E shtune, 27.04.2024, 11:23 AM (GMT+1)

Kulturë

Ryzhdi Baloku: Fati i ushtarëve shqiptarë në prag të kapitullimit të mbretërisë jugosllave

E premte, 20.07.2012, 05:01 PM


FATI I USHTARËVE SHQIPTARË NË PRAG TË KAPITULLIMIT TË MBRETËRISË JUGOSLLAVE

Nga: Ryzhdi Baloku

Kur Italia fashiste në krye me Benito Musolinin në vitin 1939 e kishte pushtuar Shqipërinë, Kosova ishte nën sundimin e Mbretërisë Jugosllave, nën atë shtet shqiptarët përjetonin përndjekje sistematike institucionale që përcillej me një terror të padurueshëm.

Për t’iu shmangur luftës nga pushtimi i mundshëm, diplomacia serbe taktizoi me politikën e lojës së koncesioneve. Kjo situatë e shpiu qeverinë e këtij shteti që ta nënshkruajë protokollin me Gjermaninë naziste, për inkuadrimin e saj në paktin trepalësh të boshtit ushtarak: Berlin-Tokio-Romë. Dy ditë pas nënshkrimit të këtij akti ndërshtetëror, kjo qeveri u rrëzua nga pushteti me puçin ushtarak të organizuar nga një grup oficerësh-elitë, të paguar nga shërbimi sekret britanik “SOE”. Përkundër deklarimit verbal të puçistëve për lojalitet ndaj paktit trepalësh, ky manovrim i tyre nuk e dha rezultatin e pritur, sepse pas disa ditësh si përgjigje ndaj këtij grusht-shteti, forcat gjermane invaduan mbi këtë vend në pranverën e vitit 1941. Me këtë rast komanda supreme e ushtrisë jugosllave u detyrua ta nënshkruajë kapitullimin, pas të cilit akt rezultoi internimi i ushtarëve të robëruar dhe secesionizimi territorial i kësaj krijese artificiale.

Si aleate e Gjermanisë, Italia e shtriu pushtetin e vet pas këtij pushtimi edhe në territorin e Kosovës, duke u zgjeruar po ashtu në Çamëri që deri atëherë ishte nën qeverisjen e pushtetit grek, nga i cili regjim shqiptarët e kësaj krahine kishin përjetuar shtypje e përndjekje sistematike të programuara përmes mekanizmave të instaluara të këtij shteti.

Në këtë periudhe lufte, Kosova dhe Çamëria u inkorporuan në një shtet me Shqipërinë duke u administruar nga një qendër e vendosjes si një tërësi territoriale. Kosovarët dhe çamët këtë gjendje të re e përjetuan si çlirim, meqë kishte filluar një epokë e re për ta.

Jo shumë kohë para invadimit gjerman dhe shkapërderdhjes së ushtrisë jugosllave, ishte enigmë mënyra e zhdukjes së ushtarëve shqiptarë që shërbenin nëpër kazermat ushtarake të kësaj mbretërie, prandaj sa herë që xha Sokolit e përkujton  atë periudhë, mendja i shkon te skenari tronditës me ngjarje dramatike të asaj ploje. Ndjen dhembshuri kur i kujton shokët e zhdukur, të cilët nisë t’i numërojë dhe t’i  radhisë sipas regjioneve, këtë ngjarje e rrëfen duke e shoqëruar herë pas here me psherëtimë.

Xha Sokoli tregon sesi i kishte prirë fati të ishte bashkë me Zekën  edhe gjatë kohës së shërbimit ushtarak. Për ngjarjen tragjike që ishte një dramë me zhvillime të mistershme thotë:

- Që në ditët e para të shërbimit ushtarak vumë re se ishim nën regjimin e një vëzhgimi të posaçëm, të përcaktuar nga komanda e kazermës. Tretmani ndaj nesh ishte i pazakontë, krahasuar me ushtarët tjerë. Duke e ditur këtë, ne duhej të kishim një kujdes të shtuar që mos t’u jepnim ndonjë shkas që mund t’iu tërhiqte vëmendjen. Përkundër kësaj, eprorët tanë shpeshherë gjenin shkaqe për të na ndëshkuar edhe pse sjelljet tona me përpikëri ishin në përputhje me të gjitha rregullat e shërbimit ushtarak të Mbretërisë Jugosllave.

Më vonë, kjo gjendje u ashpërsua edhe më shumë, saqë jeta e jonë u vu në pikëpyetje. Këtë e vumë re gjatë një mëngjesi, kur na mungoi njëri nga shokët.

Megjithëqë nuk kishte transferime të ushtarëve, numri i shqiptarëve në rreshta zvogëlohej gati për çdo javë, ndërsa eprorët tanë as që e shfaqnin ndonjë shenjë shqetësimi, e lëre më të flisnin për këtë dukuri. Ata vazhdonin me punët e përditshme sikur mos të kishte ndodhur asgjë. Ishte e logjikshme që ne të dyshonim se këta oficerë shushunja kishin dorë në zhdukjen e tyre.

Për ta gjetur rrugëdaljen nga kjo situatë, një ditë u mblodhëm fshehtas tjerëve dhe biseduam. Aty u fol, se si gjatë turnit të natës ushtarët shqiptarë po vriteshin nëpër vendroje. Pas këtij komentimi dikush tregoi se skaj brigjeve të lumenjve Sava e Danub ishin parë disa kufoma njerëzish që kishin në trup uniforma ushtarësh.

Kur vinte nata për të bërë rojë krijohej një gjendje ankthi. U morëm vesh që asnjëherë mos të qëndronim në një vend gjatë kohës së rojës, por të fshiheshim duke e ndërruar vendin derisa të zbardhte.

Një ditë, duke biseduar me Zekën vendosëm të dezertonim nga kjo ushtri. Këtë vendim tonin e forconin edhe sjelljet e eprorëve tanë të cilët haptas e shprehnin urrejtjen ndaj nesh. Ne vetëm e prisnim çastin e volitshëm që të iknim për t’i shpëtuar kokat.

Kur avionët gjermanë fluturuan mbi kryeqendrën e kësaj mbretërie, në ato momente ne të dy ishim duke bërë roje pranë depove ushtarake në periferi të këtij qyteti.

Me të dëgjuar të rafalëve dhe shpërthimeve të granatave, Zeka u nis me vrap nga skaji i kompleksit ushtarak, në drejtim të vendrojës ku qëndroja unë. Me të kaluar të tij përgjatë depove, që ishin njëra pas tjetrës, në të cilin vend ndodheshin rresht edhe shtëpizat e vendrojave, ushtarët shqiptarë, e thërrisnin:

- O Zekë, o Zekë-o, çfarë u bë ?

Ai pa e ndalë vrapin ua kthente përgjigjen me dorë, duke e lëvizur në formë harku ngjashëm me rrotullimet e dollapëve të Tophanes, që e simbolizonte shenjen e fjalëve: “do të kthehem”.

Një vrap i tillë për të pranishmit ishte enigmë, për çfarë edhe unë i bëja pyetje vetes pse po vraponte ? !

Ende pa arritur tek unë, me një zë të lartë e të thekshëm thirri:

- O Sokol, a je aty ?

- Po Zekë po, po çfarë ka ndodhur ?, - iu përgjigja po ashtu me zë pak më të ngritur.

Nga pamja e vëreja se merrte frymë me vështirësi. Pas pak kohësh nisa t’ia dëgjoja edhe dihatjen. Mbasi e mori veten, me një frymëmarrje të thellë më foli:

- Largohu nga depoja.

Dola nga shtëpiza e vendrojës dhe u nisa të eci pa ngutim në drejtim të tij. Kur iu afruam njëri tjetrit në një distancë prej disa hapash, e vërejta se mezi e mbanin këmbët nga lodhja. Që të mos ulej, u ndal për një çast, u kërrus duke u mbështetur me njërën dorë mbi gjurin e këmbës, përderisa më tjetrën e lëshoi kondakun e pushkës mbi tokë dhe u mbajt për tytë. Pas një çikëz pushimi, nisi të flasë:

- Dëgjo Sokol, të gjithë kanë ikur, pos shqiptarëve askush s’ka mbetur. Nëse avionët gjermanë i godasin depot ku jemi ne, nuk do të na  i gjejnë as copat, do të bëhemi hi e pluhur.

- Ku po e di se vetëm ne shqiptarët kemi mbetur ? - i thash.

- Më beso, i kam parë duke u larguar, - u përgjigj ai dhe vazhdoi.

- Ata, së pari nisën të lëviznin njëri te tjetri, por pakëz më vonë u habita duke i vëzhguar me befasi vendrojat e tyre të zbrazëta të asaj ane atje, prandaj edhe më humbën nga shikimi.

Ai e ngriti kokën dhe e drejtoi trupin “pip-përpjetë”, e m’u drejtua me një hidhërim që iu shpreh në fytyrë:

- Kur ata ikin, ne çfarë po presim ? ! Mbi të gjitha, a nuk po të mjaftojnë vrasjet e shokëve tanë, kufomat e të cilëve po kalben nëpër lumenjtë Danub e Sava.

- Mirë e ke Zekë, por çka më tutje ? - ia drodha.

- Do ta diskutojmë edhe këtë punë, - m’u përgjigj.

Duke biseduar se si t’ia bëjmë, filluam të ecnim krahas, në drejtimin nga kishte ardhur ai pak më parë. Derisa ne ecnim përgjatë rrugës anash depove, të tjerët prej së largu na vëzhgonin, por edhe e lëviznin pushkën me dorë në formë gjysmëharku, si shenjë e përshëndetjes për komunikim, kurse ne i ftonim me dorë të na bashkëngjiteshin.

Një nga një, për një kohë të shkurtër të gjithë u mblodhën brenda oborrit. Bisedën, që nuk zgjati shumë, e zhvilluam duke qëndruar në këmbë, meqë qëndrimi i mëtejmë aty ishte me shumë rreziqe nga shpërthimet e mundshme të municioneve eksploduese, për të cilat supozonim se gjendeshin nëpër depo. Vendosem të largoheshim në një distancë të konsiderueshme, që konsultimet mes vete t’i vazhdonim pa nxitim. Veprimet që do t’i ndërmerrnim duhej të ishin jashtëzakonisht të arsyeshme.

Nga një largësi e mjaftueshme, pa u ngutur e me gjakftohtësi filluam t’i shtronim pikëpamjet tona, duke i shqyrtuar të gjitha mendimet më rrafsh. Dikush nga shokët propozoi që njëri nga ne të lajmërohet në ndërtesën e komandës ushtarake, e cila ishte jo shumë larg nga depot, dhe në rast se atje nuk do të gjejë asnjë epror, tek atëherë të largoheshim me vetiniciativë.

Këtë detyrë e pranoi Zeka. Ma la pushkën që t’ia mbaja dhe u nis me vrap andej. Kur i afrohet asaj ndërtese vëren se nuk kishte kujt t’i drejtohej. Futet brenda në objekt, fillon të ecë me hapa të lehtë përgjatë korridorit duke përgjuar me kujdes. Nuk sheh njeri, për një çast mendon: Të gjithë qenkan larguar dhe niset të dalë jashtë. Ende pa dalë e dëgjon një kërcëllimë. Kthehet mbrapa, kah drejtimi që e kishte dëgjuar kërcëllimin. Aty e mbështet veshin në një derë dhe përgjon. E dëgjon një trokëllimë që zakonisht krijohet me gishtërinjtë e duarve në rastet kur goditet ndonjë objekt i fortë e kumbues, që për një çast i duket si të ishte tingull tupani i melodisë së marshit ushtarak.

Me t’u vërtetuar se dikush ishte brenda në zyrë, troket. Me të dëgjuar të fjalës “hyr”, e çel derën dhe futet brenda. Aty e has njërin nga eprorët të ulur në karrige pranë tavolinës së punës. Për të flitej se ishte nga Panonia, dhe bashkëshorten e kishte hungareze të asaj ane. Ajo ishte një zonjë shumë e pashme.

Zeka e kishte paramenduar se ai epror që kishte mbetur vetëm aty, nga nervoziteti i kishte rënë tavolinës me gishtërinj. I kishte bërë përshtypje pamja e tij demoralizuese, megjithatë ishte bërë sikurse nuk po vëren gjë. E kishte përshëndetur dhe ishte prezantuar në mënyrën ushtarake, duke kërkuar prej tij që ta lejojë t’i drejtohej për qëllimin e paraqitjes.

Kur Zeka e kishte marrë përgjigjen nga ai, erdhi dhe na ftoi të gjithëve që t’i lajmërohemi atje.

Para se t’i hynim në zyrë, të gjithë i lamë armët jashtë, para derës në korridor. Me t’u paraqitur aty, secilit prej nesh na vulosi librezat ushtarake, pastaj na dha nga një shkresë me të cilën konfirmoi  rrethanat e krijuara për t’u liruar nga obligimi për shërbim të mëtejmë.

Kur dolëm jashtë dhe u larguam nga ajo ndërtesë, e vërejta se pos meje të gjithë i kishin lënë armët atje. Nuk u ktheva për ta lënë, edhe pse të tjerët ishin të mendimit se mbajtja e saj me vete do të na sillte probleme.

Fragment nga romani në dorëshkrim...



(Vota: 33 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora