shikon thinjën time” një poezi katërvargëshe, i ngjan një ndërtese një katëshe, ndërtuar me fytyrë nga dielli i dashurisë. Pasqyra në dhomën e gjumit është e vetme, fillikate, jetime. Pasqyra duket sikur po plaket përballë së njëtës pamje, pamje jo e kënaqshme për syrin. Thinjat e bardha të burrit duket sikur e ndajnë atë në mijëra copa. Përditë e njënjta pamje. Kur do të shfaqen mbi pasqyrë të kuqtë e buzëve  të gruas?
Autori na thotë se jeta njerëzore thërmohet si kjo pasqyrë, nëse nuk është prezente ajo qënia e shenjtë me emrin grua që përtërin dhe siguron vazhdimësinë e jetës. Në mungesë të kësaj qënieje të shenjtë, shpirti burrit nuk është i qetë. Ai kërkon të lidh urat e këputura. Largësia fizike midis dy të dashuruarve, i ngjan një ure të rrënuar që lidh dy brigje. Po zemrat komunikojnë në një tjetër mënyrë. Janë urat e çiltërsisë ato që shpërfillin distancat. Janë këto ura që i mbajnë zemrat të bashkuara. Kjo e bën të mistershme dashurinë. Një çift, nuk ngrej dot ura dashurie edhe kur gjumi i mbledh në të njënjtin krevat, ndërsa ngrihen ura dashurie edhe kur ndahen nga kontinente.
****
Poezia “Folmë në paç perëndi” paraqet një komunikim të munguar midis dy të dashuruarve. Stinë vjeshte. Dallëndyshet i thërret udha e gjatë e shtegtimit. Pak para dallëndysheve, shtegtoi dhe Dallëndyshja njeri. Iku ashtu turravrap siç iket në udhët e shtegtimit. Çfarë mori me vete dhe ç`la pas?
Në ikje, ajo që merr, nuk është as e njëmijta e asaj që lë. Në ikje, drejtimi i lëvizjes së rrugës, është i kundërt me atë që lëviz zemra. Mendimi lëviz përpara drejt hapësirave të panjohura; zemra lëviz pas, drejt gjërave të dashura e të njohura. Zemra kërkon t`i marrë me vete ato çfarë mbetën pas: njerëzit e dashur e sendet e dashura. Po ja që njeriu duhet të shtegtojë në jetë edhe jashtë dëshirave të tij. Këtë e di çdokush që ka provuar rrugët e mërgimit, këtë e di edhe poeti, ndaj i drejtohet njeriut shtegtar, njeriut të dashur të zemrës, që ta plotësojë me atë çfarë i mungon. Do t`ia dërgojë kudo që të jetë, qoftë dhe me këta zogj shtegtarë.
Një degë borziliku a një tufë barbaroze, aq të dashura për gratë shqiptare, do t`ua lehtësonte shpirtin në udhën e mundimit. Ca hojeza mjalti , ardhur nga malet me sherebelë, do t`ua ëmbëloste deri diku hidhërimin.
Ç`të bëjë gati poeti për ta dërguar me këta zogj shtegtarë? Poeti pyet, por përgjigjia po vonon. Përgjia ka ngecur diku dallgëve të Jonit a të Adriatikut apo hapësirave ku avionët duken si zogj fluturues. Po koha rrjedh dhe dallëndyshet po bëhen gati të lënë telat ku janë mbledhur pak më parë. Edhe ato kanë rrugën e shtegtimit dhe nuk mund të vonojnë.
Poeti bën edhe një përpjekje të fundit për të marrë një përgjigje. Më në fund vendos të dërgoj zemrën e vet që nuk gjen qetësi. Vendos, por tufa e dallëndysheve është ngritur në horizintin gri të vjeshtës.
“ Dallëndyshet u bënë erë,
Folmë, në paç perëndi” (Poezia “Folmë në paç perëndi”, fq.24)
****
Poezia “ Kur more rrugën e gjatë” është përjetimi që ndien njeriu kur nuk e ka pranë njeriun e dashur të zemrës. Imazhi i poezisë është i gjallë. Poezia është ndërtuar me detaje të së përditshmes. Kokrat e rrushit të pjekur i ngjajnë me sytë e vashës së dashur. Dita-ditës sheh kokrat e rrushit që piqen. Dita-ditës, gjithnjë e më tepër, kërkon imazhin e saj:
“Mes  gjetheve të pjergullës t`i kërkoj duart.
Seç kishe një dëshirë fëmijërishte
Për t`i provuar e para kokrrat e pshenjtura”. (Poezia “ Kur more rrugën e gjatë”, fq. 31)
Poezia” Duhet vizë të hyj në syrin tënd” paraqet paradoksin 20-vjeçar për shqiptarët, që duhej të bridhje me muaj ambasadave për të shkuar tek njeriu i zemrës dhe si përfundim atë vizë nuk e siguroje dot. Në këtë hark kohor, sa mijëra e qindra mijëra zemra njerëzore u ciflitën.
“Duhet vizë e dashur, sa zor, sa zor”!
Në rrethana të tilla, njeriu kërkon rrugë, edhe pse ato mund të duken paradoksale.
“ Dhe shpirti im mes ëndrrave të trazuara
Lidh marrëveshje me zogjtë shtegtarë,
Për të çukitur në xhamat e ambasadave”. (Poezia” Duhet vizë të hyj në syrin tënd”, fq 32)
Po edhe urat e komunikimit shoqërohen nga paradokset. Linja telefoni që nuk punojnë e koha e celularëve vjen me vonesë në trojet e Shqipërisë.
“E kishim lënë për të folur,
Orët zunë të shkojnë si në funeral.
Ti s`përgjigjesh. Ç`të ketë ndodhur”? (Poezia “Bëhem lumë që del nga shtrati” fq 34).
Në këto kushte, ndienja njerëzore errësohet. Mendimi kërkon një shteg për të dalë nga paradokset. Zemra kërkon një udhë. Kthimi e vetmja rrugëzgjidhje.
Po edhe përtej detit a oqeanit, a përtej maleve të mbuluar me borë, zemra shtegtare kërkon gjithashtu. Po si? E vështirë qënka dhe udha e kthimit. Ylli i një jete më të mirë e bën të luftojë me vetveten si në tragjeditë e Shekspirit.
Të rri a të kthehem,
Kjo është çështja.
Në këtë dyluftim me vetveten poeti e këshillon njeriun që mbi të gjitha, parësore të vërë jetën. Njeriu duhet t`i thotë jo makutërisë për t`u pasuruar kur e sheh se ajo mbyt qënien njerëzore, mbyt dashurinë e vërtetë. Ndienja dhe arsyeja duhet të jenë këshillueset e vërteta të njeriut, sepse siç thotë poeti:
“O njeri, ke veç një jetë,
Përjetësinë s`e mbajtën dot dhe perënditë,
Shpirti nuk zëvendësohet kurrë me kuletë,
Punët e botës s`i mbarojnë as breznitë”. (Poezia, “O njeri ke veç një jetë” fq. 58)
****
Poezia “Sa të shkelë këmba e saj”
tregon se si zemra e njeriut u largohet pamjeve të zymta e trishtimit dhe kërkon çastet e gëzimit, kërkon një shkak, sado dhe i vogël të jetë, për të dalë nga e përditshmja. Mjafton një gotë raki. Një gotë raki që e ndez flakë zemrën e njeriut. Një gotë raki e marrë aty, te çurka e kazanit. Me `të, të lag pak fytin.
-Po mos eja, kur shpirti im është fillikat,- i thotë poeti shishes së rakisë. Mos eja, tani që nuk e kam pranë atë dorën e bekuar. Prit dhe ca sa të më shfaqet Ajo që më shtronte para pjatën me turshi. Atëhere po. Ti, rakizë e dashur, ardhur nga vreshtat me nam të viseve të mia, m`u afro vetëm atëhere, kur ta kem pranë atë që zemra më do. Mos m`i trazo kujtimet e mia në këto çaste që unë i quaj të vështira. Janë çaste vetmie dhe kalohen më mirë pa praninë tënde. Ti ( e uruara e vreshtit) të trazon shpirtin e të ngacmon mendjen. Pa ty ecet më qetësisht, kur rruga kalon buzë humnerave… Më duhet një mendje e kthjellët në këtë botë të trazuar. Po t`i s`më lë të qetohem. Po unë të them: prit!
“Prit dhe cazë aty në qelqe,
Sa të shkelë këmba e saj,
Pastaj mos më shtro dysheqe,
Më përplas skaj e më skaj”. (Poezia “Sa të shkelë këmba e saj”, fq.68)
   “Nën një çati të flenë dy zemrat tona”. Kështu e titullon poeti njërën nga poezitë e tij. Prania e asaj që do , do t`ia ndriçojë qiellin e ëndrrave e të mendimeve, do të arratisen netët e pagjuma, do të shpërndahen retë e zeza që mblidheshin pas atij perëndimi të diellit të zemrës. Atëhere shtëpia do t`i shëmbëllejë kosheres së bletës. Pa mëmën, një koshere degradohet çdo ditë duke shkuar drejt asgjësimit; me mëmën lind shpresa, ringjallja, përtëritja e zhvillimi. Pas gjithë këtyre peripecive njeriu ka nevojë të pushojë pak. Kanë ardhur dhe për atë, çastet e lumtura. Ka ardhur koha:
“ T`i lyej gishtat si dikur me mjaltë,
T`i ëmbëlsojë sërish ledhet e buzëve” ( Poezia  “Nën një çati të flenë dy zemrat tona”, fq 69).

Poezia “Shikoje fluturimin e zogjve edhe për mua”  e shtrin hapësirën e poezisë edhe në kohë. Bëhen të pranishëm falltarët e lashtësisë. Paskan ende vend  për ata edhe në këto kohë moderne. Një nga mënyrat e parashikimit të tyre  ishin dhe lëvizjet e zogjve. Njeriu i kohës së sotme, duke lëvizur në këtë botë të pamëshirshme e të egër, kërkon të dijë më tepër rreth asaj që do të vijë. Përtej asaj që projektojmë vetë , ka edhe diçka tjetër që është përtej aftësive dhe mundësive tona për ta parashikuar. Pikërisht, për atë duam të dimë.
Çfarë na ka rezervuar fati? Fatin mund ta thonë të saktë vetëm falltarët e vjetër. Për autorin e poezisë, mund ta thotë  falltari Kalkant.
Ja dhe tufa e zogjve u vu në dispozicion të tij. Ç`thotë trajektorja e lëvizjes së tyre? Ç`thonë klithmat e mbytura në këtë paradite të vjeshtës së vonë?  Si në tragjeditë e Eskilit, edhe njeriu i kohëve të sotme e ka shtruar pyetjen para falltarit. Kërkon të dijë:
“ Ç`thotë qielli i mugët i Lombardisë?
Flokët e saj kur kam për t`i trazuar? ” (Poezia “Shikoje fluturimin e zogjve edhe për mua”, fq 60)
Tani e ka radhën falltari lashtësisë. A do të depërtojë dot Ai, edhe në misterin e kohëve moderne?
****
   Poezia e Lumo Kolleshit është një përjetim i thellë shpirtëror. Poezia e tij krijon emocione.  Realiteti është përthyer artistikisht. Varg pas vargu dhe poezi pas poezie, jepet tabloja e plotë e realitetit në të cilin kalon shoqëria shqiptare. Realitet i mbushur me ngjyra, nga më të ndryshmet. Realitete që shoqëria shqiptare i përjetoi në këtë periudhë 20-vjeçare, ku tranzicioni lëvizi ngadalë në trojet tona, me ritmin e kërmillit. Tranzicion që shkaktoi plagë dhe dhimbje për shkaqe absurde siç ishte marrja e një vize nëpër ambasada për të shkuar tek të afërmit e tu.
Po shoqëria shqiptare e ka mbijetesën në genin e saj. Ky gen e ka mbajtur shqiptarin të lidhur fort në këto troje. Ky gen e mbajti të lidhur fort familjen dhe shoqërinë shqiptare dhe në këto vite tranzicioni.
Vargu në poezinë e Lumo Kolleshit është dëshmi e një dorë mjeshtërore. Ai është i skalitur me durim duke i dhënë dritën dhe ngjyrën e kërkuar. Duke lexuar poezitë e vëllimit ”Nata vjen e natë s`kam”,  befasohesh me frekinë, bukurinë dhe orgjinalitetin e poezive të tij.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora